loader image
March 14, 2026

Dimensioni njerëzor i heroizmit

Heroizmi i Adem Jasharit, Hamzë Jasharit dhe familjes së tyre nuk mund të ishte në kuptimin mitik apo legjendar, por ishte real në dimensionin e tij njerëzor dhe historik. Madhështia e aktit qëndron pikërisht në faktin se vendimi për të mos u dorëzuar ishte i ndërgjegjshëm dhe i marrë përballë një rreziku të qartë e të pashmangshëm, një zgjedhje e vetëdijshme për të vepruar në kushte ekstreme.

Xhafer SADIKU, Tiranë

Shqiptarët, në fund të shekullit XIX dhe gjatë gjithë shekullit XX, u përballën me procese të dhunshme zhvendosjeje, shpërnguljeje dhe përndjekjeje, të cilat lanë gjurmë të thella në kujtesën kolektive. Dëbimet nga trojet etnike, konfiskimet e pronave, djegiet e kullave dhe format e ndryshme të spastrimit etnik përbënin një realitet të përsëritur historik, që ndikoi drejtpërdrejt në formësimin e vetëdijes kombëtare dhe në konsolidimin e një kulture të qëndresës. Përmasat dhe shpeshtësia e këtyre ngjarjeve prodhuan edhe shprehje popullore që pasqyronin pasigurinë ekzistenciale të kohës, si ajo se “shqiptari do të jetojë në shtëpinë e tij aq kohë sa ta lejojë armiku” – një formulim që sintetizon përvojën e hidhur të mbijetesës në rrethana pushtimi dhe dhune.

Megjithëse historia ofron një mori shembujsh të kësaj natyre, fundi i shekullit XX shënoi një kthesë të rëndësishme në artikulimin e qëndresës shqiptare në Kosovë. Ngjarjet e marsit 1998 në Prekaz, të lidhura ngushtë me sakrificën e familjes Jashari, u shndërruan në një moment kulmor, si në planin simbolik, ashtu edhe në atë historik. Qëndresa e Adem Jasharit dhe familjarëve të tij, të cilët refuzuan të dorëzoheshin përballë forcave serbe, u interpretua gjerësisht si një akt i vetëdijshëm flijimi për liri dhe dinjitet kombëtar. Ky akt e tejkaloi dimensionin individual apo familjar dhe u ngrit në nivelin e një miti themelor të rezistencës së armatosur në Kosovë.

Në këtë kuptim, ngjarja e Prekazit nuk përfaqëson vetëm një episod tragjik të historisë së afërt, por edhe një pikë kthese në historinë kombëtare shqiptare, ku qëndresa individuale u integrua në një projekt më të gjerë kolektiv për liri dhe për ndërtimin e shtetit si instrument që garanton sovranitetin dhe të drejtat themelore.

Figura e Adem Jasharit mori një dimension të veçantë në narrativën kombëtare. Ai nuk u perceptua vetëm si një nga komandantët e UÇK-së, por si personifikim i qëndresës së pakompromis. Akti i tij u artikulua si dëshmi e vendosmërisë së shqiptarëve për të mbrojtur shtëpinë, tokën dhe atdheun.

Heroizmi si zgjedhje njerëzore dhe shndërrimi në simbol

Historia dëshmon se në luftërat popullore, si ajo e Kosovës, marrin pjesë grupe dhe individë me formime të ndryshme ideologjike, sociale e kulturore, por të bashkuar nga një qëllim i përbashkët: përpjekja për liri. Ajo që e dallonte Adem Jasharin ishte prirja për të artikuluar qëndrime joideologjike, por kombëtare, ku elementi doktrinar tek disa të tjerë zbehej përballë dimensionit historik të rezistencës së tij. Në këtë kontekst, Adem Jashari dhe familja Jashari u shndërruan në simbol dhe u bënë vazhdues të traditës së gjatë të qëndresës shqiptare. Adem Jashari, me veprën e tij si luftëtar, dha shembullin për komandantët e tjerë bashkëluftëtarë dhe u bë simbol se në luftërat çlirimtare, ideologjitë priren të relativizohen përballë qëllimit të përbashkët, duke krijuar një identitet kolektiv përtej ndarjeve partiake. Kjo krijoi një lidhje organike ndërmjet historisë, trashëgimisë kulturore dhe projektit kombëtar.

Heroizmi i Adem Jasharit, Hamzë Jasharit dhe familjes së tyre nuk mund të ishte në kuptimin mitik apo legjendar, por ishte real në dimensionin e tij njerëzor dhe historik. Madhështia e aktit qëndron pikërisht në faktin se vendimi për të mos u dorëzuar ishte i ndërgjegjshëm dhe i marrë përballë një rreziku të qartë e të pashmangshëm, një zgjedhje e vetëdijshme për të vepruar në kushte ekstreme.

Martirizimi i familjes Jashari u kthye në simbol e u institucionalizua në ligjërimin publik si akt themelues i një epoke të re politike në Kosovë. Në këtë mënyrë, historia konkrete e një familjeje u integrua në një narrativë më të gjerë kombëtare, ku qëndresa dhe flijimi u afirmuan si vlera qendrore të identitetit kolektiv. Ky dimension kolektiv i rezistencës i dha ngjarjes një peshë të veçantë simbolike, jo vetëm në kontekstin shqiptar, por edhe në një perspektivë më të gjerë krahasimore.

Për shqiptarët e Kosovës dhe mbarë shqiptarët, ngjarjet e marsit 1998 në Prekaz përbënin një pikë kthese emocionale dhe politike. Figura e Adem Jasharit dhe martirizimi i familjes Jashari e frymëzuan popullin e shtypur, e afruan lirinë dhe e shpejtuan procesin e shtetformimit të Kosovës. Historiografia, institucionet shtetërore dhe kujtesa kolektive – përmes përkujtimoreve, teksteve shkollore dhe ceremonive zyrtare – e konsoliduan këtë status, duke e vendosur rastin e familjes Jashari në qendër të ligjërimit kombëtar.

Identifikimi me fatin e popullit, sakrifica personale dhe familjare, përfaqësimi i vlerave tradicionale dhe liria si e drejtë natyrore është mesazhi më i qartë që na la historia e tyre.

Liria si ideal mobilizues në luftë dhe si rend institucional në paqe

Lufta për liri është sakrificë kolektive që kërkon mobilizim të gjerë shoqëror dhe përballje me dhimbjen dhe humbjen. Në këtë kuadër, sakrifica e bërë për liri duhet të çojë në krijimin e një shteti të së drejtës, i cili garanton dhe zgjeron liritë e qytetarëve.

Përvoja historike ka treguar se luftërat për liri, në disa raste, kanë çuar në krijimin e sistemeve autoritare. Ajo shndërrohet në një burim privilegjesh për një elitë të ngushtë, pavarësisht nga roli i saj në organizimin e rezistencës.

Shembulli i Shqipërisë pas vitit 1944 është veçanërisht ilustrues në këtë drejtim. Partia Komuniste e Shqipërisë, e cila fillimisht ishte një organizatë e vogël dhe ilegale, arriti të monopolizojë politikisht fitoren kundër pushtuesve dhe ta shndërrojë atë në një burim legjitimiteti absolut për konsolidimin e pushtetit të saj. Ajo krijoi një rend politik që kufizoi liritë e qytetarëve dhe eliminoi pluralizmin politik.

Përvoja e Shqipërisë thekson dallimin mes lirisë si ideal mobilizues gjatë luftës dhe lirisë si rend institucional pas saj. Fitorja mbi pushtuesin nuk garanton domosdoshmërisht krijimin e një sistemi të ndarjes së pushtetit, llogaridhënies dhe respektimit të të drejtave themelore të qytetarëve. Legjitimiteti i pushtetit nuk mund të mbështetet pafundësisht në sakrificën e së kaluarës, por – përmes sundimit të ligjeve të drejta – të garantojnë të drejtat e qytetarëve. Institucionalizimi i parimeve demokratike dhe kufizimi kushtetues i pushtetit siguron që sakrifica kolektive të përkthehet në një liri të qëndrueshme dhe të mbrojtur.

Lufta çlirimtare sjell ndryshime për dy kategori: për popullin, që shpesh nuk përfiton, madje rrezikon të humbë, dhe elitën, që e përdor fitoren për të siguruar pushtet dhe pasuri. Kjo krijon një distancë mes elitës dhe popullit, duke e polarizuar shoqërinë dhe e kufizuar lirinë. Ky është pikërisht paradoksi i luftës për liri: ajo bëhet në emër të lirisë kolektive, por shpesh prodhon një asimetri mes sakrificës dhe përfitimit.

Qytetari midis botës së idealeve që jeton tek të rënët dhe pragmatizmit të qeveritarëve 

Në shumë raste, elitat që dalin nga lufta e përdorin autoritetin moral të sakrificës për ta konsoliduar pushtetin dhe për ta shndërruar atë në legjitimitet politik të pakontestueshëm. Kjo ndodh madje duke falsifikuar historinë. Nuk janë të pakta rastet kur zvogëlohen meritat e të rënëve, madje të tjerë përfitojnë kapital politik dhe financiar pa qenë fare në luftë. Ky fenomen është vërejtur në kontekste të ndryshme historike dhe kulturore, ku kapitali simbolik i rezistencës transferohet në kapital politik. Në këto rrethana, merita kolektive përqendrohet në një parti, lëvizje ose grup drejtues, ndërsa populli – që ka qenë subjekti real i sakrificës – mbetet shpesh përfitues i kufizuar i lirisë së premtuar.

Kur ndodh një përqendrim i tillë i meritës dhe i legjitimitetit, heronjtë e rënë për lirinë mund të reduktohen në figura ideologjike, të instrumentalizuara për qëllime të caktuara politike. Në këtë proces, simbolika e tyre fillestare – e lidhur me sakrificën për liri – mund të zbehet ose të deformohet. Për ta shmangur këtë deformim, është e domosdoshme që historia e luftës të shkruhet në tërësinë e përmasave të saj: ushtarake, politike, shoqërore dhe morale, duke përfshirë si dimensionin heroik, ashtu edhe kompleksitetin e rrethanave në të cilat ajo u zhvillua.

Zakonisht, historiografia e një populli, pas një lufte, kalon nëpër tri faza. Së pari, faza konsoliduese, e cila synon ndërtimin e unitetit dhe të një narrative kohezive kombëtare. Në këtë fazë ndikojnë kryesisht emocionet. Së dyti, faza tranzitore-analitike, ku fillon shqyrtimi kritik i konteksteve, aktorëve dhe proceseve historike. Së treti, faza pluraliste-kritike, në të cilën është hapja ndaj interpretimeve të shumëfishta dhe debatit të mirëfilltë shkencor. Historiografia shqiptare, në përgjithësi, duket se ka hyrë në një etapë analitike, ndonëse ende në fazat e saj të hershme, ku ndërthuren nevoja për konsolidim dhe kërkesa për rishqyrtim kritik.

Në këtë kuadër, Kosova, ndryshe nga Shqipëria e pas vitit 1944, u ndërtua në një kontekst pluralist dhe nën mbikëqyrje ndërkombëtare, çka krijoi balanca të tjera institucionale dhe strukturore. Ajo ka mundësi reale të shmangë përvojën e historiografisë marksiste-leniniste të Tiranës, që përbën një shembull domethënës të transformimit të legjitimitetit historik në monopol politik. Një shoqëri e sigurt në identitetin e saj nuk ka arsye t’i frikësohet analizës kritike të së kaluarës. Studimi shkencor i historisë nuk e zvogëlon heroizmin; përkundrazi, ai e vendos atë në përmasën e tij reale, duke e mbrojtur nga mitizimi i panevojshëm dhe nga instrumentalizimi politik. Në këtë mënyrë, kujtesa kolektive forcohet jo mbi mitin e pakontestueshëm, por mbi një vetëdije historike të argumentuar dhe të përgjegjshme.

Megjithatë, rreziku teorik – i dëshmuar në raste të mëparshme historike – që meritat e luftës të shndërrohen në kapital të përhershëm pushteti, mbetet i pranishëm në çdo shoqëri që kalon nëpër një proces çlirimtar.

Si përfundim duhet thënë se vepra e dëshmorëve lartësohet në raport me vlerat e shoqërisë që ndërtojmë. Ato realizohen përmes ligjeve të drejta, ndarjes së pushteteve dhe mekanizmave të llogaridhënies që garantojnë respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Një shtet i ngritur mbi parimet e drejtësisë, gjakun e dëshmorëve dhe sakrificat e popullit garanton barazi për qytetarët dhe përgjegjësi për ushtruesit e pushtetit.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X