Lufta, edhe pse u bë në bashkëpunim me NATO-n, punët megjithatë ishin të ndara. Ushtarët e Aleancës shkonin për qielli dhe gjuanin nga deti pika strategjike në Serbi e Kosovë, por ata që ecnin për toke ishin ushtarët vullnetarë të UÇK-së. Ushtarët e NATO-s mund të jenë njoftuar nëpër kazerma e poligone për masakrat që ndodhnin në Kosovë sa për t’i motivuar e sa për ta arsyetuar moralisht angazhimin e tyre, por ata nuk i kishin përjetuar këto masakra.
Rizvan SULEJMANI, Shkup
Në esenë klasike me titull tejet provokativ, “War Making and State Making as Organized Crime” (1985) (“Bërja e luftës dhe bërja e shtetit si krim i organizuar”), Charles Tilly sfidon teoritë kontraktuale, duke shtruar një tezë provokuese se formimi i shtetit modern është historikisht i lidhur ngushtë me luftën dhe me organizimin e dhunës, në një mënyrë që ai analogjikisht e krahason me krimin e organizuar. Argumenti kryesor është përmbledhur në formulën e famshme “War makes states” (Lufta bën shtete). Mbi këtë qëndrim ai përshkruan katër aktivitetet themelore të shtetit, që e identifikon përmes katër proceseve të ndërlidhura të cilët shpien në krijimin e shtetit modern: War making (Bërja e luftës), State making (Bërja e shtetit), Protection (Mbrojtja), Extraction (Zhvatje, Përfitim). Autori nuk pretendon se shtetet e tjera kombëtare e kanë ndjekur këtë korbë historike, por bazuar në analizat e shteteve postkoloniale ai tenton ta shpjegojë se procesi i shtetformimit edhe pse ka ndodhur nën ndikimin e forcave të jashtme, në instancë të fundit kanë evoluar në dhunë. Kjo, përskaj rrethanave krejt tjera, na provokon që shtetformimin e Kosovës ta vëmë nën dioptrinë e teorisë së Tilly-it, për ta hapur dilemën nëse udhëheqësit e luftës dhe shtetndërtimit ranë pre e këtij procesi.
Që të mund ta zhvillojmë këtë tezë, pikësëpari të shohim si i përshkruan autori këto faza? Duke iu përmbajtur tezës qendrore se shteti është prodhim i dhunës së organizuar, studiuesi vjen në përfundim se aktorët e shteteve, në mënyrë karakteristike, kryejnë katër aktivitete të ndryshme: 1. Bërja e Luftës: Eliminimi ose neutralizimi i rivalëve të tyre jashtë territoreve në të cilat ata kanë përparësi të qartë dhe të vazhdueshme si përdorues të forcës. 2. Bërja e shtetit: Eliminimi ose neutralizimi i rivalëve të tyre brenda atyre territore. 3. Mbrojtja: Eliminimi ose neutralizimi i armiqve të klientëve të tyre 4. Zhvatja: Sigurimi i mjeteve për kryerjen e tre aktiviteteve të para: luftëbërje, shtetbërje dhe mbrojtje (Charles Tilly, 1985 – përkthimi i autorit). Duke i mbivendosur këto veprime në mënyrë jo të plotë shtetet europiane, që sot i njohim si shtete kombëtare, prodhuan forma të organizimit që njihen si bazamente të shtetit modern. Bërja e luftës – solli ushtri, marina dhe shërbime mbështetëse. Bërja e shtetit – prodhoi instrumente të qëndrueshme mbikëqyrjeje dhe kontrolli brenda territorit. Mbrojtja prodhoi aparate shtetërore përmes të cilëve të mbrojturit, qytetarët, e fituan mbrojtjen që u takonte, përmes gjykatave dhe kuvendeve përfaqësuese. Zhvatja krijoi struktura fiskale dhe kontabilitet shtetëror (Charles Tilly, 1985).
Sigurisht se pyetja më sfiduese është si mund të prodhojë përdorimi i forcës shtet të së drejtës dhe demokracisë? Sipas autorit, faza kritike në këtë proces do të jetë ajo e Mbrojtjes, meqë në këtë fazë do të paraqitet rezistenca popullore ndaj luftëbërjes dhe shtetbërjes, që solli ndryshime kolosale, në disa drejtime. Për shkak të çmimit që kishin paguar për dy proceset paraprake, njerëzit e zakonshëm bënë rezistencë me forcë, me çka i kufizuan rrugët e mëvonshme të luftëbërjes dhe shtetbërjes dhe në të njëjtën kohë i detyrojë autoritetet të bëjnë lëshime në të drejtat, krijimin e institucioneve përfaqësuese, gjykatat dhe apelimet. Si shembull për këtë e merr Revolucionin Anglez të vitit 1640, që pati ndikim më shumë se çdo revolucion tjetër në ngritjen e institucioneve politike dhe të drejtësisë. Me Paqen e Vestfalisë (1648), do të pasojë periudha e riorganizimit të madh të sistemit shtetëror europian (Charles Tilly, 1985).
Nëse këto shtete dhe kombe mund t’i quajmë si historike, çka ndodh me ato që do të krijohen më vonë? Sipas Tilly-it, shtetet e mëvonshme, që janë krijuar nëpërmjet dekolonizimit ose shkëputje nga territoret e shteteve dominuese, organizimin e tyre ushtarak e kanë fituar nga jashtë, pa e ndjekur procesin e farkëtimit të brendshëm. Këtë proces autori ua përshkruan forcave të jashtme ushtarake dhe ekonomike, që u mundësojë shteteve të reja të strehojnë brenda territorit të tyre organizata të fuqishme pa kufizime. Përderisa shtetet e jashtme garantonin kufijtë e jashtëm të këtyre shteteve, udhëheqësit e organizatave ushtarake ushtronin ndikim të jashtëzakonshme brenda tyre, që bëri ideja fisnike e përhapjes së qeverisjes civile gjithandej, për të cilën europianët edhe mund të ishin krenarë në shumë raste të devijojë. Për këto raste autori do të konstatojë se analogjia midis luftëbërjes dhe shtetbërjes, nga njëra anë, dhe krimit të organizuar, nga ana tjetër, bëhet tragjikisht e përshtatshme edhe për këto shtete (Charles Tilly, 1985).
Nëse kjo është trajektorja e ngritjes së shtetit modern kombëtar në Europë dhe shtetet postkolonialiste, cila është paralelja që mund të tërhiqet me çlirimin, shtetbërjen, mbrojtjen dhe zhvatjen në rastin e Kosovës? Sigurisht se është vështirë të tërhiqet një paralele e tillë, për shkak të rrethanave krejt tjera kur u krijuan shtet kombëtare europiane dhe ato postkolonialiste. Ne sot jetojmë në kontekstin e ri kur është ngritur e drejta ndërkombëtare që trajton konfliktet dhe luftërat, si Karta e Kombeve të Bashkuara (1945), Konventat e Gjenevës (1949), Protokollet Shtesë (1977), por teoria është mjaftueshëm provokuese për të shtruar analizën edhe nën këtë dioptri.
Të mundohemi ta analizojmë konfliktin e Kosovës, që evoluoi në luftë për pavarësi dhe shtet sovran, e pastaj të bëjmë përpjekje ta projektojmë në teorinë e Tilly-it.
Një vrojtim më i kujdesshëm i këtij procesi na bën të kuptojmë se në fillim konflikti mund të definohet si kryengritje e armatosur që përputhet me paraqitjen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (28 nëntor 1997) dhe veprimtarinë e saj. Ajo operonte fillimisht si lëvizje guerile kundër strukturave shtetërore jugosllave/serbe. Kur një kryengritje arrin kontroll territorial, strukturë komanduese, mobilizim masiv, kalon në rebelim të organizuar (1998). Në fazën kulmore (1998–1999), konflikti merr tiparet e një lufte çlirimtare, që në rastin e Kosovës lidhet me masakrimin e familjes Jashari (5-7 mars 1998). Me ndërhyrjen e NATO-s (24 mars 1999 – 10 qershor 1999), konflikti ndryshon natyrën teorike dhe bëhet konflikt i brendshëm i ndërkombëtarizuar, ndërsa pas vitit 1999 është luftë në funksion shtetëformues.
Pra, në rastin e Kosovës, konflikti kalon nga një kategori juridike në tjetrën dhe për këtë arsye rregullimi normativ ndryshon sipas fazës së konfliktit. Por, e drejta ndërkombëtare e luftës (jus in bello / e drejta ndërkombëtare humanitare) zbatohet për konfliktet ndërkombëtare dhe konfliktet e armatosura jondërkombëtare.
Justifikimi për ndërhyrje ndërkombëtare përmes NATO-s ishte doktrina e ndërhyrjes humanitare, e cila argumenton se përdorimi i forcës mund të jetë i justifikuar për të ndaluar shkelje masive të të drejtave të njeriut, gjegjësisht “Sovraniteti shtetëror nuk mund të përdoret si mburojë për krime masive kundër popullsisë civile”. Më vonë, rasti i Kosovës ndikoi drejtpërdrejt në zhvillimin e doktrinës “Responsibility to Protect” (R2P), e miratuar në kuadër të OKB-së (2005), që thekson se shtetet kanë përgjegjësi primare ta mbrojnë popullsinë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka përgjegjësi dytësore kur shteti dështon.
Luftëbërja në Kosovë u zhvillua në bashkëpunim me NATO-n , për të përfunduar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (më 10 qershor 1999). Me këtë u vendos administrimi i përkohshëm ndërkombëtar përmes misionit civil të OKB-së, UNMIK (United Nations Interim Administration Mission in Kosovo). Kjo nënkuptonte heqjen e kontrollit faktik të Serbisë mbi territorin. Me këtë rezolutë gjithashtu u autorizua vendosja e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare, KFOR-i me detyrë, garantimi i sigurisë, çarmatosja e forcave serbe dhe mbrojtja e popullsisë civile.
Nëse “Bërjen e luftës” udhëheqësit ushtarakë e politikë të UÇK-së e bënë në bashkëpunim me NATO-n, mbi standarde të justifikueshme, çka ndodhi me “Bërjen e shtetit” dhe “Mbrojtjen”? Si ndodhi që, pas shumë kohësh, udhëheqësit ushtarakë të akuzohen për “Ndërmarrje të përbashkët kriminale”? Nëse deri tani u munduam të argumentojmë se luftbërja ishte edhe legjitime dhe, normativisht, e arsyeshme jo vetëm për popullin shqiptarë, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare, pse akuzohen udhëheqësit mu për periudhën e luftës 1998/99, kur rezistenca kishte evoluar në luftë çlirimtare, bile edhe e internacionalizuar? Çka nuk funksionoi? Në frymën e qasjes që i bëjmë problemit do të mundohemi të shpalosim disa faktorë anësorë objektivë, që do të mund të kishin ndikim në veprimet jokonvencionale të individëve të caktuar, që sot shpalosen e keqpërdoren nga Gjykata Speciale në Hagë.
Pikësëpari, “Bërja e luftës”, që sipas Tilly-t nënkupton eliminimin ose neutralizimin e rivalëve të tyre jashtë territoreve në të cilat ata kanë përparësi të qartë dhe të vazhdueshme si përdorues të forcës, në rastin e Kosovës ishin forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe: filloi si kryengritje popullore, por përfundoi si luftë çlirimtare e përbashkët, UÇK-NATO.
UÇK-ja, për dallim prej ushtarëve të NATO-s që ishin profesionistë, si forcë e armatosur u ngrit mbi baza vullnetare dhe jo si ushtri e rregullt që në procedura strikte të definuara do t’i kishte seleksionuar kush i plotëson kushtet psiko-fizike për të qenë ushtar. Në kapacitetin e zëvendësministrit të Mbrojtjes mësova se ushtar profesionistë, ushtar i rregullt dhe ushtar vullnetar janë kategori të ndryshme si në aspektin psiko-fizik, ashtu edhe në nivelin e trajnimit, veçanërisht disiplinës ushtarake.
Lufta, edhe pse u bë në bashkëpunim me NATO-n, punët megjithatë ishin të ndara. Ushtarët e Aleancës shkonin për qielli dhe gjuanin nga deti pika strategjike në Serbi e Kosovë, por ata që ecnin për toke ishin ushtarët vullnetarë të UÇK-së. Ushtarët e NATO-s mund të jenë njoftuar nëpër kazerma e poligone për masakrat që ndodhnin në Kosovë sa për t’i motivuar e sa për ta arsyetuar moralisht angazhimin e tyre, por ata nuk i kishin përjetuar këto masakra. Ata nuk e kishin ndjerë për së afërmi erën e gjakut dhe britmat e dhunës, gjë që ushtarët shqiptarë i kishin parë e përjetuar bile edhe brenda familjes së tyre. Sigurisht se individë emocionalisht të lëndueshëm do ta kenë pasur vështirë ta mbanin nën kontroll shpërthimin emocional dhe në afekt edhe mund të kishin bërë veprime që i tejkalojnë rregullat dhe standardet e luftës. Do të kishte qenë pothuajse e pamundur të kontrollohet nga një qendre komanduese çdo veprim i një ushtari emocionalisht të dërmuar pas pësimit të një traume familjare. Këto raste, që në një procedurë të rregullt disa edhe u trajtuan, por pa një distinkcion të qartë, “luftë-krim”, do të përdoren nga qendra të caktuara për ta njollosur një luftë të drejtë.
“Bërja e shtetit”: Eliminimi ose neutralizimi i rivalëve të tyre brenda atyre territore, për të cilin flet Tilly-i, në rastin e Kosovës mund të ishte sistemi paralel i përqendruar nëpër enklavat ku nuk kishte kontroll të pushtetit “qendror” ose edhe elementet e mbetura nga sistemi paraprak, ku nuk kishte ndikim politika zyrtare e Kosovës.
Ky proces gjithashtu u bë në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar përmes administratës së përkohshme. Ndërtimi i shtetit që duhej të vendoste nën kontroll gjithë territorin, duke eliminuar dhe neutralizuar grupacione dhe individë që do të donin të mbeteshin jashtë kontrollit të qendrës, përmes instrumenteve të qëndrueshme mbikëqyrjeje, u zhvillua njësoj në rrethana tejet specifike. E vërteta ishte se në këtë kohë brenda territorit të Kosovës u instaluan sisteme paralele të funksionimit në territore të caktuara të vendit, por jo vetëm, jashtë kontrollit të pushtetit qendror. Këto enklava të përkrahura nga Beogradi shërbenin si bazë për veprime subversive, me qëllim të komprometimit të udhëheqësisë ushtarake dhe politike dhe për ta paraqitur Kosovën para opinionit ndërkombëtar pa kapacitete për shtetndërtim dhe gjithë operacionin e NATO-s si dështim strategjik. Duhet pasur po ashtu në konsideratë se për “bërjen e shtetit” përgjegjës kryesor ishte UNMIK-u (Administrata civile e drejtësisë 1999–2008), me detyrë heqjen e kontrollit faktik të Serbisë mbi territorin dhe forcat paqeruajtëse ndërkombëtare, si dhe KFOR-i, që kishte për detyrë garantimin e sigurisë, përmes çarmatosjes së forcave serbe dhe mbrojtjes së popullsisë civile. Përskaj shumë punëve të mira dhe njerëzve të ndershëm, fatkeqësisht, një numër i të dërguarve prej aleatëve për qëllime krejt të mira, nuk ishin gjithaq me vullnet për ta ndihmuar këtë proces. Për disa prej tyre Kosova ishte “Eldorado”, për marrjen e pagave dhe benefiteve të majme. Mbarimi i shpejtë dhe i suksesshëm i procesit të “Bërjes së shtetit” për ta ishte sikur të presësh degën në të cilën ato vareshin. Ky qëndrim nuk është hamendësim, por i një dëshmitari të gjallë që kam marrë pjesë në debate brenda “ekspertëve” të jashtëm, si këshilltar i qeverisë së Kosovës (2007/8). Kjo nuk nënkupton amnisti të plotë të politikës shqiptare së paku për “naivitetin” që treguan duke u besuar pa mëdyshje përfaqësuesve ndërkombëtarë. Ndërthurje e këtyre faktorëve krijoj në masë të madhe brenda dhe jashtë vendit një ndjenjë të mungesës së kapacitetit të drejtësisë për vendosjen e rendit, edhe pse kosovarët kishin kompetenca të limituara.
Faza më e ndjeshme, “Mbrojtja “, eliminimi ose neutralizimi i armiqve të klientëve të tyre, që në këtë rast do të kishin qenë ushtarët e UÇK-së, gjithashtu pati sfidat e veta. Ky proces u zhvillua me kompetenca të përziera me EULEX-in (nëntor 2008-2018 me kapacitet ekzekutiv) një mision i udhëhequr nga Bashkimi Europian, që përbëhej nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë, ekspertë policorë, juristë dhe specialistë administrativ. Misioni pa dyshim ndihmoi shumë në ngritjen e institucioneve të Kosovës, por jo se nuk pati individë që misionin e shihnin si përfitim, kurse mbarimin me sukses humbje të privilegjeve të tyre. Ishte për t’u pritur që EULEX-i mbi detyrat dhe obligimet që kishte, të ndiqte njerëz që bënin veprime jashtë ligjore, qoftë edhe pjesëmarrës të luftës, dhe t’i vinte para drejtësisë. Mbi këto veprime në opinionin publik sikur u ngritën dy narracione: i pari, te një pjesë e ish ushtarëve u krijua përshtypja se ndiqen njerëz pse kanë marrë pjesë në luftë dhe jo se kanë shkelë ligjin, ndërsa rrëfimi tjetër, që duket se dominonte, ishte se qeveria është e paaftë, i mbron kriminelët ose se edhe vetë është pjesë e saj. Kjo e fundit mund të hyjë në kategorinë e “rezistencës popullore ndaj luftëbërjes dhe shtetbërjes” të Tilly-it, në rrethana demokratike, shprehur përmes humbjes së legjitimitetit të partisë së dalë nga lufta.
Për t’u çliruar nga ky presion që vinte sa prej faktorëve të jashtëm aq edhe ata vendorë, PDK-ja, si parti në pushtet e dalë nga lufta, por jo vetëm, e shtynte idenë e Dhomave të Specializuar, si mekanizëm “neutral”, për higjienizimin e luftës dhe vetes.
Në çka dështoi ideja fisnike, që në fund, udhëheqësit ushtarakë të goditen nga arma e vetë?
Dështimi i parë është se ata nuk e kishin studiuar formimin e shteteve postkolonialiste dhe teorinë e Tilly-it, që tërheq vërejtjen se organizatat e huaja ushtarake, policore e administrative që për qëllime “të mira” shpesh marrin më tepër pushtet se që u takon dhe, në instancë të fundit, krijojnë analogji me “krimin e organizuar”. Krah për krah me këtë dështim shkon edhe naiviteti, në politikëbërje, veçanërisht karshi asaj ndërkombëtare. Shikimi idealist për politikën ndërkombëtare, jashtë kornizave realpolitike, si krejt me qëllime të mira, me parime dhe rregulla e ka çmimin e vet, ashtu që sot shpaloset në realitetin e saj më të vrazhdë. Mëkati që mund t’u përshkruhet krerëve të dalë nga lufta, por edhe intelektualëve, mediave dhe faktorëve tjerë që ndikojnë në krijimin e opinionit është se ata nuk arritën të bëjnë distinkcion të qartë mes luftës si koncept, që ishte krejt e arsyeshme edhe moralisht edhe normativisht e pastër, prej veprimeve të individëve në luftë, veçanërisht pas luftës, që mund të jenë edhe për motive të ulëta dhe kriminele. Këto mëkate mund të kenë çmim shumë të lartë. Nëse gjykata bie vendim dhe i shpallë fajtorë nën akuzën “Ndërmarrje e përbashkët kriminale”, fatkeqësisht konstatimi i Lilly-it se në shtetet post kolonialiste “analogjia midis luftëbërjes dhe shtetbërjes, nga njëra anë, dhe krimit të organizuar, nga ana tjetër, bëhet tragjikisht e përshtatshme”, mund t’i përshkruhet pa të drejtë edhe rastit të Kosovës. Për botën akademike, porosia është e qartë: Sado që të mos pajtohemi me një teori politike, ajo duhet studiuar dhe marrë në konsideratë. Eseja e Tilly-it “War Making and State Making as Organized Crime” meriton një studim serioz.









