loader image
January 29, 2026

A ka përfunduar vërtetë “era e komunistëve”?

Sot, pas 35 vjetësh, dilema mbetet e hapur. Komunizmi si ideologji ka rënë, por komunizmi si matricë qeverisjeje – centralizimi i pushtetit, kapja e institucioneve, kontrolli i mediave dhe instrumentalizimi i drejtësisë – vazhdon të jetojë në forma të reja. Tranzicioni ynë nuk dështoi rastësisht; ai u menaxhua në mënyrë që të mos prodhonte shkëputje reale nga e kaluara. U lejua pluralizmi, por jo emancipimi. 

Besim NEBIU, Shkup

Lëvizja e Dhjetorit në Tiranë më 1990, rënia e Murit të Berlinit më 1989, themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 1989, si dhe krijimi i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD) në Maqedoni në vitin 1990, u përjetuan nga shqiptarët si shenja të një kthese historike. U krijua bindja se komunizmi dhe diktatura komuniste, në format e tyre të ndryshme në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi, po i përkisnin së kaluarës. Me një metaforë nga kimia, dukej sikur shoqëritë tona po hynin në një reaksion të pakthyeshëm: në epokën e dekomunizimit, pluralizmit politik dhe lirisë. Tridhjetë e pesë vjet më vonë, kjo bindje është shndërruar në dilemë: a përfundoi vërtet “era e komunistëve” apo ata thjesht u transformuan, duke u përshtatur me rrethana të reja?

Që në fillesë, proceset nuk ishin të njëjta. Në Kosovë, themelimi i LDK-së përfaqësonte një projekt të qartë rezistence politike dhe morale ndaj një sistemi shtypës që vinte nga pushteti i Sllobodan Millosheviqit. Nën represion të drejtpërdrejtë serb dhe në mungesë të shtetit, shqiptarët arritën të ndërtojnë institucione të veta paralele politike, arsimore dhe kulturore, duke krijuar bashkë me ta edhe një gjeneratë të institucionalizuar rezistence dhe vetëqeverisjeje. Politika jugosllave e fillimit të viteve ’90-të në Kosovë kishte një synim të qartë: ta shuante këtë klasë politike shqiptare të organizuar rreth LDK-së, ta çmontonte infrastrukturën e saj institucionale dhe ta neutralizonte çdo burim legjitimiteti politik.

Natyrisht, ky projekt kosovar i viteve të 90-ta nuk u ndërtua në vakum. Atij i jepte mbështetje kapitali institucional i trashëguar nga vitet e autonomisë: përvoja e vetëqeverisjes, infrastruktura arsimore e kulturore, memoria e funksionimit institucional dhe ndjenja se shteti paralel – sado i cunguar – është instrument i përbashkët për çlirim dhe emancipim popullor nga hegjemonia serbomadhe Autonomia kosovare u shfuqizua me dhunë, por trashëgimia e saj mbeti si kapital i gjallë edhe kur ishte latent, e i cili u aktivizua në vitet ’90 përmes institucioneve paralele dhe një elite politike me legjitimitet shoqëror dhe autoritet moral.

Në Maqedoni, rruga ishte thelbësisht ndryshe. Shqiptarët nuk kishin përvojë autonomie, as trashëgimi institucionale të krahasueshme, as resurse politike të akumuluara që do t’i shërbenin një projekti të mirëfilltë politikbërjeje e mos të flasim për ambicie ose edhe tentativa serioze shtetndërtimë, të krahasueshme me atë që ndodhte në Kosovë. Shqiptarët në Maqedoni hynë në pluralizëm pa kapital serioz institucional dhe pa një elitë politike kolektive të formuar nga brenda komunitetit.

Kjo nuk ishte rastësi, por pasojë e natyrës së vetë sistemit jugosllav. Në të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarët, komunizmi jugosllav, në trajtën e tij praktike, nuk funksiononte si ideologji emancipimi social, por si vegël politike në shërbim të nacionalizmave dhe të hegjemonisë serbe. Ky model aplikohej gjithkund, por për arsye që dalin jashtë temës së kësaj analize, ishte posaçërisht efikas në Maqedoninë socialiste. Ideologjia e internacionalizmit dhe barazisë (bashkim-vëllazërimi jugosllav) shërbente si mbulesë doktrinare për një rend pushteti që prodhonte hierarki etnike dhe ushtronte kontroll represiv ndaj komuniteteve joserbe, e pastaj josllave e sidomos ndaj atij shqiptar. Prandaj për shqiptarët në Kosovë dhe në Maqedoni, komunizmi asnjëherë nuk u përjetua te masat shqiptare si një projekt çlirues, por si mekanizëm shtypjeje kombëtare.

Për dallim nga Kosova, ku kjo hegjemoni u ushtrua drejtpërdrejt nga nacionalizmi serb, i cili përdori aparatin komunist për të shuar autonominë politike shqiptare dhe për të kriminalizuar çdo formë organizimi kolektiv – në Maqedoni represioni merr forma më të tërthorta, por edhe më efektive: komunizmi ishte shndërruar në instrument të nacionalizmit maqedonas, si zgjatim funksional i hegjemonisë serbe, duke i mbajtur shqiptarët strukturalisht jashtë pushtetit (për shembull, asnjë qytet me shumicë shqiptare në RMV nuk kishte kryetar komune shqiptar) dhe duke i reduktuar shqiptarët në subjekt të menaxhuar. Në këtë nuancë, përjashtimi i shqiptarëve ishte edhe më i rreptë në Maqedoni sesa në Kosovë, edhe pse ndoshta ashtu nuk përjetohej nga optika e jashtme.

Në këto kontekste, politikat shtetërore të fillimit të viteve ’90-të në Maqedoni nuk synonin shuarjen e një klase politike shqiptare (ashtu siç tentuan në Kosovë!) – sepse një e tillë nuk ekzistonte (sepse nuk ishte e lejuar të ekzistonte si projekt kolektiv gjatë komunizmit) – por fabrikimin e saj. Nga radhët e shqiptarëve “jugosllavë” u përzgjodhën individë të besueshëm për sistemin, të cilët kooptoheshin në institucionet komuniste (lexo: etnikisht të pastra maqedonase) jo mbi bazë meritokracie ose përfaqësimi shoqëror, por mbi bazë lojaliteti personal ndaj pushtetit komunist etnikisht të pastër.

Kështu, shqiptarët në Maqedoni i pritën fillet e demokracisë pa një klasë politike të institucionalizuar, por me një grusht individësh të institucionalizuar fragmentarisht. “Meritat” e tyre politike ishin në thelb dëshmi besnikërie ndaj rendit ekzistues. Me rënien formale të komunizmit, një pjesë e këtyre individëve përjetuan një metamorfozë të shpejtë simbolike: duke hequr petkun komunist, veshën petkun kuqezi dhe u hiperpatriotizuan, duke u shfaqur si patriotët e rinj të pluralizmit. Por, mentaliteti dhe qasja e pushtetit mbeti thelbësisht e pandryshuar.

*          *          *

Luftërat e viteve 1999 dhe 2001, veçanërisht konflikti i armatosur në Maqedoni, u panë fillimisht si mundësi historike për një shkëputje reale nga kjo logjikë. Krahu i luftës solli energji të re, sakrificë dhe kapital moral që dukej se mund ta sfidonte rendin e trashëguar. Megjithatë, ajo që pasoi nuk ishte ndërtimi i një sistemi të ri politik, por një amalgamizim gradual mes elitave të reja të dala nga lufta dhe strukturave ekzistuese me trashëgimi komuniste.

Në vend që lufta të prodhonte një kundërshtim thelbësor të sistemit, ajo u shndërrua në mekanizëm kooptimi dhe riciklimi. Individë me përvojë në menaxhimin e pushtetit të vjetër u integruan në strukturat e reja politike të formuara nga krahu i luftës. Kështu u ndërtua një sintezë pragmatike mes kapitalit moral të luftës dhe kapitalit institucional të trashëguar nga komunizmi.

Fryma që mbizotëroi nuk ishte ajo e transformimit sistemik, por fryma e trashëgimisë komuniste të pushtetit. Sistemi nuk u kontestua në thelb; u pranua si i dhënë dhe u trajtua si hapësirë për t’u inkorporuar në të. Ndryshimet që pasuan ishin kryesisht kozmetike dhe simbolike, të mjaftueshme për legjitimim simbolik, por jo për transformim real të sistemit politik në Maqedoni. Përfitimet kryesore ishin personale dhe grupore, jo institucionale e shoqërore.

Kjo situatë, në thelb, vazhdon deri më sot në organizimin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Lufta ndryshoi raportet e forcës, por jo kulturën politike. Elitat u rinovuan në përbërje, por jo në mendësi. Dhe, pikërisht këtu qëndron paradoksi i madh i tranzicionit shqiptar: edhe momentet më radikale të historisë sonë të afërt nuk arritën ta çmontojnë sistemin, por vetëm ta rikonfigurojnë atë.

Sot, pas 35 vjetësh, dilema mbetet e hapur. Komunizmi si ideologji ka rënë. Por komunizmi si matricë qeverisjeje – centralizimi i pushtetit, kapja e institucioneve, kontrolli i mediave dhe instrumentalizimi i drejtësisë – vazhdon të jetojë në forma të reja. Tranzicioni ynë nuk dështoi rastësisht; ai u menaxhua në mënyrë që të mos prodhonte shkëputje reale nga e kaluara. U lejua pluralizmi, por jo emancipimi.

*          *          *

Kjo nuk është arsye për fatalizëm, por për vetëdije. Brezat që nuk e kanë jetuar komunizmin nuk e trashëgojnë frikën prej tij, por rrezikojnë ta trashëgojnë cinizmin e tranzicionit. Sfida jonë sot nuk është të luftojmë ideologji të vdekura, por t’i çmontojmë mekanizmat e pushtetit të trashëguar.

Nëse kjo nuk ndodh, rrezikojmë që pas një dekade tjetër ta shtrojmë të njëjtën pyetje – jo më për komunizmin, por për demokracinë: a ishte ajo ndonjëherë reale apo vetëm një fazë e ndërmjetme e riciklimit të pushtetit?

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X