loader image
December 3, 2024

Bektashia

Koha do ta tregojë se ç’fsheh dinakëria sot.   (U. Shekspir)

Enis SULSTAROVA, Tiranë

Nuk është aspak ironik fakti që redaksia e revistës “Shenja” ka vendosur që numrin e nëntorit – muaji kur kremtohen ditë të rëndësishme përkujtimore kombëtare, 22 Nëntori i Kongresit të Manastirit dhe 28 Nëntori i shpalljes së pavarësisë – t’ia kushtojë diskutimit mbi krijimin e një shteti bektashi në kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë. Plani që selia e kryegjykatës bektashiane në Tiranë të kthehet në territorin sovran të një shteti të tarikatit bektashi, që do të ketë një pozitë të ngjashme me atë që ka Qyteti i Vatikanit në Romë, duhet trajtuar seriozisht. Nuk ka çështje më politike sesa themelimi i një shteti të ri, sidomos kur për këtë zotohet kryeministri i një shteti ekzistues. Ne, si shqiptarë dhe si qytetarë të Republikës së Shqipërisë, duhet të shqetësohemi prej faktit që plani për Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi – të cilin këtu po e emërtojmë shkurtimisht si “Bektashia”, në analogji me Shqipëria, Italia, Greqia etj. – është mbajtur i fshehtë prej opinionit publik shqiptar, derisa u njoftua në një nga gazetat më prestigjioze të botës. Përmendja e këtij plani nga kryeministri i Shqipërisë në forumin më të lartë ndërkombëtar, Organizatën e Kombeve të Bashkuara, nuk duhet konsideruar si fjalë të thëna në erë. Duket që projekti ka kohë që përpunohet në fshehtësi nga një grup pune dhe njoftimi i shqiptarëve e i mbarë njerëzimit është i mirëmenduar. Ai ka zënë vend tashmë edhe në enciklopedinë e hapur në Internet, Wikipedia: https://en.wikipedia.org/wiki/Sovereign_State_of_the_Bektashi_Order.

Nisur nga ato pak të dhëna që kemi deri tani mbi Bektashinë, te ky artikull trajtojmë natyrën problematike të këtij plani, konkretizimi i mëtejshëm i të cilit duhet bllokuar. Fillimisht merremi me trajtën që mund të ketë Bektashia, duke marrë në shqyrtim rastet e disa mikroshteteve në Europë dhe duke treguar se historia e tarikatit bektashi në Republikën e Shqipërisë nuk e mbështet aspak themelimin e një shteti teokratik. Më pas radhisim disa nga dëmet që mund t’i vijnë Republikës së Shqipërisë e kombit shqiptar në rast se, për turpin dhe për fajin tonë, Bektashia krijohet si një shtet teokratik në mes të kryeqytetit të një republike laike.

Mikroshtet?

Mikroshtete quhen shtete që kanë territor shumë të kufizuar dhe popullsi shumë të vogël. Mikroshtete në Europë janë Lihtenshtejni, Andorra, Monako, San Marino. Edhe pse qytet-shteti i Vatikanit dhe Urdhri Sovran Ushtarak i Maltës (USUM) ndonjëherë trajtohen në të njëjtën kategori, ata nuk janë mikroshtete të mirëfilltë, sepse Vatikani nuk ka popullsi të qëndrueshme, ndërsa USUM-i nuk ka territor. Gjithsesi, meqenëse Bektashia është quajtur mikroshtet dhe është krahasuar me qytet-shtetin e Vatikanit, këtu fillimisht trajtojmë specifikat e mikroshteteve e më pas do të shohim veçantitë që karakterizojnë qytet-shtetin e Vatikanit dhe USUM-in.

Formalisht sovranë, mikroshtetet praktikisht ushtrimin e pjesshëm të sovranitetit të tyre ua delegojnë shteteve më të mëdhenj fqinjë. Në fakt, por të mos kishin pasur aleanca me fqinjë më të fuqishëm, mikroshtetet do të ishin zhdukur nga harta e Europës. San Marino, Vatikani dhe USUM-i kanë marrëveshje të posaçme me Italinë, sovraniteti i Andorrës garantohet së bashku nga Franca dhe Spanja, sovraniteti i Monakos nga Franca, ndërsa ai i Lihtenshtejnit dikur sigurohej nga Austro-Hungaria, kurse tani mbështetet nga Zvicra. Sovraniteti i disa ishujve të Paqësorit ushtrohet në sajë të marrëveshjeve që kanë me SHBA-në, Australinë ose Zelandën e Re. Meqenëse mikroshteteve u njihet personaliteti juridik ndërkombëtar, delegimi i ushtrimit të një pjese të sovranitetit te një vend fqinj nuk e rrezikon shtetësinë e tyre. Madje, shitja ose dhënia me qira e prerogativëve që burojnë nga sovraniteti i tyre, përbëjnë burime të ardhurash për mikroshtetet. Shembuj janë shitja e qytetarisë, njohja diplomatike për një shtet tjetër në këmbim të investimeve, vota në organizata ndërkombëtare, krijimi i parajsave fiskale, qiraja për baza ushtarake etj.

Mikroshtetet janë mbetje të sistemeve të mëparshme ndërkombëtare. San Marino, Andorra, Monako dhe Lihtenshtejni, dikur zotërime feudale, për shkak të vogëlsisë së territorit dhe mospasjes së burimeve natyrore ose të ndonjë rëndësie strategjike nuk u pushtuan dhe nuk u përfshinë në shtetet modernë. Mikroshtetet ishullorë në Oqeanin Paqësor, si Palau, Nauru, Kiribati, Tonga, Tuvalu apo Ishujt Marshall, u bënë të pavarur si pasojë e procesit të shkolonizimit në shek. XX dhe e izolimit të tyre natyror, duke qenë mjaft të larguara prej shteteve më të mëdhenj territorialë që do të mund t’i përfshinin në hapësirën e tyre detare. Madje, disa prej shteteve ishullorë parashikohet të mbeten pa territor për shkak të ngritjes graduale të nivelit të oqeanit. Popullsitë e tyre do të zhvendosen tjetërkund, në shtete që kanë pranuar t’i pranojnë si refugjatë, mirëpo që nuk duket se janë të gatshëm t’ua njohin shtetësinë dhe sovranitetin. Një nga zgjidhjet e propozuara është që banorët e shteteve që do të mbulohen nga oqeani dhe pasardhësit e tyre të gëzojnë një lloj shtetësie të paterritorializuar, siç e kanë anëtarët e USUM-it.

Për shekuj me radhë, papa sundonte jo vetëm në Romë, por edhe në territore të tjera në qendër të Italisë dhe ai ishte shpeshherë i përfshirë në konflikte territoriale me princat e tjerë të gadishullit. Me bashkimin e Italisë, kreu i Kishës Katolike e humbi sovranitetin mbi këto territore dhe, në fund, edhe mbi vetë Romën. Me anë të një marrëveshjeje me Italinë, Papa e ruajti sovranitetin në selinë e tij. Edhe pse sot qytet-shteti teokratik i Vatikanit nuk ka as territor dhe as popullsi, siç parashikohet në Konventën e Montevideos mbi të Drejtat dhe Detyrimet e Shteteve, gjithsesi ai është sovran. Mirëpo, sovraniteti i tij nuk buron vetëm nga statusi universal i Kishës Katolike, por edhe nga legjitimiteti i historisë së pandërprerë të njërit prej shteteve më të lashtë të Europës.

Sikurse qytet-shteti i Vatikanit, USUM-i ka një histori të përzier fetare dhe laike. Urdhri Fetaro-Ushtarak, i themeluar në Jerusalem pas kryqëzatës së parë, u njoh si i pavarur dhe sovran nga papa dhe, pas rënies së Jerusalemit në duart e Saladinit, ka sunduar mbi Qipron, më pas mbi Rodin dhe në fund mbi Maltën. Pas pushtimit të Maltës nga Franca më 1798, urdhri ruajti personalitetin juridik ndërkombëtar, si një qeveri në mërgim, me shpresën se mposhtja e Napoleonit do t’i mundësonte kthimin e Maltës si bazë territoriale. Meqenëse kjo nuk ndodhi, qysh atëherë USUM-i ka mbetur pa territor dhe vepron më shumë si një shoqatë humanitare, që njihet ndërkombëtarisht dhe që ka një status vëzhguesi në OKB. Disa prerogativa të sovranitetit të USUM-it, si p.sh. përfaqësimin diplomatik, i ushtron Vatikani.

Pra, sistemi i sotëm ndërkombëtar i shteteve territorialë e ka pranuar anomalinë e mikroshtetit, duke njohur një fakt të trashëguar nga sistemet feudale e koloniale. Asnjë prej mikroshteteve që përmendëm nuk është krijuar (ir)racionalisht nga mendja e ndonjë shtetari, madje as shtetet teokratike nuk janë sovranë vetëm prej natyrës së tyre fetare. Disa prej mikroshteteve kanë histori shekullore dhe disa të tjerë kanë arsye të qenësishme gjeografike për të pasur sovranitet dhe njohje ndërkombëtare. Bektashia do të ishte mikroshteti i parë që do të krijohej me vendimin e një shteti tjetër, vetëm mbi bazën fetare dhe pa ndonjë legjitimitet historik ose ligjor. Tarikati bektashi u përhap në trevat shqiptare në kuadrin e islamizimit dhe ka ekzistuar krahas shkollave synite dhe tarikatëve të tjerë islamikë. Bektashinjtë nuk e kanë konsideruar veten të ndarë prej myslimanëve të tjerë, madje disa studiues janë të mendimit se dervishë si Sari Salltiku kanë qenë misionarë të islamizimit në Ballkan. Teqetë bektashije kanë vepruar në mënyrë të decentralizuar, kryesisht në zona rurale, dhe nuk kanë pretenduar ndonjë veçim ligjor prej myslimanëve të tjerë në emër të doktrinës së tyre. Për arsye historike, tarikati bektashi është shqiptarizuar më shumë se fetë e tjera, sepse jo vetëm që bektashizmi shqiptar është zhvilluar në mënyrë autonome prej bektashinjve në Anadoll, por edhe sepse në fillim të shek. XX baballarët e teqeve të bektashinjve në Anadoll e Egjipt ishin shqiptarë. Nuk ka arsye historike që të ketë një ndarje shtetërore midis selisë së bektashinjve dhe pjesës tjetër të kombit shqiptar. Te bektashinjtë, nacionalizmi shqiptar gjeti një prej shtyllave të tij shoqërore, pikërisht prej faktit se tarikati ishte më larg ndikimeve të qendrave të huaja, ndërsa myslimanët synitë ndikoheshin prej sulltan-kalifit, ata ortodoksë prej patriarkut dhe Greqisë, ata katolikë prej Austrisë e Italisë. Poeti kombëtar shqiptar e shkroi “Fletoren e bektashinjve” si një statut kombëtar të tarikatit, edhe më përpara se të kishte një kushtetutë të shtetit shqiptar. Plani për krijimin e Bektashisë e kthen përmbys gjithë veprën e Naimit dhe të rilindësve të tjerë.

Për sa i përket motivit të organizimit fetar, kur qeveria turke në vitin 1925 i mbylli teqetë e tarikateve islamike, kreu i tarikatit bektashi ishte shqiptar dhe gjeti strehim në Shqipëri, sikurse kishte ndodhur edhe më parë me bektashinjtë e Anadollit që ishin persekutuar nga sulltani. Mirëpo, transferimi i kryegjyshatës “botërore” në Tiranë nuk do të thotë se Baba Mondi faktikisht komandon udhëheqjen shpirtërore dhe organizative të gjithë bektashinjve të botës. Tendenca është që besimet fetare të kombëtarizohen dhe që hierarkia fetare t’i nënshtrohet sovranitetit shtetëror. Autoriteti i papës mbi kishat dhe klerin katolik rregullohet me anë të marrëveshjeve të Vatikanit me shtetet e tjerë. Bektashizmi ka qenë gjithnjë heterodoks dhe teqetë kanë funksionuar të decentralizuara, me besimtarë që adhuronin dhe respektonin shenjtorët lokalë. Tarikati bektashi në shtetin shqiptar ka pasur disa statute, si pasojë e rregullimeve ligjore të shtetit, por bektashinjtë asnjëherë nuk kanë qenë shpirtërisht të shkëputur nga komuniteti mysliman. Përveç pavarësisë së Shqipërisë prej Perandorisë Osmane më 1912 e vendosjes së diktatit komunist mbi kultet në gjysmën e dytë të viteve 1940, edhe ndalimi i institucioneve fetare në vitin 1967 ka ndikuar që bektashinjtë në trevat e tjera shqiptare dhe bektashinjtë joshqiptarë të kenë organizimet e veta të pavarura. Autoriteti i Baba Mondit nuk njihet as nga disa teqe në Kosovë e Maqedoni të Veriut, as nga teqetë e diasporës shqiptare dhe as nga bektashinjtë/alevitë në Anadoll, numri i të cilëve është disa herë më i madh se ai i bektashinjve shqiptarë. Sovraniteti i Bektashisë nuk do të kishte asnjë efekt mbi bektashinjtë jashtë Shqipërisë, madje do të ishte një shkak për t’i përkeqësuar marrëdhëniet e kryegjyshatës së Shqipërisë me organizata të bektashinjve në shtete të tjerë.

Për dallim prej shteteve të fuqishëm që kanë njohur dhe garantuar pavarësinë e mikroshteteve, sovraniteti i Bektashisë do të mbështetej te Republika e Shqipërisë, e cila për vete është një shtet i vogël, i varfër, i keqqeverisur dhe me sovranitet të pakonsoliduar. Ajo, disa herë, gjatë viteve të paskomunizmit ka pasur nevojë për mbështetje ndërkombëtare për të ruajtur e ushtruar sovranitetin e brendshëm. Në vitin 1991 trupa ushtarake italiane shpërndanë ndihma humanitare në Shqipëri. Në vitin 1997, gjatë rebelimit në jug të vendit, paralajmërimi energjik i Turqisë pengoi një pushtim të hapur nga ana e Greqisë, megjithëse Greqia arriti të fuste një kontigjent ushtarak në misionin ndërkombëtar “Alba”, që mori mandatin për të ndihmuar në rivendosjen e rendit publik dhe ajo i mbajti edhe më gjatë ushtarët e saj në Shqipëri, ndërkohë që vendet e tjera i kishin larguar trupat e tyre. Po në vitin 1997 kryeministri i ri, Fatos Nano, kërkoi në Romë protektorat italian për shtetin e tij. Edhe një vit më vonë, në nëntor 1998, nënsekretari amerikan i Shtetit, Strob Talbot, u shpreh se “Shqipëria rrezikon të copëtohet”. Mëse dy dekada më vonë, krizat e viteve 1990-1991 dhe 1997-1998 mund të duken të largëta, edhe për faktin se tani Republika e Shqipërisë është anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, mirëpo në shtypin e huaj nuk mungojnë tituj për “narko-shtetin shqiptar”, që ia lëkundin besueshmërinë ndërkombëtare planit të kryeministrit Rama për krijimin e shtetthit teokratik të Bektashisë.

Edhe nëse Bektashia do të njihej si shtet sovran nga Republika e Shqipërisë, nuk ka ndonjë motiv të qenësishëm për pranimin e saj nga bashkësia e shteteve. Më shumë gjasa ka që Bektashia të mos arrijë as të bëhet mikroshtet, por të mbetet një mikrokomb. Termi mund të mos jetë shumë i gjetur, por gjithsesi me “mikrokomb” kuptohet shpallja e improvizuar e pavarësisë nga një ose pak individë, pas pasur ndonjë bazë territoriale apo ligjore. Shumica e mikrokombeve përbëhen nga një person, disa persona ose një familje dhe territori i pretenduar sovran mund të jetë një ishull i pabanuar, ndonjë pjesë territori e pademarkuar në kufirin midis dy shteteve, një platformë naftë-nxjerrëse e braktisur në mes të detit, një fermë, një fabrikë e braktisur, një apartament etj. Ata që shpallin “vetëvendosjen” e mikroshteteve kanë motive të ndryshme, që nga protesta ndaj taksave, eksperimentimi i komuniteteve alternative, parodizimi i sovranitetit ose edhe mashtrimet financiare. Atëherë kur mikrokombet nuk shkelin ligjet në fuqi ose nuk sjellin ndonjë rrezik për të tjerë, ata shpërfillen nga bashkësia e shteteve dhe kështu vijojnë me imitimin e veprimeve dhe ritualeve të shteteve: shpallin kushtetuta, shtypin para, lëshojnë pasaporta, japin dekorata, kërkojnë të vendosin marrëdhënie diplomatike me shtetet etj. Në vitin 1998, Dominioni i Melkizedekut, që pretendonte se ishte një shtet sovran në Oqeanin Paqësor, i dërgoi një akt zyrtar njohjeje Republikës së Kosovës, një veprim që nuk e kishte bërë as qeveria e Republikës së Shqipërisë. Pa njohje ndërkombëtare, mikrokombi bektashian nuk do të ishte më shumë se një magnet për turistët e huaj, të cilët pas xhiros te Shtëpia me Gjethe dhe Bunk’art 2, do të kishin kureshtjen të kalonin kufirin imagjinar për të vizituar shtetin që do të pretendonte të ishte enti sovran më i vogli në botë, njëherazi islamik dhe “tolerant”. Mirëpo, dëmet që Bektashia do të shkaktonte do të ishin pakrahasimisht të mëdha.

Pse Bektashia nuk duhet krijuar?

Së pari, sepse Bektashia bie ndesh me aspiratën shtetformuese të kombit shqiptar, që nga Rilindja e deri më sot. Lëvizja kombëtare shqiptare ka synuar një shtet unik për kombin shqiptar. Copëtimi i kombit në disa shtete konsiderohet si një dhunim i të drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje dhe si imponim nga armiq më të fuqishëm e rrethana të pafavorshme gjeopolitike. Parë nga prizmi kombëtar, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë në kufijtë e tanishëm duhen trajtuar si një kompromis i përkohshëm, derisa të realizohet bashkimi i tyre. Pra, lëvizja e duhur politike e kombit shqiptar në shek. XXI do të duhej të ishte drejt pakësimit të shteteve shqiptare dhe jo drejt shtimit të tyre, qoftë edhe me një shtetth si Bektashia.

Së dyti, sepse sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Shqipërisë janë të patjetërsueshëm, qoftë edhe nga një shtetth si Bektashia.

Së treti, sepse për shekuj në Europë lëvizja përparimtare ka qenë drejt laicizimit të sferës publike. Edhe në shtetet me fe zyrtare, autoriteti publik nuk synon imponimin dhe politizimin e një besimi fetar. Kësisoj është jashtë kohe dhe vendi që një shtet laik, me disa besime tradicionale, të nxjerrë nga gjiri i tij një shtet teokratik, qoftë ky më toleranti, si Bektashia.

Së katërti, sepse Bektashia dhunon parimin e trajtimit të barabartë të bashkësive fetare nga ana e shtetit. “Dhurimi” i sovranitetit njërit prej tyre, qoftë edhe bashkësisë më të vogël, përbën një precedent të dëmshëm. Republika e Shqipërisë do të duhej t’ua njihte të paktën të njëjtin status sovraniteti edhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (KOASH) dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, të cilët i kanë qendrat e tyre në territorin e saj.

Së pesti, sepse problemi me bashkësitë fetare në Republikën e Shqipërisë nuk qëndron te mungesa e “pavarësisë” së tyre nga shteti, por te varësia e tyre prej shteteve të tjera. Qenia e Janullatosit dhe e priftërinjve të tjerë grekë në krye të KOASH-it praktikisht e kanë kthyer këtë të fundit në aneks të Kishës së Greqisë dhe në instrumentin kryesor të politikës agresive greke ndaj Shqipërisë. Greqia pa asnjë drojë shpall para gjithë botës se çështjet e ortodoksëve në Shqipëri janë punë e brendshme e Greqisë. Edhe në nivelet e larta të hierarkisë së Kishës Katolike në Republikën e Shqipërisë mbizotërojnë klerikë të huaj, ndërsa Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në vitet e fundit është kthyer në fushë beteje midis rrymave “erdoganiste” dhe “gyleniste”, pa llogaritur ndikime nga shtetet arabe ose ndërhyrje si Bektashia që i ndajnë shqiptarët synitë nga ata bektashi. Paradoksalisht, kreun e bashkësisë fetare të ndikuar më pak se të tjerat nga politikat e shteteve të tjera, kryeministri kërkon ta shpallë sovran, pra të pavarur prej Republikës së Shqipërisë, që në fakt do të thotë se kërkon ta nxjerrë në shitje për të interesuar të mundshëm.

Rregullimi në frymën kombëtare i sferës fetare do të kërkonte abrogimin e pikave 4 dhe 5 të nenit 10 të kushtetutës. Pika 4 thotë se “shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjellë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve”. Një formulim i tillë e barazon bashkësinë fetare me shtetin, ndërkohë që shteti duhet të jetë epror mbi të gjitha subjektet e tjera brenda tij dhe i barabartë vetëm me shtete të tjerë. Pika 5 thotë se “marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave. Këto marrëveshje ratifikohen në Kuvend”. Sërish, bashkësitë fetare marrin atribute shtetërore dhe marrëveshjet e tyre me Republikën e Shqipërisë marrin trajtën e marrëveshjeve dhe traktateve ndërkombëtare që ratifikohen nga Kuvendi. Pra, një marrëveshje me një nga bashkësitë fetare qëndron mbi ligjet e shtetit. Me këto nene faktikisht i hapet rruga kushtetuese sovranitetit të Bektashisë. Realizimi i mundshëm i mikroshtetit bektashian, në fakt, mund të jetë kolaudimi për planin që mbahet në sirtar për një statut të ngjashëm edhe për KOASH-in. Nëse kryeministrit të Shqipërisë nuk i shkon mendja këtu, patjetër që u shkon atyre që janë të interesuar për greqizimin e plotë të Kishës Ortodokse Shqiptare.

Së gjashti, sepse Bektashia do të përbëjë një precedent të rrezikshëm për statusin e kishës ortodokse në Kosovë. Me Pakon Ahtisari kishat dhe manastiret ortodokse kanë fituar ekstraterritorialitet. Serbia për rregullimin e statusit ligjor të Kishës Ortodokse Serbe në territorin e Kosovës mund t’i referohet sovranitetit të Bektashisë. Kur shqiptarët e pranojnë këtë në Republikën e Shqipërisë, pse të mos ta pranojnë edhe në Republikën e Kosovës?

Së shtati, sepse Bektashia do ta vështirësojë punën diplomatike të Republikës së Shqipërisë për shtimin e njohjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Me burimet e saj të kufizuara, Shqipëria nuk mund të lobojë për njohjen ndërkombëtare të dy shteteve sovrane, njërit prej tyre i duhet dhënë përparësi dhe ka gjasa që garën ta fitojë Bektashia, meqenëse ajo do të ishte krijesa personale e kryeministrit Rama.

Së teti, sepse bektashinjtë shqiptarë dhe vetë Republika e Shqipërisë do të përziheshin në çështje të nxehta gjeopolitike që nuk u takojnë. Krijimi i një shteti teokratik bektashi në Europë mund të jetë edhe në interesin e Izraelit e shteteve të tjera, për të sfiduar hegjemoninë ose primacinë fetaro-politike që Irani pretendon të ketë midis myslimanëve shiitë. Kujtojmë se marrëdhëniet e Shqipërisë me Iranin tani nuk janë aspak të mira: marrëdhëniet diplomatike janë ndërprerë, Shqipëria u ka dhënë azil krerëve të MEK-ut, një organizatë opozitare iraniane, që Teherani e konsideron si terroriste, ndërsa Irani ka ndërmarrë sulme kibernetike kundër Shqipërisë.

Së nënti, sepse Bektashia bie ndesh me idenë e sovranitetit popullor dhe e dobëson edhe më shumë demokracinë e brishtë në Republikën e Shqipërisë. Një shtetth sovran, që lind nga kryeministri Rama, sikurse në mitologjinë greke thuhet se ka lindur Athina nga mendja e Zeusit, është tregues se lavjerrësi i politikës shqiptare po anohet rrezikshëm nga ana e autokracisë. Shqipëria nuk mund të jetë këndi i lojërave të një personi që e përdor pushtetin që i është besuar nga populli për të realizuar çdo tekë ose ide që i shkrepet në mendje.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X