loader image
December 4, 2024

Bektashinjtë shqiptarë historikisht kanë dëshiruar vetëm një shtet: Shqipërinë

Në mediat tona, të vërshuara nga sipërfaqësia banale, nuk mungoi vetëm analiza e transformimit tërësor e të befasishëm të Baba Mondit, të cilit i vjen era kërcënim të tipit mafioz. Mungoi edhe diskutimi i mirëfilltë teologjik. Një person që s’e njeh vendin tonë mbase nuk do ta besonte dot se u diskutua për javë e muaj për çështje të një shteti fetar, por asnjëherë nuk u diskutua për teologjinë, për vlerat e normat, për historinë e atij urdhri dhe të fesë ku ai përket, për diversitetin e debatin intelektual brenda saj, për influencat kulturore e politike në raport me të shkuarën dhe me aktualitetin.

Arbër ZAIMI, Tiranë

Më 21 shtator 2024 shqiptarët morën vesh nga gazeta “The New York Times ” (Epoka e Nju Jorkut) se kryeministri i tyre prej kohësh po punonte, pas shpinës dhe larg syve e veshëve të popullit, bashkë me një grup të ngushtë ekspertësh, për të krijuar një shtet brenda shtetit në Shqipëri. Një shtet sovran për Urdhrin e Bektashinjve, të cilin Rama e paskësh përshkruar për gazetarët si një “urdhër sufi shia”, ndërsa shtetin e ri thoshte se do ta krijonte sipas “stilit të Vatikanit”. Duhet mendje e llojit shumë të veçantë që ta shohësh Vatikanin si “stil” a si “model”, por stilisti Rama e gëzon atë veçanti të rrallë dhe s’kemi ç’i bëjmë.

Po atë ditë kryegjyshi botëror i bektashinjve Shqipëri, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, sinqerisht i tronditur dhe i trembur po aq sa shqiptarët e tjerë, i tha gazetarit Andrea Danglli në televizionin shqiptar A2CNN këto fjalë: “Lajmi se Shqipëria mund t´i japë sovranitet Urdhrit Bektashi për pavarësi territoriale na ka befasuar. Ne nuk e kemi kërkuar dhe nuk pretendojmë të krijojmë një shtet Mysliman. Nisma është tërësisht e kryeministrit Rama. Nuk jemi pyetur mbi ato që kryeministri ka deklaruar…”.

Po atë ditë, disa orë më vonë, për habinë e publikut kleriku mjekërthinjur, të cilit media shpesh i referohet si Baba Mondi, duket se mori urdhër nga forca shumë më të larta se ai dhe dha një tjetër intervistë për një tjetër televizion shqiptar, Report TV. Te kjo intervista e dytë, Haxhi Dede Edmond Brahimaj tingëllon krejt ndryshe. Pak orë më parë nuk dinte asgjë për çështjen, por me pjekjen e ditës duket tërësisht i informuar dhe flet me një gjuhë prej eksperti të OJQ-ve (nga ata që e kanë për zanat të lundrojnë në informacion e statistika pa u thelluar kurrë në dije e në kuptim). Pak orë më parë, dervishi thoshte se nuk e kemi kërkuar dhe nuk pretendojmë të krijojmë shtet mysliman, mirëpo disa orë më vonë shtetin e bën fakt të kryer dhe thotë: “Njohja e sovranitetit është një moment transformues për Urdhrin Bektashi. Do të na lejojë të mbrojmë dhe avancojmë misionin tonë shpirtëror për promovimin e paqes, tolerancës dhe dashurisë për njerëzimin në shkallë globale. Krijimi i Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi do të na japë autonominë për të vazhduar punën tonë pa ndërhyrje, duke na mundësuar të qeverisim çështjet tona fetare njëlloj si Vatikani“.

Mediat, më pas, u morën gjatë (si zakonisht sipërfaqësisht) me këtë çështje, nëpër banakët e analistëve. Por, mungoi pyetja e rëndësishme: pse kryegjyshi bektashi ndërroi mendim kaq shpejt dhe në mënyrë kaq të plotë, 180 gradë brenda një dite? Po të kishin kaluar disa ditë mbase mund të hipotezohej se meditimi dhe lutjet drejtuar Zotit të madh do të kishin mundur të shkaktonin ndryshimin e mendimit. Po të kishte kaluar së paku një natë, do mund të shqyrtohej nga ne edhe mundësia që dervishi të ketë parë ndonjë ëndërr me burim hyjnor. Ama, të ndryshojë mendim njeriu kështu, brenda pak orëve? Më shumë se sa influencë hyjnore, duket sikur Baba Mondit ia ka ndryshuar mendimin ndonjë telefonatë influencuese ose ndonjë takim me ndonjë asistent të pushtetit. Ca ditë më pas, Baba Mondi e vulosi ndryshimin e qëndrimit me një intervistë tek prestigjiozja “The New York Times”, ku pohoi se “Ne e meritojmë një shtet”.

Në nivelin njerëzor duhet të jemi të shqetësuar për kërcënimin që duket se i është bërë një njeriu, në këtë rast Baba Mondit, se sa për hiletë mediatike globale dhe artificet si “shteti bektashi”. Duhet të jemi të shqetësuar për mirëqenien e tij, por edhe për faktin se njeriu që mund të jetë viktimë e kërcënimit drejton një bashkësi fetare brenda kombit tonë dhe kërcënuesit e tij mund të synojnë të fusin në qorrsokak jo vetëm një njeri, por një komunitet të tërë.

Në mediat tona, të vërshuara nga sipërfaqësia banale, nuk mungoi vetëm analiza e transformimit tërësor e të befasishëm të Baba Mondit, të cilit i vjen era kërcënim të tipit mafioz. Mungoi edhe diskutimi i mirëfilltë teologjik. Një person që s’e njeh vendin tonë mbase nuk do ta besonte dot se u diskutua për javë e muaj për çështje të një shteti fetar, por asnjëherë nuk u diskutua për teologjinë, për vlerat e normat, për historinë e atij urdhri dhe të fesë ku ai përket, për diversitetin e debatin intelektual brenda saj, për influencat kulturore e politike në raport me të shkuarën dhe me aktualitetin. Por, ata që na njohin, e dinë se tek ne mund të flitet gjatë nëpër media për politikën, pa përmendur kurrë ideologjitë, idetë apo programet. Mund të flitet gjatë për artin, pa përmendur kurrë estetikën, historinë, filozofinë. Mund të flitet për identitete perëndimore e lindore, kombëtare e kozmopolite, pa folur kurrë për vlerat. Thënë shkurt, në mediat tona sipërfaqësia është rregull e jo përjashtim. Prandaj diskutohet edhe propozimi i Ramës për bektashizmin pa u lodhur kurrë të flasim për botëkuptimet, historinë, vlerat dhe teologjitë bektashiane. Në një nga vjershat e trashëguara prej themeluesit të bektashizmës, Haxhi Bektash Veliut, pelegrinit mistik që para 700 e kusur vitesh u end duke predikuar nga Horasani e deri në Anadoll, thuhet “Dervish nuk të bën manteli e as taxhi (kurora) / ëmbëlsia e shegës nuk është tek lëkura e saj“.

Si mund të flitet për sufinjtë dhe për bektashinjtë, e të mos flitet për traditën mistike islame që gjithmonë ka dhënë e ka marrë me shumë tradita të tjera mistike lindore e perëndimore? A nuk jehon te vargjet e mësipërme të Bektash Veliut proverba latine e Plutarkut “Mjekra nuk të bën filozof” apo thënia me origjinë mesjetare europiane “Murgun nuk e bën zhguni”?

Mirë është ta sqarojmë, sidoqoftë, se urdhrat religjioze, mistikët e filozofët, me thënie si këto nuk e kishin hallin të legjitimonin cilëndo veshje ose veshjen “sipas qejfit”. Përkundrazi, ata u kërkonin njerëzve të mos ua vinin veshin veshjeve të tyre modeste e shpesh të varfra, por fjalëve të tyre predikuese. Dervishët, në koncept, janë lypsarë që refuzojnë për arsye besimi (pra për arsye teologjike) thuajse çdo lloj pasurie e pronësie. Tradicionalisht ata dilnin derë më derë të predikonin teksa jetonin me atë që u jepej.

Është interesante ta mendosh se si në të njëjtën kohë që në arealin mysliman shfaqeshin dervishët e parë (ndër ta edhe Xhelaludin Rumi apo Bektash Veliu etj.), pra në shekullin XII, në arealin katolik gjithashtu shfaqeshin misionarë të ngjashëm, ndër ta i spikatur mistiku Françesk nga Asizi, themelues i një urdhri predikuesisht lypsarë, të cilët njësoj si dervishët myslimanë hiqnin dorë nga çdo lloj prone e pasurie. Françesku nga Asizi ngjante me disa nga mësuesit dervishë edhe me prirjen për të komunikuar me shpezët e kafshët, por edhe me pelegrinazhin e tij në Jerusalem. Në Lindje shenjtorët quhen azizë dhe evlija, por Françesku do të ishte quajtur edhe haxhi, për shkak të pelegrinazhit. Haxhi Françesku, Haxhi Xhelaludin Rumi dhe Haxhi Edmondi meritojnë secili respektin e duhur, por pyetja mbetet pse vetëm ky i fundit e meriton shtet për urdhrin e vet? Pse të mos meritojnë shtet fjala vjen françeskanët? Apo urdhrat e tjerë sufi myslimanë, si balvetijtë, rufaijtë e shumë të tjerë prezentë tradicionalisht tek shqiptarët? A mos vallë ka arsye teologjike për t’i dhënë Baba Mondit shtet, por jo të tjerëve? Natyrisht, që ata as nuk e kanë kërkuar e as nuk e kanë dëshiruar një gjë të tillë, por as Baba Mondi nuk e kishte menduar se do të vinte kjo ditë…

Teologjinë e shtetit të ri e përkufizoi udhëheqësi shpirtëror i stileve të reja, “Baba” Rama, që në mediat ndërkombëtare dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së (një ndër skenat më prestigjioze në botë) përhap mesazhin se brenda atij shteti nuk do të imponohet asnjë rregull fetar për stilin e jetesës, do të lejohet pirja e alkoolit dhe gratë do të veshin ç’të duan.

Por, a mund të jenë këto arsye të mjaftueshme për të ndarë një shtet prej një shteti si Shqipëria, ku tashmë gratë lejohen të veshin ç’të duan e edhe alkooli lejohet të pihet kudo e kurdo? Ç’kuptim ka të krijosh një shtet për të lejuar atë që tashmë lejohet? Madje, jo vetëm në Shqipëri, por alkooli lejohet të konsumohet e të prodhohet në shumicën e vendeve me shumicë myslimane. Veshja e grave është gjithashtu çështje lirie individuale në shumë vende myslimane. Përjashtim bën Irani dhe disa vende arabike, por ky nuk është aspak realiteti i shumicës së vendeve myslimane. Vetë Turqia, vendi prej nga erdhi në Shqipëri islami, është vend ku sot e kësaj dite prodhohen për treg vendas e botëror marka të rëndësishme verërash, birrash dhe rakie e ku gratë ose burrat mund të vendosin vetë si të vishen, allafrënga apo allaturka.

Një sërë analistësh shkruajtën për bektashinjtë, kinse ata janë një komunitet jo fort fetar, një komunitet ortodoksësh të maskuar si myslimanë, një komunitet indiferent për fenë e kështu me radhë, prandaj shteti bektashi nuk rrezikon asgjë, meqenëse ata nuk kanë besime të vërteta. U tha se ky instrumentalizim i një komuniteti besimtarësh justifikohet, sepse mund të sjellë përfitime turistike, ndërsa dikush tjetër shkroi se kjo duhet bërë për të ndihmuar Izraelin. Por, si mund të luash kështu me një komunitet tradicional, si mund t’i hedhësh ata në tryeza pazaresh të tilla të gjeopolitikës ku përfaqësuesit tanë shtetërorë e zyrtarë po ulen si turistë? Për më tepër, pa i pyetur kurrë të zotët e punës, besimtarët shqiptarë bektashinj, pa ua marrë parasysh as aktualitetin, as aspiratat, as historinë. A do ndiheshin mirë stërgjyshërit tanë bektashinj po të na dëgjonin tek këpusim pallavra të tilla për besimin dhe përkatësinë e tyre? A na lejohet neve të shpikim e të shpifim për ta histori të paqena?

Bektashizmi, si çdo traditë tjetër, vjen me folklorizmat e veta, me një dozë sinkretizmi mes shtresave e përkatësive të cilave u ka kaluar përmes. Si traditë me histori të shkëputur nga institucionet shtetërore, bektashizmi reflekton një lloj heterodoksie e një lloj ezoterizmi. Ftesa për t’u përqendruar te kokrrat brenda shegës dhe jo te lëkura e saj janë fundja një thirrje për pelegrinazh të brendshëm më shumë sesa të jashtëm. Një tjetër mistik pers, Omer Hajami (i cili tek shqiptarët është servirur gabimisht si një lloj hedonisti ateist) thotë “Zemër kërko haxhi, jo gur Qabeje“. Synimi përfundimtar i pelegrinit duhet të jetë zemra, në udhëtimin e brendshëm, e jo çka mban sipërfaqja e botës. Një tjetër themelues i bektashizmit, Pir Sulltan Abdalli, në një vjershë shkruan “Ah moj botë, moj botë e rrejshme (dynja jallane) / A nuk je krejt ti një rrenë / A nuk je ti ajo botë / Që vrau Hasan e Hysenë“. E pra, t’i lidhësh mistikët me pronë e me shtet, me gjënë që ata qysh prej fillimit janë përpjekur të shmangin, është t´i bësh pjesë të kësaj “dynjaje jallane që vrau Hasanin e Hysenin”.

Si mundesh, pra, një teologji të bazuar te refuzimi i pronës dhe pasurisë, e cila thekson nevojën për largimin nga materialja e afrimin te hyjnorja, ta bësh të kërkojë formën më të fortë të pronësisë, shtetin sovran? E dimë se ka pasur plot mendimtarë të shkëlqyer islamë, ortodoksë, katolikë e të feve të tjera të cilët janë marrë me ndërtimin e doktrinave ligjore, ekonomike, ushtarake e shtetërore. Por, ata kanë qenë teoricienët e vijave “ortodokse” e jo mistikët lypsarë. Të menduarit për shtet dhe të menduarit e shtetit prodhon gjithnjë ortodoksi e disiplinë. Madje, edhe rebelët protestues, si p.sh. Martin Lutheri, që u çua kundër vijës zyrtare papnore, në momentin që fillojnë të themelojnë mendim teologjik për shtetin, fillojnë të themelojnë një ortodoksi të re në shtetet ku protestantizmi u bë fe zyrtare. Sa i përket mistikëve, as Shën Françesku nuk ka menduar për shtet të vetin, e as Haxhi Bektashi. Sepse krejt përpjekja e tyre jetësore e shpirtërore ishte për çlirimin e njeriut nga ngushtimet e shtrëngimet tokësore. Ja që, misticizmin e tyre e zhbën Edi Rama, me një penelatë stili absurd. Duke lidhur një traditë heterodokse, siç është bektashizmi, me një formë ortodoksizuese, siç është shteti, Rama rrezikon ta dëmtojë rëndë vetë bektashizmin.

Një tjetër rrezik qëndron tek paraqitja e bektashizmit si një urdhër sufi shia. Ky përkufizim do të merrej si injorant nga studiuesit e fesë, por ja që Edi Rama ka vendosur të shpikë realitete të reja, sepse kështu mbase ia thotë interesi. Nuk është vendi në këtë shkrim, por bektashinjtë as në Shqipëri e as në Turqi, ose atje ku janë, nuk janë dhe nuk kanë qenë shia. Si tarikat sufi, ata kanë përthithur gjatë historisë edhe elemente të shiizmit, si për shembull respekti për dymbëdhjetë imamët, por po ashtu kanë marrë ndikim nga dijetarë e pozicione të caktuara synite, duke pasur një formë të mëvetme sinkretike e një pretendim universal, pa marrë anë në skizmën brenda myslimanizmit. Në këtë aspekt, bektashinjtë mbase i përngjajnë fenomenit uniat në kristianizëm, përpjekjes historike për të themeluar një kishë që s’është as lindore e as perëndimore. Në hapësirën që na lejon ky shkrim mjafton të themi se në të shkuarën tonë shqiptare ka patur shumë dervishë të cilët njëkohësisht kanë qenë edhe imamë xhamish, pra nuk e kanë parë misticizmin e sufizmin e tyre si arsye për t’u ndarë nga pjesa tjetër e myslimanëve. Edhe sot e kësaj dite, në festat e mëdha fetare dhe në Ramazan i shohim bashkë udhëheqësit synitë dhe ata bektashinj në Shqipëri, duke përsëritur mesazhin se i përkasin të njëjtit besim, pavarësisht se me nuanca, bindje e tradita të veçanta. Dëshira për të shpikur shiitë mes nesh, që të tregojmë se ata mund të jenë edhe ndryshe nga ç’janë në Iran, lexohet nga gjithë bota si matrapazllëk dhe në histori do të shënohet si aventurizëm i rrezikshëm, përveçse si paturpësi qesharake.

Bektashizmi është plagosur një herë rëndë në historinë e Shqipërisë, kur ateizmi zyrtar këputi zinxhirët e transmetimit të dijes së fshehtë, të misterit bektashi. Dikur ky urdhër shquhej për klerikët eruditë, të spikatur në kulturë e të thellë në dije. Kjo kulturë qe marrë prej arsimit cilësor në institucione perandorake, por po aq edhe prej dervishëve pararendës, në teqe (që sot në mediat globale po quhen lozha, mbase për t’i bërë më të ngjashme me masonët).

Rrafshimi kulturor i preku të gjitha religjionet në Shqipëri, duke i lënë pa traditën intelektuale dhe pa kler të mirëformuar. Kjo është arsyeja pse kryepeshkopi ortodoks, bashkë me disa peshkopë të sinodit të Kishës Autoqefale të Shqipërisë së postkomunizmit, kanë qenë grekë, pse disa ipeshkvij katolikë të rëndësishëm kanë qenë italianë ose pse Komunitetin Mysliman të Shqipërisë e drejtojnë klerikë që thuhet se i përkasin lëvizjes “Hizmet”, të udhëhequr nga turkoamerikani tashmë i ndjerë, Fethullah Gyleni, apo pse imamë xhamish të rëndësishme emërohen nga Turqia ose vende të gjirit. Këtë plagë shteti shqiptar do të mund ta shëronte po të investonte më shumë në arsimin dhe formimin e klerit brenda vendit, sipas shkollave teologjike të secilës fe, në përputhje me interesat dhe synimet kombëtare të Shqipërisë. Por, kjo plagë assesi nuk zgjidhet duke i dhënë secilit shtetin e vet dhe duke e bërë Shqipërinë arqipelag ishujsh “sovranë”.

Ngjan absurde, sepse fjalët e intervistës së parë të Baba Mondit, pra që bektashinjtë kurrë nuk kanë kërkuar shtet mysliman, janë thjesht të vërteta. Bektashinjtë më të rëndësishëm, vëllezërit Frashëri, janë angazhuar për të krijuar një shtet shqiptar pa ndasi fetare. Abdyl Frashëri ishte ideologu i Lidhjes së Prizrenit dhe do të rrotullohej në varr po të dinte se do të përdorej besimi i tij fetar për ta shkëputur një tjetër copë nga Shqipëria, e cila edhe aq sa është, është shumë më e vogël nga ç’e donte ai e ç’e meritonin shqiptarët. E poeti ynë kombëtar, bektashiu i shquar, Naimi, i cili e shkroi në greqisht poemën politike “Dëshira e Vërtetë e Shqiptarëve” ku thotë:

Fjalëve tarmiqve tegër kurrë mos u vini veshin,
Se ata duan gjithmonë me intriga të urrejtshme,
Me çdo mjet ta bëjnë fenë vegël të shkatërrimit tonë,
Ata duan të na ndajnë për të tyret interesa.
Duhet mbi çdo gjë, pa tjetër, kombësia të fitojë.
Në një kohë, në mesjetë, një ndikim të madh ushtronin
Barbaria, fanatizmi, errësira e padija.
Atëherë ne luftuam pa qëllim e kot së koti,
Për të huajt, për armiqtë e kombit, të mëmëdheut,
Porse sot më kot mundohen të huajt të na gënjejnë.
Shqipëtari mendjemprehtë kurrë më nuk do të mashtrohet
Dhe s
ka nge që të djersijë, të coptohet për të tjerë.”

Rilindja e Ramës, me iniciativa si puna e “shtetit bektashi”, po e nxjerr veten si antipod perfekt të Rilindjes Kombëtare. E nëse Rilindja Kombëtare ishte zgjimi i shqiptarëve në botën e kombeve, e kundërta është fjetja e tyre. Kombi është vënë në gjumë. Bektashinjtë ishin gjithnjë pjesë e luftës për vatanin e shqiptarëve, të gatshëm për të bërë gjithçka për bashkimin e kundër ndarjes. Themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemal Bej Vlora, një tjetër rilindas bektashi, thoshte “fëmija që fle rritet, por kombi që fle vdes”. Dhe, ne tash duhet të zgjohemi. Por, zgjimi nuk do të na vijë nga televizionet e as nga pushteti.

Pati juristë që thanë se iniciativa për shtetin bektashi është e pamundur, sepse kushtetuta e Shqipërisë nuk e lejon. Por, dhe këtu në fund të këtij shkrimi mbase po shtroj pyetjen kyçe: çka nëse synimi i vërtetë i Ramës është pikërisht ndryshimi i kushtetutës? Jo thjesht për të hequr disa koncepte kushtetuese bezdisëse për Ramën, siç është aspirata e shqiptarëve për bashkim apo detyrimi i Republikës së Shqipërisë që të përkujdeset për shqiptarët në rajon, por, duke ditur se Shqipëria është tash e disa vite një shtet ku dyndet shumë para e paligjshme e ku përgjimet po tregojnë për një përzierje të madhe të politikës në punët e krimit dhe anasjelltas, duke ditur gjithashtu se me këmbënguljen e Bashkimit Europian dhe SHBA-së në Shqipëri është vënë në punë një prokurori goxha e ashpër në hetimin e korrupsionit, ka mundësi që artifici i quajtur “Shteti Bektashi” të jetë parë si një “shteg” për të zgjidhur disa probleme të vogla pa ia prishur qejfin miqve të mëdhenj. Këto nuk i dimë. Nuk mundemi ende të pohojmë me siguri se togfjalëshi “në stilin e Vatikanit” nuk do të thotë “në stilin e Bankës së Vatikanit”, e cila fatkeqësisht në vitet e Luftës së Ftohtë u instrumentalizua dhe prodhoi një skandal, që kur u mor vesh, shkaktoi tronditje, dënime të disa politikanëve të rëndësishëm e drejtues në Itali, të disa klerikëve në Vatikan, por dhe shumë vrasje e vetëvrasje personash të përfshirë. Shpresojmë që jo.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X