loader image
December 22, 2024

Metastazat e korrupsionit apo ngazëllimi i politikanëve të korruptuar

Nikolla Gruevski, njeriu që për më se një dekadë e ndali në pauzë rrugëtimin euroatlantik të Maqedonisë, ai i cili bëri pallate partiake me paratë tona publike, ai i cili për çdo ditë i bënte truqe përpjekjeve për avancimin e statusit politik të shqiptarëve, tani është bërë sërish njeriu më interesant në vend, me pretendimin e hapur për kthimin e shpejt nga azili…. LSDM-ja e mori pushtetin e pamerituar me premtimet për vendosjen e sistemit të drejtësisë, por duke i nxjerrë nga burgu dhe duke i rekrutuar njerëzit me biografi më të ndotur (edhe në mesin e shqiptarëve). Tani po përgatit edhe një ligj të ri për t’i amnistuar kriminelët e saj, që do t’i duhen për fushatë zgjedhore…

Shkruan: Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Treguesit e çdoditshëm të nivelit të lartë të korrupsionit politik, ekonomik e shoqëror në hapësirat tona ballkanike, ngrenë shqetësime të vazhdueshme dhe e mbajnë nën tension qytetarin e ndershëm. Duke filluar që nga marrja e shërbimeve më të thjeshta administrative-civile, e deri tek rastet më të rënda që po ndodhin në kupolën e politikës ose ekonomisë shtetërore, shihet qartë se kemi të bëjmë me tregues të lartë të një deformiteti të rënduar shoqëror në rritje, i cili po merr përmasa metastazike. Prandaj, rezultanta e moszhvillimit ekonomik, ngadalësimi i proceseve eurointegruese, ikja marramendëse e rinisë drejt Perëndimit dhe dukuri të tjera të ngjashme devijuese, flasin mjaftueshëm për atë se në çfarë derexhe gjendemi dhe kah po synojmë të shkojmë si shoqëri.

Dhe, natyrisht që këto probleme nuk janë të sotme, por një trashëgimi negative që po na përcjell vite e dekada të tëra. Po të bëjmë një rishikim të shpejt filmik të të gjitha qeverive tona, deri në këtë të sotmen, nuk gjen dot një të tillë që të ketë mbaruar pastër mandatin e saj, pa lënë njolla të zeza e të pashlyeshme në veprimtaritë të tyre. Çdo pushtet politik gdhinte mëngjese me afera korruptive shumëmilionëshe për të cilat rrallëherë bartte përgjegjësi. Aty-këtu ndonjë eksponent i parëndësishëm për një kohë sillej vërdallë nëpër gjyqe dhe derisa verdikti gjyqësor merrte epilogun përfundimtar, lënda vjetërsohej dhe bosi mbetej pa e dënuar. Ky cikël kriminogjen korruptiv përsëritet në vazhdimësi dhe ata që bëhen pjesë e lojërave të tilla të ndyra, nuk mërziten fare për asnjë kod etiko-ligjor.

Korrupsioni “i imtë”

Nuk besoj se ka një njeri që nuk është ndjerë keq duke pritur në radhë të gjata para një sporteli të administratës, kur një tjetër hyn pa rend nga dera tjetër, mbaron punë shpejt dhe ikën! Po ashtu, nuk besoj se ka një njeri që nuk është ndjerë keq duke pritur me orë të tëra e në radhë të gjata ndonjë shërbim shëndetësor para dyerve të spitaleve shtetërore, kur sheh shumë të tjerë që vijnë pas tij dhe hyjnë nga dera e pasme, mbarojnë punë shpejt dhe ikin! Zaten, është sekret publik se në shëndetësi është kulmi i “korrupsionit të imët”, ku nuk mund të marrësh asnjë shërbim siç duhet, nëse nuk lëshohesh t’u japësh ryshfet mjekëve ose personelit tjetër shëndetësor. (Përjashtime bëjnë rastet kur ndonjë punë mund ta kryesh pa zarfe me euro, nëse ke dikë “të njofshëm”). Kështu, dhënia e ryshfetit ose korruptimi i autoriteteve përkatëse është bërë praktikë ditore gati se në çdo derë të institucioneve të shtetit.

Fushatat e shpeshta kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit që rëndomë po sponsorizohen nga fondet e jashtme, nuk kanë dhënë rezultatet e duhura. Ekziston një përshtypje e përgjithshme se këtu të gjithë japin dhe të gjithë marrin ryshfet! Nuk është krijuar ende vetëdije qytetëruese se një shërbim që të takon, nëpunësi ose profesionisti i caktuar e ka detyrim të ta ofrojë, pavarësisht se kush je dhe çka je! Palët e dëmtuara nuk bëjnë denoncime, duke dashur që të “mbarojnë punë” sa më shpejt dhe mos të kenë më kokëçarje më tutje me problematikën e dhënë. Rrogat tejet të ulëta në tërë sektorin publik janë një stimul shtesë që e ushqen ryshfetin dhe korrupsionin, prandaj mjekët ose administratorët e caktuar, fare nuk skuqen kur vendosin tarifa të veçanta për shërbime që e kanë detyrim t’i kryejnë në kuadër të detyrimeve të punës që kanë. Kështu, ata që kanë mundësi financiare të japin ryshfet për të mbaruar punët e tyre, e nxjerrin në pozita të palakmueshme pjesën tjetër që nuk kanë mundësi të tilla. Prandaj, kategoria e dytë shpeshherë detyrohen të huazojnë të holla borxh për të kryer një operacion të caktuar kirurgjikal nëpër spitale, se përndryshe rrezikojnë të humbasin jetë. Kështu, ata që janë betuar dhe të paguar nga fondet publike për t’u shërbyer të gjithë pacientëve pa përjashtim, në mënyrë të pavetëdijshme shndërrohen nga të korruptuar në kriminelë!

Korrupsioni politik – Kodi i ri Penal

Të kalojmë pak në rrafshin aktual politik… Me Kodin e ri Penal, Maqedonia e Veriut i dha goditjen më të fuqishme sistemit të drejtësisë. Lehtësimi i dënimeve dhe vjetërsimi i përshpejtuar i lëndëve gjatë procedurës penale, i ka trimëruar politikanët e korruptuar që edhe më thellë të zhyten në krim e korrupsion. Kurse, ata që tanimë një kohë të gjatë po shëtitën dyerve të gjyqësorit, ata që vetëm përmes projektit famëkeq ”Shkupi 2014” e minusuan arkën e shtetit dhe xhepat tanë për 685 milionë euro, janë ngazëllyer dhe po u shkëlqejnë sytë nga gëzimi se po e ndjejnë erën e shfajësimit ligjor.

Nikolla Gruevski, njeriu që për më se një dekadë e ndali në pauzë rrugëtimin euroatlantik të Maqedonisë, ai i cili bëri pallate partiake me paratë tona publike, ai i cili për çdo ditë i bënte truqe përpjekjeve për avancimin e statusit politik të shqiptarëve, tani është bërë sërish njeriu më interesant në vend, me pretendimin e hapur për kthimin e shpejt nga azili…. LSDM-ja e mori pushtetin e pamerituar me premtimet për vendosjen e sistemit të drejtësisë, por duke i nxjerrë nga burgu dhe duke i rekrutuar njerëzit me biografi më të ndotur (edhe në mesin e shqiptarëve). Tani po përgatit edhe një ligj të ri për t’i amnistuar kriminelët e saj, që do t’i duhen për fushatë zgjedhore, meqë është e vetëdijshme se në mënyrë të ndershme nuk mund të fitojë asnjëherë.

Ndryshe, LSDM-ja (dhe jo vetëm ajo) është e njohur për pazare të tilla të ulëta dhe të pista politike për të shpëtuar prapanicën e saj. Në fillim të vitit 2019-të i amnistoi deputetët e VMRO-së që akuzoheshin për terrorizimin e kuvendit republikan më 27 prill të vitit 2017. Ata pastaj i votuan ndryshimet kushtetuese, që mundësuan pranimin e Marrëveshjes së Prespës (me Greqinë) dhe ndryshimin e emrit të shtetit. Skenari i njëjtë është duke u përgatitur edhe tani, kur target janë së paku dhjetë “çuna” të Gruevskit që kanë ulëse në kuvend. Pa dyshim, ky paraqet aktin më të shëmtuar të përligjjes së korrupsionit, duke lënë njollë të zezë në gjithë sistemin politik shtetëror të vendit dhe veçanërisht në shtyllën e drejtësisë.

Me këso lloj manovrimesh të pista politike njerëzit e sinqertë dhe, sidomos, të rinjtë, gjithnjë e më shumë po zhgënjehen nga vendi i tyre i origjinës dhe po kërkojnë shpëtim nëpër vendet e Europës.

Nëse deri më tani kishte njerëz të ndershëm që i rrekeshin politikës për të bërë ndonjë punë të mirë në dobi të shoqërisë, s’do mend se tanimë gjithnjë e më pak do të kemi të tillë. Njerëzit e pastër, të ndershëm, profesionistë dhe me dinjitet, nuk e shohin veten të jenë pjesë e një brezi politikanësh të korruptuar, që e vjedhin shtetin dhe e bëjnë leckë dhe në emër të “interesave të larta gjeostrategjike” shtetërore, nuk i nënshtrohen asnjë mekanizmi sanksionues juridik.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X