loader image
November 21, 2024

Asociacioni i Komunave Serbe – kafshatë që s’kapërdihet lehtë!

Mendoj se arritja më optimale e kryeministrit Kurti është ridefinimi dhe korrigjimi i konceptit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të Popullsisë, pavarësisht se ka shumë analistë ose edhe politikanë opozitarë, që këtë e konsiderojnë semantikë. Mund të duket sipërfaqësisht semantikë, por ka dallim të madh midis konceptit qeverisje dhe menaxhim. Ja pse: Së pari, qeverisja, si koncept në hierarkinë e përgjegjësive dhe të kompetencave nënkupton mbikëqyrje dhe vendimbërje strategjike. Jo vetëm në aspektin e sistemeve ekonomike, por edhe të atyre politike, më saktë në kontekstin e rregullimit të një sistemi juridiko-kushtetues, qeverisja nënkupton edhe zhvillime makrostrategjike, si mbrojtjen, sigurinë dhe politika të pavarura në lidhje me këto zhvillime, ndërkohë që menaxhimi nënkupton veprim operativ!

Shkruan: Abdylmenaf BEXHETI, Tetovë

Procesi i negociatave midis Serbisë dhe Kosovës, i filluar një dekadë më parë, është vazhdimësi dhe kontribut i të gjitha elitave politike në Kosovë dhe jo vetëm. Parimisht, të gjitha fazat e tij i kanë sfidat e veta, si ato në fillim, ashtu edhe sot. Prandaj mendoj se asnjë elitë politike, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme që mund të kenë pasur, edhe për motive politiko-partiake, nuk duhet të krijojë çarje në shoqërinë kosovare se kush është më patriot, e aq më pak kush është “tradhtar”! Kjo nuk i shërben Kosovës në formësimin e plotë të shtetësisë dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Të gjithë duhet të jenë sa më unikë! Inatet që mund të dalin edhe si rezultat i revanshizmit të brendshëm politik, sepse po për këtë çështje opozita e dikurshme e sulmonte me gaz lotsjellës edhe Parlamentin, më shumë e dëmtojnë sesa që mund ta avancojnë pozitën partiake të gjithkujt. Qytetari dhe votuesi kosovar është i vetëdijshëm për gjithsecilin.

Është shumë e qartë se pozita e negociatorëve në këtë proces jo që nuk është e barabartë, por është krejt asimetrike. Kosova është pala që pretendon ta formësojë plotësisht shtetin në të drejtën ndërkombëtare publike, ndërsa Serbia s’ka se çka humb ose, të jem më preciz, mund të humbë shumë pak në perspektivë, por jo për momentin. Kosova mund të humbas shumë! E vetmja rrethanë lehtësuese për Kosovën ishte mbështetja, qoftë edhe vetëm emocionale, e strukturave politike shqiptare në Maqedoni të Veriut që tërë kohën qëndruan pranë “palës kosovare” në mbështetje jo vetëm logjistike, por edhe në komunikim me faktorin ndërkombëtar (BE, SHBA), që është pale ndërmjetësuese, lehtësuese dhe garantuese e procesit. Ndërkombëtarët e kanë parasysh edhe efektin dytësor për rajonin që mund të shkaktojnë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po qe se njërës palë i bëhen koncesione në dëm të tjetrës.

Shpresojmë se viti 2023 për rajonin do jetë një vit i mbarë. Takimi i Brukselit dhe i vijuar me këtë të Ohrit, pa dyshim se janë një nismë e mbarë që dallon së paku në dy vitet e fundit. S’do mend se këta janë hapat e parë të mbarë, që prej se Kurti u rikthye në qeverisje. Megjithatë, nuk ka nevojë e aq më pak hapësirë për eufori e për ndonjë triumfalizëm të njëanshëm. Çdo manifestim i këtij lloji, posaçërisht nga ana jonë, jo që do ishte i pa arsyeshëm dhe i parakohshëm, por edhe do ta dëmtonte procesin! Andaj, me pëlqejnë kritikuesit racionalë, por jo edhe nihilistët!

Një dekadë të tërë në negocimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që nga 2013-ta, qëkur u parafua një version-marrëveshje për Asociacionin, po debatohet, analizohet dhe kontestohet nga shumë aktorë politik, juridiko-kushtetues dhe ekonomiko-financiarë. Me kalimin e kohës, gjërat bëhen edhe më komplekse, sidomos kur çështja del nga konteksti kohor dhe hapësinor. Kohë më parë, struktura të caktuara të subjekteve politike në Maqedoni të Veriut dolën me propozime për modele e asociacione të ngjashme edhe në vendet tjera në rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimor, në varësi të nevojave politiko-partiake për konsum të brendshëm. Kjo çështje kaq e rëndësishme shpesh bëhet joserioze kur përdoret si “kërcënim” politik i momentit, nëse ato nuk janë pjesë e programeve politike ose të ndonjë marrëveshjeje për qeverisje. Jo që këto veprime merren për serioze, por janë edhe ofenduese, bile për inteligjencën mesatare e jo më për elitat, pavarësisht sa janë ato!

Politika, në përgjithësi, e posaçërisht ajo ndërkombëtare, në veçanti, është raport i interesit dhe forcave. Jo gjithmonë, për të mos thënë shumë rrallë, ajo krijon dhe praktikon standarde të njëjta, e aq më pak të barabarta! Prandaj, të mos jemi naivë se gjithmonë e gjithkund kjo është e mundur, kjo për shkak se momentumet, posaçërisht ato që nuk varen nga ju, janë shumë të rëndësishme për veprimet politike. Nëse në Kosovë jetojnë rreth 70 mijë qytetarë të pakicës serbe, që përbëjnë rreth katër për qind të popullatës së përgjithshme, dhe në Luginën e Preshevës jetojmë mbi 140 mijë shqiptarë me rreth 2.2%, në asnjë aspekt s’ka simetri barazie e aq më pak reciprocitet! Në parlamentin e Serbisë mezi zgjidhet një deputet, ndërsa në atë të Kosovës serbët përfaqësohen me 10 vende të garantuara dhe po aq të gjeneruara! Ajo që më shumë irriton është fakti se një agresor me krime gjenocidale të dëshmuara ndaj popullatave të tëra (jo vetëm në Kosovë), për rreth dy dekada me radhë, krejt të paprovokuara, bile edhe pas kapitullimit, duhet kaq shumë të përkëdhelet! Kjo gjenerohet nga realiteti dhe, aq më tepër, nga momenti gjeopolitik dhe gjeostrategjik, një kontekst që gjithmonë duhet pasur parasysh kur shtjellohen çështje kaq të rëndësishme.

Asociacioni ose, siç e quante metaforikisht Lëvizja Vetëvendosje, “Zajednica”, po shndërrohet në kafshatë që nuk kapërdihet lehtë në bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare mbi bazë të modelit franko-gjerman. Në versionet paraprake të të ashtuquajturave Marrëveshje e vitit 2013 dhe 2015, ta cilave Serbia po u referohet vazhdimisht, statusi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe jo që është i rrezikshëm për faktin e oreksit serb që të krijojë edhe një mini “Rrepublika Srpska” brenda territorit të Kosovës, por është baza e konceptit të kahmotshëm serb se “ku jeton edhe një serb, është Serbi” ose pjesë e së ashtuquajturës “botë serbe”, që kohët e fundit po lansohet me të madhe sipas modelit rus. Kjo, në një farë mase, edhe ka funksionuar përgjatë gjithë historisë hegjemoniste serbe!

Fakti që në bisedimet e Ohrit (më 18 mars) vëmendja kryesore u përqendrua në këtë çështje, flet për ambiciet dhe orekset serbe ndaj kësaj ideje. Arsyetimet e Vuçiqit se nuk mund të nënshkruajë një dokument me Kosovën, se kështu do ta legjitimonte atë si subjekt të së drejtës ndërkombëtare publike, është edhe një demagogji e llojit të tij, për shkak se sa herë që punët i kanë shkuar për shtati, të njëjtat i ka arsyetuar e nënshkruar me shumë qejf. Si i nënshkroi Marrëveshjet e viteve 2013 e 2015, të cilave po u referohet në vazhdimësi? Po si e nënshkroi deklaratën në zyrën ovale të ish Presidentit Trump? Pra, këto janë standardet e shumëllojshme dhe demagogjitë e tij për konsum politik të brendshëm se edhe ai vetë fare mirë e di epilogun e këtij procesi!

Debatet pas takimit të Ohrit gjithandej fillojnë me dilemën a ka apo jo një marrëveshje, edhe përkundër deklaratave dhe urimeve triumfaliste të ndërkombëtarëve dhe jo vetëm. Ne që e njohim mirë mendësinë sllave, e në veçanti atë serbe, tash e një shekull e gjysmë, që nga Lidhja e Prizrenit (1878) e deri më sot, me shumë të drejtë jemi të rezervuar. Për shkak se sllavët, e në veçanti serbët, edhe kur t’i nënshkruajnë marrëveshjet s’duhen besuar nëse nuk ka instrumente shumë të fuqishme dhe sanksione të rrepta për moszbatim, e jo më ujdi vetëm deklarative! Të mos e harrojmë mendësinë dhe platformën e njërit nga akademikët më antishqiptarë (e jo vetëm) të Akademisë Serbe, Dobrica Qosiq, për falsifikimin e historisë dhe shkatërrimin e artefakteve në trojet tona etnike dhe pranimin e tij publik se “gënjeshtra është interes kombëtar i serbëve”!

Kur jemi te historianët, nuk është se nuk ka shkencëtarë realë, bile edhe midis sllavëve, që trajtojnë çështjet të bazuara në faktografi historike në kohë dhe hapësirë. Është e mirënjohur akademikja-historiane ruse Nina Smirnova (vdiq në qershor të vitit 2001), e cila pjesën më të madhe të hulumtimeve të veta shkencore ua kushtoi marrëdhënieve historike shqiptaro-serbe, që nga beteja e Fushë Kosovës, ku atë e definon si luftë koalicioni mes serbëve, bullgarëve, shqiptarëve dhe boshnjakëve kundër Perandorisë Osmane. Sipas saj, armiqësitë patetike serbe ndaj shqiptarëve ndër shekuj më shumë vijnë në shprehje me Lidhjen e Prizrenit dhe kulminojnë përgjatë luftërave ballkanike (1912/13). Sado që ta lëmë pas historinë, ajo na mëson për ndërtimin e të ardhmes, andaj edhe deklarata e Vuçiqit se Serbia do të angazhohet ta realizojë marrëveshjen në mënyrën që t’i konvenojë asaj dhe duke mos i kaluar kurrë “vijat e kuqe” që, sipas tij, është mosnjohja e Kosovës nga Serbia, kjo vetëm i përforcon dyshimet tona të bazuara se Serbia, e aq më pak vetë ai, do t’i zbatojë me përkushtim ato për të cilat është marrë vesh apo do të merret vesh.

Personalisht, i mbështes pa rezervë qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti në këtë proces dhe më vjen shumë mirë që arriti t’i bindë ndërkombëtarët se nuk janë shqiptarët ata që e bllokojnë procesin e negocimeve për një marrëveshje përfundimtare me epilog dhe instrumente të fuqishme të garantimit për implementimin e saj. Thjesht, ia mori atutë Vuçiqit, se shqiptarët nuk duan negociata dhe marrëveshje! Së paku, tani ndërkombëtarët e dinë cila është adresa e bllokuesit.

Përpos kësaj, u arrit që Serbia të evidentohet si shtet agresor dhe pushtues i egër që e mban fajin dhe barrën e përgjegjësisë për krimet e bëra në një territor tjetër (Kosovë), që edhe në kushtetutën e vet ia pranon disa atribute shtetërore, si simbolet dhe territorin, por jo edhe sovranitetin”! Për herë të parë evidentohet nevoja për angazhimet e Serbisë për zbardhjen e fatit të të “zhdukurve” dhe viktimave që i kanë masakruar forcat militare dhe paramilitare serbe. Këto nuk mund të lahen vetëm me dënimet e Hagës. Kjo histori do ta rëndojë gjatë shoqërinë serbe, pavarësisht se për momentin nuk ka masë kritike shoqërore për ta gjykuar këtë, ndonëse, do pranuar, nuk mungojnë individë dhe intelektualë serbë që po i pranojnë këto fakte dhe faje gjithnjë e më zëshëm dhe publikisht.

Pastaj, detyrimi i Serbisë se Kosova nuk do pengohet të anëtarësohet nëpër organizata ndërkombëtare dhe nuk do të angazhohet për çnjohje ndërkombëtare, është një arritje tjetër në këtë proces, pavarësisht se nuk duhet t‘i besohet! Ndoshta s‘do ta bëjë kundërshtimin haptazi, por shërbimet diplomatike e kishtare të saj, krahas shërbimeve inteligjente, me të gjitha mjetet e gjithmonë do të mundohen ta bëjnë këtë. Janë mjeshtër për veprime të tilla!

Mbi të gjitha, së paku në këndvështrimin tim, mendoj se arritja më optimale e kryeministrit Kurti është ridefinimi dhe korrigjimi i konceptit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pavarësisht se ka shumë analistë apo edhe politikanë opozitarë që këtë e konsiderojnë semantikë. Mund të duket sipërfaqësisht semantikë, por dallimi është i madh midis konceptit qeverisje dhe menaxhim. Ja pse!

Së pari, qeverisja si koncept në hierarkinë e përgjegjësive dhe kompetencave nënkupton mbikëqyrje dhe vendimbërje strategjike. Jo vetëm në aspektin e sistemeve ekonomike, por edhe të atyre politike, më saktë në kontekstin e rregullimit të një sistemi juridiko-kushtetues qeverisja nënkupton edhe zhvillime makrostrategjike, si mbrojtjen, sigurinë dhe politika të pavarura në lidhje me këto zhvillime, ndërkohë që menaxhimi nënkupton veprim operativ. Menaxhimi përcaktohet dhe mbikëqyret nga qeverisja, përfshirë edhe kontrollin e veprimeve. Vetëqeverisja do të nënkuptonte edhe zhvillime strategjike deri në vetëvendosje, për shkak se nuk ka mbikëqyrje! Nëse shkohet edhe më konkretisht, në kuptimin e përgjegjësive ose kompetencave, qoftë në aspektin teorik e shkencor të niveleve të ndryshme të qeverisjeve (decentralizimit) ose edhe në atë praktik, zakonisht për qeverisjen vendore rezervohen përgjegjësitë dhe kompetencat më mikrolokale, që kërkojnë mikromenaxhment që nga ato të higjienës dhe pastërtisë publike, rregullimit dhe zhvillimit detal urban, përmes sistemit të edukimit bazik dhe atij të mesëm (çerdhe e shkolla), kujdesit primar shëndetësor dhe social, aktiviteteve kulturore dhe sportive, e deri te të drejtat fiskale për të tatime lokale të nevojshme e shpesh të pamjaftueshme edhe për projektet mikrolokale. Këto i takojnë vetëmenaxhimit.

Së dyti, për formatin dhe modelin e vetëmenaxhimit tanimë Kosova nuk do të negociojë drejtpërdrejt me Serbinë, por do të negociohet me bashkësinë ndërkombëtare dhe atë detyrimisht brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Së treti, e ndoshta më e rëndësishmja tash për tash, definitivisht u hodh poshtë mundësia për ndonjë shkëmbim territoresh, një veprim ky që do hapte „kutinë e Pandorës“ në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm!

Përtej kësaj, ajo që për bindjen time është më shqetësuese në këtë proces rreth Asociacionit mbetet detyrimi i nënvizuar, tani e menjëherë, që Kosova ta fillojë veprimin rreth definimit dhe zbatimit të Asociacionit, pa pasur instrumente efikase për palën serbe në zbatimin e detyrimeve të saj. Ky është veprim i pabalancuar dhe i paqartë për epilogun e këtij veprimi, duke lënë hapur mundësi reale që Serbia ta refuzojë kapacitetin dhe formatin e dakorduar me bashkësinë ndërkombëtare për këtë çështje. Instrumenti garantues rreth kapitullit 35 të procesit negociues me Serbinë nuk është i determinuar fare, se edhe ashtu procesi i rrugëtimit dhe përafrimit të Serbisë deri në anëtarësim do të jetë përplot batica e zbatica. Nuk dua të reflektoj pesimist, por përvojat tona në Maqedoni të Veriut me Marrëveshjen e Ohrit janë shumë të hidhura rreth Anekseve dhe Planit të veprimit për zbatimin e saj të plotë, që duhej të përfunduar në vitin 2005! Ne po arrijmë në vitin 2025 dhe akoma ka shumë punë për t‘u bë për realizimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit!

Fakti se bashkësia ndërkombëtare e merr nën monitorim dinamikën e realizimit të kësaj (akoma) Ujdie verbale, personalisht për mua dhe eksperiencat tona me Marrëveshjen e Ohrit jo që nuk është instrument që na rehaton ne (shqiptarëve), por përkundrazi duhet të na shqetësojë!

Shumë herë e kam shkruar dhe nënvizuar se shtylla e decentralizimit në Marrëveshjen e Ohrit ishte çështja për të cilën u dakorduam më shpejt në negocime, por që ndërkohë shkoi më ngadalë se të gjitha të tjerat në realizime, bile edhe sot e kësaj dite akoma jo e plotë! Prandaj, edhe detyrimi i Kosovës që „tani e menjëherë“ t’i fillojë veprimet rreth „ndërtimit“ të Asociacionit, pa pasur asnjë garanci rreth balancimit reciprok të procesit, është jo vetëm jokorrekte, por edhe e padrejtë dhe e paqëndrueshme.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X