loader image
May 21, 2024

Çfarë pas Ohrit me Kosovën, a e dinë njerëzit e “Big Brother”-it?

Formulimi i institucioneve, veprimet konkrete, si “kemi marrëveshje me apo pa nënshkrim”, janë shumë me rëndësi, por nuk janë vendimtare për ardhmërinë e vendit dhe regjionet. Ekspertët mund të debatojnë dhe teoretizojnë, por parashikimet e tyre nuk duhet marrë si profetike. Njerëzimi dhe bota nuk funksionon me ligjet e fizikës, me precizitet matematikor, por është organizëm i ndikuar dhe vazhdon të ndikohet nga më shumë faktorë. Mjafton ta analizojmë formësimin e identitetit shqiptar, mbi gjitha atë kosovar në tridhjetë vitet e fundit që të shihet transformimi.

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Me 18 mars, siç edhe u paralajmërua, ndodhi takimi Vuçiq, Kurti. U morën vesh që të mos merren vesh. U pajtuan që gjitha mosmarrëveshjet t’i bartin për zgjidhje në institucionet e Bashkimit Europian (BE), përmes kapitullit nr. 35 për anëtarësim. Ajo tani e tutje do t’i vlerësojë të bëmat dhe të pabërat dhe, varësisht nga veprimet e ndërmarra, do të ndëshkohen ose shpërblehen me afrim, gjegjësisht distancim nga Europa. Për këtë pazar politik palët dhanë e morën nga diçka, ndërsa në fund fitimtarë doli hanxhiu. Në kohën e depresionit politik në Europë dhe Amerikë, treshja diplomatike qeverive dhe BE-së u dërguan peshqesh një mini-trofe diplomatik. BE-ja dëshmoi se megjithatë mund të “zgjidh” ndonjë problem në kontinent. Çfarë me fqinjët grindavecë? Ata nuk e dëgjuan haxhiun por mullixhiun. Në vend se të ketë ndarje 5 me 5, ata u pajtuan për 3 me 3 dhe 4 mbetën për avokatin, diplomatët.

Kurti e pranoi Zaednicën me emër të adaptuar si “vetëmenaxhim për komunitetin serb në Kosovë”, kurse Vuçiqi i pranoi të gjitha dokumentet, përfshirë simbolet, pasaportën dhe targat. Kryeministri i Kosovës këtë e quan pranim de fakto, kurse kryetari i Serbisë e mohon, pasi ai nuk do të nënshkruajë dhe as do të ratifikojë një marrëveshje që duhet ta marrë fuqinë e ligjit ndërkombëtar.

Daniel Serveri thotë se marrëveshja nuk e njeh sovranitetin e shtetit dhe nuk është obliguese. Ai nuk obligohet as të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. “Vetëmenaxhimi” e ka shtojcën “në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut siç përcaktohet nga Lehtësuesi i BE-së”. Formulimi lë të kuptosh se është vetëm oblanda e marrëveshjeve paraprake, që Kurti paraprakisht nuk i pranonte. Pyetja është se nëse një ditë Serbia vendos të mos e ndjekë rrugën europiane, çka do të ndodhë me marrëveshjen? Çka nëse Kosova e themelon “Zaednicën”, për të cilën Vuçiqi thotë se do të ketë kryetar, një lloj “ekzekutivi” dhe “legjislativi”, kurse Serbia me vokabular europian e saboton procesin duke pritur se si do të mbarojnë zgjedhjet në Amerikë apo lufta në Ukrainë? Dilema mbeti nëse Ohri mbylli historinë apo hapi rrugë për një histori të re. Një histori me shumë stacione. Kemi biletën për Europë, por nuk dimë nëse jemi në të njëjtin tren apo kemi dy: një për Perëndim e tjetri për Lindje. Kush për ku është nisur? Pse ky pesimizëm?

Para takimit në tavolinë kishte gjashtëmbëdhjetë versione të ndryshme për Bashkësinë e Komunave “serbe”, që kryeministri aktual Kurti, si opozitar, e quajti “Zajednica” dhe “Komunat me Shumicë Serbe” i quajti “Komuna Serbe”. Termat, kumbarë i të cilëve ishte vetë ai, sot janë çështje diskutimi, hapin dilema dhe krijojnë shqetësime. Albini nuk është fajtori i vetëm, meqë edhe para tij përdoreshin nga funksionarë tjerë të lartë politikë. Në vitin 2007, para shpalljes së pavarësisë, kur isha i angazhuar si ekspert për decentralizim, një ministër në ikje dhe një në ardhje, në një takim në Ohër, ku shqyrtohej procesi i decentralizimit, me lehtësi lejonin përdorimin e termave “komunat serbe”, “bashkëpunim ndërkombëtarë i komunave serbe” dhe ngjashëm. Ua tërhoqa vërejtjen se nuk mund të ketë “Komuna Serbe në Kosovë”, por vetëm “Komuna me shumicë serbe në Kosovë”. Komunat nuk janë subjekt ndërkombëtar, andaj edhe nuk duhet të përdoret termi “Bashkëpunim ndërkombëtar”. Mund të kenë mundësi bashkëpunimi ndërkomunal, ndërkufitarë dhe bashkëpunim me komunat të një shteti tjetër, por ja që ende qarkullojnë këto terme në media, debate, por edhe në tavolinën e bisedimeve.

Pse duhet pasur kujdes në terminologji? Termat, sado që duken pa relevancë, janë shumë të rëndësishëm kur vihen në përdorim praktik, pasi vetvetiu imponojnë formalizim juridik, prej të cilit burojnë të drejta dhe detyrime. Nuk është njësoj nëse formulimi juridik do të jetë “bashkësi e komunave me shumicë serbe”, “autonomi kulturore e komunave me shumicë serbe” ose autonomi për “pakicën”, “komunitetin”, “popullin serb”, bile edhe “vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë”. Termat që në shikim të parë duken sikur janë sinonime ose ashtu i kuptojnë njerëzit, kanë peshë më të madhe ose më të vogël në pozicionimin e një komuniteti në sistemin e përgjithshëm politik.

Disa më tepër nënkuptojnë të drejta territoriale e etnike, disa më tepër qytetare, joterritoriale, që inkurajojnë forcat politike centrifugale ose centripetale, gjegjësisht zhvillojnë tendenca politike integruese apo dezintegruese. Detajet, pa dyshim, janë të rëndësishme, pasi janë përcaktuese se çfarë dinamike politike do të zhvillohet në shtet: do të gjeneroj stabilitet apo destabilitet? Përderisa pozicionimi kushtetues dhe juridik mund të llogaritet si statika politike, dinamika politike është e varur nga statika, por shumë më tepër ndikohet nga rrethana të tjera jashtë dhe brenda vendit. Statika dhe dinamika politike duhet të bëjnë një jetë simbiotike nëse duam funksionimin e shtetit juridik, ku individët dhe komunitetet do të mund të realizohen.

Për këtë statikë të sistemeve politike për shtete multienike, multikonfensionale ose, thjesht, shtetet e fragmentuara, janë ngritur teori dhe janë zhvilluar modele matematikore me qëllim të optimizimit të mundësive (Horowitz, Liphard, Roy Bahl…). Gjatë modelimit janë përdorë parametra si për sasinë, cilësinë, historinë, gjeografinë, kompaktësinë e komuniteteve që jetojnë në një shtet të fragmentuar, por edhe rrethanat e tjera. Fatkeqësisht, shkencat e sistemeve politike tani nuk ofrojnë një model që garanton stabilitet, harmoni e prosperitet për shtetet e fragmentuar, por kanë zhvilluar teori që i vendosin parimet mbi të cilat duhet të ngrihet sistemi.

Të konkludojmë: ekspertët e kësaj problematike shqyrtojnë teori, modele e sisteme politike, por problemi qëndron diku tjetër. Ekspertët janë parashikues shumë të këqij të së ardhmes. Andaj ata nuk mund të japin ndonjë parashikim “meritor” se a do të funksionojnë dhe si do të funksionojnë Kosova dhe Serbia në të ardhmen. Sipas Karl Poperit, “… nga një shikim strikt logjik, është e pamundur të parashihet e ardhmja e një shoqërie..” (K. Poper: 1957). Matematikani dhe ekonomisti David Orrell sugjeron se nëse merremi me parashikimin e së ardhmes, duhet të merren për bazë shkencat e jetës që e shohin botën si një organizëm të gjallë dhe jo si një makinë. Modelet shoqërore, që janë në ngritje, kërkojnë një estetikë të re, e cila ka parasysh kompleksitetin e jetës dhe jo elegancën dhe simetrinë. Sot, përskaj avancimeve serioze në teknikë e teknologji, meteorologët nuk janë të saktë në parashikimet. Shkaku: “.. diçka aq e parëndësishme sa një flutur që përplas krahët mund të ndikojë në motin në anën tjetër të botës” (David Orrell: 2013). “Efekti i fluturës” vlen sa për kohën, aq edhe për ndryshimet në një shoqëri. Rabini Jonathan Socks thotë se kur profetit Jakob (Jakup) vendosi t’ua parashikojë të ardhmen fëmijëve të vet, prania hyjnore u hoq prej tij. Pas rënies së tempullit (viti 70 p.e.s), në Tallmud shkruan “ndalohet parashikimi i së ardhmes, pasi ajo u takon budallenjve”.

Porosia: Formulimi i institucioneve, veprimet konkrete, si “kemi marrëveshje me apo pa nënshkrim”, janë shumë me rëndësi, por nuk janë vendimtare për ardhmërinë e vendit dhe regjionet. Ekspertët mund të debatojnë dhe teoretizojnë, por parashikimet e tyre nuk duhet marrë si profetike. Njerëzimi dhe bota nuk funksionon me ligjet e fizikës, me precizitet matematikor, por është organizëm i ndikuar dhe vazhdon të ndikohet nga më shumë faktorë. Mjafton ta analizojmë formësimin e identitetit shqiptar, mbi gjitha atë kosovar në tridhjetë vitet e fundit që të shihet transformimi.

Nëse Adem Jashari vdiq me flamurin kombëtar, bijtë dhe nipat e asaj gjenerate shumë më tepër e parapëlqejnë kosovarizmin dhe flamurin e Kosovës sesa shqiptarinë dhe flamurin kombëtar. Ata tani më tepër identifikohen si europianë e amerikanë sesa shqiptarë e kosovarë. Së fundmi, duket se dominon “identiteti” i tik tokut dhe preferojnë “heronjtë” e shout “Big Brother”. Këta të fundit janë model suksesi, por shihen edhe si udhëheqës politikë, kurse ata të para 20 vjetëve, luftëtarët e lirisë, që janë në Hagë, perceptohen si qeveria e “turpit”. Transformimi nuk ndodhë vetëm në mesin e rinisë, por i përfshin të gjitha poret e jetës dhe të gjitha gjeneratat. Një luftëtar i lirisë njëzet vjet më parë, kur ishte në Zvicër si i ikur nga vendi, të “vriste” nëse deklaroheshe se “Maqedonia është shtet i im:, kurse sot të “vret” nëse e mohon atë. Kush e parashikoi këtë? Në Ballkan etnia dhe kombi janë kameleonike: sipas rrethanave, i ndërrojnë ngjyrat e orientimet. Ndërkaq shqiptarët janë më të shquarit në këtë art. Rrjedhimisht, ndryshimet shoqërore do të jenë shumë më me rëndësi për të ardhmen e Kosovës dhe regjionin sesa formulimet në dokument.

Në fund, cili është parashikimi im për Kosovën dhe regjionin pas nënshkrimit të marrëveshjes? Si “ekspert”, gjykoj se sistemi është tejet i ngarkuar, në prag të disfunksionalitetit ose do të prodhojë shtet me çmim të lartë funksionaliteti. Në rrethana të tensionimeve ndëretnike, ndërshtetërore, por edhe të lëvizjeve më të mëdha gjeopolitike, mund të prodhoj destabilitet. Në fund, “zajednica”, me emër të ri, mund të prodhojë një ndarje me atrofi në vend me kirurgji. Në rolin e “budallait”, parashikoj që punët të shkojnë “mirë”, të fillojë implementimi, më pas të paraqitet një ekip tjetër nga Amerika e Europa që do të kërkojnë një histori të re – duhet të shkruajmë se serbet dhe shqiptarët gjithmonë kanë bashkëjetuar, bile kanë pasur edhe kumbari dhe nuk kanë pas ndonjë konflikt më serioz mes vete. Ka pasur kohë pas kohe cuba e kaçakë, “injorantë”, “hajdutë” e “kriminelë”, që kanë jetuar jashtë kohës, por pa e dëmtuar seriozisht bashkëjetesën”. Promotorë të kësaj historie “të re” do të gjejnë në organizata joqeveritare, media e intelektualë “të pavarur” dhe do të paraqitet një “XX” që politikisht do ta artikulojë këtë. Neve, “akademikët”, ashtu si deri tani, pragmatikë, do të preferojmë konformizmin në vend konfrontimin, do të nënshkruajmë recensione, punime shkencore, magjistratura e doktorate që “shkencërisht” do ta “vërtetojnë” këtë rrëfim të ri. Kështu kemi bërë edhe deri tani, me “gjysmë-shkencën” ose me “anti-shkencën”, duke mbrojtur idenë “bashkimi i shqiptarëve në Europën e bashkuar”. Pse mos ta mbrojmë “Ballkanin e Hapur”? Andaj, Albin Kurti para se të konsultohet me ekspertë “të njohur”, vendorë e ndërkombëtarë, le të merret më shumë me rezultatet e shout “Big Brother”. Ata janë treguesi më i mirë se nga shkon shoqëria shqiptare dhe çfarë historie shkruan ajo.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X