loader image
April 18, 2024

Spini i Ballkanit të Hapur

Është pyetje e rëndësishme për t’u shtruar, pse u përhap aq shumë opinioni se Vuçiqi me siguri do ta nënshkruante marrëveshjen, ndërsa Kurti thuajse me siguri nuk do ta nënshkruante, përveçse nëse e kapnin për veshi? Ky “spin” ishte kaq i ndryshëm nga realiteti. Por, a ishte thjesht i pafajshëm e rastësor?

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë

Nën presion të lartë ndërkombëtar, në 27 shkurt 2023, Kosovës dhe Serbisë iu vu përpara një marrëveshje ndërkombëtare, e njohur gjerësisht si “propozimi franko-gjerman”. Takimi zgjati shumë. Përgjatë takimit në Ballkan vazhdonte politika e thashethemit, intrigës dhe palaçollëkut. Disa opinionistë e lobistë të afërt me qarqe të “Ballkanit të Hapur” thoshin se propozimi nuk do të pranohej nga Kurti, i cili pastaj do ta thyente marrëdhënien e Kosovës me europianët e amerikanët dhe do ta çonte vendin e vet drejt izolimit. Disa të tjerë, të të njëjtave qarqe, thoshin se presioni perëndimor e sidomos amerikan ishte aq i madh, saqë Kurti ishte dorëzuar, kishte shkelur parimet e veta dhe kishte nënshkruar marrëveshjen me Vuçiqin duke pranuar kështu shumë gjëra që më parë nuk i pranonte. Kësaj zhurme iu shtua dhe Rama, që ishte për vizitë zyrtare në Mal të Zi te Abazoviqi. Kur u pyet nga gazetarët në konferencë, Rama tha se vendet që deri më tani nuk e kishin pranuar “Ballkanin e Hapur” më në fund po detyroheshin ta pranonin atë, të “kapura për veshi” nga fuqitë e mëdha.

Meqenëse miqtë e “Ballkanit të Hapur” dominojnë opinionin publik shqiptar, këto përshtypje zgjatën deri në mbrëmje vonë. Pak para se të dilnin prej takimit protagonistët, në një studio televizive ku isha i ftuar, personazhi i njohur Baton Haxhiu këmbëngulte me të madhe se marrëveshja ishte fakt i kryer e se po të mos e nënshkruante Albini, do i mbetej merita Vuçiqit i cili me siguri e nënshkruante. I njëjti kishte publikuar edhe versione sipas tij të marrëveshjes, në mediat e tij. Natyrisht, ata që i kishin lexuar versionet e diskutuara të marrëveshjes e dinin se versionet e publikuara nuk ishin të plota pra nuk ishin të sakta, por nuk e kishin lejen ta sqaronin këtë publikisht, para se të botohej në mënyrë zyrtare propozimi nga Bashkimi Europian.

Kur palët dolën nga takimi, na rezultoi pikërisht e kundërta e asaj që propagandonin propaganduesit. Albin Kurti tha se e kish pranuar propozimin qysh në fillim dhe kishte shfaqur zell për ta nënshkruar sa më shpejt. Por, Vuçiqi nuk kishte pranuar assesi ta nënshkruante. Kishte dhënë një miratim verbal, por me rezerva. Pra, ai që duhej kapur për veshi e që duhej afruar te plani evropian nuk ishte kundërshtari i “Ballkanit të Hapur”, por presidenti i “Ballkanit të Hapur”. Versionet e publikuara nëpër media të marrëveshjes nuk përmbanin disa terma të rëndësishëm të saj, edhe pse si zakonisht ishin reklamuar si “informacion i brendshëm, super i saktë!”

Do të kishte qenë mirë sikur në këtë pjesë të shkrimit të kisha shkruar “kaq sa i përket ballkanhapuristëve”, çpor këtë luks nuk ta lejon realiteti. Në vend se të reflektonin për çështjen e analizës së munguar apo të gabuar, në vend se të shtronin pikëpyetje se pse arritën te ajo analizë e gabuar apo të merrnin kohë për të kuptuar situatën e re të cilën nuk e kishin parashikuar më parë, ata menjëherë u hodhën në sulmin e ri. Ky lloj kapërcimi nga sulmi në sulm pa reflektim në mes, tregon edhe se këto opinionbërje nuk është se bazohen fort në ndonjë analizë objektive, por ngjajnë më shumë me taktika luftarake. Në luftë të hapur ushtria i ka urdhrat që, u bë ç’u bë, të vazhdojë përpara, s’ka kohë për analizë. Kështu edhe ushtria e “Ballkanit të Hapur”, iniciativës që do ta kisha quajtur me kohë “BH”, po të mos ishin këto edhe inicialet e Batonit të mirënjohur.

E, pra, është pyetje e rëndësishme për t’u shtruar, pse u përhap aq shumë opinioni se Vuçiqi me siguri do ta nënshkruante marrëveshjen, ndërsa Kurti thuajse me siguri nuk do ta nënshkruante, përveçse nëse e kapnin për veshi? Ky “spin” ishte kaq i ndryshëm nga realiteti. Por, a ishte thjesht i pafajshëm e rastësor? Sa rastësore mund të jetë një bindje që jehon në studiot televizive private natë për natë, e që mbërrin deri te goja e një kryeministri si Rama, në konferencë zyrtare me një tjetër kryeministër? Mua nuk më duket aspak e rastit. Sidomos nëse shtrojmë pyetjen se kujt do t’i kish shërbyer një “spin” i tillë.

Qartazi, Vuçiqi është në një situatë të vështirë. Serbia qysh në themelimin e saj është karakterizuar nga një politikë bivektoriale, edhe me perëndimin, edhe me lindjen. Më pas edhe Jugosllavia e ruajti të njëjtën qasje (kujtoni konferencën e Jaltës, ku Stalini, Ruzvelti e Çërçilli u dakorduan që ndikimin në Jugosllavi ta kenë 50-50, edhe lindje edhe perëndim). Por puna ka ardhur që, për shkak të luftës në Ukrainë, vendet e Ruzveltit e të Çurçillit të kenë sot një nga raportet historikisht më problematike me vendin e Stalinit. Konflikti i hapur e bën shumë të pamundshme uljen e Vuçiqit në dy karrige. Dhe, presioni i madh i Uashingtonit, Brukselit, Berlinit e Parisit është i tillë që ta vendosë vërtet në siklet presidentin serb.

Prandaj “spini” u fry aq shumë në muajt e javët para takimit të 27 shkurtit. Kryeministri i Kosovës duhet të ishte “problematiku”, që Vuçiqit t’i lehtësohej presioni. Duke ndërtuar narrativën se Albini është aq parimor sa që nuk “ha pykë”, ndërsa Vuçiqi në fakt “paska pranuar” se Serbisë marrëveshja i intereson, ky “spin” përpiqej të krijonte në botën shqiptare një dispozicion emocional të opinionit publik që do ta çonte Kurtin drejt refuzimit të marrëveshjes (meqë qenka e mirë për Serbinë). Fatmirësisht, kryeministri i Kosovës nuk i merr vendimet bazuar mbi matjet e opinionit dhe sondazhet, siç thuhet se veprohet në Tiranë apo Beograd.

Ishte e qartë, për këdo që lexon marrëveshjen, se politikanët serbë të vijës nacionaliste, si vetë Vuçiqi, do ta kishin shumë të vështirë në mos të pamundur që ta nënshkruanin. Aty, në nenin dy, flitet për njohje të së drejtës të vetëvendosjes. Dhe, për një sërë të drejtash të tjera, që sipas kartës së OKB-së, u takojnë shteteve. Nëse Serbia njeh të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje, atëherë njohja e pavarësisë është thjesht një hap formal e finalizues i radhës. Më pas, në nenin tre, flitet për heqjen dorë prej agresionit ushtarak. Praktikisht, ky është “pakti i mossulmimit”, që Albin Kurti e kishte propozuar në Bruksel qysh në korrik të vitit 2021. Në atë kohë opinionistët e sulmonin Albin Kurtin se pse po kërkon pakt mossulmimi. Por, ja që sot pakti i mossulmimit vjen i propozuar nga Berlini e Parisi. Ç’do të thotë pranimi i nenit tre? Do të thotë që Serbia kurrë nuk kthehet më në Kosovë, sepse është e qartë se, pa ushtri, Serbia nuk ka asnjë gjasë teorike se si tjetër mund të kthehet. Ndërsa neni katër flet për heqjen dorë prej pretendimit për të përfaqësuar edhe territorin e popullin e vendit tjetër, në marrëdhënie ndërkombëtare. Ç’do të thotë kjo? Kjo është praktikisht pranim i sovranitetit të jashtëm dhe ndërprerje e fushatave bllokuese apo çnjohëse. Me këto tre nene praktikisht Serbia e njeh në shkallë shumë të madhe shtetshmërinë e Kosovës, jo thjesht de fakto.

Përveç këtyre, një tjetër zhvillim interesant në këtë marrëveshje është edhe mospërmendja tekstuale e asociacionit kontrovers. Marrëveshjet e shkuara u degdisën në nenin 10 të marrëveshjes dhe aty u shtua një nen 11 i cili duket se arsye të vetme ekzistenciale e ka që të mos e lërë nenin 10 të jetë i fundit fare. Në nenin 10 palët marrin përsipër të respektojnë marrëveshjet e shkuara që mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Këtu menjëherë ballkanhapuristët i përqendruan ofensivat e tyre të reja, duke thënë se ja, Kurti po pranon asociacionin. Në një media, kur Kurtin e pyetën se a ka asociacion në këtë marrëveshje, ai tha “po”. Thanë “ja ku e pranoi”. Në fakt, Kurti thjesht pranoi se një ndër marrëveshjet e shkuara është edhe ajo për asociacionin. Por, a mbetet ajo e vlefshme dhe obliguese? Kjo varet shumë nga mënyra se si do të zhvillohen gjërat. Sidomos duke parë se Vuçiqi jo vetëm që nuk e nënshkroi marrëveshjen në Bruksel, por as në Ohër, ku u diskutua plani i zbatimit të marrëveshjes.

Në këtë plan zbatimi u vu re edhe një evolucion tjetër. Aty nuk flitej më për autonomi apo vetëqeverisje të komunave (njësi territoriale e ekzekutive), por për vetëmenaxhim të komunitetit. Vetëmenaxhimi, si term, është i ndryshëm nga vetëqeverisja, vetërregullimi, vetadministrimi ose vetëvendosja. Draftuesit e propozimit nuk kanë qenë opinionistë, që përdorin terma pa qenë të vetëdijshëm për kuptimet. Vetëmenaxhimi i komunitetit është joterritorial dhe jovetëqeverisës. Është vetëmenaxhim, që i korrespodon vetëm Framework Convention on the Protection of National Minorities.

Këto janë tema që do të duhet të analizoheshin me kujdes, edhe nga ballkanhapuristët, po të mos ishin aq të zënë me implementimin e sulmit të radhës, që ua planifikon tjetërkush.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X