loader image
November 21, 2024

Zgjidhjet e deritanishme për Kosovën: Viktimës presion për lëshime, agresorit shpërblime!

Në vend se të detyrohet agresori ta pranojë humbjen e një territori ku ka bërë çdo krim të mundshëm, BE-ja ka “lehtësuar” negociata me Serbinë për “normalizim të marrëdhënieve”, në fakt negociata ku viktimës i bëhet presion për lëshime shtesë ndaj agresorit!

Rilind DAUTI, Shkup

“Nuk ka drejtësi në këtë botë, sa më herët që ta mësojmë këtë, aq më mirë do të përballemi me realitetin e hidhur të kësaj jete”. Pak a shumë kjo është këshilla që i jepet dikujt kur ta qanë ndonjë hall dhe ti s’ke si i ndihmon. Megjithatë, kjo nuk duhet të jetë metoda e veprimit e shteteve dhe organizatave që thirren në vlera më të larta dhe kanë fuqi më se të mjaftueshme për ta përmirësuar ndonjë padrejtësi. Por, fatkeqësisht, gjenerata shqiptarësh janë dëshmitarë të dorës së parë se si tolerohet padrejtësia në këtë botë. Pa dyshim, as ne shqiptarët nuk jemi engjëj, por vështirë se ndonjë gabim i ndonjërit prej nesh i bërë jo në emër të shtetit shqiptar, mund të krahasohet me tmerret të cilat prej vitit 1878 e këndej janë bërë ndaj shqiptarëve prej ushtrive të rregullta të shteteve të njohura ndërkombëtarisht.

Më 1913 shteti shqiptar u njoh në kufij që as për së afërmi nuk e përfshinin tërë Shqipërinë. Kjo është padrejtësia që e dimë të gjithë. Por, kur përmendet ky zullum kryesor, na duken të shpërfillshme disa gabime tjera. Ajo që tashmë ka kaluar në anekdota komike është episodi me Princ Vidin. Për të qenë realë, emërimi i tij si monark i Shqipërisë nuk ishte i paprecedentë, sepse pas shpalljes së autonomisë apo pavarësisë së Greqisë, Bullgarisë, dhe Rumanisë, edhe atyre iu vendosën në krye familje mbretërore të huaja. Por, këto familje mbretërore u bënë princa apo mbretër të këtyre shteteve duke e sakrifikuar një pjesë të identitetit të tyre: duke hequr dorë nga protestantizmi dhe duke kaluar në ortodoksi. Ndërkaq, Princ Vidi u soll si monark i shqiptarëve muslimanë duke e mbajtur fenë e tij krishtere. Kështu, me emërimin e tij, pa nevojë u provokuan edhe më tej ndjenjat e shumë shqiptarëve muslimanë për të cilët vet ndarja nga Perandoria Osmane ishte mjaftueshëm traumatike.

Por, nëse vendosja e Princ Vidit kishte precedent të mëhershëm, në fillimet e tij, shtetit shqiptar iu bënë disa gjëra që nuk iu bënë shteteve tjera ballkanike.

Siç dihet, Fuqitë e Mëdha si qeverisës të shqiptarëve e sollën Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit, sepse shqiptarët që kanë sunduar me një shtet gjigand si Perandoria Osmane, tani nuk ditkan të sundojnë me shtetin e tyre. U anashkaluan shqiptarët si gjenerali Mehmet Pashë Derralla, nënkoloneli Ali Shefqet Shkupi dhe Halim Gostivari, që e themeluan ushtrinë dhe policinë shqiptare, dhe u soll kolonel Thomsoni me xhandarët holandezë, sepse shqiptarët që i kanë udhëhequr trupat osmane dhe kanë mbajtur rend në Perandorinë Osmane tani nuk ditkan të njëjtën ta bëjnë edhe në shtetin e tyre.

Këta të huaj erdhën në emër të dashamirësisë ndaj shqiptarëve, që është shumë ironike kur e ke parasysh që pikërisht shtetet e tyre e kryen copëtimin e Shqipërisë e që shkaktoi pasoja të tmerrshme për shqiptarët. Dhe, janë pikërisht këta të huaj qëllimmirë ata që e nënshkruan Protokollin e Korfuzit për krijimin e Republikës Autonome të Epirit Verior (sikur grekët ta kishin pak Çamërinë), në territor me shumicë shqiptare dhe me të cilën do të tkurrej territori i sunduar nga shqiptarët edhe në atë Shqipëri të vogël londineze.

Këto ndodhi në vitet e hershme të shtetit shqiptar pa dyshim se janë të ndryshme nga rasti me Kosovën, në kontekst tjetër, dhe në rrethana tjera, por prapëseprapë çuditërisht ngjasojnë me atë që më vonë ndodhi edhe me shqiptarët e Kosovës. E dimë se si pas luftës erdhi UNMIK-u bashkë me instruktorë nga shtete si Bangladeshi dhe Nigeria për t’i mësuar në ngritjen e institucioneve shqiptarët e Kosovës që tërë vitet ’90 nën kushte të okupimit udhëhoqën shtet paralel me institucione për t’i marrë shembull. Por, nuk do të përmenden anomalitë e UNMIK-ut, do të kalohet te zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e që ta çojnë mallin me atë që më 1913-14 Fuqitë e Mëdha ia patën bërë edhe shtetit shqiptar. Ja një tabelë krahasuese:

 

Republika e Shqipërisë (në vitet 1913-1914)Republika e Kosovës (nga 2008-sot)
Komisioni Ndërkombëtar i KontrollitGrupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën
Xhandarmëria Ndërkombëtare

(Misioni Ushtarak Holandez)

Misioni i Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX)
Republika Autonome e Epirit VeriorAsociacioni i Komunave Serbe

 

Në të dyja rastet kemi nënçmim të aftësisë së shqiptarëve për të qeverisur me shtetin e tyre, në të dyja rastet kemi mision për sundimin e ligjit i përbërë nga personel i huaj dhe në të dyja rastet kemi të bëjmë me autonomi territoriale për një komunitet që nuk ka qenë viktimë e që ta meritojë një status të tillë të privilegjuar, ndërkaq një zgjidhje e tillë nuk u kërkohet me reciprocitet shteteve tjera për popullsinë shqiptare që jeton nën sovranitetin e atyre shteteve. Pra, Greqisë nuk i kërkohej t’u japë autonomi shqiptarëve në Çamëri si reciprocitet për Republikën Autonome të Epirit Verior, e as Serbisë tani nuk i kërkohet t’u japë autonomi shqiptarëve në Sanxhak dhe Luginën e Preshevës si reciprocitet për Asociacionin e Komunave Serbe.

Padrejtësi nga qasja e gabuar

Pa dyshim, shqiptarët të huajve ua dinë për nder çdo ndihmë që na e kanë dhënë, por fatkeqësisht ka shumë gjëra për të cilat na kanë dëshpëruar edhe pse kanë pasur mundësi të shtyjnë përpara zgjidhje shumë më të drejta.

Zgjidhja për të cilën janë përpjekur shqiptarët dhe më e drejtë do të ishte që Kosova (eventualisht dhe më e gjerë) të jetë pjesë e Republikës së Shqipërisë, por aleatët tanë nuk e duan këtë zgjidhje, kështu që shqiptarët u pajtuan me Kosovën e pavarur.

Në fillim ishin negociatat e Vjenës ku viktima negocionte me agresorin se çfarë lëshimesh duhet të bëjnë që agresori të pajtohet me faktin që më nuk ka kredibilitet të ushtrojë sovranitet mbi një territor ku s’ka lënë të keqe pa bërë. Kur agresori nuk pranonte të heqë dorë nga territori ku s’ka lënë tmerr pa kryer, aleatët e shqiptarëve e vunë në lëvizje planin alternativ: për shpallje të njëanshme të pavarësisë së Kosovës.

Problemi është se edhe kësaj zgjidhje iu bashkëngjitën padrejtësi ndaj shqiptarëve.

Kosova e pavarur (si alternativë e bashkimit me Republikën e Shqipërisë) ishte synim i shumicës shqiptare të Kosovës që ishin viktimë e dhunës gati se njëshekullore nga shteti serb, por në vend se të respektohet ky fakt, Republika ahtisariane e Kosovës u ndërtua duke u shtirur sikur shqiptarët janë mezi 51% e popullsisë dhe që nuk janë kurrfarë viktime. Në një Kosovë me mbi 90% shqiptarë, u imponuan simbole shtetërore që nuk kanë asgjë shqiptare në to. Në një Kosovë që është më homogjene se shumica e shteteve tjera europiane, u imponua një kushtetutë që tërë kohën sillet rreth asaj se çfarë e drejtë dhe pozitë cilit komunitetit i takon, edhe pse disa nga këto komunitete janë kundër pavarësisë, ndërsa të tjerët rinin neutral duke mos u shqetësuar edhe nëse Kosova mbetej nën Serbi. Prej Pakos së Ahtisarit doli një kushtetutë ku shqiptarët përmenden një herë, ndërsa serbët përmenden 13 herë, thua ti se ata ishin viktimë e luftës kështu që tani duhet të merren me të mirë! Një populli si shqiptarët me traditë luftarake në mbrojtje të vetvetes, iu mohua e drejta për të pasur ushtri. Një populli që ka dhënë aq shumë viktima për atë qëllim, iu ndalua përmes një neni të tërë në kushtetutë synimi kryesor që është të bërit pjesë e Republikës së Shqipërisë.

Një Republikë e tillë e Kosovës nuk ishte padrejtësi që erdhi nga dashakeqësia ndaj shqiptarëve, por me qëllim që përmes zgjidhjeve që ajo i përmbante të tejkalohen kundërshtitë e Serbisë, Rusisë, dhe Kinës.

Por, kjo ishte një premisë totalisht e gabuar që në fillim. Mendon se serbët mund t’i bësh të pajtohen me Kosovën e pavarur nëse u krijon komuna artificiale si Kllokoti? A nuk e sheh që serbët në Bosnje dhe Hercegovinë kontrollojnë 49% të territorit dhe prapë nuk e duan shtetin e Bosnje-Hercegovinës, kurse ti pret që ata ta pranojnë Republikën e Kosovës nëse ua krijon një komunë të vogël artificiale si Parteshi?! Sa i përket Rusisë dhe Kinës, mendon se shtete të tilla ku nuk respektohen të drejtat elementare të njeriut, nuk do t’i vendosin veto anëtarësimit të Kosovës në OKB, ngaqë do ta çmojnë kushtetutën e Kosovës që shkon përtej çdo precedenti në të drejtat kolektive të komuniteteve aq të vogla?! Mendon se një shtet imperialist si Rusia, që ka nënshtruar dhjetëra popuj, do ta çmojë faktin që kushtetuta e Kosovës minoriteteve u ka garantuar pozita të rezervuara në qeveri? Mendon se një diktaturë si Kina do ta çmojë faktin që minoritetet në Kosovë kanë veto për ndryshimin e kushtetutës?!

Pa dyshim, çdokujt duhet t’i respektohen të drejtat universale të njeriut, dhe komuniteteve joshumicë duhet t’iu respektohen të drejtat sipas konventave për minoritetet, përfshirë dhe për serbët e Kosovës përkundër faktit që shumë prej tyre e patën mbështetur shtypjen e shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit dhe gjatë luftës i patën plaçkitur dhe djegur shtëpitë e fqinjëve të tyre shqiptarë. Por, problemi është se shqiptarëve që janë shumicë dërrmuese e vendit iu imponua një rregullim shtetëror, që s’ka precedent në botë, dhe shqiptarëve që janë viktimë e të gjitha tmerreve të mundshme iu imponuan lëshime për hir të shtetit që i ka kryer ato krime dhe për hir të një komuniteti që në masë të madhe i ka mbështetur ato bëma!

Sot jemi dëshmitarë të vazhdimit të një qasje të tillë, kur po shohim se si po i bëhet presion joparimor qeverisë së Kosovës që ta krijojë Asociacionin e Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive. Pra, vazhdojnë me qasjen e mbrapshtë që përmes lëshimeve ndaj Serbisë, kjo e fundit do të pajtohet me Kosovën e pavarur. Aleatët perëndimorë të shqiptarëve nuk morën mësim as nga përgjigja serbo-ruse-kineze ndaj pavarësisë së Kosovës nga 2008 e këndej, e as nga përvoja me serbët në një shtet tjetër: në BeH e kanë Republika Srpska-n si shtet brenda shteti dhe serbët prapë nuk janë të kënaqur, ndërsa ti pret që ata ta pranojnë shtetin e Kosovës nëse ua jep një Asociacion të Komunave Serbe që në çdo variant do të ketë më pak kompetenca se Republika Srpska?! Por edhe pse më pak kompetenca, Asociacioni i Komunave Serbe do të shfrytëzohet në maksimum që të pengohet funksionimi normal i Kosovës, ashtu siç Republika Srpska bën me Bosnjë-Hercegovinën.

Padrejtësi nga dashakeqësia

Padrejtësitë që u përmendën deri tani, siç u tha, erdhën nga premisa e gabuar që me zgjidhje të tilla do të tejkalohen kundërshtitë serbo-ruse-kineze ashtu që të realizohet projekti i shtetësisë së Kosovës në tërësi. Por, nga qasja amerikane që në zgjidhjen e problemeve të kyçet edhe Europa, u mundësua që shqiptarëve të Kosovës t’iu bëhen padrejtësi edhe nga një motiv tjetër: nga serbofilia dhe/ose urrejtja ndaj shqiptarëve që ekziston te një pjesë e madhe e europianëve.

Kjo vërehet prej te KFOR-i që udhëhiqet nga europianët e që kufirin me Serbinë ende e quan vijë “administrative” dhe si papagall e përsërisin që misioni i tyre bazohet në rezolutën 1244, rezolutë e stërvjetëruar dhe në të cilën thirret edhe Serbia. Kjo vërehet te Këshilli i Europës me tipa si Dik Marti, që shpërndajnë propagandë serbe nga një shpikje e thjeshtë si “shtëpia e verdhë”. Vërehet te Bashkimi Europian, ku 5 shtete anëtare mendojnë se Serbia ende ka të drejtë të sundojë mbi shqiptarët e Kosovës, kjo shihet te loja e turpshme e BE-së me mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, shihet te sjellja prej kapadaiu e EULEX-it, te eurodeputetët që për UÇK-në thonë se ka bashkëpunuar me Al-Kaedën dhe se shqiptarët muslimanë po i shtypin krishterët serbë, te fusnota për Kosovën në dokumentet e BE-së, te deklaratat prej Brukselit me barazim në fajësi (“u bëjmë thirrje palëve të përmbahen”), edhe pse duket qartë se është pala serbe ajo që është burim i incidenteve, te Zhozep Borelli që i kundërshton përpjekjet e Kosovës për shtrirjen e sundimit të ligjit në çdo pjesë të vendit edhe pse sundimi i ligjit është kriteri kryesor për anëtarësim në BE.

Prandaj, për dallim nga SHBA-ja, Europa nuk ka kapacitet të zgjidhë çështjet e mëdha ose, në variantin më të keq, ia mban anën agresorit!

Shiheni se çfarë dështimi përbën dialogu “Beograd-Prishtinë” (nuk guxojnë ta quajnë as dialog në mes Serbisë dhe Kosovës ose si dialog ndërmjet shteteve). Negociohet prej 2013-tës dhe ende Serbia thotë se asnjëherë nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës, dhe së fundi u shpërfaq banaliteti i këtyre negociatave me atë që, përderisa Putini kërcënon me përdorimin e bombave atomike, Bashkimi Europian e lehtëson dialogun në mes “Prishtinës dhe Beogradit” për çështjen e tabelave të regjistrimit të automjeteve!

Në vend se të detyrohet agresori ta pranojë humbjen e një territori ku ka bërë çdo krim të mundshëm, BE-ja ka “lehtësuar” negociata me Serbinë për “normalizim të marrëdhënieve”, në fakt negociata ku viktimës i bëhet presion për lëshime shtesë ndaj agresorit!

Bashkimi Europian ndaj Serbisë është totalisht i pafuqishëm. Ka 8 vjet nga lufta në Ukrainë e separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe gati se një vjet nga kyçja direkte në luftë e Rusisë, prej se BE-së i kërkon Serbisë t’i bashkëngjitet sanksioneve ndaj Rusisë. Serbia nuk e përfill fare këtë kërkesë, ndërsa Bashkimi Europian e toleron Serbinë!

Politikani më i përkëdhelur i BE-së është ministri i Millosheviqit dhe kamerieri i Sheshelit, Vuçiqi. Prej nga e dinte Vuçiqi disa ditë më herët që më 15 dhjetor Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE?! Pra, në BE ka dikush nga brenda që i informon dhe i paralajmëron zyrtarët serbë!

Antishqiptarizmi i shumë europianëve dhe serbofilia e tyre tani ka marrë përmasa groteske me Prokurorinë dhe Gjykatën Speciale kundër UÇK-së, që e financon Bashkimi Europian. Këto organe të themeluara nën presionin e BE-së, por nga parlamenti i Kosovës, nuk e respektojnë renditjen zyrtare të gjuhëve që e ka Kosova (shqip-serbisht-anglisht) dhe simbolet e saj shtetërore. Pastaj, u zbulua që kjo gjykatë në Beograd ka zyrë ndërlidhëse (gjë që nuk e ka askund tjetër) dhe zyrtarët serbë krenohen që kësaj prokurorie i kanë dhënë dëshmi. Pra, në përndjekjen e shqiptarëve që e kanë mbrojtur pragun e tyre (edhe nëse diku mund t’i kenë tejkaluar kompetencat) shfrytëzohen dëshmitë e agresorit serb!

Kjo gjykatë dhe prokurori shpiku gënjeshtër për gjoja vrasjen e shqiptarëve katolikë nga ana e UÇK-së. Në variantin më të mirë kjo vjen nga klisheja që europianët e kanë për Ballkanin si arenë e përplasjeve në mes feve dhe në këtë stereotip i kanë futur edhe shqiptarët. Por, në variantin më të keq është përpjekje e qëllimshme për njollosjen e shqiptarëve dhe UÇK-së për hir të Serbisë ose, edhe më keq, nën ndikimin e Serbisë.

Gjithsesi, kundër kësaj propagande qëndron fakti që shqiptarët muslimanë dhe katolikë luftojnë bashkë për atdheun e tyre që nga Lidhja e Prizrenit më 1878, kur vet europianët ishin ekstremistë fetarë, e mos të flasim për shtetet ortodokse të Ballkanit. Por nuk mund të presësh saktësi në njohjen e historisë, e as sinqeritet dhe drejtësi, prej atyre të cilit që prej 1878 nuk kanë lënë padrejtësi pa bërë ndaj shqiptarëve.

Pafuqi + Serbofili = Zgjidhje Gjysmake Dhe Të Padrejta

Pafuqia e Europës ndaj Serbisë dhe serbofilia e europianëve tani po shihet me planin franko-gjerman, ku vazhdohet politika e ambiguitetit (me çka Kosova dhe Serbia nuk do të kenë ambasada por “misione të përhershme” te selitë qeveritare të njëra tjetrës), ku shtiren sikur Kosova po ashtu pretendon sovranitet ndaj Serbisë (“asnjëra nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare”), ku shtiren si budallenj (“mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve europiane”) dhe ku vazhdohet me politikën e përkëdheljes së komunitetit serb që nuk është viktimë e luftës (“aranzhim të veçantë” për komunitetin serb), madje edhe status special për Kishën Ortodokse Serbe, që gjithmonë ka qenë mbështetëse e luftërave serbomadhe!

Tipari kryesor që përmendet nga ky plan dhe që është thelbi i tij, është që Serbia nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, por dhe nuk do ta njohë de jure pavarësinë e Kosovës.

Edhe nëse nisemi nga premisa që Serbia do ta respektojë këtë marrëveshje, që do të ishte e pazakontë kur dihet që prej 1878-tës, Serbia ka shkelur çdo marrëveshje dhe premtim për shqiptarët, prapëseprapë ky plan është i gabuar.

Me njohje “de fakto” pa njohje de jure, në kushtetutën e Serbisë do të vazhdojë të figurojë që Kosova është provincë e Serbisë dhe në inaugurimet e tyre presidentët e rinj serbë do të betohen që do ta mbrojnë integritetin territorial të Serbisë, ku përfshihet edhe Kosova. Me njohje “de fakto” pa njohje de jure, Serbia do të vazhdojë të flasë për “të ashtuquajturin shtet të Kosovës” dhe mediat serbe do të vazhdojnë qeverinë e Kosovës ta quajnë “Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes”.

Dikush mund ta relativizojë: “serbët mund të thonë që e gjithë bota është e tyre, e çka nëse thonë që Kosova është e tyre?”.

Po, por ata nuk pretendojnë sovranitet për pjesën tjetër të botës, ndërkaq, duke mos e njohur de jure pavarësinë e Kosovës, Serbia do të vazhdojë Kosovën ta konsiderojë “çështje të hapur”, ndërsa kjo gjithmonë do të përbënte rrezik për luftë! Paramendoni, është viti 2100, njerëzimi ka vendosur bazë të përhershme në planetin Mars, ndërsa Serbia e sulmon Kosovën për kthim të kontrollit në “provincën serbe të kontrolluar nga separatistët shqiptaromëdhenj”.

Ja, ky është efekti afatgjatë i planit franko-gjerman dhe çfarëdo propozim-zgjidhje tjetër ku Serbia nuk e njeh në mënyrë eksplicite pavarësinë e Kosovës.

Zgjidhja “me buldozer”

Plani franko-gjerman gjithsesi që është i keq, por edhe kështu siç është, është shans i mirë për diçka: që të jetë oferta e fundit për Serbinë, ashtu si plani Z4 ishte oferta e fundit për serbët në Kroaci.

Nëse Serbia nuk e pranon as këtë, atëherë aleatët perëndimorë të shqiptarëve duhet të pajtohen që të bie poshtë edhe Asociacioni i Komunave Serbe, shfuqizohen edhe komunat me shumicë serbe të krijuara artificialisht si Parteshi, madje bie edhe vetë plani i Ahtisaarit në variantin më bazik. Ajo që ndodh është që Kosova bëhet pjesë e Republikës së Shqipërisë, që është nën ombrellën mbrojtëse të NATO-s, nga Kosova hiqet KFOR-i i europianëve të dobët dhe serbofilë dhe mbeten vetëm ushtarët amerikanë. Serbëve në Kosovë u garantohen të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve sipas konventave europiane dhe ndërkombëtare, por jo “aranzhime të veçanta”, Kishës Ortodokse Serbe i garantohet liria fetare, që vlen për të gjithë, por nuk i jepet kurrfarë statusi special dhe bandave të Veriut të Kosovës i bëhet një “Olluja”, siç iu bë Republika Srpska Krajinës në Kroaci. Pastaj, Serbia do ta kërkojë planin e Ahtisaarit në variantin më bazik, por do të jetë shumë vonë. Do ta vajtojnë si planin Z4: një shans të humbur që e lëshuan nga arroganca dhe shkurtpamësia e tyre.

Kjo nuk do të ishte vetëm zgjidhja sipas buldozer-diplomacisë së stilit të Riçard Hollbrukut, por edhe zgjidhja më e drejtë!

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X