loader image
July 27, 2024

Negociata pafund apo fund me përplasje të dhimbshme

Duke iu shmangur patetizmit dhe ngarkesave pseudopatriotike, ngase situata është mjaft e nderë në Kosovë, gjegjësisht në veriun e saj, të dominuar kryesisht nga popullata pakicë serbe, qeveria e Kosovës, duke u bazuar në të drejtën e vendimeve që i merr shteti sovran, mëton të ushtrojë sovranitetin e saj edhe në atë pjesë të Kosovës, që po dominohet nga banda dhe krimi, me përkrahjen publike e të drejtpërdrejtë të shtetit serb.

Ardian RAMADANI, Kumanovë

Negociatat, si definicion, janë forma të bisedimeve, diskutimeve dhe dialogimeve dy ose shumëpalëshe për gjetjen e zgjidhjeve të problemeve të llojeve të ndryshme. Ato njëherësh konsiderohen edhe si rruga më e duhur dhe më e drejtë për kapërcimin e kontradiktave, mosmarrëveshjeve apo kundërshtive të ndryshme, gjegjësisht shërbejnë për përafrim drejt zgjidhjeve që ofrojnë palët e ndryshme e të kundërta drejt një kompromisi, i cili duhet të pranohet prej tyre, në mënyrë që marrëveshja eventuale mes palëve të jetë më e qëndrueshme.

I tërë procesi i negociatave drejt pavarësimit të shtetit të Kosovës, në dukje, mund të dukej si proces triumfues i palës shqiptare, por në fakt ishte i bazuar në kompromise ndaj palës serbe, që në sytë e asaj pale procesi i pavarësimit të Kosovës të dukej kinse më i butë dhe më i pranueshëm, duke i dhënë të drejta që nuk i ka asnjë pakicë në ndonjë shtet tjetër në botë. Të gjitha veprimet dhe proceset edhe pas pavarësimit, qoftë kjo me Planin e Ban Ki Munit, qoftë kjo me procesin e negociatave të Marrëveshjes së Brukselit, shkonin edhe më tej drejt koncesioneve në favor të palës serbe, e drejt asaj që pala serbe të luante rolin e të pakënaqurit, e që kjo çonte në gërryerjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe në lëshime shtesë për palën serbe. E çka në fund? Pala serbe, edhe më tej e pakënaqur, edhe më tej në barrikada, edhe më tej në sulme, edhe më tej në kontestime. Një gjë e tillë, që po e bën pala serbe në Kosovë, as që do të mund të imagjinohej të bëhej nga pala shqiptare në ndonjë shtet tjetër, ku shqiptarët janë qoftë elementi i dytë përbërës i atij shteti ose edhe pakicë kombëtare.

Duke iu shmangur patetizmit dhe ngarkesave pseudopatriotike, ngase situata është mjaft e nderë në Kosovë, gjegjësisht në veriun e saj, të dominuar kryesisht nga popullata pakicë serbe, qeveria e Kosovës, duke u bazuar në të drejtën e vendimeve që i merr shteti sovran, mëton të ushtrojë sovranitetin e saj edhe në atë pjesë të Kosovës, që po dominohet nga banda dhe krimi, me përkrahjen publike e të drejtpërdrejtë të shtetit serb.

Por, ky veprim i qeverisë së Kosovës ka të ngjarë që të mos ketë përkrahjen e duhur të bashkësisë ndërkombëtare, as të shtetit shqiptar, e jo se jo të opozitës grindavece në Kosovë, e cila assesi nuk po mund të këndellet nga humbja e zgjedhjeve, që po i sheh detyrat shtetërore edhe më tej në prizmin politiko-partiak.

Çfarë duhet të bëjë qeveria e Kurtit dhe cilat janë opsionet?

E para, vazhdimi i negociatave përmes lehtësimit ndërkombëtar, e që këto negociata do të çonin në krijimin e Marrëveshjes së Asociacionit të Komunave Serbe, por pa garanci të pranimit të pavarësisë së Kosovës nga pala serbe. Asociacioni, që po kërkohet me çdo kusht nga pala amerikane dhe ajo europiane, e që është dakorduar nga të dyja palët në procesin e negociatave vite më parë, mund të jetë faktori i gërryerjes së shtetësisë së Kosovës, sepse kjo të t`i binte figurativisht sikurse në shtëpinë e një pronari, ndokush të ketë të drejtë ta ketë në pronësi tualetin apo banjën. Mund ta imagjinojmë këtë situatë secili prej nesh, se ku mund kjo të na shpjerë? Por, në anën tjetër, do ta hidhte topin te pala serbe, e kësisoj presionet ndaj Kosovës dhe kryeministrit Kurti, që ia kanë shtrënguar lakun në fyt, do të kalonin te pala tjetër. Në anën tjetër, pala shqiptare do të duhej me ngulm të kërkojë Asociacionin e Komunave Shqiptare në Serbi (Preshevë Medvegjë e Bujanoc).

E dyta, ulja në një tryezë të re të bisedimeve me palën serbe, për të dizajnuar një kornizë të re të negociatave, duke reviduar marrëveshjet paraprake mes qeverive të mëhershme të de(legjitimuara) të Kosovës dhe asaj të Serbisë. Korniza e re e negociatave do të kishte si temë trajtimi rikonceptimin e një marrëveshjeje të re, e që në fakt do të ngërthente këmbimin e territoreve, ku pjesa e Veriut do t`i kalonte Serbisë, e Lugina e Preshevës dhe e Bujanocit të kalonte në anën e Kosovës. Ishte ky më herët edhe opsioni i diskutuar mes ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kryetarit të Serbisë. Kjo mbase mund të duket si ide e dalë jashtë mode, e ezauruar, sepse një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare e kundërshtoi fuqishëm, e në anën tjetër edhe spektri politik shqiptar në Kosovë e në Shqipëri e flaku tutje, por është njëri prej opsioneve të mundshme.

E treta, nisja e operacionit të policisë së Kosovës për heqjen e barrikadave, vendosjen e rendit dhe ligjit dhe shtrimin e sovranitetit atje, duke luftuar bandat dhe krimin, e që do të çonte në përplasje të përmasave të paimagjinueshme. Politika e forcës, imponimit dhe e penalizimit, shpesh ndodh të jetë e pashmangshme, megjithëse mund të duket se nuk është rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve në çdo fushë. Në këtë fazë, që ka arritur shkalla e mendjemadhësisë serbe, duke sulmuar institucionet në atë pjesë të Kosovës, duke sulmuar zyrtarët policorë, politika e forcës dhe e ushtrimit të ligjit, duket të jetë plotësisht e dobishme, sepse gjasme është ezauruar hapësira e negociatave. Por, në anën tjetër, ky veprim mund të nxisë konflikte të shkallës së gjerë e mund ta vërë në pikëpyetje tërë rajonin e t`i ndihmojë direkt ose tërthorazi Rusisë në hapjen e një zone tjetër të luftës, përveç asaj në Ukrainë.

Krejt kjo analizë e thjeshtë na shpie drejt konstatimit se për të ndryshuar gjendjen ka tre rrugëzgjidhje: vazhdim të negociatave, kornizë e re negociuese ose forcë e imponim ushtarak.

Cili opsion do të përzgjidhet?

Deri atëherë, do të ishte më mirë që në Kosovë, partitë opozitare të dilnin nga gëzhoja e provincializmit mëhallor, e në anën tjetër qeveria të jetë me e hapur ndaj tyre. Në Shqipëri qeveria e kryeministrit Rama të ndërpresë aktrimin e rolit qeveri e rajonit apo edhe e një pjese të botës, ndërkaq opozita të çlirohet nga blablablaizmi butaforik. Partitë shqiptare në Luginë të Preshevës, të cilat janë të shumta në numër e fare hiç në ekzistim e arritje, të mos e shastisin dynjanë me ligjërimet e përçudnuara dhe me zënkat dhe grindjet, sepse kombin shqiptar e pret një acar i vërtetë

E nëse nuk do të dimë se si të sillemi e veprojmë, do të na përsëritet sërish historia. Është jetike për këtë komb që të dijë të ruajë veten dhe aleancat me Gjermaninë, SHBA-të, Turqinë, si dhe shtetet e tjera mike.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X