Në kohën kur në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, çështja kryesore e takimit ishte “Zajednica”, për Kosovën do të ishte një mbështetje e fuqishme deklarimi për zgjidhje të reja të raporteve ndëretnike edhe në vendet e tjera të rajonit, ku efekti domino i “Zajednicës” do të mund të hapte probleme shtesë. Dhe, në vend se të kundërshtohej kjo ide kategorikisht, pa argumente, do të duhej që, të paktën ato ditë, forcat politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut ose gjetiu të kishin qëndrime pak më neutrale, meqë ishte në pyetje fati i Kosovës.
Shkruan: Sevdail DEMIRI, Kumanovë
Një djalosh i ri ishte interesuar të dijë nga një pleqnar me nam se në çfarë mënyre i zgjidhnin problemet dhe ngatërresat që i kishin palët e ndryshme mes veti?! Dhe, pleqnari pa një pa dy i përgjigjet: “Duke e shkel të dobëtin e duke ia mbajt anën të fortit”!
Për fat të keq, kjo metodë thelbësisht e padrejtë dhe me premisa të padenja është zbatuar dhe vazhdon të zbatohet gjerësisht edhe sot e kësaj dite edhe nëpër sistemet tona gjyqësore, e madje edhe nëpër marrëveshjet juridike ndërkombëtare për zgjidhjen e kontesteve mes popujve ose shteteve të hasmuara. Rasti i fundit me marrëveshjen shprehimore të arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, e me pretendimin final për njohjen e ndërsjellë, është një tregues i qartë i zbatimit të metodës së lartpërmendur.
Kompromisi i 18 marsit në Ohër
Ujdia e arritur më 18 mars 2023, në vilat e Titos në Ohër, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, rreth të ashtuquajturit plan europian për çështjen e Kosovës, paraqet rast specifik të dominimit të më të fortit karshi të dobëtit.
Serbia, si lojtar i fuqishëm politik në Ballkanin Perëndimor, e luhatur mes gravitetit lindor dhe atij perëndimor, me këtë marrëveshje arriti ta imponojë njohjen e të gjitha marrëveshjeve të mëhershme dhe të dëmshme, që ishin bërë nga politikanët paraprakë në kurriz të Kosovës. Gjithnjë duke e luajtur rolin e viktimës, Serbia, e personifikuar në figurën e Vuçiqit, bëri të mundur të imponojë te pala kosovare, e përfaqësuar nga Kurti, edhe jetësimin e Asociacionit të Komunave Serbe të Kosovës, të njohur gjerësisht me pezhorativin “Zajednica”.
Pa dyshim që për Kurtin kjo është një kafshatë gati se e papërballueshme në versionin e vet themelor, për vetë faktin se gjithë retorika e tij në këto dhjetë vjetët e fundit ishte përqendruar në reagimin e tij të fortë kundër “Zajednicës”. Kjo marrëveshje e re, e cila sado që i garanton Kosovës ecje përpara drejt rrumbullakimit të shtetësisë së saj në planin ndërkombëtar, megjithatë paraqet një kosto të caktuar për karrierën e tij politike dhe të partisë “Vetëvendosje” që e përfaqëson nëse ndërkohë nuk arrin me ndonjë “fore” ta përmbysë perceptimin e opinionit publik. Meqë nuk është kaq e lehtë dhe e thjeshtë që dhjetë vjet vazhdimisht të flasësh, të protestosh e të luftosh kundër Asociacionit, dhe përnjëherë të dalësh në transmetuesin publik e të thuash para qytetarëve: “Po, ka Asociacion”!
Tani është fakt që dy shtetet kryesore europiane, Franca e Gjermania, me pëlqimin e SHBA-së, arritën të imponojnë një marrëveshje kompromisi (pa nënshkrim), por që Kosovës i lë një plagë të hapur brenda trupit të saj, përgjithmonë.
Efekti domino i “Zajednicës”
Disa ditë para se zhvillohej takimi i parafundit Kurti-Vuçiq në Bruksel, në Shkup u shpall një ide e re nga intelektuali i njohur dhe politikani Zeqirija Ibrahimi, sipas të cilit nëse serbët e Kosovës kanë të drejtë të organizohen në një asociacion të tillë, atëherë pse një e drejtë e tillë të mos kërkohet edhe nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut?!
Nëse analizohen me gjakftohtësi reagimet e para, partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut u ngutën me formulime kuturu pa e vlerësuar mirë momentumin politik nëpër të cilin po kalonte Kosova, ndërsa për reagimet e partive maqedonase nuk ka nevojë të ndalemi fare.
Faktikisht, në kohën kur në tavolinën e bisedimeve në Bruksel çështja kryesore e takimit ishte “Zajednica”, për Kosovën do të ishte një mbështetje e fuqishme deklarimi për zgjidhje të reja të raporteve ndëretnike edhe në vendet e tjera të rajonit, ku efekti domino i “Zajednicës” do të mund të hapte probleme shtesë. Dhe, në vend se të kundërshtohej kjo ide kategorikisht, pa argumente, do të duhej që, të paktën ato ditë, forcat politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut ose gjetiu të kishin qëndrime pak më neutrale, në kuptimin “do të shohim, do ta analizojmë në vijim…”! Në këtë mënyrë do t’i shërbenin Kosovës dhe çështjes së saj të drejtë, në kohën kur gjendej nën një trysni të madhe ndërkombëtare që të pranojë edhe gjëra që ishin dhe mbeten të papërballueshme për të.
Për më tej, nëse i matim gjërat me sy më neutral dhe objektiv, pa ngarkesë emocionale në atë se çka mendon njëri ose tjetri, do ta shohim qartë se realisht ende ka hapësirë për të diskutuar për çështje problemore që lidhen me fatin e popujve të shtypur të Ballkanit. Padrejtësitë historike ndaj shqiptarëve janë përligjur me shumë marrëveshje ndërkombëtare në më shumë se një shekull. Ndarja e shqiptarëve në pesë shtete të Ballkanit, ku vetëm në njërin prej tyre ishim zot shtëpie, gjatë gjithë kësaj periudhe na ka kushtuar vuajtje të jashtëzakonshme. Edhe rregullimi i një padrejtësie historike me rastin e Kosovës po kalon sot nëpër sfida të mëdha e të papërballueshme.
Çështja e shqiptarëve të Maqedonisë (së Veriut) po ashtu kaloi nëpër disa faza të rënda deri në vitin 2001. Është fakt se Marrëveshja Kornizë e Ohrit solli ndryshime rrënjësore në shumë sfera të jetës publike për qytetarët shqiptarë, por problemet në implementimin e saj vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Ta zëmë, sado që gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut (me 30 për qind shqiptarë), ligjërisht ka avancuar disa herë, ajo ende nuk e ka statusin e gjuhës së plotë zyrtare, sikurse maqedonishtja, e mbrojtur me ligj të veçantë, ose siç e ka gjuha serbe në Kosovë, të cilën e përdorin vetëm 4 për qind e popullatës. Dhe, ky është një problem madhor në kuptim të matjes së cilësisë së demokracisë europerëndimore, e cila është hartuesja kryesore e këtyre zgjidhjeve. Nuk mundet që për një popull të ketë më shumë mundësi e të drejta, ndërsa për popullin tjetër më pak.
Lugina dhe Malësia
Në anën tjetër të kufirit, që në vitin 2015, si reagim ndaj marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit për “Zajednicën”, shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë marrë një vendim formal, sado kokë më vete, për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi. Shteti serb asnjëherë nuk ka dashur të dëgjojë për këtë projekt, të cilin asokohe çuditërisht e kishin kundërshtuar edhe vetë partitë opozitare shqiptare të Luginës. Por, Serbia vazhdon ta ketë prioritet kryesor në gjithë procesin e dialogut pikërisht çështjen e “Zajedinicës” serbe në Kosovë, sikurse edhe fatin e pronave të kishës ortodokse.
Realisht, edhe shqiptarët e Malit të Zi nuk janë aq të lumtur në atë shtet, i cili i aneksoi padrejtësisht gjatë pazareve politike pas luftërave të përgjakshme në fund të shekullit XIX. Atje tani formalisht funksionon Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, sikurse edhe në Luginën e Preshevës. Por, ky mekanizëm ndryshon shumë nga ajo që po tentohet të bëhet me “Zajedinicën” serbe në Kosovë.
E tani, kur dialogut Kosovë-Serbi po i afrohet fundit, nëse flitet hapur edhe për ide të reja dhe kreative në shtetet e tjera të rajonit, në përpjekje të gjetjes së një stabiliteti më afatgjatë të Ballkanit, nuk do të kishte asnjë të keqe. Përkundrazi, do të fashiteshin mospajtimet e konfliktet e hapura dhe do të paqësohej Europa.