loader image
December 14, 2024

Zakoni kundrejt ligjit: përse juristët duhet ta lexojnë Kadarenë?

Letërsia nxit aftësinë e të menduarit kritik dhe analizës së rasteve hipotetike. Kjo ndihmon që juristi të ketë qasje kritike ndaj tekstit dhe të përsosë interpretimin. Rëndësia e kësaj shihet kur shqyrtohen argumentet në procedurat gjyqësore. Letërsia e shpie lexuesin në botët e brendshme të personazheve dhe situatave të ndryshme. Kjo gjë mund t’i ndihmojë juristët t’i diktojnë më mirë palët ndërgjyqëse.

Ditar KABASHI, Prizren                                                                                          

E drejta dhe letërsia nuk janë fusha të largëta nga njëra-tjetra. Këto janë shpeshherë komplementare, por që nuk parapëlqejnë të ekspozohen të tilla.

Dy nocionet

Norma është rregull e cila cakton sjelljet e njeriut. Por, njëherësh, norma duhet të jetë e realizueshme dhe jo e pamundur për njeriun.

E drejta zakonore krijohet në një shtrirje të gjatë kohore dhe etablohet në një shoqëri me pranimin si të mirëqenë të sjelljeve a masave të caktuara dhe përsëritjen e tyre detyruese. Kështu krijohet tradita dhe marrëdhëniet shoqërore rregullohen sipas saj. E drejta zakonore është shëmbëllim i konservatorizmit në një shoqëri, për arsye se ajo u reziston dinamikave dhe ngrehet në nivel të vlerave të përbashkëta. Efektet e zakoneve janë relative, me përparësi dhe të meta. Problemi shfaqet kur këtyre u atribuohet karakter absolut.

E drejta pozitive nënkupton aktet juridike që janë në fuqi. Ky sistem juridik përbëhet nga aktet e hartuara, të miratuara dhe të zbatuara nga shteti. E drejta pozitive e ngërthen të drejtën “që ekziston” (de lege lata) dhe jo domosdo të drejtën që “duhet të jetë” (de lege ferenda).

Letërsia dhe juristët

Të lexuarit e letërsisë u sjell dobi profesionale juristëve.

Letërsia nxit aftësinë e të menduarit kritik dhe analizës së rasteve hipotetike. Kjo ndihmon që juristi të ketë qasje kritike ndaj tekstit dhe ta përsosë interpretimin. Rëndësia e kësaj shihet kur shqyrtohen argumentet në procedurat gjyqësore.

Letërsia e shpie lexuesin në botët e brendshme të personazheve dhe situatave të ndryshme. Kjo gjë mund t’i ndihmojë juristët t’i diktojnë më mirë palët ndërgjyqëse.

Një përfitim nga letërsia është zhvillimi i retorikës dhe i oratorisë. Meqë e drejta është fushë e cila lidhet pashmangshëm me gjuhën, kapja në hollësitë e gjuhës dhe avancimi në të folur e në të shkruar ndikon në cilësinë e veprimtarisë së një juristi.

Po kështu, për shkak të rrethanave dhe temave të panumërta që shtjellohen vazhdimisht në letërsi, aty kuptohet edhe e kaluara dhe dinamika kulturore e shoqërive. Ky ndërgjegjësim është i çmueshëm për juristët, pasi mosmarrëveshjet rëndom lindin në një kontekst të posaçëm historik dhe kulturor.

Përkitazi me këtë, mund të thuhet se kontestet, për shkaqe të zbrazëtirave ligjore ndoshta, nganjëherë mund të kërkojnë zgjidhje kreative dhe qasje novatore. Pikërisht letërsia e pasuron imagjinatën dhe nxit mënyra alternative të të menduarit e gjykuarit.

E drejta dhe morali/etika e plotësojnë njëra-tjetrën. E drejta pa etikë trason rrugën e totalitarizmit, ndërsa morali pa të drejtën burgoset vetëm në ndërgjegje individuale. Këta dy komponentë dinë të bëhen edhe objekt tematik në letërsi dhe juristi duhet t’i ketë parasysh çështjet etike në legjislacion e jurisprudencë.

Kadareja për juristët

Kadareja ka shkruar vepra kapitale në letërsi dhe ka përpunuar mjeshtërisht tema origjinale që mund të zgjojnë interesim për studentët e studiuesit e drejtësisë. Në veprat e tij hasen problemet politike (“Dimri i vetmisë së madhe”), rregullat mesjetare të luftës (“Kështjella”), rregullat ndërkombëtare të zhvarrimit të eshtrave të ushtarëve të huaj (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”), gjakmarrja (“Prilli i thyer”), etj.

Për shkaqe praktike, ky shkrim e përqendron analizën në raportin e drejtë pozitive e drejtë zakonore, shikuar nga prizmi i veprës monumentale të Kadaresë, “Prilli i thyer”. Kadareja e prek këtë temë për ta zbuluar ndikimin e zakoneve mbi individin dhe shoqërinë. Ky roman i spikatur i Kadaresë e ka objekt trajtimi Kanunin, kodin e moçëm i cili është njëkohësisht e drejta publike dhe e drejta private e njeriut të Rrafshit të Veriut. Kanuni rregullon gjithçka, madje edhe nderin personal. Kadareja e përshkruan Kanunin jo vetëm si një tërësi normash, por si një sistem kompleks që përcakton modus vivendi-n e veriorëve të Shqipërisë, prej mënyrës së të menduarit e deri te mënyrat e veprimit. Njeriu nuk është i lirë. I lirë është vetëm Kanuni dhe njerëzit mund të kenë liri për aq sa lejon Kanuni. Së këndejmi, romani pasqyron një çakërdisje ontologjike të së drejtës: në zonat ku zbatohet Kanuni, e drejta nuk është për njeriun, por njeriu është për të drejtën.

Kanuni i është imponuar të gjithëve. Moszbatimi i tij nuk nënkupton vetëm shkelje të “ligjit” të zonës, por edhe çnderim dhe pabesi. Prandaj, Kanunit mund t’i ikësh më pak se vetë vdekjes.

Kanuni përmban dispozita penale. E njeh hakmarrjen si institut, edhe po të jetë fjala për vrasje. Kështu, vrasja cyt vrasjen tjetër dhe krijohet një cikël i pambarim hakmarrjesh e gjakmarrjesh. Familjet ngujohen. Askush nuk kërkon drejtësi në institucionet e shtetit (gati i paqenë andejpari) dhe autoritet suprem për jurisprudencë janë disa individë, si puna e Binak Alisë.

Në shtetin modern, shtetasi detyrohet ta respektojë rendin juridik. Ky detyrim buron nga aktet juridike që e sanksionojnë këtë gjë. Mirëpo, te e drejta zakonore detyrimi nuk rrjedh vetëm nga dispozitat e Kanunit. Respektimi i Kanunit është nder. Po e bëre të kundërtën, ke shkelur nderin e familjes. Shih për këtë, personazhi Gjorgu, pa vullnetin e dëshirën e vet, shkon dhe e vret vrasësin e të vëllait. Gjorgu e dinte se pas këtij akti do të vinte radha që ai të jetë viktima, por megjithatë e kryen vrasjen. Jo ngaqë besonte se kjo ishte më e drejta, por sepse kështu parashikonte Kanuni.

Regjioni për të cilin shkruan Kadareja është një hapësirë tejet e madhe e territorit të Shqipërisë. Funksionimi i së drejtës zakonore dhe jo i së drejtës shtetërore (pozitive), në një përqindje të lartë të vendit, dëfton mungesën e unifikimit të sistemit juridik dhe vonesën shqiptare për ta pranuar modernitetin. Frymëzuar nga Perëndimi, kodi civil e kodi penal, bile edhe kushtetuta mund të miratoheshin disa dhjetëra kilometra larg – në Tiranë, por kjo nuk parakuptonte gjë për popullatën e Rrafshit të Veriut.

Kadareja vë në dukje se shqiptarët e zonave veriore janë mishëruar me Kanunin dhe se nuk çajnë kokën nëse ai u sjell më shumë dëm sesa dobi. Ai tregon guximin që ta kontestojë përshtatshmërinë e veprimeve të gjakmarrjes edhe pse cilësohen pjesë e traditës. Kjo traditë përfton dhunën dhe për këtë arsye ka probleme të natyrës morale, meqë nuk mbështetet në ndërgjegje, por në rregulla rigoroze.

Në të drejtën penale bashkëkohore i kushtohet rëndësi edhe dimensionit psikologjik të rasteve të dhunës, qoftë për dhunuesin, qoftë për viktimën. Kjo ndodh për të hetuar më mirë shkaqet që çojnë deri në dhunë. “Prilli i thyer” reflekton anën socio-psikologjike të individëve, të cilët i nënshtrohen një trysnie të hatashme për të jetësuar Kanunin, paçka se shoqërohen me dilema morale dhe trandje emocionale. Sakaq na paraqitet Gjorgu, i cili lëkundet nga orvatja që t’i pajtojë ndjenjat e tij humane me kërkesat e pakompromista të Kanunit. Ai dëshiron të jetojë, por e di se kjo është e pamundur pa shkelur kodin e nderit. Tashmë është vështirë që Gjorgu të kategorizohet si vrasës ose si një viktimë e këtij kodi të rreptë dhe jofleksibil. Ai kishte jetuar një kohë me dhimbjen e të vëllait dhe me pesimizmin për atë që do të ndodhë pasi të hakmerret. Më pas jetoi fare shkurt, duke pritur çastin e vdekjes së vet nga vazhdimi i gjakmarrjes, gjithmonë i përcjellë nga pafuqia karshi zakonit. Ai nuk mund të gjykonte për veten e tij, nuk mund t’i shquante veprimet e veta. Të gjitha ia mbante në dorë Kanuni. Ai, sikurse thotë shkrimtari, “…kishte ndërtuar veç një vdekje, pronën e tij të vetme në këtë botë”. Kaq, asgjë më shumë s’i takonte me Kanun.

Kadareja nuk e redukton Kanunin në një veçori dalluese e traditës shqiptare, por e paraqet si një sistem që kryesisht është absurd dhe rrënues. Absurd, sepse askush nuk di të shpjegojë qartë pse duhet bërë një veprim i caktuar teksa të gjithë e pranojnë si të mirëqenë, pa e kontestuar kurrë. Rrënues, ngase e shkatërron individin dhe familjet. Duke afirmuar një kritikë sociale përmes situatave tragjike të konkretizuara, Kadareja vë në pah tiparin e pamëshirshëm të një kodi juridik.

Përfundim

Nëse e drejta është tërësia e normave që i rregullon marrëdhëniet shoqërore, letërsia është arena ku më së miri kuptohen raportet shoqërore, sepse në të ka imagjinatë, por edhe frymëzim nga realiteti jetësor.

Për nga tematikat e librave, sikur Dostojevski, Orwelli e Kafka, Kadareja bën pjesë në mesin e shkrimtarëve që duhen lexuar sidomos nga ata që aspirojnë të merren me drejtësi.

Personi që dëshiron të merret me drejtësi nuk mund të shkëputet nga letërsia. Edhe pa letërsi, secili që diplomon në fakultet juridik dhe i jep provimet e nevojshme, mund të bëhet avokat, gjyqtar a prokuror dhe të gëzojë funksione të larta, si profesionist juridik, mirëpo pa letërsi është e vështirë të bëhet jurist, studiues i së drejtës.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X