loader image
February 22, 2024

Utopia politike përballë realitetit historik

Një rrëqethje ia tejshkoi krejt trupin kur i kaloi nëpër mend fakti se muri më i madh dhe më i njohur në histori, muri kinez, nuk kishte patur kurrfarë dobie për t’i mbrojtur ndërtuesit e vet. Një drithërimë e dytë ia përshkoi trupin dhe ndjeu t’i krijoheshin mornica kur mendoi se derisa muri më i madh dhe më i famshmi në botë nuk kishte pasur dobi, atëherë edhe ky mur që ata po ndërtonin, nuk do të mund t’i mbronte dot. (A. M. Copëz nga tregimit letrar “Zgjimi dhe pagjumësia e Jehuda ben Brengimit”.)

Shkruan: Ardian MUHAJ, Tiranë

Një déjà vu historike

Në mesin e shekullit të katërmbëdhjetë, gjatë shpërthimit të pandemisë së Murtajës së Zezë, nga viti 1348 deri në 1351, ndodhën një seri sulmesh dhe masakrash të dhunshme masive kundër hebrenjve në të gjithë Europën. Komunitetet hebreje u fajësuan për shpërthimin dhe përhapjen e murtajës në Europë. Hebrenjtë u përdorën si kurban dhe u përhapën akuza të rreme që thoshin se ata kishin shkaktuar sëmundjen duke helmuar qëllimisht burimet e ujit. Masakra e parë ndodhi në prill të vitit 1348 në Toulon, ku lagjia hebreje u plaçkit, dhe katërdhjetë hebrenj u vranë në shtëpitë e tyre. Në vitin 1349, masakrat dhe përndjekjet u përhapën në të gjithë Europën. Rreth 2,000 hebrej u dogjën të gjallë më 14 shkurt 1349 në masakrën e “Ditës së Shën Valentinit” në Strasburg. Në shtatorin e po atij viti, 330 hebrenj u dogjën të gjallë në Kështjellën Kyburg, në lindje të Cyrihut. Në disa raste, hebrenjtë vetëvriteshin për të shpëtuar nga përndjekjet.

Në pranverën e 1349, komuniteti hebre në Frankfurt am Main u shkatërrua. Kjo u pasua nga shkatërrimi i komuniteteve hebreje në Mainz dhe Kolonje. Në Speyer, trupat e hebrenjve futeshin në fuçi vere dhe hidheshin në lumin Rin. Deri në 1351, kishte pasur 350 incidente të pogromeve kundër hebrenjve, dhe 60 komunitete të mëdha dhe 150 të vogla hebreje ishin shkatërruar. 20 vjet pas Murtajës së Zezë, masakra e Brukselit (1370) shkatërroi komunitetin hebre belg. Të etiketuar si “armiq të Krishtit” ata ishin një objektiv që sulmohej dhe fajësohej lehtësisht. Sulmet çuan në emigrimin e hebrenjve drejt Europës lindore, sidomos drejt Polonisë dhe Lituanisë, ku ata mbetën për gjashtë shekuj.

Megjithatë, kjo nuk ishte hera e parë që progromet kundër hebrenjve ndodhnin në Europën e mesjetës. Historia e progromeve dhe persekutimeve të hebrenjve në Europë është po aq e lashtë sa edhe historia e pranisë së tyre në këtë kontinent. Madje, përndjekja e hebrenjve nga europianët shtrihej edhe jashtë kontinentit europian, deri aty ku mbërrinte pushteti i europianëve për ta ushtruar.

Edhe në Palestinë dhe në Lindjen e Mesme jo gjithmonë hebrenjtë janë toleruar dhe kanë qenë të sigurt nga persekutimi. Kjo ka ndodhur pikërisht në kohën e kryqëzatave dhe në hapësirën e shteteve të kryqëzatave, duke përfshirë edhe kryqëzatën e katërt që u ndal në Konstantinopojë. Në këtë rast, edhe fati i hebrenjve të kryeqytetit bizantin duket se ishte i hidhur sepse pas sulmit të trupave flamenge mbi lagjen hebreje të Perës dhe shkatërrimit të saj më 5 korrik 1203, nuk dihet asgjë për fatin e hebrenjve në atë qytet deri në fillimin e rikthimit të tyre diku në mes të viteve 1267 dhe 1293.

Shembja e strehës të vetme të sigurt nuk është zgjedhje e urtë

Fati tragjik i hebrenjve në hapësirat e tjera shndërrohej menjëherë në fatmirësi në hapësirën islame dhe fati u buzëqeshte sa herë apo kudo që shtrihej pushteti i myslimanëve. Edhe në kohët më të vështira, edhe në rastet më tragjike, shtëpia e Islamit shndërrohej në strehën e tyre të sigurt.

Pjesë e këtij realiteti historik që ngjarjet e vrullshme aktuale e sjellin përballë nesh është edhe roli i hapësirave shqiptare në këtë gjeografi të shpëtimit dhe strehimit në paqe e siguri të hebrenjve. Shqiptarët dhe hapësira shqiptare tashmë dihet se u shndërrua për shekuj e shekuj në një vendqëndrimi, strehimi dhe kalimi të sigurt të hebrenjve në ecejaket e tyre historike. Rasti më i fundit dhe më i njohur është historia e shpëtimit të tyre në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, kjo histori shqiptare e shpëtimit dëshmohet që në shek. XVI në praninë e nënshtetasve spanjollë të fesë hebraike që ishin dëbuar nga atdheu i tyre iberik. Kjo ndodhi pasi ashpërsimi i lëvizjes antisemite dhe antimyslimane arriti kulmin me shpalljen e dekreteve mbretërore të posaçme të çiftit mbretëror spanjoll Ferdinandi dhe Isabela, më 31 mars të vitit 1492, për dëbimin dhe konvertimin zyrtar të hebrenjve dhe myslimanëve nga Spanja. Shembullin e tyre u detyrua ta ndjekë edhe sovrani i Portugalisë, Manueli I, i cili më 5 dhjetor të vitit 1496 shpalli gjithashtu dëbimin dhe konvertimin e hebrenjve portugezë.

Në këtë dëbim nga Gadishulli Iberik, duke filluar nga fundi i shek. XV, trojet shqiptare u bënë një nga korridoret kryesore të eksodit të hebrenjve drejt shtetit osman që i mikpriti pa mëdyshje. Kështu dëshmive sporadike të pranisë së tyre në Shqipëri gjatë mesjetës u shtohen edhe dokumentet që tregojnë për kthimin e porteve shqiptare në një derë mikpritjeje ndaj tyre në periudhën e persekutimit dhe dëbimit nga Spanja dhe Portugalia, por edhe nga shtete të tjera të Europës.

Në kontrast me këtë politikë ekstremiste zyrtare sulltani osman Bajaziti II, duke u mbështetur në frymën e sheriatit, në vitin 1492 shpalli një dekret për pranimin në tokat e Perandorisë Osmane të të gjithë refugjatëve hebrenj të dëbuar nga Spanja, Portugalia dhe vendet e tjera të krishtera. Atyre u garantohej liria e vendosjes në territorin osman dhe në të njëjtën kohë urdhëroheshin autoritetet osmane të merrnin të gjitha masat për të lehtësuar hyrjen dhe ngulimin e hebrenjve iberikë në territoret e qeverisura prej tyre. Kronisti hebre i shek. XVI, Rabini Eliyahu Capsali, shkon deri aty sa thotë se Sulltan Bajaziti II dërgoi emisarë tek hebrenjtë spanjollë për t’i mikpritur kur mori vesh për masat e ndërmarra nga shtetet iberike për dëbimin e tyre. Duke qenë porti shqiptar më i rëndësishëm nën sundimin osman, Vlora u bë menjëherë një nga dyert e shpëtimit më të rëndësishme për këta hebrenj. Edhe pse një pjesë e madhe e atyre që mbërrinin në Vlorë e vazhdonin rrugën drejt qyteteve të tjera të shtetit osman, si Stambolli, Selaniku ose Izmiri, numri i atyre që zgjidhnin të qëndronin në qytet ishte aq i madh, saqë praktikisht në shek. XVI Vlora u shndërrua në një qytet shqiptaro-hebre. Deri në këtë kohë ka shumë pak të dhëna për praninë e tyre në Vlorë, por në shek. XVI numri i bashkësisë hebreje të Vlorës u shumëfishua. Bashkësia hebraike e Vlorës në shek. XVI përbënte bashkësinë më të madhe hebraike në Rumeli pas asaj të Selanikut.

Kryeqendra e perandorisë, Stambolli, dhe disa qendra të tjera të rëndësishme urbane, si Selaniku, Sarajeva, Shkupi etj., u mbushën me ardhës të rinj hebrenj nga vende të ndryshme të Perëndimit. Një peshë të konsiderueshme në mërgatën hebraike të kësaj kohe kishin edhe hebrenjtë italikë, të cilët u shpërngulën nga rajone të ndryshme të Gadishullit Apenin (Pulia, Ankona, Venecia, Napoli etj). Analizimi i disa prej miteve që kanë dominuar opinionin publik dhe historiografinë europiane mbi arsyet e emigrimit të hebrenjve drejt shtetit osman dhe gjithashtu mitet mbi arsyet e pranimit të tyre nga Porta e Lartë e përforcon edhe më shumë këtë ndarje mes intolerancës prej nga iknin dhe tolerancës aty ku mbërrinin. Pretendime të tilla se ishin hebrenjtë që u mësuan osmanëve përdorimin e artilerisë, se hebrenjtë i ndihmuan osmanët në marrjen e Konstantinopojës ose se ishin ata që ua dorëzuan osmanëve çelësat e Budës, në fakt tregojnë shkallën e injorancës dhe besëtytnisë që ushqente intolerancën.

Historia e persekutimit të hebrenjve dhe historia paralele e sigurisë dhe paqes që kanë gëzuar në hapësirën e shtrirjes politike e sociale të Islamit e bën të qartë se shembja e kësaj strehe si strehë e vetme të sigurt nuk është zgjedhje aspak e urtë. Gëzimi se po presin një degë që u duket se munden ta presin, pa dyshim që nuk do të jetë më i tillë kur të kuptohet se ajo degë që po pritet me aq këmbëngulje e triumfalizëm, është e vetmja degë ku mund të qëndrojnë të sigurt. Vetë historia e tyre e dëshmon këtë, pavarësisht se utopia politike e ushqen iluzionin e kundërt.

Përplasja mes utopisë dhe realitetit

Përplasja mes ëndrrës së gabuar politike dhe realitetit historik ndodh kur utopitë politike përballet me kufizimet dhe sfidat e realitetit. Në një kohë ku ndryshimet politike dhe sociale po ndodhin me një ritëm gjithnjë e më të shpejtë, është thelbësore të shqyrtohet se si ëndrra e gabuar politike që synon të risjellë në jetë mamuthët politikë të akullnajave historike përballet me realitetin historik dhe duke qenë se të dy flasin gjuhë të ndryshme, sjellin tek situata, ide e projekte anakronike, atipike, anarkike dhe antinjerëzore. Rikrijimi artificialisht i të kaluarës së hamendësuar është i pamundur për shkak të marrëdhënies komplekse mes utopive politike, që shpesh janë të frymëzuara nga premisa jologjike dhe realitetit historik.

Ëndrra e gabuar politike kësisoj trumbetohet tek masa të manipuluara përmes idealit të një shoqërie të “zgjedhur” a priori, pavarësisht se “zgjedhja” e dikujt përmbi të tjerët, nuk mund të bashkëqëndrojë me zgjedhën që “të zgjedhurit” pretendojnë vetëmashtrueshëm se kanë të drejtë t’ua vendosin të tjerëve me dhunë. Problemi i vetëmashtrimit me idenë e shoqërisë së “zgjedhur” ka të bëjë me atë se vetëmashtrimi është e pamundur të bëhet i pranueshëm për të tjerët. Pra, mashtrimi i vetvetes nuk arrin të kthehet në mashtrim të të tjerëve. Kjo e bën të pashmangshme përplasjen mes vetëmashtrimit subjektiv dhe realitetit objektiv. E vetmja mënyrë që vetëmashtrimi i një shoqërie të bëhet i pranueshëm për shoqëritë e tjera, është që këto shoqëri të detyrohen përmes masash joetike, jologjike, jonormale dhe në fund të fundit të dhunshme, që të pranojnë vetëmashtrimin e shoqërisë “së zgjedhur”, sa për të zbutur ose shmangur presionin dhe dhunën që ushtrohet mbi etikën, logjiken dhe normalen. Ose, më saktë, ta pranojnë si një përjashtim i detyruar dhe imponuar dhunshëm nga rregulli i përgjithshëm.

Mirëpo, pyetja shtrohet: deri kur? A mundet një botë e tërë të pranojë joetiken, jologjiken, jonormalen për shumë kohë? Pa dyshim që jo! Sepse kostoja për shoqërinë njerëzore është tepër e lartë për të mbështetur dhe toleruar vetëmashtrimin e një shoqërie të vetme, që pretendon supremacinë e “të zgjedhurit” pikërisht mbi këtë botë, së cilës i kërkon mbështetjen.

Epilog

Ajo ditë ishte një ditë vërtet e veçantë në jetën e tij. Atë ditë u zgjua për herë të fundit në jetën e tij dhe derisa vdiq disa vite më vonë nuk e zuri gjumi. Fëmijët e morën vesh për mundimin që po i shkaktonte pagjumësia dhe më kot ishin rrekur ta kuronin në spitalet më të mira të vendit, por ata nuk e dinin se i sëmurë nuk ishte ai, por ëndrra e tij”. (Nga tregimi letrar “Zgjimi dhe pagjumësia e Jehuda ben Brengimit”.)

 

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X