loader image
October 6, 2024

Traktati për miqësi dhe ndihmë reciproke midis RFP të Jugosllavisë dhe RP të Shqipërisë

Në telegramin e tij përshëndetës dërguar J. B. Titos, Enver Hoxha thekson: “Ky traktat për miqësi dhe ndihmë reciproke paraqet një kontribut të madh që popujt tanë po e japin për përforcimin e paqes së përhershme dhe për krijimin e sigurisë në Ballkan e në botë. Populli shqiptar është i vendosur që të ecë drejt rrugës me të cilën ka ecur së bashku me popujt vëllezër të Jugosllavisë, miqësia e të cilëve paraqet një garanci të sigurt për pavarësinë e saj kombëtare dhe një fakt të shkallës së parë për progresin dhe lulëzimin e saj”.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore (LDB) i gjeti shqiptarët të ndarë e të copëtuar në disa shtete. Në Shqipërinë politike u vendos pushteti komunist në krye me Enver Hoxhën, ndërsa Kosova dhe trevat lindore e ato veriore shqiptare u ripushtuan nga njësitë komuniste jugosllave. Pushtuesi i ri (i vjetër), i ndau dhe i copëtoi dhunshëm e në mënyrë arbitrare tokat e pushtuara shqiptare në tri njësi federale: pjesa më e madhe e Kosovës, e cila formalisht njihej si “qark autonom” iu dha Republikës Popullore të Serbisë, trevat lindore iu dhuruan njësisë së re federale jugosllave, Republikës Popullore të Maqedonisë, ndërsa ato veriore Republikës Popullore të Malit të Zi. Ndërkohë, krahina më jugore shqiptare, Çamëria, u ripushtua nga njësitë nacionaliste greke. Si rrjedhojë e dhunës dhe terrorit të njësive militare e paramilitare greke, mijëra shqiptarë të kësaj krahine gjatë viteve 1945-1947 u detyruan t’i lënë vatrat e tyre për t’u shpërngulur brenda territorit të Shqipërisë politike.
Duhet theksuar se pushteti komunist, i instaluar dhunshëm në Shqipërinë politike në prag të mbarimit të LDB-së, ishte vegël e zgjatur e komunistëve të Beogradit. Ndikimi i Beogradit ndaj Tiranës erdhi në shprehje veçmas pas vendimit të qeverisë jugosllave që edhe zyrtarisht ta pranojë qeverinë e Hoxhës dhe të vendosë marrëdhënie diplomatike me të. Ky vendim u soll në mbledhjen që qeveria jugosllave e mbajti më 28 prill 1945, ku shprehimisht thuhej: “Të pranohet qeveria shqiptare e gjeneral-kolonelit Enver Hoxha dhe me të të vendoset lidhja diplomatike”. Ky akt u përcoll me një eufori të paparë ndonjëherë nga udhëheqja komuniste shqiptare dhe shtypi i tyre. Enver Hoxha, në një takim me gazetarët e mediumeve jugosllave, theksoi se “miqësia” midis udhëheqjes komuniste shqiptare dhe asaj jugosllave përbënte “një rëndësi jetësore. “…Në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, shprehet Hoxha, ekziston një miqësi aq e madhe, saqë nuk ka qenë asnjëherë më herët. Ne tashmë nuk e ndjejmë dallimin midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Ndaj Jugosllavisë dhe mareshalit Tito kultivojmë dashuri të madhe. Nuk ekziston njeri në fshatin më të thellë të Shqipërisë i cili nuk do ta dinte emrin e mareshalit Tito, ndërsa te Jugosllavia të gjithë shohin një mik të madh që vazhdimisht do të jetë në anën tonë…”.
Mirëpo, vendimi për pranimin zyrtar të qeverisë së Hoxhës nga jugosllavët, nga mediumet demokratike perëndimore u komentua si një përpjekje e Beogradit që ta fusë Shqipërinë brenda kufijve të saj. Gazeta prestigjioze franceze “Figaro”, në një artikull të saj gjatë muajit gusht të vitit 1945 kushtuar problemit shqiptar, ndër të tjera, shkruante se: “Tito përpiqet ta përfshijë Shqipërinë në Jugosllavinë Federative”.
Është me rëndësi të theksohet fakti se brenda udhëheqjes së atëhershme komuniste shqiptare pati edhe zëra që e kundërshtonin orientimin e plotë të politikës së jashtme kah lindja, përkatësisht kah Beogradi dhe Moska. Në ballë të saj qëndronte krahu intelektual i udhëhequr nga Sejfulla Malëshova, i cili konsiderohej si një ndër figurat kryesore udhëheqëse partiake e shtetërore të dala menjëherë pas përfundimit të LDB-së dhe vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. Malëshova dhe grupi i tij e mbronte politikën e gjerë liberale ndaj anglo-amerikanëve dhe vendeve të tjera perëndimore. Legata jugosllave në Tiranë e njoftonte Beogradin për ndikimin dhe rolin e jashtëzakonshëm të inteligjencës shqiptare në, siç e quante ajo “orientimin e gabuar” të politikës së jashtme shqiptare: “…Ajo inteligjencë, theksohej më tej, ka arritur t’i imponojë lëvizjes njëfarë orientimi nacionalist, të pikëpamjeve perëndimore, ndërsa në politikën e jashtme ta fusë tezën se Jugosllavia e tanishme nga këndvështrimi i Shqipërisë është identike me Jugosllavinë serbomadhe ose imperialiste të paraluftës…”. I deleguari diplomatik jugosllav në Tiranë, Josip Gjergja, në një raport të tij kushtuar politikës ekonomike në Shqipëri gjatë vitit 1945, ndër të tjera shkruante se me tërë situatën në Shqipëri “si në fushën ideologjike-teorike, si në politikën e përgjithshme” ka sunduar një rreth njerëzish në krye me Sejfullah Malëshovën, i cili “ishte njëri ndër anëtarët më të vjetër, më i arsimuari dhe thuajse më me autoritet te udhëheqja shtetërore dhe politike të Shqipërisë në atë kohë…”.
Për ta penguar këtë frymë pro anglo-amerikane, legata jugosllave nga Tirana i propozonte MPJ-së së Jugosllavisë të ndërmerreshin disa masa urgjente: “pranë Legatës të themelohet institucioni i atashesë për shtyp, me qëllim që Legata të mund të zhvillojë aktivitet propagandues; të vendosen konsullatat e nevojshme në Shqipëri, sidomos në Shkodër dhe Korçë; në Jugosllavi të themelohet Shoqata për lidhje kulturore me Shqipërinë…”.
I tërë angazhimi i diplomatëve jugosllav në Tiranë, siç kuptojmë nga raportet e tyre, përbëhej në “riorientimin e politikës së jashtme shqiptare nga Perëndimi në Lindje” dhe, si rrjedhojë e tërë atij angazhimi, “BRSS-ja dhe Jugosllavia bëhen faktorët themelorë”, me të cilët llogaritej secili veprim i politikës së jashtme komuniste shqiptare. Josip Gjergja i shkruante J. B. Titos se, falë punës së tyre të palodhshme, “tashmë te një pjesë e udhëheqjes” shqiptare është krijuar bindja se puna domosdoshmërisht duhet të orientohet vetëm në një drejtim – “Jugosllavi, BRSS”. Një qasje e tillë e udhëheqjes komuniste shqiptare gjithsesi se i dëmtoi shumë raportet me aleatët perëndimorë, në radhë të parë me anglo-amerikanët, të cilët tashmë e konsideronin qeverinë Hoxha si vegël te zgjatur e Beogradit. Nisur nga kjo, Uashingtoni zyrtar, në prag të zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese, të cilat ishin caktuar të mbaheshin më 2 dhjetor të vitit 1945, përmes zëvendës-ushtruesit të Dhomës së Politikës së Jashtme të SHBA-së në Tiranë, Hyrry T. Fultz, ia dorëzoi E. Hoxhës notën e qeverisë amerikane për “pranimin e kushtëzuar” të qeverisë së përkohshme të tij. Lidhur me këtë, Sekretari Shtetëror i SHBA-së, më 13 nëntor 1945 dha një deklaratë për shtyp, me të cilën shprehu “gatishmërinë për pranimin e qeverisë së përkohshme të Shqipërisë” nëse ajo do t’i plotësonte tre kushte: deklaratë të shkruar nga qeveria e përkohshme se zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin Popullor do të zbatohen mbi bazën e lirisë së vërtetë, votimin e fshehtë pa kërcënime dhe frikësime; se të gjithë demokratët, individët dhe grupet në Shqipëri do ta gëzojnë lirinë e të folurit dhe të drejtën përmes rrugës ligjore vendosjen dhe ndihmën e kandidatëve të tyre dhe korrespodentëve të shtypit të huaj t’u lejohet të vijnë në Shqipëri, të vëzhgojnë dhe të dërgojnë lirshëm raporte për zgjedhjet dhe për punën e Kuvendit Popullor; pushtetarët shqiptarë të deklarojnë se kontratat dhe marrëveshjet të cilat janë arritur deri më 7 prill të vitit 1939 midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë të ngelin në fuqi.
Tirana zyrtare fillimisht i pranoi pa asnjë rezervë të gjitha kushtëzimet dhe rezervat e parashtruara, nga ana e qeverisë së SHBA-së dhe një hap të tillë e vlerësoi “si pranim i plotë dhe si një fitore të pakontestueshme” dhe u organizuan manifestime të shumta falënderuese. Mirëpo, tërë kjo nuk zgjati shumë, për arsye se shumë shpejt ndërhyn qarqet diplomatike jugosllave, andaj udhëheqja komuniste shqiptare i hodhi poshtë kërkesat amerikane. Për rrjedhojë, qeveria amerikane, në shenjë proteste, e tërhoqi misionin e vet diplomatik nga Shqipëria.
Po në këtë periudhë kohore udhëheqja komuniste shqiptare i përkeqësoi marrëdhëniet edhe me Britaninë e Madhe. Këto marrëdhënie u acaruan veçmas kur qeveria shqiptare e refuzoi akreditimin e listës së personelit të legatës britanike në Shqipëri, me arsyetimin se në atë listë si sekretar i parë figuronte majori anglez Smith, që udhëheqja komuniste shqiptare e konsideronte si ish bashkëpunëtor i organizatave nacionaliste shqiptare, Legalitetit dhe Ballit Kombëtar, dhe kundërshtar i regjimit komunist shqiptar. Menjëherë pas kësaj, qeveria britanike deklaroi se ajo nuk do ta dërgojë të deleguarin e saj në Tiranë dhe të deleguarit shqiptar nuk do t’i japë akreditim përderisa qeveria shqiptare nuk ofron zgjidhje pozitive për sa vijon: të jep liri për kërkimin e mëtutjeshëm të varreve ushtarake, të jep akreditim për sekretarin Smith, legatës t’i mundësohet liria e plotë e punës, ndërsa të deleguarit – përbërjen e lirë të shtabit të tij të bashkëpunëtorëve. Këto kërkesa u hodhën poshtë nga udhëheqja komuniste shqiptare dhe ma 5 mars 1946 misioni ushtarak britanik e lëshoi Shqipërinë.
Është me rëndësi të vihet në dukje fakti se ndërprerja e papritur e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në dhe me Britaninë e Madhe, nga njëra anë, dhe animi i plotë kah Beogradi e Moska i regjimit komunist shqiptar lidhej ngushtë me rrëzimin e krahut properëndimorë brenda Byrosë Politike të KQ PKSH-së, të cilit i printe Sejfulla Malëshova, dhe ardhjes së krahut pro-jugosllav-sovjetik në krye me Nako Spiron (më vonë pro-sovjetiku). Këto ndryshime ndodhën në Plenumin e KQ PKSH-së, punimet e të cilit filluan më 23 shkurt, ndërsa përfunduan më 4 mars 1946. Menjëherë posa përfundoi kjo mbledhje maratonike, i deleguari jugosllav, J. Gjergja, nga Tirana i shkruante J. B. Titos: “Sot përfundoi mbledhja plenare. Debati ishte i gjatë dhe i frytshëm. Më në fund ra Malëshova… Në mbledhje e kanë sulmuar ashpër linjën e pavarësisë së rrejshme, e cila nënkuptonte të shkohej jashtë dhe pa Jugosllavinë. Për shef të resorëve ekonomikë është emëruar N. Spiro dhe ardhja e tij në Beograd është një hap nga ajo, sepse ai është mik i njohur i legatës dhe i Jugosllavisë dhe luftëtari kryesor në kohë të fundit, të kësaj politike të shëndoshë…”.
Paralelisht me ndryshimet e mësipërme, filloi edhe fushata gjithnjë e më e madhe e popullarizimit të Jugosllavisë dhe udhëheqjes së saj. Në atë periudhë kohore u riaktivizua Shoqata për Bashkëpunim Kulturor “Shqipëri-Jugosllavi”, e cila e përgatiti ekspozitën me titull “Përmes fjalëve dhe fotografive të njihet sa më shumë populli shqiptar me Jugosllavinë”, pastaj një sërë konferencash në mbarë vendin ku lartësohej politika “vëllazërore” e popujve jugosllavë, si dhe personaliteti i Titos. Kësaj fushate iu bashkëngjit edhe sektori i agjitacionit dhe propagandës (agjitpropit) pranë KQ PKSH-së, si dhe shtypi, i cili tashti kujdes më të madh i kushtoi agjitacionit dhe propagandës ndaj Jugosllavisë dhe fjalimeve të udhëheqjes së saj. I deleguari jugosllav në Tiranë, J. Gjergja, i shkruante Titos për propagandën e madhe që asaj kohe zhvillohej në kuadër të institucioneve dhe shoqatave të ndryshme shoqërore, ekonomike, kulturore e arsimore shqiptare për Jugosllavinë dhe politikën e saj “vëllazërore” ndaj popullit shqiptarë.
Nga ana tjetër, tërë atë fushatë shtypi perëndimor e konsideronte si një hap drejt aneksimit të Shqipërisë nga ana e Jugosllavisë. Konsulli jugosllav nga Tirana, më 21 mars 1946, përmes radiogramit e njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në Beograd, se më 15 mars të atij viti nga Roma kishte arritur një telegram i hapur në emër të misionit amerikan, njësisë për shtyp në Tiranë, i cili njoftonte se “aneksimi i Shqipërisë” sipas Jugosllavisë tashmë ishte një çështje e kryer. Në këtë frymë ishte edhe letra e Millovan Gjillasit, njërit ndër politikanët më me ndikim jugosllav të asaj kohe, dërguar Nako Spiros, i cili mospërfshirjen e Shqipërisë në broshurën e tij të fundit e arsyetonte me atë se ajo në zhvillimin e saj “ka shkuar më së largu pas Jugosllavisë” dhe se tërë ajo, siç shprehet në letër, do të ndikonte shumë keq “në pozitën tuaj ndërkombëtare dhe mund të shërbente si mjet i propagandës armiqësore kundër juve”. Ndërkohë, J. Gjergja i shkruante MPJ-së së Jugosllavisë, mbi kërkesën e E. Hoxhës që në Shqipëri të dërgohen filma të Jugosllavisë, revista filmi për ngjarjet më të reja në Jugosllavi dhe njëkohësisht të dërgohej së paku një operator filmi, i cili do të kryente një turne nëpër Shqipëri. Sipas Gjergjës, Hoxha ka kërkuar që “për këto çështje” udhëheqja politike jugosllave, në të ardhmen do të duhej t’i parashihte “të gjitha gjërat në Shqipëri sikurse në çdo njësi tjetër federale” jugosllave, që nënkuptonte se Shqipëria të konsiderohej si njësi (republikë) e shtatë federale jugosllave.
Paralelisht me këtë fushatë, Shqipëria u vërshua nga të ashtuquajturit “specialistë” jugosllavë të fushave të ndryshëm, në radhë të parë në fushën ushtarake e të sigurisë, por edhe në fushën e ndërtimtarisë, ekonomisë, agronomisë, kulturës, arsimit etj., numri i të cilëve shkonte mbi 600. Pjesa më e madhe e tyre mbanin poste të larta qeveritare, si ndihmësministra ose këshilltarë të lartë pranë ministrive përkatëse të qeverisë së atëhershme shqiptare, por edhe udhëheqës të lartë nëpër shoqatat ose sipërmarrjet e përziera jugosllave-shqiptare, si p. sh. shoqata për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Elbasan, shoqata e industrisë së naftës në Kuçovë, shoqata e gjeodezisë etj. Në kuadër të kësaj të fundit qenë inkuadruar gjithsej 21 gjeodetë jugosllavë, të cilët ishin edhe bartësit kryesorë të zbatimit të reformës agrare, e cila në Shqipëri filloi më 31 mars 1946, ndërsa përfundoi më 17 nëntor të atij viti.
Vëllazëria e regjimeve komuniste shqiptaro-jugosllave e arriti kulmin në mbarim të qershorit dhe fillim të korrikut 1946, me rastin e vizitës zyrtare disaditore të Enver Hoxhës në Jugosllavi (23 qershor – 2 korrik 1946), e cila pati jehonë të madhe si në Tiranë, ashtu edhe në Beograd. Lidhur me këtë, J. Gjergja i shkruante J. B. Titos se lajmi për datën e vizitës zyrtare të E. Hoxhës në Beograd është pranuar “me një entuziazëm të pafshehur” nga tërë udhëheqja politike shqiptare dhe se menjëherë pasi u publikua lajmi, Hoxha e kishte ftuar atë personalisht në shtëpinë e tij dhe i ka theksuar se ajo ka qenë “diçka më e madhe që kanë mundur ta dëshironin dhe ta prisnin”, duke e konsideruar atë si “ndihmën më të vendosur nga këndvështrimi i politikës së jashtme e të brendshme” dhe kjo në orën më të mirë të mundshme. Gazeta “Bashkimi”, më 21 qershor 1946, e lartësonte “vëllazërinë” dhe “miqësinë” midis popujve jugosllavë dhe popullit shqiptar, të krijuar gjatë LDB-së, ku ndër të tjera shprehej: “…Popujt e Mareshalit Tito për ne kanë qenë shokë të luftës, kanë qenë shokë gjatë vuajtjes dhe sulmeve. Populli ynë me krenari dhe dashuri ka folur për partizanët e Mareshalit Tito… etj.”. Gazeta jugosllave “Borba”, më 24 qershor 1946, në faqen e parë me shkronja të mëdha shkruante: “Rroftë miqësia e përhershme të popullit të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë”. Vetë E. Hoxha, para se të niset për në Beograd, e hartoi referatin prej 13 faqeve të titulluar: “Ç’kuptim ka dhe çka bëni direkt ose indirekt për luftën nacional çlirimtare shqiptare Tito, si dhe kuptimi i sotshëm në rindërtimin dhe mbrojtjen e indipendencës shqiptare”, me të cilin ai e lartësonte tej mase figurën e J B. Titos:
“…I math e i vogël e njeh Titon në Shqipëri se ay përfaqson popujt heroikë të Jugosllavisë, i math e i vogël e do Titon në Shqipëri pse ay përfaqëson luftën e lavdishme të popujve vllezër Jugosllavë, pse ay ka qenë zemra dhe koka e sajë, pse ay mësoj, i edukoj popujt e Jugosllavisë të rrojnë të bashkuar dhe të vllazruar me njeri tjetrin, pse ay i bëri luftëtar të pa mposhtur të lirisë, dhe të demokracisë, pse ay i mësoj të duan popujt e tjerë si vehten e tyre dhe në radhë të parë popullin e vogël Shqiptar të cilin e ndihmuan dhe e përkrahën si në kohën e luftës ashtu edhe tash në kohën e paqës…”.
Një javë pas kësaj vizite, përkatësisht më 9 korrik 1946, në Tiranë Enver Hoxha dhe ministri i jashtëm jugosllav, Stanoje Simiq, në mënyrë solemne e nënshkruan dokumentin me titull: “Traktat Miqësije dhe ndihme reciproke ndërmjet Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë dhe Republikës Popullore të Shqipërisë”. Pasi e nënshkroi dokumentin, Enver Hoxhai iu drejtua ministrit të jashtëm jugosllav me këto fjalë: “Te popujt e Jugosllavisë dhe personalitetin e kryetarit të respektuar të qeverisë suaj, mareshalin Josip Broz Tito, ne shohim miqësinë e afërt e të sinqertë, të cilët në mënyrë të pakursyer e kanë ndihmuar popullin tonë për ta korrur fitoren e sotshme e të cilët në përmasa gjithnjë e më të mëdha neve edhe më tej po na ofrojnë ndihmë për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë e integritetin tokësor të vendit tonë, për përparimin e Shqipërisë. Këtë miqësi që po e kultivojnë popujt tuaj ndaj nesh populli ynë do ta shohë si një shenjtore, sepse ajo paraqet bazën e shëndoshë të përparimit të vendit tonë, mbrojtjes së paqes në Ballkan e në botë, si dhe përforcimit të demokracisë, për të cilën popujt tanë kanë derdhë një det gjak”.
Po në këtë frymë, Hoxha shprehet edhe në telegramin e tij përshëndetës dërguar J. B. Titos, ku thekson: “Ky traktat për miqësi dhe ndihmë reciproke paraqet një kontribut të madh që popujt tanë po e japin për përforcimin e paqes së përhershme dhe për krijimin e sigurisë në Ballkan e në botë. Populli shqiptar është i vendosur që të ecë drejt rrugës me të cilën ka ecur së bashku me popujt vëllezër të Jugosllavisë, miqësia e të cilëve paraqet një garanci të sigurt për pavarësinë e saj kombëtare dhe një fakt të shkallës së parë për progresin dhe lulëzimin e saj”.
Në përfundim të këtij punimi, po e paraqesim të plotë Traktatin (variantin në gjuhën shqipe) si dhe shkrimin me titull “Traktati i Miqësisë dhe i ndihmës reciproke një siguri për të ardhmen tonë”, të botuar në gazetën “Bashkimi” më 14 korrik 1946.

* * *

“TRAKTAT Miqësije dhe ndihme reciproke ndërmjet Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë dhe Republikës Popullore të Shqipërisë

Popujt e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë dhe të Republikës Popullore të Shqipërisë kanë pasur gjatë historisë së tyre të njëjtit armiq, që kërcënonin pamvarësinë e tyre respektive dhe që deshin t’u shkëputnin pjesërisht ose tërësisht tokat e tyre dhe t’i robëronin. Kjo u vërtetua veçanërisht në të kaluarën e afërme kur Gjermanija dhe Italija fashiste sulmuan dhe okupuan të dy vendet t’ona me qëllim që t’i ndanin në mes të tyre për gjithënjë.
Besnikë në traditat e tyre luftëtare popujt e Jugosllavisë dhe të Shqipërisë u ngritën për të mbrojtur pamvarësinë dhe lirinë e tyre dhe në luftën e as(h)për katër vjeçare krah për krah kanë ruajtur këtë pamvarësi dhe këtë liri.
Duke dashur të forcojnë më tepër këto lidhje të mbrojtura me gjak në ditët më vendimtare për popujt e këtyre dy vëndeve, duke dashur të konfirmojnë solemnisht miqësinë e tyre të pa thyëshme dhe dëshirat e tyre për një bashkëpunim kultural dhe ekonomik, duke dashur të konfirmojnë vendosmërinë e tyre për të mbrojtur së bashku, edhe në të ardhmen lirinë, pamvarësinë dhe integritetin tokësor të vëndeve të tyre, në rast se do të atakohen prej një fuqije të tretë me qëllim që t’i rrobërojnë ose t’u shkëputin një pjesë të tokave të tyre, duke qenë të bindur që një mbrojtje e përbashkët është në interesin jo vetëm të vendeve të tyre por edhe në interesin e paqes në Ballkan dhe në botë, gjë që pajtohet me përpjekjet e Kombeve të Bashkuara,
Presidiumi i Asamblesë Kombëtare të Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë vendosën të lidhin një traktat dhe emëruan për këtë qëllim të plotfuqishmit e tyre:
Presidiumi i Asamblesë Kombëtare të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë,
Ministrin e Punëve të Jashtme z. Stanoje Simiq,
Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë,
Kryetarin e Qeverisë, Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Gjeneral-Kolonel ENVER HOXHËN, të cilët mbasi këmbyen dokumentat e fuqive të tyre të plota dhe i gjetën në formë të mirë dhe të duhur, vendosën mbi sa vijon:

Art. I
Të dy Palët e Nalta Kontraktuese ranë dakord të forcojnë edhe më tepër, në interes të popujve të dy vëndeve, marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë me një bashkëpunim të vazhdueshemë, të ngushtë dhe të gjithëanëshëm ndërmjet të dy vëndeve.
Art. II
Të dy Palët e Nalta Kontraktuese do të marrin së bashku të gjitha masat që do të jenë të nevojshme për të siguruar pamvarësinë dhe integritetin e të dy vëndeve të tyre, për të ndaluar në të ardhmen ç’do përsëritje agresioni të njëllojtë me atë të Gjermanisë Hitleriane dhe të Italisë fashiste të Mussolinit.
Për këtë qëllim të dy Palët e Nalta Kontraktuese do të bashkëpunojnë sa më ngushtë në të gjithë aksionet ndërkombëtare për mbrojtjen e paqes dhe të sigurimit ndërmjet popujve. Duke ekzistuar detyrat që rrjedhin nga ky Traktat të dy Palët e Nalta Kontraktuese do të udhëhiqen prej parimeve të deritashme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Art. III
Në qoftë se njëra nga të dy Palët e Nalta Kontraktuese atakohet prej kujtdo tjetër me qëllim që të cënojë pamvarësinë e saj, të rrobëroj ose t’i shkëputë ndonjë pjesë të tokave të saj, Pala tjetër e Naltë Kontraktuese do t’i japë me një herë ndihmën ushtarake si dhe ç’do ndihmë tjetër si mbas mjeteve që disponon.
Art. IV
Të dy Palët e Nalta Kontraktuese detyrohen të mos hynë as njëra prej tyre në ndonjë aliancë, as të bëjnë pjesë në ndonjë koalicion që drejtohen kundër Palës tjetër të Naltë Kontraktuese.

Art. V
Të dy Palët e Nalta Kontraktuese do të zgjidhin vetë në bazë të miqësisë më të sinqertë të gjitha çështjet e përbashkëta. Lidhje ekonomike, kulturale etj. ndërmjet të dy vendeve do të realizohen në marrëveshtje të veçanta.

Art. VI
Ky Traktat hyn në fuqi me t’u nënshkruar dhe do të ratifikohet në afatin më të shkurtë.
Instrumentet e ratifikimit do të kombehen në Beograd.
Ky Traktat është i vlefshëm për njëzet vjet nga data e nënshkrimit të tij. Në qoftë se asnjëra nga Palët e Nalta Kontraktuese nuk lajmëron dymbëdhjet muaj përpara mbarimit të afatit se dëshiron të denoncojë këtë Traktat, vlefshmënija e tij zgjatet për ç’do herë pesë vjet të tjera, për deri sa njëra nga Palët e Nalta Kontraktuese nuk lajmëron qëllimin e saj për të denoncuar këtë Traktat dymbëdhjet muaj më përpara skadimit të periodës pesëvjeçare në vijim.
Duke e konfirmuar të Plotfuqishmit nënshkruan këtë Traktat dhe vunë vulat e tyre.
Traktati u redaktua në dy kopje njëra në gjuhën serbo-kroate dhe tjetra në gjuhën shqipe dhe të dy tekstet kanë vlerë të njëllojtë.

Bërë në Tiranë më 9 Korrik në mijë e nënd qind e dyzet e gjashtë.
Me autorizimin e Me autorizimin e Presidiumit të Asamblesë Kombëtare Presidiumit të Kuvendit Popullorë të Republikës Federative Popullore të Republikës Popullore
të Jugosllavisë të Shqipërisë

STANOJE SIMIQ, d.v. ENVER HOXHA, d. V.
(Vula) (Vula)”

* * *

“Bashkimi” 14 korrik 1946 nr. 479 viti i III.
TRAKTATI I MIQËSISË DHE I NDIHMËS RECIPROKE
NJË SIGURI PËR TË ARDHMEN TONË

Traktati i miqësisë dhe i ndihmës reciproke midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë është një fotografi e gjallë e vullnetin popullor të të dy vendeve. Miqësia dhe ndihma reciproke ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit të Jugosllavisë ka lindur dhe është arritur gjatë luftës së përbashkët antifashiste, atëherë kur populli shqiptar dhe popujt e Jugosllavisë, në luftën gjigante kundër okupatorit dhe tradhëtarëve të vendit, e përcaktonin fatin e vendeve të veta.
Ajo miqësi dhe ndihmë reciproke, u ngrit dhe u përforcua në periudhën e pasluftës, u zhvillua deri në ato përmasa saqë popujt e të dyja vendeve e pritnin: Traktatin e miqësisë dhe të ndihmës reciproke. – Marrëdhëniet e popullit shqiptar me popujt e Jugosllavisë ishin të tilla saqë mund të themi me plotë bindje se me Traktatin u arrit de jure ajo që popujt e këtyre dy vendeve e patën arritur de fakto gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe pas çlirimit.
Në atë traktat, bashkëpunimi i ngushtë bëhet edhe më konkret midis popullit shqiptar dhe popujt e Jugosllavisë. Bashkëpunimi miqësor i popullit tonë me Jugosllavinë e Mareshalit Tito do të forcohet gjithnjë e më shumë dhe i cili bashkëpunim do të jetë i ngushtë, i gjithanshëm dhe i vazhdueshëm.
Traktati hap rrugën e përparimit të vendit tonë, për rinovimin në të gjitha sferat. Vendi ynë ka nevojë për një bashkëpunim me miq të sinqertë e besnikë, siç është Jugosllavia e Mareshalit TITO, ka nevojë për miq të cilët si qëllim të tyre nuk e kanë robërimin dhe plaçkitjen. Traktati i miqësisë dhe i ndihmës reciproke pa dyshim se do të sjellë një fushëveprim më të madh të mundësisë së vendit tonë për ta përdorur fuqinë e saj në rimëkëmbjen e vendit. Tashmë ekzistojnë lidhjet ekonomike, kulturore e lidhjet tjera, ndërsa ato do të përforcohen edhe më shumë me vendin siç është Jugosllavia, e cila edhe pse ka dalë e shkatërruar nga lufta katërvjeçare, sot po përparon me hapa të mëdha në drejtimin e rinovimit të plotë në drejtimin e përforcimit dhe zhvillimit të ekonomisë, kulturës etj.
Kuptohet se populli shqiptar e ka përshëndetur Traktatin përmes manifestimeve spektakolare. Duke brohoritur “Tirana-Beogradi”, ai me bindje të plotë te Traktati sheh faktin historik të sigurimit të ardhmërisë së tij. Nga roli që Republika Federative Popullore e Jugosllavisë e luan në Ballkan dhe në botë buron edhe roli i Traktatit. Jugosllavia e Mareshalit Tito sot është shndërruar në një fortesë të demokracisë dhe të paqes në Ballkan, pikërisht në momentet e vështira të pasluftës kur edhe më tej ekzistojnë fole të fashizmit dhe ku mbeturinat fashiste inkurajohen nga qarqet reaksionare në botë për agresione të reja.
Nga karakteri popullor dhe federativ i Republikës së Jugosllavisë si dhe nga roli i ri i Shqipërisë si faktor i paqes, e jo si në të kaluarën kur ekzistonin mjetet e imperializmit, buron qartë edhe karakteri paqedashës i Traktatit Shqiptar-Jugosllav. Ndihma ushtarake reciproke, sikurse edhe çdo ndihmë tjetër, për të cilën angazhohen të dy vendet, që t’i ofrojnë njëra tjetrës në rast të rrezikut të pushtimit dhe cenimit të integritetit të secilës palë, është garancë e fuqishme jo vetëm për pavarësinë dhe integritetin e tyre, por njëkohësisht është edhe faktor i paqes dhe i sigurimit të sigurisë së Ballkanit.
Traktati për ndihmë reciproke ndërmjet dy popujve paqedashës jo vetëm se bazohet në parimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por me atë traktat të dy vendet angazhohen edhe për një bashkëpunim sa më të ngushtë në të gjitha aksionet ndërkombëtare për mbrojtjen e paqes e të sigurisë edhe në mesin e popujve.
Ashtu siç theksohet qartë në Traktatin Shqiptar-Jugosllav, karakteri i tij paqedashës, po aq qartë theksohet edhe vendosmëria e të dy vendeve për mbrojtjen e përbashkët të lirisë, pavarësisë dhe integritetit tokësor, që nënkupton vendosmëri për t’iu kundërvu çdo agresioni nga ana e fuqisë së tretë e cila do të dëshironte ta robëroj apo të shkëpusë pjesë të tokës së tyre.
Lufta Nacionalçlirimtare e popujve të Jugosllavisë e ka mësuar popullin shqiptar për atë që tash po dëshmohet në periudhën e pasluftës. Ai dje në luftën e popujve të Jugosllavisë gjeti mbështetjen për pavarësinë dhe lirinë e vet, ndërsa sot te Jugosllavia hasë në mikun më të sinqertë dhe më të vendosur për të bashkëpunuar me të në rinovimin e vendit dhe për sigurimin e ardhëmirësë së vet”.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X