loader image
July 17, 2024

Thyesitë e pasqyrave dhe endësitë e yrnekut shoshë

Në mbamendjen time të turbulluar, sofra e konakut tonë nuk shtrohej kurrë pa mos qenë të gjithë tok, rrotull saj. Temenaja e hyzmetit ndonjëherë edhe bëhej sfilitësh, por megjithatë kishte një lloj afrimiteti organik që na mbante të lidhur me rrënjët e të parëve, qoftë përmes rrëfenjave që buronin nga zemrat e çiltra të gjysheve tona; ose-ose shpesh edhe prej Heshtjes kanonike që imponohej nga hierarkia e burrave hijerëndë, që flisnin pak dhe shpesh nuk thoshin asgjë. Kush kishte çikëz fat e rritej me gjyshin mendjehapun edhe mund të fluturonte matanë kapexhikut; pa drojë e idhnim, se e priste ngrohtë krahnori i agait në kthim.

Fjolla SPANCA, Mitrovicë

Fundi i viteve të ’90-ta anëve tona mbartte rrëmbyeshëm Frikën dhe Shpresën; lajmëtare të paepura këto, për ndërrimet dhe ndryshimet që do t’i kapërthenin së shpejti të gjithë brezat (Ata / Ato që mbeten mes të gjallëve) e një shoqërie të trazuar mes kujtimesh e traumash. Qenë vite të brishta, stolisur me pikëpyetje të mëdha, sa vetë jeta. Të jetoje nën diktatin e të pangopurve nuk ish kurrë e lehtë. Shoqëritë e shtrënguara për të jetuar nën piskamën e xhandarmerisë e njohin mirë aromën e të kërkuarit… Të tilla bashkësi njerëzore, të afrueshme fizikisht prej pamundësisë për të qëndruar larg a prej pafuqisë për t’ia dalë mbanë në vetmi, tregojnë mes plumbash e granatash se Jeta dhe Njeriu marrin kuptim e formë vetëm atëherë kur Zemra dhe Mendja, matanë mureve të ftohta dhe telave me gjemba, çelin Mendime të Larta dhe Mendime të Lira! Pra, të ëndërroje për Atdheun lirshëm, në liri e të lirë; aso kohe ishte një soj shtegtimi për në shtëpinë e munguar! Duhej të shtegtoje që të shpëtoje! Të shtegtoje nga hiç-i për tek Vetja; nga burgjet për tek Jeta. Dhe sërish, jeta ishte e bukur anise e trishtë. E ëmbël me gjithë pelinin që ikjen grish.

Të dimërosh pa plis, dimi e katandi

Me të kapërcyer pragun e ’99-tës njerëzimi nisi shoshitjen e pafre të çdo ‘mbetjeje’ nga e kaluara e zymtë e një bashkëjetese të gjatë dhe të sforcuar mes përpjekjes për ta ruajtur identitetin kombëtar dhe këmbënguljes për të mos u tëhuajësuar. S’do mend se zullumi i të jetuarit mes hamendësimit dhe hijeve ligështuese është thuaja i barabartë me ngujimin nëpër odat e mykuna, pa dritare e pa oxhak, dhe mbase prandaj euforia e viteve të para të Lirisë shënjon hapin e madh veçse të rëndë, drejt shpalosjes së të pashpalosurave tona, kolektive. Thënë kështu, transformimet që u shtruan në çdo cep të vendit, për pak kohë dhanë goxha rendiment.

Nëse e marrim së mbari listën e gjatë me prurjet e reja post-2000, zor se mund t’i mbyllim sytë para ndryshimeve drastike që pësuan sidomos zonat rurale në Kosovë. Transformimi i infrastruktrurës së fshatit; ndërtimi i shtëpive allafrënga dhe asfaltimi i rrugëve i dha dimension tjetër fshatit, duke e rivitalizuar jetën e komunitetin. Qytetet modeste që as mbetën qyteza e as shehër, do të përballeshin ethshëm me këmbënguljen e të rinjve për t’i kthyer plisat e bardhë në figurina nostalgjike – mundësisht të vendosuna përskaj librash të harruar. Aty, Plisi do ta konservonte lavdinë e vet si shenjë dalluese për stërmundimin shekullor të pleqnarëve fatpak. Tutje, gjyshet duhej shpëtuar një sahat e më parë prej dimive, sepse askush nuk kishte më mjaftueshëm kohë sa për t’i hekurosur palët e tyre të pafundme. Ndërkaq, në shehër sa hap e mbyll sytë u shumuan sallonet e ‘ondulimit’ (floktoret e grave) ose dëshmitaret e përtëritjes së flokut dhe grisjes së velit bojëtamli që nanat tona e mbanin kahera mbi kokën e tyre, si nishan dallues prej grave të tjerave. Valës së ndryshimeve nuk i shpëtoj dot as sabahllëku i nuseve (fustan i gjate kadife) i cili vrikthi u pa si diçka e dalun boje para tutave burrnore të Nike e Adidas gjersa – kredenaci – apo arka hipnotizuese e ëmbëlsisë nuk na u deshtë më për t’i vënë stivë kavanozat me reçelna se erdhi dita me i ble të gatshme, të gjitha! Në zbarkimin e parë, mbas shumë viteve nëpër kurbet, mërgimtarët ndër tjerash sollën edhe salcë domateje në kuti plastike, me të cilën ne do ta ngjyenim bukën për muaj me radhë. Ketchup, pashtetë, sallam e vegetë – erdhi dekiku me e ndërru një jetë!

Sa i përket adeteve të tjera, në muajt e parë të vitit 2000 u ruajt një soj rigoroziteti përkarshi edicionit të lajmeve anise me kalimin e ditëve, nuk i morëm më edhe aq seriozisht thirrmat e pleqnisë për ‘heshtje kolektive’ aq herë sa spikeri matanë televizorit paralajmëronte titujt kryesor. Biles avash-avash nisëm me e rrallu ndjekjen e “qarkullimit të lirë të gënjeshtrave”, kurse ‘Një pallto për babain tim në burg’ e zëvëndësuam me telenovelat latine më pak të dhimbshme, por mjaftueshëm dramatike, derisa, në një ditë të bukur, kompjuteri u bë çorba e thartuar e 24 orëve tona. Çuditërisht e pahezituar i shkurtuam edhe ritet e ciklit jetësor; lindjet u përkthyen në ahengje grash më zhurma tallavaje; martesat u fryen aq sa lypsej kredi për t’i përthekuar, ndërsa adetet e vdekjes erdhën duke u tkurrur aq sa 3 ditët e ‘të pames’ u konsideruan si të bollshme për ngushëllimin e familjarëve, të cilët nuk e kishin më për ‘borxh’ shpirtnor as mevludin e përparshëm. Pra, me a pa qejf, kish ardhë vakti me ndryshu, shumë duke u ndrydhë e fort duke harru.

Copy- Paste si Europa

Në valën përvëluese të ndryshimeve sociale, kulturore e politike, shqiptarët e vonuar duhej të nxitonin për t’u formatuar njëherë e mirë, sipas standardeve pa manual që vinin të rrëfyera prej njerëzish ‘të dalur e të shëtitur’ nëpër Europën e shenjtëruar. Turravrap, kush më shumë e kush më pak, thuaja njëzëshëm synonim shkëputjen me deje nga çdo mbetje e mundshme prej mendësisë së të qenurit të pushtuar dhe të dobët. Ndaj, stuhia e mendimeve ‘të përndritura’ që i shkundi shqiptarët e sapodalë nga lufta, pritej që së shpejti t’i çlironte ata edhe nga zakonet e adetet që i mbanin peng të së arnuarës botë. Thënë ndryshe, bashkë me markën (monedhën) që doli nga qarkullimi, sistemi kërkonte gatishmëri veprimi edhe në shpërfaqjet tona të jashtme, krejt si Perëndimi; pra, lypsej shkëputje rrënjësore nga e vjetruara!

Pa gjini. Pa fe. Pa fre. Me Emër. Pa mbiemër. Pa familje. Me bashkëjetues/e & eksperiment*ues/e. Pa lecka. Me lëkurë zbuluar. Pa përgjegjësi. Me liri t’pambaruar. Çdo kufi, duhej kufizuar.

Besa, ta flijoje vetën në procesin e modernizimit ish një biçim heroizmi në rrugën e gjatë, me gjemba të civilizimit. Nga ana tjetër, non stop thuhej sikur Europa me zor na priste neve; liridashësve të pakompromentueshëm, andaj nuk duhej ta zhgënjenim as veten e as tjetrin. Doemos, kush pat dy fije mend, e kuptoj vrik që asgjë nga këto nuk kishte lidhje direkt me Europën e as me civilizimin, përkundrazi ishte keqleximi i mozaikut me shumë të panjohura; mundësi ato, të mohuara e cunguara përgjatë viteve nën okupim.

Sinia e Amanetit dhe Heshtja prej Vullnetit

Në mbamendjen time të turbulluar, sofra e konakut tonë nuk shtrohej kurrë pa mos qenë të gjithë tok, rrotull saj. Temenaja e hyzmetit ndonjëherë edhe bëhej sfilitësh, por megjithatë kishte një lloj afrimiteti organik që na mbante të lidhur me rrënjët e të parëve, qoftë përmes rrëfenjave që buronin nga zemrat e çiltra të gjysheve tona; ose-ose shpesh edhe prej Heshtjes kanonike që imponohej nga hierarkia e burrave hijerëndë, që flisnin pak dhe shpesh nuk thoshin asgjë. Kush kishte çikëz fat e rritej me gjyshin mendjehapun edhe mund të fluturonte matanë kapexhikut; pa drojë e idhnim, se e priste ngrohtë krahnori i agait në kthim.

Familjet tona si sinitë e qëndisuna me bojna e ojna kishin gëzimet e pamohuara dhe thuaja përherë ishin kërthiza e AtdheDashurisë. Aty, gatuhej posaçëm, me urtni e esnafllëk, Amaneti për t’i dalë zot Vendit, ditënatë; aty ngjizej e para shkëndijë për ta dashtë çdo pëllambë Shqipërie, falun me hire prej Perëndie. Thënë kështu, Besa e dhënë ndaj Zotit dhe Dashuria për Tokën tonë ishin nyja dhe rruga jonë për tek Pafundësia. Ne u lindëm dhe u rritëm në djepin e ninullave prej qelibari që dëftonin Uratën e Shqipes siç e ka lënë i Pari.

Ajo shtëpi edhe sikur t’mos posedonte asnjë katandi, kishte mjaftueshëm Dashuri sa me luftu për një Shqipëri.

Rruga për të ruajtur pushtetin, kalon nëpërmjet terrorit

Ndonjëherë, Sinia e gdhendun si me porosi ose Familja e Idealeve të pasosura ish larg nga e Përsosura; por ama qe Kalaja ku mbahej fortë për mos të rënë kushtrimi ynë kombëtar. Kësisoj, unanimisht, kapërdihej shumica e ceneve që dilnin katërcipërisht; prej paditurisë dhe paaftësisë për të pranuar se asgjë përherë nuk mbetet e pandryshuar. Familja, pak nga meraku se mos “ngjasonte me armikun” dhe shumë nga frika së mos humbiste fara e fisit; prirej serbes kah ashpërsia dhe kontrolli absolut; zanate këto që akumuluan pakënaqësi e mllef ndër dekada. Kështu kjo familje e shtypur dhe e terrorizuar nga regjimi sistematik (për)dhunues; pa dashje, por me zarar, shpesh mund të përkthehej edhe në një “organizatë terroriste” kundrejt pjesëtarëve të vet.

E di, kjo nuk duhej të ishte thënë kaq brutalisht. Nana ime do mërzitej po ta lexonte prej meje; por shpesh e vërteta na nxit ta duam edhe më dinjitetshëm njëri-tjetrin sepse na shtyen të nxjerrim mësime prej të kaluarës; duke kërkuar vetet tona më të mira për të sotmen; meqë fundja, ne jemi veç tani; mu tani, në momentin që flasim, shkruajmë e lexohemi! Ca dekika mbrapa edhe mund të mos jemi hiç më.

Pra, e vërteta është se në familjet tona të kuruara nga jashtë me xixëllonja yjëzish jo pak herë ulërinte dhimbja e mërzia! Nuk qe dinjitoze jeta mes katër mureve për shumë gra e burra, fati i të cilëve duhej “paracaktu” prej pleqnarëve, shkollëdjegur. Të jetoje pa dinjitet dhe pa zë; të punoje duke lëshuar çdo bulzë djerse në dorën e dikujt që nuk luante vendit; të mbyllje kapituj të tërë ëndrrash e shprese për hatrin e një mendjeje të vyshkun; s’ishte dhe as ka për të qenë ndonjëherë e lehtë e as njerëzore. Por edhe kështu jetohej. Po, edhe kështu skallavërohej njeriu! Vetëm se i pari i kësaj pune; thellë-thellë dro akoma se ka kuptuar mallkimin e një brezi, të cilin e ka shkrumbuar.

A ishin shumë në numra këto familje? Nuk mund të thuhet me siguri në ishin shumë o në ishin pak, por zallamahia që u krijua fill mbas vitit 2000 nëpër dhëmbë sikur la të kuptohej që kjo shoqëri kishte probleme të shtresëzuara, të mohuara dhe të paftilluara, e rrjedhimisht revolta do bëhej e vështirë për t’u menaxhuar. Jeta në bashkësi, ani që kishte të mira të pafundme – vlerat e së cilave i kuptuam vetëm pasi ishim bërë prindër vet; në fazën e hershme të transformimit social, dukej se dha efekt të konsiderueshëm tek këmbëngulja e çifteve të reja për të ndërtuar familje numerikisht të vockla dhe sa më larg familjes bërthamë. Paralelisht, u vu re edhe mania sociale/kulturore për t’i nxjerrë jashtë Kosovës djemtë dhe vajzat e reja përmes martesave me shqiptarët në mërgim, përplasjet e të cilave jo rrallë herë i kemi parë të materializohen në përfundime gati tragjike.

Megjithatë, për hir të së vërtetës, kur krahason familjen në Kosovë me një familje të ndrydhur e të traumatizuar prej komunizmit enverist në Shqipëri, kupton, përmes dhimbjes dhe kujtimeve, që diktatura e ka coptëzuar ndjeshmërinë dhe arsyen e qenies njerëzore. Frika, dyshimi, paranoja dhe varfëria i kanë gjunjëzuar familjet; i kanë tjetërsuar bashkësitë duke i minuar themelet bazë të qelizës së shoqërisë – mënyrë kjo për ta përmbysur çdo lloj rendi human deri në arritjen e centralizimit të pushtetit rrotull duarve të vetëm një individi – i cili guxon edhe të hamendësoj se është perëndi mbi Tokë.

Ky ‘Njeri i Ri’ që ndërtohet duke u zhveshur prej çdo cilësie hyjnore jeton mes hjekave, barbarisë dhe zhgënjimit, detyrimisht i bindur ndaj pushtetit dhe i bombarduar prej propagandës që servilet nga sovrani absolut. Njeriu i Ri – anise e ka hedhur petkun e rëndë të të qenurit askushi mbi kraharorin e boshatisur prej Mëshirës dhe Drejtësisë; sërish në brendësinë e tij të panjollosur, ndjenë boshllëkun dhe mungesën e Dritës. Kambanat e shpluhurosjes së Shpirtit bien ndën Ezanin e harruar; por Familjet nuk e kanë të lehtë VetVeten për ta pranuar.

Të ndodhur në udhëkryqin e pikëpyetjeve të mëdha; shqiptarët përgjatë tranzicioneve të stërgjata as arritën të çliroheshin e as pranuan tërësisht të robëroheshin! Ne ishim dhe mbetëm, as mish e as peshk.

Gratë që e ndrruan Botën

(në kujtim të grave që sot nuk janë, por Fjalët e tyre Jetë kanë)

Kah fillimmoti, njeriu priret me e banji shoshitje të menimeve që i ka grumbullue, fal frymimit e gjallnimit, mbi Tokë. Kështu, tek po i baja shah-mat vetës, si përhera, si gjithnji, si dje, si sot e si nesër, e shtrova nji sofër muhabeti me gruan – pehri, jeta e së cilës ish pasqyrë qelibari për shpirtat e butë. Ajo, që busulla, sahati djellnor dhe ma i gjani det i ditunisë së loçkës për tanë njerëzit që lexojnë mes rreshtash dhe jetojnë tej përkohshmënisë. Ajo, anise ish martuen’katund në do vite jo krejt të kollajta, tuj e lshue kshtu shehrin mrapa krahësh t’forcuem me hjeka e mund, mrekullisht, dinte se si me meremetue gzimin e mrenshëm. Edhe sot, ruej para syve ca blloqe shënimesh mbi fletat e së cilëve, duart e saja prej florini e derdhnin dashninë e xhanit ndën forma kaligrafish hynjore. Netëve të gata, mbas ninullave pamuk, ajo, andrrueshëm e rrokte lapsin dhe fluturonte lirshëm n’qjellnat pa dryna.

Zatën, kur u bamë me vendue çantën n’krahë, prej nesh e para gja (në mos edhe e mrama) që lypsej ish, me shkruejt bukur! Pra, Bukurshkrimi! Me e kallzue të vërtetën, krejt vonë e kam kuptue se me gjasë, ajo Zemër Hanore e dinte se fëmija ba me pasë durimin me shkruejt bukur; edhe munet me i mrrie te tana! Përndryshe, honedon, e Bukura e nusnuemen’Fjalët e trandofilta që i dilnin si xixëllonja prej matunisë e urtnisë, diftonte për Frymën e nji Gruaje të përmushun shpirtnisht! Fundja, Ajo ish Shpirt i knuem n’menime tepër të nalta! Cingla – minglat e përbotnisë, as që i hynin n’syna. Ajo, kurrë s’fliste dëngla. Kish nji Sy të tretë përmes së cilit e çplonte kuptueshmërinë e përbotme, tjetërsojshëm. Fjalët, si Amanet i zgidhnin nyjat e hatrimit dhe lidhnin zemra me ernat e paqtimit.

Ajo, asnjiherë nuk krekosej me të arritunat a medaljet e fëmijëve; anise krejt jetën e dha’ mbas rritjes dhe maturimit të tyne. Mburrja ish e tepërt për sojin e saj të açikuem. I mjaftonte korrja e sukseseve nga mbjellja e edepit me nur hyjnor. Ndofta ndaj asnjigzim mbi dynja, për atë s’mund të rrinte sipër dhimtës së tjetrit. Në vdekje, ish zonjë e rrallë. Në gaz’ hare e pasosun! Nuk shkelte kurrë duke rritun mend; nuk shkelte asnji, me o ba vetes vend! Ish e Para, paçka se rrinte përherë e Mrama! Ajo, rrezëllonte paqtim e prehje! I mjaftonte, Vetja!Besa, ish ma e fortë se tanë burrat e shpisë ku qe rritun! Për asnjigjan’dynja nuk bani tregti me zemren e çikave. Asnjiherë! Ish e sertë me gratë që banin hile dhe tepër e rreptë me burrat që rrnonin ndën hije. Si pak gra, ajo u ba krahu e forca e grave të tjera! Nuk e verbnojzanin para padrejtsive! Asgja s’mund të baheh ma e rëndësishme për ta sesa e Drejta dhe e Mira! Në fakt, qe gatu n’krahë melekesh për me jetu me nder! Ndaj, Loçkë e saja nuk e njohu mllefin, xhelozinë, inatin, smirën e mëninë!Prej saj vezullonte Dritëza e Dashnisë për nxanien e urtnisë dhe ditunisë! Qe, Kandil i udhëve të ërrta! Aroma e stinëve të lehta! Zani që të shtyen me frymu n’Liri e n’bahçe të vadituna me shumë Drejtsi!

Nga makami i Dashnisë, ajo qe gruaja që me Shpirt na mësoj se me rrnu për së vdekuni dhe me frymëzu prej Parajse, nuk qenka njisoj!

Do ishte e pandershme të mbyllje sytë përballë një bekimi të pamatë që shoqëritë tona e kanë gëzuar me shekuj të tërë, anise pak herë i dhanë hakun dhe lavdinë! Familjet shqiptare, me gjithë mangësitë dhe pengesat që patën, i mbajti lartë veçmas Dashuria, Përkushtimi dhe e Dhanuna djellnore e grave tona! Gratë që nuk patën fat të realizonin ëndrrat e veta; u dhanë mbas fëmijëve të tyre, duke i përgatitun ata për Jetën dhe Kohën. Të tilla gra, të pafundme në numër, ndoshta janë Shkaku që kjo shoqëri, sot, mbahet akoma me mëshirë e mirësi. Të tilla gra, ndonëse të pa’za në familjet e veta; të papërfillshme prej grave të tjera, heshtjen pelin e kthyen në Frymë! Gratë si këto, rrisin djem fjalëbutë dhe gatisin vajza mendjeshkruar! Gratë, të padukunat, nuk u dorëzuan kurrë! Ato, njohëset e mrekullueshme të Amanetit dhe bojnave të Jetës, nga kjo Botë dhe Matanë, janë frymëzimi që familje mbanë!

Pasqyrat e thyera dhe yrnekët që mungojnë!

Dëshira për të arritur majat e kësaj jete, dro ikën vetëm pasi të ketë shtegtuar Shpirti për në Folenë e Përjetnisë. Atëherë mundet se vyshken përpjekjet dhe kësaj bote i mbetën vetëm nishanet e Udhëtarëve të Përkohshëm! Mbetën Fjalët dhe Veprat qëçelin përmes fëmijëve tanë! Mbeten emrat tanë përmes Zemrës dhe Shpirtit të tyre! POR, këta fëmijë asnjëherë nuk do jenë NE siç ne do të donim a do t’i detyronim!

 

Fëmijët tuaj nuk janë fëmijët tuaj.

Fëmijët janë bijtë dhe bijat e dëshirës së jetës për veten.

Ata vërtet vijnë nëpërmjet jush, por jo nga ju,

Ndonëse me ju rrinë, juve nuk ju përkasin.

Dashuri mund t’u jepni, por mendimet tuaja jo,

Sepse ata kanë vetë mendimet e tyre.

.

Mund të rrekeni të jeni si ata, por mos u mundoni t’i bëni si veten.

Sepse jeta mbrapsht nuk ecën, as me të djeshmen nuk vonohet.

Ju jeni harku, prej të cilit si shigjeta të gjalla fëmijët tuaj u lëshuan.

.

Drejt pafundësisë e hedh Harkëtari shigjetën,

Ai me fuqinë e Tij ju tendos, që sa më larg e më shpejt shigjetat e Tij të fluturojnë.

.

E gëzueshme qoftë tendosja juaj në duart e Harkëtarit;

E do Ai shigjetën që fluturon, por po ashtu do edhe harkun që qëndron.

(Khalil Gibran)

Në një kohë të pakohë, në vende të vogla me të kaluar traumatike që i tejkalon bëmat heroike e historike, Shqiptarët mbetet të rikthejnë shikimin kah rrënjët e së Vërtetës! Njimend, ndër mote ne i thyemë pasqyrat e përkryera prej së cilave edhe mund ta kishim kundruar jetën ballëhapur! Ne, thyesitë e pasqyrave nuk i lamë shumë vend çeljes së Dashurisë, përhapjes së Diturisë dhe lartësimit të Urtnisë! U turrëm kah asfalti pa fund e pa krye; me mendjen e rreme se çdo gjë e kaluar duhej ndryshuar! Ne vërtetë jetuam mes skamjes e diktaturës por harruam se mund ta rigjenim vetëm në ciflat e açikuara, aty ku shkëlqente akoma Shpirti dhe Dinjiteti. Me të thyer pasqyrat, ne mëtuam tëarnonim yrnekë me vrima; prej të cilëve as mbajtëm e as ruajtëm gjë! Në modelet tona të deritanishme, ne qorrazi kërkuam asgjë. Duke i lënë në hije modelet më të paqta të Njerzimit, ne i kthyem familjet tona nëpërrua të thatë. Duke gjëmuar botë në hije, familjet tona u kthyen në sofra pa shije. Ne e humbëm fillin mes pleqnisë dhe rinisë, në kërkim të‘Europës’ së askujt. Duke e urryer veten, ne nuk ia dolëm ta rrëzojmë diktaturën dhe as sistemin nihilist. Prijësit tanë; kurrë nuk panë nga ne – me Shikimin që kullon prej Dashurisë për Tjetrin. Sot, me gjasë, i vetmi shqiptar që zemra i gufon Dashuri tamli është shqiptari i Maqedonisë së Veriut; ai që Kosovën dhe Shqipërinë e sheh si jetimi shtëpinë!

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X