loader image
May 21, 2024

Superfuqia e ardhshme globale nuk është ajo që mendoni!

Prof. Ian Arthur Bremmer – një shkencëtar politik amerikan i fokusuar në rrezikun politik global, në qershor të vitit të kaluar në “Columbia University”, mbajti një fjalim që meriton vëmendje të veçantë me titull “Superfuqia e ardhshme globale nuk është ajo që mendoni”. Fjalimi i tij përmban disa çështje të rëndësishme, për të cilat shumica e njerëzve të rëndomtë nuk i kanë të njohura. Nëse jeni mbi 45 vjeç – thotë Bremmer-i – ju jeni rritur në botën që dominohej nga dy gjigantë: SHBA dhe BRSS dhe kjo ishte bota bipolare! Nëse jeni nën 45 vjeç, jeni rritur në kohën kur BRSS-ja ishte shembur dhe kishte lënë SHBA-në si superfuqinë e vetme, duke dominuar institucionet globale dhe duke na dhënë një botë unipolare. Para 15 vitesh gjërat u ndërlikuan. 

Shkruan: Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork

Një vit pas ngjarjeve të 11 shtatorit (2001), Raporti i Zhvillimit Njerëzor analizoi perspektivat për thellimin e demokracisë në nivel global. Raporti vuri në dukje një rritje të pluralizmit në politikën botërore, si dhe suksesin e aktivistëve të shoqërisë civile në sindikata, organizata joqeveritare dhe fushata transnacionale në arritjen e ndryshimeve të qeverisjes globale, të lehtësimit të borxheve, të aksesit thelbësor farmaceutik dhe në zbatimin e të drejtave njerëzore. Raporti theksoi njëkohësisht nevojën për të reformuar institucionet ndërkombëtare duke forcuar përfaqësimin në to, duke krijuar rregulla me të drejta vendimmarrjeje dhe duke rritur përgjegjshmërinë [Human Development Report 2002]. Sot, qeverisja globale ka një sfidë të re dhe po na jep dëshmi të kohëve të trazuara që ngjallin gjithnjë e më shumë ankthe! Shumë tendenca globale po përfshijnë një botë në transformim, në një periudhë ripërshtatjeje të shpejtë në politikën botërore brenda modeleve të gjera të ndryshimeve makro-historike [Tufekci & Dag: 2022].

Natyrisht, këto janë plane afatgjate të cilat ndryshojnë bashkë me interesat gjeopolitike, por në ndryshimin e këtyre interesave, duhet të përgatitet si justifikim një “armik”, me të cilin duhet të përballemi dhe të gjejmë pretekst sa herë na paraqitet nevoja për ndërhyrje luftarake. Pas rënies së Paktit të Varshavës dhe Bashkimit Sovjetik, ky armik u theksua të jetë Islami dhe pasuesit e tij – muslimanët, bashkë me vendet dhe pasuritë e tyre. Në një artikull në “New York Times” [11 mars 1990] thuhej tekstualisht se: “Tani që vumë në gjumë komunizmin, duhet të shpikim një kërcënim tjetër të tmerrshëm” [Pipes:2003, f.15]. Gjashtë vjet më vonë (1994), Fred Hollyday e gjeti “armikun e kërkuar” duke u shprehur qartë: “Mbasi mori fund Lufta e Ftoftë, duket se rivalitete të tjera do ta zëvendësojnë atë dhe njëri prej tyre është ai midis Islamit dhe Perëndimit…” [Halliday:1996, f.2]. Dhe më në fund Stewart Syme (2004 qartësoi se: “Fundamentalizmi (Islamik H.M.) ka zëvendësuar gogolin e komunizmit, për të trembur ndërgjegjen perëndimore”. Në kërkim të këtij armiku, me qëllim të justifikimit të politikave e armatimeve, erdhi në skenën politike libri gjeopolitik i Samuel Huntingtonit “Për­plasja e Civilizimeve” (1996), ngjashëm me teorinë gjeopolitike të Karl Haushoferit (1869-1946) dhe Albrecht Haushoferit (1903-1945), që u keqpërdor nga nacional-socialistët gjermanë për justifikimin politik të një kryqëzate të re!

Nëntë ditë pas sulmit të 11 shtatorit, Presidenti W. Bush iu drejtua një sesioni të përbashkët të Kongresit për të përshkruar “luftën globale të Amerikës kundër terrorit” dhe për t’ia drejtuar gishtin Osama bin Ladenit si të dyshuarin kryesor të saj. Bin Ladeni u përgjigj me një videokasetë të transmetuar më 7 tetor 2001 nga televizioni Al-Jazera. Të dy fjalimet ndajnë ngjashmëri të jashtëzakonshme. Secili udhëheqës fajëson tjetrin si shkaktar të dhunës dhe shkatërrimit në botë, në përgjithësi, dhe kundër vendit ose popullit të tij, në veçanti. Të dy u deklaruan kolektivisht të pafajshëm, të viktimizuar, të virtytshëm, të moralshëm dhe racional, duke akuzuar tjetrin si djallëzor, vrasës dhe barbar [Unger:2004].

Në krye të kësaj politike globale qëndron konglomerati mediatik. Kur e pyetën një ish diplomat të OKB-së se  “Si lindin luftërat?”, ai ishte përgjigjur: “Diplomatët gënjejnë gazetarët dhe pastaj besojnë atë që lexojnë në gazeta”. Ky konglomerat ka arrirë në atë gjendje, sa të mund të ndryshojë mentalitetin e shumë njerëzve [Bagdikian:1982, f. xxv]! Ron Insana i thoshte shikuesit të CNN-it se: “Shumica e popullit nuk kupton se deri të marrë vesh rrezikun në të cilin gjendet, gjithçka ka mbaruar” [Alterman:2004, f.125]. Një gazetar i një kanali televiziv kishte deklaruar: “Qëllimi i gazetarisë sot është që të shkatërrojë të vërtetën, të gënjejë, të çorodisë, të bjerë nën këmbët e eprorit dhe ta shesë veten për kafshatën e gojës. Ne jemi vegla të pavlera të të pasurve… Ata dirigjojnë – ne vallëzojmë. Talenti ynë, mundësitë tona dhe jeta e jonë është pronë e tyre. Ne jemi prostituta intelektuale…” [INDEX on Censorship, Vëll.30, Nr.1, Janar 2001, f.10]. Në vitin 2000 “Pew Research Center” nxori studimin, sipas të cilit më shumë se 40% e gazetarëve bëjnë vetëcensurë në shkrimet e tyre ose për të zbutur tregimet mbi të cilat shkruajnë ose për interesin e organizatave për të cilat punojnë [Self Censorship, 30.04.2000]. Sikurse thoshte editori për “Columbia Journalism Review” “E vërteta rreth vetëcensurimit të gazetarit është se është shumë e përhapur dhe nën presion të vazhdueshëm, një virus ky që po e ha misionin e gazetarit…” [“Columbia Journalism Review” Maj – Qershor 2000]. Tom Johnson, ish publikues i “Los Angeles Times”, më pas president për CNN, shkruante: “Nuk është gazetari as editori, por pronari ai që vendosë dhe kualifikon lajmin… Janë ata që në të shumtën e rasteve e seleksionojnë, e marrin apo e pushojnë editorin… Ata madje caktojnë edhe profitin që duhet të kenë nga konglomerati i tyre mediatik..” [Kovach & Rosenstiel: 2001; f.63]. E. W. Scrips-i shkruan: “Shtypi i vendit është tani dhe gjithnjë ka qenë e dominuar nga një pakicë njerëzish shumë të pasur, të cilët për të mos mbetur të varur, nuk mund t’u japin njerëzve informata të sakta, për të manipuluar me realitetin dhe për të ruajtur pozitën e tyre që kanë…” [Bagdikian: 1992; f.127]. Kështu ka ngjarë gjithnjë, kur perandoritë janë mbushur me djallëzi, kur kanë krijuar frikë, urrejtje e gënjeshtra, kur “të mëdhenjtë” janë shndërruar në përbindësh që kanë predikuar “demokracinë” me zjarrin e armëve [Cassidy: “Alas America”, 11.11.2004].

Realiteti i ri, pas rënies së Paktit të Varshavës edhe pas “Përplasjes së Civilizimeve”, solli në qendër të vëmendjes togjet “terrorizëm islamik”, “terroristë muslimanë”, “fundamentalizëm islamik” etj., gjithnjë duke e përfshirë Kur’anin si frymëzues të këtij “revolucioni terrorist” të muslimanëve! Huntington-i shkroi se: “Jo vetëm fundamentalizmi islam, por vetë Islami është problem që shkakton konflikte luftarake ndërmjet civilizimeve në konceptin e Zotit… Civilizimi islam është i ndryshëm prej atij perëndimor, me të cilin është mësuar ky popull, prandaj konflikti i këtyre civilizimeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sikur katërmbëdhjetë shekuj më parë… Madje edhe tani është e qartë se ndodhemi para një lufte të ashpër ndërmjet tyre…” [Hungtigton:1996]. Më 10 gusht 2006, kanali televiziv CNN citonte fjalët e Bushit se Amerika “…është në luftë me fashistët islamikë...”, kurse një muaj më pas, në takimin e 61-të të OKB-së ai tha se: “Amerika e respekton Islamin”! Konglomerati mediatik pastaj vazhdoj “lojën” e saj të zakonshme për “Islamin intolerant” [Spencer:2006], për “gabimet politike të Islamit”. Këtë “argument” e mbështet edhe në botimet tjera, ku merret me “udhëzimet e gabuara politike të Islamit” [Spencer:2005], për “përparësitë e Krishterimit mbi Islamin” [Spencer:2007], për rrezikun e “Islamit radikal” që po kërcënon Amerikën [Spencer:2008], etj.

Nga pozita e lartë kërkimore dhe analizuese e politikave botërore, Seyom Brown-i pati shkruar: “Shpjegimi i transformimit të politikës botërore” [International Journal, #2/1991, f. 207-219], duke hedhur një qasje hegjemoniste të politikave botërore dhe duke analizuar rrjedhat qendrore të cilat tipikisht janë cituar nga Thucydides në shekullin e pestë: “Të fortët bëjnë atë që munden, të dobëtit vuajnë atë që duhet”! Në këtë kontekst, marrëdhëniet në politikën botërore ndahen në dy kategori të dallueshme: vetvetja (e fortë) që vendos “sunduesit e lojës” që tjetri (i dobëti) duhet t’i luajë. Nëse pajtueshmëria dështon ose, më keq, nëse ndodh shkelje e plotë (e lojës), pason “disiplina” e lojtarit! Në këtë mes, institucionet ndërkombëtare (si OKB-ja) nuk mund të ndihmojnë! OKB-ja mund të dëgjojë vetëm një zë dhe ai është zëri liberal anglo-amerikan. E themeluar mbi parimet klasike liberale dhe e pajisur me ata që i janë veshur perandorisë neoliberale, OKB-ja, në thelb, e favorizon traditën judeo-politike dhe etike, ndërkohë që muslimanët, për shembull, mund vetëm të flasin, por nuk mund të dëgjohen!

Në vitin 2015, Chris McGreal në “The Guardian” pati botuar një artikull me titullin “Rënia e gjatë dhe e trishtë e Kombeve të Bashkuara”. Kjo rënie cilësohet veçanërisht në aspektin politik dhe lidhet në rend të parë me të drejtën e çdo anëtari dominues të Këshillit të Sigurimit me fuqinë absolute për të vënë veton ndaj çdo nisme. Kështu OKB-ja mbetet vetëm një arbitër i përfaqësimit të drejtë të fjalës së lirë, të procesit të rregullt ligjor dhe votimit demokratik për komunitetin botëror, por qëndron vetëm si përfaqësuese e perandorit neoliberal duke përqendruar internacionalizmin liberal si diskurs legjitim vetëm për debat institucional! Normat, praktikat dhe traditat e tjera, nuk mund të marrin pjesë si burime të barabarta të shqyrtimit të ndikimit. Megjithatë, kjo erë e fitores imperialiste zbehet me fillimin e saj.

Në vitin 2009, në librin “Transformimi i Politikës Botërore – nga Perandoria në një botë të shumëfishtë”, Anna M. Agathangelou nga Fakulteti i Arteve Liberale dhe Studimeve Profesionale në Toronto dhe L.M.H. Ling, një teoricien dhe studiues politik, kanë ofruar një pikëpamje kritike të politikës bashkëkohore botërore, duke argumentuar një qasje neoliberale ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare në lidhje me projektet e pushteteve dhe tjetërsimeve. Këto projekte kanë ofruar pak mundësi për emancipim dhe, për rrjedhojë, shumë mendojnë se nuk kanë zgjidhje tjetër, përveç “hakmarrjes kundër dhunës me më shumë dhunë” [Agathangelou & Ling: 2009]! Ata artikulojnë boterizmin si një qasje alternative ndaj politikës botërore, duke i ndërthurur traditat joperëndimore e perëndimore dhe duke i mbështetur në qasjet marksiste, postkoloniale, feministe dhe kritike të sigurisë. Shprehin mendimin se politika bashkëkohore botërore nuk mund të kuptohet jashtë trashëgimive të këtyre botëve të shumëfishta, duke përfshirë boshtet e pushtetit të konfiguruara nga gjinia, raca, klasa dhe kombësia, të cilat vetë janë të lidhura me historitë e mëparshme të kolonizimeve dhe formacionet e tyre bashkëkohore. Me metoda eksploruese, autorët bazohen në qasjen e tyre të “botëve të shumëfishta”, e cila mbetet interes jetik për studentët dhe studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, të shkencave politike, të studimeve postkoloniale, të teorive sociale, të studimeve të Bashkimit Europian dhe Mesdheut, të studimeve të sigurisë, etj.

Natyrisht, si në çdo gjë tjetër, edhe në skenën politike gjërat ndryshojnë me kohën. Në çdo fushë, vendet në zhvillim kanë interesa kolektive të qarta dhe sfida të fuqishme për qeverisjen globale. Zhvendosje globale e këtyre fuqive drejt ekonomive në zhvillim janë bërë më të dukshme. Kina dhe ekonomitë e tjera në zhvillim kanë krijuar marrëdhënie më të thella dhe më të forta ekonomike me fqinjët dhe me gjithë botën në zhvillim. Ata kanë zgjeruar me shpejtësi tregjet dhe prodhimin e tyre globale. Përveç Kinës, Brazili, India dhe Federata Ruse janë të përqendruara në shtet-qeverisjen e tyre dhe ruajnë sovranitetin e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare. Duke u mbështetur në aksesin e tyre të tregut global, natyrisht që do të kërkojnë gjithnjë e më shumë rregulla globale për ta mbrojtur atë akses. Një shpjegim më të gjerë në këtë kontekst e jep studimi “Transformimi i qeverisjes globale për shekullin XXI” të redaktuar nga N. Woods, A.Betts, J. Prantl dhe D. Sridhar [United Nations Development Program, Occasional Paper 2013]. Aty shpjegohet se nga viti 2009 u krijua blloku koheziv gjeopolitik BRICS nga Brazili, Rusia, India dhe Kina, që më pastaj iu bashkuan edhe Afrika e Jugut, Egjipti, Etiopia, Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe [“Bloomberg”, 8.11.2015]. Anëtarët e saj të kombinuar përfshijnë rreth 30 për qind të sipërfaqes së tokës në botë dhe 45 për qind të popullsisë globale [N. Woods, A.Betts, J. Prantl & D. Sridhar: 2013]. Janë edhe 15 vende të cilat kanë aplikuar zyrtarisht për t’u bashkuar [BBC, 1.02.2024], ndërkohë që edhe 40 vende të tjera kanë shprehur interes për t’u inkuadruar [VOA, 21.07.2023].

Prof. Ian Arthur Bremmer – një shkencëtar politik amerikan i fokusuar në rrezikun politik global, në qershor të vitit të kaluar në “Columbia University”, mbajti një fjalim që meriton vëmendje të veçantë me titull “Superfuqia e ardhshme globale nuk është ajo që mendoni”. Fjalimi i tij përmban disa çështje të rëndësishme, për të cilat shumica e njerëzve të rëndomtë nuk i kanë të njohura. Nëse jeni mbi 45 vjeç – thotë Bremmer-i – ju jeni rritur në botën që dominohej nga dy gjigantë: SHBA dhe BRSS dhe kjo ishte bota bipolare! Nëse jeni nën 45 vjeç, jeni rritur në kohën kur BRSS-ja ishte shembur dhe kishte lënë SHBA-në si superfuqinë e vetme, duke dominuar institucionet globale dhe duke na dhënë një botë unipolare. Para 15 vitesh gjërat u ndërlikuan pak më shumë, kur SHBA-ja më pak donte ta luajë “policin e botës” dhe më pak “arkitektin e tregtisë globale”, ndërkohë që vendet e tjera po bëheshin më të fuqishme dhe mund të injoronin gjithnjë e më shumë nga rregullat që nuk u pëlqenin, ndonjëherë edhe duke vendosur vetë rregulla të reja.

Ndodhën tri gjëra! Së pari, Rusia si një ish-fuqi e madhe tani në rënie serioze, nuk ishte e integruar në institucionet perëndimore. Së dyti, Kina u integrua në institucionet e udhëhequra nga SHBA-ja me supozimin se ndërsa bëheshin më të pasur dhe më të fuqishëm, do të bëheshin amerikanë. Rezultoi që ata janë ende kinezë, për çka amerikanët nuk janë të kënaqur! Së treti, dhjetëra-miliona qytetarë në SHBA dhe demokracitë e tjera të pasura u ndjenë të lënë pas nga globalizimi dhe kjo u injorua për dekada, sa gjithnjë e më shumë krijuan bindje se qeveritë dhe udhëheqësit e tyre ishin më të paligjshëm. Nëse shikoni kryetitujt në botë sot, duke nxitur të gjitha këto tensione dhe konflikte gjeopolitike, mbi 90 për qind e tyre janë për shkak të këtyre tre arsyeve! Dhe, kjo është arsyeja pse sot jetojmë në botën pa udhëheqës. Por, siç e dimë, kjo nuk do të jetë me ne për shumë kohë. Pra, çfarë vjen më pas?

Ajo që do t’u them – thotë Bremmer-i – do t’ju befasojë, sepse sot nuk kemi një botë bi-polare apo njëpolare ose edhe shumëpolare. Nëse nuk kemi një ose dy superfuqi, nuk kemi një rend të vetëm global. Sot ne kemi rend global të sigurisë, ku SHBA-ja dhe aleatët e saj janë më të fuqishmit në të. SHBA-ja, si asnjë vend tjetër i botës, janë i vetmi vend i cili mund të dërgojë ushtarë, marinarë dhe pajisje ushtarake në çdo cep të botës! Ndërsa Kina po rritet me aftësitë e saj ushtarake në Azi, aleatët amerikanë janë të shqetësuar dhe, si pasojë, po bëhen më të varur nga SHBA-ja si ombrellë sigurie. Me pushtimin rus të Ukrainës, aleatët e SHBA-ve në Europë u bënë më të shqetësuar dhe më të varur nga SHBA-të. Rusia dhe Kina dhe të tjerët posedojnë armë bërthamore, por falë Zotit ende është vetëvrasje për atë që do ta përdorë! Ka të ngjarë që rendi unipolar i sigurisë të mbetet i ngjashëm edhe për dekadën që kemi përpara, por ka edhe një rend ekonomik global dhe këtu ndahet pushteti!

SHBA-ja, që ende është një ekonomi globale, nuk mund ta përdorë pozitën dominuese ushtarake për t’u thënë vendeve të tjera se çfarë të bëjnë ekonomikisht, ndërkohë që me Kinën janë jashtëzakonisht të ndërvarura ekonomikisht dhe nuk mund ta kontrollojnë njëra-tjetrën. Ju mund të habiteni, por sot marrëdhëniet tregtare SHBA-Kinë janë në nivelin e tyre më të lartë historik. Shumë vende të botës duan akses në muskujt ushtarakë të SHBA-ve, por njëkohësisht duan akses në tregun kinez, i cili deri në vitin 2030 ka të ngjarë të jetë më i madhi në botë. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian e ka tregun më të madh të përbashkët dhe ata i vendosin rregullat të cilat duhet t’i respektoni nëse dëshironi të bëni biznes fitimprurës. India luan një rol më të madh ekonomik në skenën globale, Japonia ka rëndësi gjithashtu dhe gjatë dhjetë viteve do të ketë një rritje dhe rënie të kapaciteteve relative të këtyre ekonomive. Por, rendi global ekonomik është dhe do të mbetet një rend multipolar, kurse SHBA-ja do ta përdorë fuqinë e saj në një siguri kombëtare në përpjekje për të sjellë më shumë nga ekonomitë e botës drejt saj.

Të gjitha këto janë të njohura botërisht, por ekziston edhe një rend tjetër më pak i njohur, që do të vijë së shpejti dhe që është më i rëndësishëm nga të gjitha – është rendi digjital, një teknologji që ka përparuar më shpejt se çdo risi tjetër në historinë njerëzore. Në sektorin e shëndetësisë teknologjia digjitale po ndihmon për të shpëtuar jetë, për të diagnostikuar sëmundje dhe për të “zgjatur” jetëgjatësinë. Në arsim të mësuarit virtual po mundëson programe për studentët në distancë. Shërbimet publike po bëhen më të aksesueshme dhe të përgjegjshme përmes sistemeve të fuqizuara si rezultat i ndihmës së AI. Por, teknologjia ka reduktuar dukshëm fuqinë punëtore që mund të ketë ndikime të thella. Raportet nga grupe të tilla si McKinsey sugjerojnë se 800 milionë njerëz mund të humbasin punën e tyre për shkak të automatizimit digjital deri në vitin 2030!

Teknologjia digjitale, gjithashtu, mund të mbështesë politika dhe programe më të përgjegjshme dhe më të sakta, të cilat mund të përdoren edhe në sistemet ushtarake, por çështja është se ky rend a urdhër nuk drejtohet nga qeveritë, por nga kompanitë e teknologjisë. Dihet mbështetja ushtarake që vendet e NATO-s i kanë dhënë Ukrainës, por kompanitë e saj të teknologjisë u ofruan mjetet që i lejuan Ukrainën të mbrohet nga sulmet kibernetike ruse. Kompanitë e saj të teknologjisë që u dhanë liderëve ukrainas aftësinë për të folur me gjeneralët dhe ushtarët e tyre në vijën e frontit, pa të cilat Ukraina do të kishte falimentuar brenda disa javësh, kurse Zelensky do të ishte ende aty ku është! Kompanitë e teknologjisë përcaktojnë nëse Donald Trump-i është në gjendje të flasë me qindra miliona njerëz, ndërsa kandidon sërish për presidencën, kjo si pasojë e platformave të rrjeteve sociale, të cilat e lidhin pothuajse gjysmën e të gjithë popullsisë globale, u mundësojnë njerëzve të dëgjojnë zërat e tyre dhe të flasin me njerëzit në mbarë botën në kohë reale, por njëkohësisht mund të përforcojnë paragjykimet dhe të mbjellin mosmarrëveshje, duke i dhënë një platformë gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit!

Thënë ndryshe, algoritmi është një fuqi marramendëse në duart e këtyre kompanive teknologjike, por çfarë do të bëjnë ata me atë pushtet?! Kjo varet me cilën anë ata do të shkojnë ose nga cili vend to të jetë ajo më e sofistikuara! Nëse Kina dhe Shtetet e Bashkuara do të punojnë për të ushtruar më tepër pushtet mbi botën digjitale dhe kompanitë e teknologjisë në ato vende do të bashkohen me këto qeveri, ne do të përfundojmë në një luftë të ftohtë teknologjike dhe kjo do të thotë se rendi digjital do të ndahet në dysh. Nëse kompanitë e teknologjisë do të vazhdojnë me modelet globale të biznesit dhe ne do të ruajmë konkurrencën midis botës digjitale dhe asaj fizike, do të kemi një globalizim të ri, rendin global digjital. Nëse rendi digjital do të bëhet gjithnjë e më dominues dhe qeveritë do ta gërryejnë aftësinë e tyre për të qeverisur, ndërsa ne e kemi parë tashmë fillimin e kësaj, kompanitë e teknologjisë do të bëhen aktorët dominues në skenën globale dhe ne do të kemi një rend tekno-polar. Dhe, kjo do ta përcaktojë nëse do të kemi një botë me mundësi të pakufishme apo një botë pa liri.

Në këto teknologji shpërthyese dhe përçarëse nuk ka një buton “pauze”! Mund të ketë më shumë se 100 njerëz në botë sot, të cilët me njohuritë e tyre teknologjike kanë mundësi të krijojnë një virus të ri të lisë. Këta nuk janë vetëm aktora që vlejnë 50 ose 100 miliardë dollarë, por janë titanë teknologjikë më të fuqishmit në planet me ndikim të madh mbi të ardhmen tonë. Dhe, ne duhet të dimë a do të veprojnë ata me përgjegjësi derisa lëshojnë inteligjencë të re e të fuqishme artificiale? Çfarë do të bëjnë ata me këtë sasi të paprecedentë të të dhënave që po mbledhin për ne dhe mjedisin tonë? Dhe ajo që mendoj se duhet të shqetësojë si të gjithë – përfundon Bremmer-i – është se a do të vazhdojnë me këto modele reklamimi duke sjellë kaq shumë të ardhura që po i kthejnë qytetarët në produkte, po nxisin urrejtjen dhe dezinformimin dhe po shkatërrojnë shoqërinë tonë?!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X