loader image
December 12, 2024

Si të dështojmë?

Shumë njerëz nuk vjelin frutat që presin nga puna e tyre, jo sepse kanë qëllim të dështojnë, por nuk e zgjedhin metodën e duhur për të mbërritur atje ku synojnë. Përçuesit e ideve, mendimeve, me fjalën e tyre duhet të synojnë të zbutin zemrat e njerëzve, t’i çojnë udhës së reflektimit mbi të vërtetën e ekzistencës dhe rrugën e përmbushjes së saj. Metoda e duhur lidhet më së pari me qëllimin e pastër, por vetëm kjo nuk mjafton.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Askush nuk dëshiron të dështojë. Të gjithë duan të jenë të suksesshëm. Askujt nuk i pëlqejnë frutat e hidhura. Të gjithë duan të shkojë jeta vaj. Shumë flasin si të jemi të suksesshëm, por duhet ta dimë edhe si mund të shkojmë drejt dështimit, në mënyrë që të mos presim të dështojmë dhe pastaj të zgjohemi nga nanuritjet me sukses dhe të kuptojmë që paskemi dështuar. Koha dhe energjitë e shpenzuara nuk kthehen pas, prandaj duhet kujdes.

Bindja e patundur se do të jemi të suksesshëm

Të gjithë e dëshirojmë suksesin, madje i përqendrojmë energjitë tona në shërbim të tij. Ëndërrojmë sikur e ardhmja do të jetë pa diskutim e ndritur dhe se nuk ka forcë që të mund ta ndalë suksesin, pasi jemi duke punuar për të dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Është ky besim që gjeneron lëvizje, aktivitet, rendje. Situata në dukje është pozitive, por emocionale. Në jetën e përditshme nuk mund të shmangësh kushtet konkrete në të cilat jeton e vepron, njerëzit që të rrethojnë, burimet njerëzore dhe financiare, përgatitjen, profesionalizmin dhe ç’është më thelbësore dijen që të ruan dhe mbron nga mposhtja prej vetvetes. Proverbi na thotë se “nuk bëhen hesapet pa hanxhinë”. Të jemi ëndërrimtarë, të kemi besim në vetvete, por të jemi dhe realistë, në të kundërt do të rrahim ujë në havan dhe do të përfundojmë tek “Ku ishe? Asgjëkundi. Çfarë bëre? Hiç asgjë”.

Gjykimi i suksesit në terma sasiorë

Në sferën materiale suksesi gjithmonë vlerësohet me rritjen e sasisë së prodhimit dhe fitimit. Në përhapjen e ideve që na çojnë drejt së mirës dhe së drejtës suksesi nuk duhet vlerësuar në terma sasiorë. Të eturit për sukses i gëzohen sasisë së njerëzve që prezantojnë në ligjërime, dëgjesa dhe kjo sasi numerike iu rrit besimin në vetvete se janë në të duhurën. Ngazëllehen që fjala e tyre u dëgjua nga shumë njerëz, apo që shumë syresh sillen sikur e ndjekin shembullin e tyre me pikë e me presje. Është ndjesi mikluese, por krejt momentale. Shqetësimi kryesor duhet të jetë përcjellja me sa më shumë urtësi dhe kthjelltësi e mendimeve, ideve, që të tronditen zemrat që dëgjojnë. Thelbi ka qenë dhe do të mbetet kumtimi, cilësia e ideve dhe fjalëve dhe jo sasia e ligjërimit. Lakonizmi duhet të jetë bashkëshoqërues i kumtuesit. Nuk mund të flasim bar e kashtë dhe pasandaj të presim rezultate serioze në ndjekjen e ideve që na çojnë drejt së mirës e së drejtës. Po nëse flasim bar e kashtë se kështu iu pëlqen atyre që dëgjojnë, edhe rezultati në zemrat e tyre po njësoj do të jetë. Nuk ka vlerë sasia e ithtarëve, por karakteri, personaliteti dhe vlerat e atyre që na qëndrojnë përkrah.

Grup pune me yesmen

“Nëse do të shkosh shpejt shko vetëm, e nëse do të shkosh larg, shkoni së bashku!”, na thotë proverbi afrikan. Njeriu merr vlerë kur fjala dhe puna e tij rrezatojnë në bashkësinë ku jeton. Që idetë dhe punët të jenë sa më të arrira duhet kuvendim. Kuvendimi nxit të menduarin, analizën dhe sintezën, duke ballafaquar mendime të sjella nga këndvështrime të ndryshme. I gjithë procesi finalizohet me një mendim të pjekur, të urtë që do të jetë një tullë e fortë në jetën e njeriut dhe bashkësisë ku jeton. Nëse në kuvendim kemi vetëm yesmen-ë, analiza dhe sinteza nuk kanë për t’u realizuar kurrë në më të mirën e tyre, sado urtësi të ketë drejtuesi. Yesmen-ët janë shkatërrues të personaliteteve dhe ushqyes të së keqes. Për ta rëndësi ka të marrin pëlqimin e kaudiljos, lëvdatat e tij dhe janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë që iu ruan dhe mbron pozitat në sytë e tij. Janë miratues të heshtur dhe lavdërues të mendimeve të kaudiljos edhe kur mendimet e këtij të fundit janë thekër pa bukë. Nëse të shqetëson vlera e analizës dhe sintezës atëherë mblidh rreth vetes njerëz me karakter, lexues të vazhdueshëm, të urtë në gjykim, të kthjellët në vendime. Nëse të pëlqejnë miklimet, lëvdatat për “dijen” dhe “mençurinë” që beson se ke, atëherë mblidh rreth vetes yesmen-ët, por sado larg të shkosh, fundi është humnera e shtjellave të fundbotshme.

Metoda jo e duhur

Shumë njerëz nuk vjelin frutat që presin nga puna e tyre, jo sepse kanë qëllim të dështojnë, por nuk zgjedhin metodën e duhur për të mbërritur atje ku synojnë. Përçuesit e ideve, mendimeve, me fjalën e tyre duhet të synojnë të zbutin zemrat e njerëzve, t’i çojnë udhës së reflektimit mbi të vërtetën e ekzistencës dhe rrugën e përmbushjes së saj. Metoda e duhur lidhet më së pari me qëllimin e pastër, por vetëm kjo nuk mjafton. Ajo duhet të udhëhiqet nga durimi, vetëpërmbajtja, largpamësia. Padurimi, gjaknxehtësia dhe dritëshkurtësia rrënojnë të mirën dhe për rrjedhojë i shërbejnë së keqes. E mira e përçuar keq nuk mund të zë vend në zemrat e njerëzve, madje mund t’i largojë edhe më shumë njerëzit nga e vërteta. Kjo është metoda jo e duhur dhe kushdo që zgjedh këtë, edhe kur mund të ketë të drejtë, nuk do të mundë t’i bindë njerëzit për rrugën drejt së vërtetës.

Qëllimi

Qëllimi është themeli mbi të cilin ngrihet jeta e njeriut. Njeriu flet e punon për t’i shërbyer qëllimit të ekzistencës, kjo sipas mënyrës që e ka kuptuar këtë qëllim. Nëse qëllimi është përmbushja e ekzistencës nën dritën e kandilit të së vërtetës, atëherë njeriu do ta ushqejë këtë kandil me pastërti dhe sinqeritet. Nëse qëllimi është lëvdata e masave dhe mirëqenia me mashtrim, atëherë e gjithë ekzistenca e tij do të karakterizohet nga shuarja e etjes me ujë deti. I sinqerti duhet të jetë i kujdesshëm përgjatë gjithë ekzistencës për qëllimin. Mund të ndryshojë edhe pa e hetuar. Nëse vëren edhe luhatjen më të vogël drejt vetëpëlqimit, duhet të korrigjohet në kohë. Ndërkohë të tjerë syresh në duan të përmirësohen duhet të heqin dorë pastërtisht nga deformimi i qëllimit të vërtetë të ekzistencës.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X