Me thanë se kjo nismë është e rrezikshme është pak, sepse përçarja është krejt e mundshme dhe, si rrjedhojë, edhe cenimi i stabilitetit kombëtar. Kësaj i thonë me “rishiku” harmoninë ndërfetare mes shqiptarëve, ndërkohë që është nga të paktat dukuri për të cilën kanë qenë në nji za të gjitha qeveritë mbas ranies së komunizmit dhe e kanë përdorë (për kapital politik) dhe promovu shpesh kudo ku u është dhanë rasti, dhe kanë ba mirë që e kanë promovu, sepse është nji nga vlerat ma të randësishme që gëzojmë.
Edison ÇERAJ, Tiranë
Pavarësisht se a është e vërtetë nisma për të ashtuquajturin “shtet bektashi” apo është vetëm nji lojë e radhës, pas së cilës qëndron diçka tjetër, ideja e krijimit të nji shteti brenda shtetit është e pranishme tashmë, banon mes nesh, u artikulu, gjeti terren, ndoshta edhe u ngjiz dhe po pret stinën e përshtatshme?
Kjo nuk ka të bajë me nacionalizmin, por mbi të gjitha me ruajtjen e sigurisë dhe paqes në shoqërinë tonë, e cila ka vuajtur e vuan plagë të mëdha, ku ma e madhja është pa dyshim drejtësia, sistemi gjyqësor.
Me thanë se kjo nismë është e rrezikshme është pak, sepse përçarja është krejt e mundshme dhe, si rrjedhojë, edhe cenimi i stabilitetit kombëtar.
Kësaj i thonë me “rishiku” harmoninë ndërfetare mes shqiptarëve, ndërkohë që është nga të paktat dukuri për të cilën kanë qenë në nji za të gjitha qeveritë mbas ranies së komunizmit dhe e kanë përdorë (për kapital politik) dhe promovu shpesh kudo ku u është dhanë rasti, dhe kanë ba mirë që e kanë promovu, sepse është nji nga vlerat ma të randësishme që gëzojmë. Ndërsa tani na del se shteti i ri do t’i shërbejë harmonisë fetare! Madje, edhe nji revistë aq e njohur në nivel ndërkombëtar, si “The Economist” (e majtë), e kishte nji artikull me titullin “Hopes for religious harmony come to life in the Muslim Vatican”. Domethanë, sipas “The Economist-it”, në Shqipëri nuk paska harmoni fetare dhe shpresa për këtë na qenka te krijimi i nji shteti (bektashi) brenda shtetit!
Në këtë rast, ose kjo revistë nuk ia ka idenë se çfarë ndodh në Shqipëri, gja që vështirë me u besu, ose artikulli është lobim i atyre që u intereson ky shtet. E kujt i intereson ky shtet, nuk i intereson shteti shqiptar.
Nëse bektashinjtë do të kenë nji shtet të tyrin, pse të mos e kenë edhe komunitetet e tjera fetare apo kombëtare? Kështu u hapet rruga edhe të tjerëve dhe askush nuk mundet me e parashiku se çfarë mundet me ndodhë.
“Jo vetëm nuk sjell atë që pretendon kryeministri (tolerancën), por nxit përçarje fetare, gjë që deri tani nuk e shohim të ekzistojë. Rrezikohet krijimi i një precedenti që do të sillte tensione të panevojshme.” (Hekuran Budani)
Ka pasur jo pak raste ku është nxitur përçarja fetare mes shqiptarëve, me apo pa vetëdije qoftë, por nuk ka “dhezë” dhe kjo tregon pjekuri dhe maturi. Kurse rasti i të ashtuquajturit shtet bektashi është diçka tjetër; nuk është nxitja e radhës për përçarje fetare, por shumë ma tepër se kaq.
Kjo nismë tregon shumë për këtë qeveri, e cila është “trashë” tashmë në pushtet dhe me sa duket nuk din ma se çfarë ban; nuk kanë asnji lloj frike apo ngurrimi me ba çfarë t’u teket, mjafton që e shohin në interesin e pushtetit të tyre. Mbështetjen ndërkombëtare e kanë të pakursyer, opozita është në ditët ma të vështira të saj dhe, për pasojë, ndihen si pronarët e këtij vendi.
Ata e kanë tregu me kohë se kush janë dhe çdo gja mund të pritet prej tyre. Çështja është a po e tregojmë ne se cilët jemi? Secili e ka nji mënyrë për me thanë “jo”, por puna është te vetëdija, e jo te mënyra. Përndryshe, heshtja është miratim.
“Vetëm ti e ke në dorë me vendosë me jetu me nder. Ja cila duhet të jetë kredoja jote: Le të udhëtojë gënjeshtra nëpër botë, madje le të triumfojë, por jo përmes meje.” (Sollzhenjicin)