loader image
December 13, 2024

Shqiptarët me një komb dhe dy shtete nga tri aleanca

Meqenëse, kur u bë Shqipëria, aleatët ishin aty, por aleatët nuk u kursyen as për Kosovën dhe as për shqiptarët tjerë, pra, ndihma e aleatëve nuk mungoi as edhe kur Shqipëria synonte demokratizimin, Kosova lirinë, kurse shqiptarët në Maqedoninë e Veriut barazinë, atëherë nuk ka dyshim që edhe e ardhmja e shqiptarëve duhet të jetë me “aleatët perëndimorë”, sepse, cilido qoftë ridimensionimi i ardhshëm botëror, primatin do ta kenë shtetet të cilat e kanë në pronësi rrjetin e internetit, si dhe mjetet tjera të sofistikuara të telekomunikimit. Me këtë potencial zotërojnë shtetet të cilat njihen si “aleatët historikë” të shqiptarëve, pikërisht SHBA-ja.  

Mixhait POLLOZHANI, Strugë

Aleancat kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë gjithmonë. Meqenëse kuptimi kryesor i kësaj fjale lidhet me luftën, sepse në kohë të vështira, e posaçërisht në kohë luftërash, aleatët janë shumë të nevojshëm. Pikërisht në luftë aleatët bëhen miq ndërmjet veti dhe miqësimi i kombeve e rrit besimin e ndërsjellë dhe e përforcon dukshëm pozicionin politik dhe strategjik, në veçanti të partnerit më të pafuqishëm.

Ashtu si shumica e popujve (kombeve) në botë, edhe shqiptarët kanë një histori të gjatë dhe të pasur të bashkëpunimit dhe miqësive me aleatët e tyre në politikë dhe në segmente të tjera. Aleancat dhe miqësitë me kombet (shtetet) e tjera kanë mbijetuar një horizontale dhe vertikale asimetrike, por, megjithatë, epilogu përfundimtar i tyre rezulton të jetë pozitiv, para se gjithash në të mirë të shqiptarëve. Kështu, ka rezultuar dikur, kështu është aktualisht, por, mbase tingëllon ca profetike, kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Fatet e shqiptarëve ngushtë janë të lidhura me aleatët e tij. Pra, ja pse ekzistojnë aleancat, sa janë të rëndësishme ato, si kanë funksionuar dikur dhe sot ato dhe cilat është dobia e tyre për shqiptarët gjatë historisë. Falë përpjekjeve të mëdha që kanë bërë për ndërtimin e aspiratave të tyre, por të ndihmuar edhe nga tre aleancat e mëdha gjatë historisë, shqiptarët krijuan një komb dhe dy shtete. Por, ndihma e aleateve nuk mungoi as edhe kur Shqipëria synonte demokratizimin, Kosova lirinë, kurse shqiptarët në Maqedoninë e Veriut barazinë,

Kur u bë Shqipëria aleatët ishin aty

Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, populli shqiptar pësoi një periudhë të turbullt me ndërhyrje të shumta nga fuqitë e mëdha të kohës. Disa nga aleatët e rëndësishëm të Shqipërisë në këtë periudhë ishin: Austro-Hungaria, Mbretëria e Britanisë së Madhe, SHBA-të, Gjermania dhe, në momente të caktuara, Franca dhe Italia. Këto shtete janë disa nga aleatët e rëndësishëm të shqiptarëve, që përbëjnë tre aleancat e mëdha në një periudhë të rëndësishme në luftën për formimin e identitetit kombëtar dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Të gjithë aleatët luajtën rolin e tyre në ato kohëra shumë të rëndësishme për popullin shqiptar, por duhet veçuar disa nga momentet më të veçanta, që mund të thuhet se e bënë dhe e shpëtuan Shqipërinë nga zhbërja.

Pikësëpari, duhet veçuar Austro-Hungarinë, e cila, megjithëse shpesh kishte motive të veta për ndërhyrje në rajon, megjithatë shqiptarët i ndihmoi, duke u bërë një aleat i rëndësishëm i Shqipërisë. Vetëm të kujtojmë kontributin e shkollës gjermano–austriake dhe studiuesve të shquar të saj në konsolidimin e gjuhës shqipe dhe në ndërtimin e kombit shqiptar, si dhe qëndrimin e politikës së perandorisë austro-hungareze në krijimin shtetit të Shqipërisë. Për ta pasqyruar dobinë e kësaj aleance, do të ndalemi te një takim, sekretin e të cilit e pat zbuluar vite më parë në memoaret e tij At Zef Pllumi. Bëhet fjalë, pra, për takimin e mbajtur në nëntor të vitit 1912 në bibliotekën e familjes Andrassy në Budapest. Në atë takim thuhet se kanë biseduar Ismail Qemal Beu, asokohe ishkëshilltar shteti në Perandorinë Osmane, me Kontin Hadik, nënsekretar shteti për politikë të jashtme, dhe me Kontin Berthold, ministër i Jashtëm dhe njeriu më i rëndësishëm i diplomacisë së perandorisë austro-hungareze. Përpjekjet për ta bindur Ismail Qemalin që të heqë dorë nga ideja e “autonomisë” dhe të shpallë “pavarësi” të Shqipërisë më së mirë i spikat simbolika e dy batutave. “Po nëse nuk kam një shtizë ku ta var flamurin e pavarësisë së vendit tim, e pyet plaku me qetësi! – Atëherë merr një bajonetë austro-hungareze dhe vendose aty!, – i qe përgjigjur Konti Berthold, me po atë zë të ngadalshëm…

Shqipëria u shpall shtet, por për të mbijetuar, asaj nuk i mjaftoi vetëm bajoneta austro-hungareze, por iu nevojit edhe përkrahja diplomatike e aleatëve të tjerë. Edhe disa vite pas shpalljes së pavarësisë, madje mu në momentet kur shtetet fqinje deshën t’i copëtojnë tokat e Shqipërisë në jug, perëndim dhe veri, shpëtimi asaj i erdhi nga aleati historik – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sigurisht që kjo aleancë ishte nxitur dhe ishte forcuar nga veprimtarët e mërgatës shqiptare në Amerikë, në radhë të parë prej atyre të shoqërisë “Vatra” të Bostonit, me në krye Faik Konicën, Fan Noli, Kostë Çekrezi dhe Kristo Dako etj.

Takimi i Fan Nolit me presidentin Uilson, që pat ndodhur më 4 korrik 1918, me gjasë, duket se nuk ka qenë i rastësishëm dhe ai ka edhe një simbolikë. Meqenëse Kongresi i Kombeve të Shtypura, që po mbahej atë vit në Uashington, pati konsistuar me shënimin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, presidenti Uilson i pat ftuar edhe delegatët pjesëmarrës në atë takim, që ta shoqëronin në malin Vernon, për të bërë nderime te varri i Xhorxh Uashingtonit, njërit nga themeluesit dhe presidenti i parë i SHBA-së. Një ndër delegatët pjesëmarrës në këtë kongres ka qenë edhe Fan Noli, i cili – si i dërguar i Shoqërisë “Vatra” – e përfaqësonte Shqipërinë. Me këtë rast, Noli, bisedën me Zonjën e Parë (Uilson) të SHBA-së, me gjasë e ka shfrytëzuar për t’u afruar me presidentin, Uilson, për t’ia thënë batutën e famshme: “E vetmja shpresë për shqiptarët është Amerika dhe ju, z. President”. Presidenti Uilson ishte përgjigjur “Unë do të kem vetëm një zë në kongresin e paqes dhe atë zë do ta përdor dhe për të drejtat e Shqipërisë”. Pastaj atë zë e pat ngritur lart në të mirë të Shqipërisë. Kështu, atëherë kur Konferenca e Paqes në Paris (1919–1920) dhe bashkësia ndërkombëtare debatoi për ndarjen e Shqipërisë, Presidenti i SHBA-së, Uodrou Uilson, ndërhyu, vendosi veton ndaj planeve grabitqare dhe e mbështeti fuqishëm integritetin territorial të Shqipërisë.

Aleatët nuk u kursyen as për Kosovën

Këtë e dinë të gjithë që ishin dëshmitarë të asaj kohe. Edhe pse thuhet se nuk ka një rast të ngjashëm në historinë e popullit shqiptar, që një përfaqësues i tyre të jetë trajtuar nga lideri i një fuqie tjetër të madhe ashtu siç është trajtuar Fan Noli nga Uilsoni, megjithatë historia njeh edhe raste tjera të ngjashme kur është fjala për funksionimin e aleancave të shqiptarëve me miqtë e tyre. Meqenëse asgjë në këtë botë nuk ndodh rastësisht, atëherë “takimit të Qemalit” dhe “takimit të Nolit” duhet bashkëngjitur edhe “takimin e Rugovës” me përfaqësuesit amerikanë kah fundi i viteve 80-ta të shekullit XX në hotelin “Grand” të Prishtinës. Ky është takimi në të cilin edhe njëherë doli në skenën miqësia dhe përkrahja e pakusht e amerikanëve ndaj shqiptarëve. Me filozofinë e tij politike, me pragmatizmin e tij paqësor, ish presidenti, Ibrahim Rugova, dëshmoi se si projektohet vizioni për krijimin e një shteti. Duke u bërë protagonist i “rolit historik” dhe i “kurajës politike”, Rugova dëshmoi se është ndër të vetmit politikan shqiptar, i cili mund ta ketë ditur projektin e plotë të krijimit të shtetit të Kosovës. Njeriu që foli pak dhe butë, por që qëndroi fort dhe bëri shumë me filozofinë e tij prej vizionari, e ruajti orientimin euroatlantik shqiptar dhe jo vetëm që ua la shqiptarëve “formulën” se si ndërtohen dhe si ruhen aleatët ndërkombëtarë, por u la si trashëgimi edhe shumë miq në mbarë botën, në veçanti SHBA-në.

Hapja e dyerve për Dr. Rugovën nga ana e SHBA-së dhe refuzimi i saj më vonë që ta quante organizatë terroriste UÇK-në, janë dy simbolikat e forta të një aleati të vërtetë për shqiptarët. Ndërkaq, intervenimi i forcave ushtarake të NATO-s në vitin 1999, pas Rambujesë, kundër ushtrisë serbe, e hapi faqe të re në shpalljen e pavarësisë së shtetit të Kosovës. Ky akt ndodhi në vitin 2008, një vit pasi ish presidenti amerikan, Xhorxh Bush në vitin 2007, gjatë vizitës së tij në Tiranë, ndër të tjera pati deklaruar “… dhe ne do të themi Kosova duhet të jetë e Pavarur”. Kështu edhe ndodhi – Kosova u bë shtet i pavarur, u pranua nga më shumë shtete të botës. Pa e mohuar edhe kontributin e të gjithë atyre që nuk kursyen asgjë, as edhe jetën e tyre, megjithatë një kontribut të madh këtu kanë edhe aleatët. Kur jemi këtu, gjithashtu duhet përmendur edhe ndihmesën e aleatëve në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare kundër forcave policoro-ushtarake të Maqedonisë në vitin 2001, sidomos në arritjen e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, me ç’rast shqiptarët dukshëm i rritën të drejtat e tyre politike në vend.

Edhe e ardhmja me aleatët

Sigurisht, që shqiptaret me Shqipërinë dhe Kosovën si shtete e kanë më të lehtë se dikur, por mbetet përgjegjësi dhe obligim i tyre për t’i konsoliduar akoma më shumë institucionet e veta demokratike. Por, krahas kësaj, lypset që t’i kultivojnë edhe miqësitë dhe aleancat e qëndrueshme, si për vete, ashtu edhe për të mirën e shqiptarët jashtë kufijve të tyre. Shembujt dhe modelet nga e kaluara nuk u mungojnë. Vetëm duhet treguar kujdes dhe përkushtim.

Dihet që aleancat nuk janë vetëm simpati (pëlqim), antipati (mospëlqim) ose empati (keqardhje), por ato janë edhe gërshetim interesash të ndryshme që lidhen me strategjitë gjeopolitike, gjeoekonomike dhe gjeoteknologjike. Pra, ato nuk janë gjithmonë “fontanë dëshirash” dhe as “ekuacione matematikore”, sepse në pyetje është vetë njeriu! Dhe, shikuar nga ky këndvështrim, përderisa kombet e fuqishme e kanë luksin që t’i ndjekin strategjitë e tyre shtetërore, kombet e vogla dhe të pafuqishme duhet të tregohen më të kujdesshëm në përzgjedhjen e aleatëve të tyre dhe sidomos në ruajtjen dhe kultivimin e miqësisë me ta. Por, këto miqësi nuk mbahen vetëm me fjalë të bukura dhe as me manovrime akrobatike, por me besueshmëri institucionale, e sidomos me kryqëzime informacionesh në të gjitha planet. Kjo do të thotë se aleancat, para së gjithash, janë çështje të shërbimeve inteligjente shtetërore!

Andaj dhe përzgjedhja, ndërkaq, e aleatëve nuk është sikur një “tas” lotarie, por më shumë është strategji. Meqenëse historia na mëson se shqiptarëve me “aleancat lindore” nuk u ka dalë mirë, atëherë perspektivën e ardhmërisë së tyre duhet lidhur me “aleancat perëndimore”. Aq më tepër kur Shqipëria sot është anëtare e OKB-së dhe e NATO-s dhe e synon BE-në. Këtë e synon Kosova dhe shqiptarët tjerë.

Prandaj, cilido qoftë ridimensionimi i ardhshëm botëror, primatin do ta kenë shtetet të cilat e kanë në pronësi rrjetin e internetit, si dhe mjetet tjera të sofistikuara të telekomunikimit, e të mos flasim për fuqinë ekonomike, teknologjike dhe ushtarake. Dhe, për fatin e mirë, me këtë potencial zotërojnë shtetet të cilët njihen si “aleatët tradicional” të shqiptarëve, pikërisht SHBA-ja, e cila kanë dëshmuar se ka politika të qëndrueshme ndaj shqiptarëve. Sigurisht, që nuk duhet përjashtuar as edhe aleancat e reja, por duhet treguar kujdes, pasi që “Miku i mirë të nderon shtëpinë, miku i vjetër nuk hidhet poshtë” thotë një proverb i ynë popullor.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X