loader image
February 22, 2024

Shqiptarët dhe serbët midis palestinezëve dhe izraelitëve

Diskursi politik, ideologjik, kombëtar, fetar, emotiv e pragmatik,… një gërshetim i çuditshëm i raporteve midis dy popujve ballkanikë me dy popujt vëllezër “biblikë” të origjinës nga Lindja e Mesme… Pragmatizmi e bën Serbinë zyrtare të bëhet pjesë e BE-së, por emotivisht nuk mund të shkëputet nga aleati historik, Rusia, kurse shqiptarët, për shkaqe pragmatike, e përkrahin Izraelin, por emotivisht janë më tepër me palën më të dobët, Palestinën, edhe pse përfaqësuesit e saj nuk janë më afër Serbisë!

Daut DAUTI, Shkup

Në kohën kur po përpëliteshim si autorë që të kapim ndonjë aspekt të marrëdhënieve shqiptaro-serbe, ndodhi një sulm i papritur i Hamasit në Izrael dhe kundërsulmet izraelite në Gazë, me mbi 5000 viktima për më pak se dy javë, që sigurisht do të ishte tema e numrit të radhës po të ndodhte ndonjë javë më herët. Edhe pse “larg” nesh, ndjeshmëria që shkaktojnë viktimat nuk na bën aq të largët, sa për të mos çarë kokën. Përkundrazi! Por, ka dhe disa aspekte, që edhe shoqërinë shqiptare dhe neve si rajon na bën jo aq gjakftohtë kur shohim civilë të vrarë në të dyja palët në konflikt, kurse dilemat tona, përpos aspektit human, kapin edhe të tjera. Këtu diku kryqëzohen edhe raportet Kosovë-Serbi, pikërisht në raportet ndaj çështjes palestineze dhe Izraelit.

Shqiptarët mbajnë anën e…?

Një debat me gjysmë zëri, e diku në oktava të larta, dilemat e shtruara këtë apo atë anë të mbajmë, kujton një debat me liderin e një partie shqiptare nga Maqedonia kur një analist e zuri në zgrip me pyetjen “Çka është për ty më e rëndësishme, kombi a feja?”. Dilemat e këtilla, “ose-ose”, në të vërtetë çojnë në pozicione të simplifikuara dhe jokreative. Jeta nuk është bardh e zi. Të vërtetat po ashtu. “Kombi a feja”, një dilemë e kotë, ku pa nevojë vihen në plan alternativ dy çështje që janë pjesë e një identiteti. Dhe, po ashtu, dilema “me izraelitët a palestinezët?”, nuk është aq jetike si dikur “me Bashkimin Sovjetik apo me Amerikën?”, dilemë e shoqërive të ndara në pikëpamje ideologjike. Pyetja do të ishte “me të drejtën apo me të padrejtën?”.

Argumentimet shkojnë që nga ato me motive politike, te ato fetare, te ato kombëtare, e deri te ato pragmatike, e diku, në mes, për paradoks, duke i dhënë më shumë krah një aspekti, harrohet ose relativizohet aspekti i së drejtës, i cili do të duhej të ishte parësori për t’u pozicionuar. Këtë e përmbledh në një pasus të shkurtër diplomati i njohur shqiptar, Shaban Murati: “Qëndrimi i mbajtur nga Shqipëria në periudhën 1948-1991 në përkrahje të çështjes palestineze për liri e pavarësi ka qenë i drejtë. Ai qëndrim ka qenë në përputhje me parimin e madh të marrëdhënieve ndërkombëtare, që kërkon përkrahjen e çështjes për liri e pavarësi të popujve të shtypur kudo qofshin, pavarësisht kohës, regjimeve, ideologjive apo stinës diplomatike kohore të aleancave të qeverive”.

diplomati i njohur e thotë këtë për qëndrimin e Shqipërisë, por e njëjta vlen edhe për të gjithë shqiptarët jashtë Shqipërisë. Ne nga ish-Jugosllavia kemi pasur pozicionim të qartë edhe politik, sepse lideri i shtetit, Tito, ishte ndër kreatorët e lëvizjes së vendeve të painkuadruara, ndërsa e ruante edhe pozicionim antikolonialist, bazuar mbi parimin e së drejtës ndërkombëtare. Tito ishte edhe mik me Jaser Araftin, ish-liderin e OÇP-së, dhe Izraeli në sytë tanë ishte agresor. Andaj edhe nuk mund të mos kishte qëndrim tjetër, pos pro çështjes palestineze, pikërisht ashtu siç e cek Shaban Murati, edhe për shkak se nuk mund të mos e përkrahësh lirinë që e synojnë popujt e shtypur, pikërisht duke dalë përtej çështjeve ideologjive apo aleancave të qeverive. Vetë përvoja jonë si popull, që ka përjetuar aq shumë padrejtësi historike, nuk na bën të ndjehemi komodë e të mos e respektojmë të drejtën e popujve të tjerë kur atyre u bëhet padrejtësi.

Ndërkohë, shumë personazhe publike (gazetarë, analistë, intelektualë profilesh të ndryshme…), u gjetën në hall për të marrë qëndrim, sepse nuk mund të mos anashkalonin qëndrimin zyrtar të qeverive shqiptare (Shqipëri, Kosovë…), të cilat u rreshtuan në anën e Izraelit dhe të drejtës për t’u mbrojtur nga sulmet e papritura të Hamasit. Por, nuk mund të heshtin ndaj përgjigjes “joproporcionale” izraelite që te pala palestineze i tejkaloi shumëfish viktimat e Hamasit. E drejta për t’u mbrojtur ndaj çdo sulmi terrorist (sulmet e Hamasit shkaktuan qindra viktima civile, andaj doemos të cilësoheshin si akt terrori), u shndërrua në fushatë joselektive ndaj caqeve të supozuara ku strehohej Hamasi, me ndërtesa të rrënuara me plot viktima civile. Vazhdoi pastaj përsëritja e historive me largim masiv të palestinezëve nga trojet e tyre. Por pakkush i quan sulmet izraelite akte terroriste. Shoqëria shqiptare nuk mund të mos bashkëndjente me viktimat te pala më e dobët në këtë konflikt, edhe për nga numri i viktimave, edhe për nga shkaku se “e drejta për t’u mbrojtur” e Izraelit, ndër dekada, është shndërruar në okupim të plotë të gjithë shtetit të Palestinës. Dihet cila është Ana e dobët në këtë mes. Edhe e drejta e Izraelit bie ndesh me të drejtën e popullit tjetër. Andaj, ndonjë argumentim se s’kemi çka të pozicionohemi ne në këtë konflikt është jo gjithaq parimor, sikundër që edhe disa çështje pragmatike i japin dimension tjetër.

Pas eskalimit të situatës në Gazë nuk mund të anashkalohet fakti se u përzien interesat e larta politike, bashkëndjenja me viktimat (viktimat ishin te të dyja palët, por joproporcionale), diku-diku edhe aspektet fetare.

Izraeli, kësaj radhe, ishte i sulmuar nga grupi ekstremist i Hamasit, i cili shkaktoi qindra viktima. Gjithë bota e akuzoi Hamasin dhe e quajti sulmin “akt terrorist”. Me Amerikë e Europë, gjithandej. Një unitet në të cilin doemos do të rreshtoheshin edhe politikat zyrtare shqiptare, sepse s’do të ishte mirë të ndaheshin nga bota tjetër perëndimore. Por, sulmi në spitalin e Gazës, me mbi 500 viktima, që logjikshëm i adresoheshin Izraelit si dyshim, patjetër do të pasonte me akuza të njëjta si ndaj Hamasit, por ta mjegulluar faktin që Izraeli e mohoi këtë sulm, diç jo fort bindëse ose, të paktën, jo aq të faktuar se mund ta kenë bërë palestinezët ose ndonjë grup tjetër. Gjithçka është e mundur, por për këtë duheshin dëshmi. Akuza ndaj sulmit në këtë spital ishte pa adresë konkrete, por veç në parim. Spitali është vetëm një metaforë se si në këto situata gjithçka mund të mjegullohet për ta manipuluar me të vërtetën. Por, viktimat e spitalit nga dita në ditë do të hidhen në harresë, pasi rritet në mënyrë enorme numri i viktimave civile te të dyja palët, edhe pse shumëfish më tepër te pala palestineze, ku caqet e supozuara të Hamasit s’janë gjë tjetër, pos ndërtesa banimi dhe një qytet i tërë. Kjo edhe një herë e bën të vështirë pozicionimin, pasi askush nuk mund t’i japë të drejtë Izraelit, që duke u vetëmbrojtur, të shkaktojë shumëfish më tepër viktima te pala tjetër, të paktën jo civilë. Kur këtë nuk mund ta heshtin as personalitete hebraike, që e thonë qëndrimin e tyre kundër kësaj mënyre të përgjigjes joproporcionale, pse të mos e themi edhe ne?

Pragmatizmi dhe e drejta…

Është interesant të shihet se përderisa ka një armiqësi të hapur historike serbo-shqiptare, ka një raport disproporcional në relacionet izraelito-shqiptare, izraelito-serbe e palestinezo-shqiptare e palestinezo-serbe. Edhe atë paradoksalisht të çuditshëm, që ka lidhje me situatën aktuale në Rripin e Gazës, por, thjesht, qëndrim ndaj Kosovës. Përtej diskursit emotiv, përtej diskursit të së drejtës! Ka diçka edhe historike në këto raporte, sidomos ndaj hebrenjve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar ishte ndër të rrallët që i ka mbrojtur hebrenjtë nga deportimi. Jo vetëm që si popull u bëri strehë hebrenjve nga të gjitha vendet e Ballkanit, por as Mbreti Zog e as qeveria kuislinge nën okupimin italian nuk ra nën ndikimin nazistëve për të sjellë ligje me të cilat shtetet përreth (Bullgaria, Serbia…) detyroheshin për depërtimin e hebrenjve. Këtë sigurisht e vlerësojnë lart shteti i Izraelit dhe populli hebre.

Në kohën më të re, njohja e fundit e Kosovës nga ndonjë shtet, që ndërpreu fushatën e çnjohjeve që i nxiste Serbia, ishte pikërisht nga Izraeli, njohja e të cilit i jep peshë të madhe politike. Nuk mund të harrohet pamja kur presidenti i Serbisë dukej si pulë e lagur para presidentit amerikan, i cili duke e detyruar ta nënshkruajë Marrëveshjen e Uashingtonit me të cilën obligohej të ndalë fushatën e çnjohjeve, e mori vesh njohjen e Kosovës nga Izraeli!

Natyrisht, kjo njohje nuk do të mund të bëhej pa Amerikën, e cila e ka nën ombrellë Izraelin dhe për çdo qeveri shqiptare një disonancë me politikën amerikane edhe rreth ngjarjeve rreth Palestinës do të ishte jo produktive, edhe nga shkaku i sponsorizimit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës nga SHBA-ja.

Nëse Izraeli e bëri njohjen, autoritetet palestineze këtë nuk e kanë bërë. Ata i kanë hallet e veta, do të thotë dikush, s’mund të merren me Kosovën, kurse fakti është se ata kanë në Beograd ambasadën e tyre dhe raporte shumë të mira me Serbinë kjo i takon historisë më të vjetër. Që të mos mbetet vetëm një akt formal i përfaqësuesve zyrtarë, për këtë u kujdesën disa studentë palestinezë në Beograd, që para ndonjë viti i kishin përkrahur disa protesta serbe kundër pavarësisë së Kosovës.  Paradoksalisht! Më e mira e së mirës do të ishte që ata studentë të shikojnë studimet, sepse askush s’kërkon prej tyre të ndërhyjnë në një konflikt që s’e njohin sa duhet, por, ja, ata u rreshtuan në anën serbe. Kjo u ka dhënë argument mjaft të fortë shqiptarëve që të mos e kenë vështirë që të pozicionohen në anën e Izraelit, që duket po aq problematik sa ai i palestinezëve në krah të Serbisë. Sepse, pozicioni i tyre kundrejt hegjemonisë së Izraelit ndaj Palestinës është i ngjashëm me atë të Serbisë ndaj të drejtës së Kosovës. Shkaqet për këtë ndoshta kanë nga pak lidhje me ideologjinë dhe të kaluarën e miqësisë midis Titos dhe Arafatit, që gjeneratat e sotme palestineze ende kujtojnë se ekziston Jugosllavia dhe se Serbia është vazhdimësia e saj! Një anakronizëm. Në anën tjetër, në aspektin gjeopolitik, palestinezët janë rreshtuar në anën e kundërt të rreshtimit të shqiptarëve, pasi nuk mund të jenë në anën e Amerikës, kjo për shkak të përkrahjes së Izraelit. Serbia nuk është po ashtu në anën e aleancës së shqiptarëve dhe kjo i bën të afërt me palestinezët. Përpjekjet për t’u bërë pjesë e BE-së, si një akt pragmatik, nuk përcillet në aspektin emotiv, që shoqëria serbe tradicionalisht është me Rusinë. Këtu nuk ndryshon asgjë, pos që ka ndryshuar qasja e Perëndimit për ta afruar, duke mbyllur sytë e duke i relativizuar ato që s’mund të relativiziohen, që ka degraduar në një diskurs të padrejtë ndaj Kosovës. “Fati” e deshi të ndodhte sulmi në Banjskë, për t’i dalë këmbët përjashta gjithë dualizmit dhe demagogjisë së politikës serbe.

Kësisoj, pragmatizmi e bën Serbinë zyrtare të bëhet pjesë e BE-së, por emotivisht nuk mund të shkëputet nga aleati historik, Rusia, kurse shqiptarët për shkaqe pragmatike e përkrahin Izraelin, por emotivisht janë më tepër me palën më të dobët, Palestinën, edhe pse autoritetet palestineze nuk janë fort me Kosovën, edhe pse kanë shumë më tepër gjëra të përbashkëta, si në aspektin historik, politik… dhe fetar.

Këto nivele raportesh vetëm dëshmojnë se sa janë të reflektueshme aspektet gjeopolitike, aleancat tradicionale dhe pragmatizmi, që shpesh shkon linjës së shkeljes së disa parimeve universale.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X