loader image
April 18, 2024

Shqiptarë e serbë: Traditë e strategji

Brenda Perandorisë Osmane shqiptarët dhe serbët vazhduan traditën e tyre më të vjetër, individë ambiciozë shfrytëzonin asetet që ofron mjerimi i përgjithshëm për t’u afirmuar, kryesisht si komandantë ushtarakë, por edhe si administratorë rajonalë e imperialë, duke shfrytëzuar arsimin që perandoria ofronte për fëmijët e talentuar që konvertoheshin herët. Shqiptarët, sipas statistikave, del se kanë qenë më të përfaqësuar në këto poste të larta.

Arbër ZAIMI, Tiranë

Traditat janë të pashmangshme, prej tyre nuk arratisesh dot përfundimisht e krejtësisht – theksoi filozofi gjerman Hans-Georg Gadamer në shekullin e shkuar. Nuk shtrohet pra pyetja se a do të punosh bazuar në njërën nga traditat, por se në cilën syresh. Të moszgjedhurit e asnjërës i lë njerëzit të ngecur prej padijes në një gjuhë që nuk e kanë krijuar, të ngecur në korniza logjike që nuk i kuptojnë. Parë kësisoj, edhe raporti mes shqiptarëve e serbëve mund të analizohet dhe mund të përpunohet vetëm duke u bazuar tek të paktën njëra nga traditat.

Fillimisht, shqiptarët e serbët janë hasur me njëri-tjetrin nën perandoritë bizantine e më pas bullgare, si popuj periferikë në perëndim të Ballkanit, kurse perandoritë në fjalë kryeqendrat i kishin në lindje të atij gadishulli, pra në anën tjetër të botës. Ndër ato pak gjëra që dimë mbi atë periudhë të errët është fakti se pati individë nga të dyja etnitë, që duke shfrytëzuar ashpërsinë e atyre që jetonin në kushte ekstreme, organizuan çeta malësorësh për të bastisur qendrat administrative dhe karvanët. Plangu dhe luftëtarët që grumbullonin prijësit u jepte peshë e prestigj familjeve të tyre, disa nga të cilat pa hezituar të përdorin shantazhin, dhunën, por edhe martesat, arritën të fisnikërohen, pra të certifikohen prej perandorive.

Në këtë shpjegim të mbithjeshtëzuar është e rëndësishme të mbahen edhe sot parasysh këta elementë: popuj të ashpërsuar prej kushteve të mjera ekonomike; të qenit në periferi të perandorive; individë që shfrytëzojnë varfërinë dhe ashpërsinë e përgjithshme si aset; ambicia e vetme, certifikimi i familjes prej perandorisë.

Nga këto familje barinjsh e banditësh të suksesshëm që u fisnikëruan dolën aristokratët e parë mesjetarë serbë apo shqiptarë. Por, edhe historia e shumicës së aristokratëve prej popujve të tjerë europianë nuk është fort e ndryshme. Deri këtu kemi një baraspeshë me aq sa dimë, por kandari rrëzohet kur njëra nga familjet, ajo e Vojisllavleviqëve, nga bregdeti verior i Malit të Zi të sotëm, u fuqizua më shumë se të tjerat dhe njëra nga degët e saj pasardhëse, Nemanjiqët, arrijnë ta nxjerrin shtetin e perandorinë e tyre, duke shfrytëzuar dekadencën bizantine e bullgare. Perandori i tyre më i famshëm, Dushani, e quante veten zyrtarisht edhe mbret, autokrat dhe perandor i shqiptarëve, përveçse i serbëve, romejve (vllahë e grekë) dhe bullgarëve.

Edhe këtu ka një element që duhet mbajtur mend në analizën tonë: vetëdija perandorake. Grekët, bullgarët dhe serbët e kanë, e ushqejnë me arsimin e tyre kombëtar, vetëdijen e perandorisë së dikurshme. Shqiptarët, boshnjakët, kroatët, sllovenët, vllahët (e rumunët) nuk e kanë një tipar të tillë. Ekzistenca politike e perandorisë te këto popuj e prodhoi edhe paralelen e vet ideologjike – kishën, gjuhën, kodifikimet institucionale e ligjore, tek të cilat edhe sot reflektohet perandoria.

Më pas në Ballkan erdhi Perandoria Osmane, së cilës më shpejt ia hapën derën grekët, bullgarët e serbët dhe më gjatë i rezistuan shqiptarët. Është po aq interesant fakti se po shqiptarët ishin të fundit që u shkëputën nga Perandoria, madje duke luftuar për të edhe pasi u pavarësuan pesë shekuj më vonë. Nëse mund t’i jap një shpjegim kësaj sjelljeje të pazakontë (krahasuar me popujt fqinjë), ai bazohet pikërisht tek të qenit popull periferik pa traditë perandorake të veten (pra pa kishë specifike, pa gjuhë liturgjike etj.). Dihet se popujt sa më periferikë të jenë (pra larg qendrave ku grumbullohet pasuria e dija e kohës), janë jo aq konservatorë në sensin vleror, por më tepër të frikësuar prej ndryshimeve si çdokush që nuk ka kapacitete të mëdha mbrojtëse.

Brenda Perandorisë Osmane, shqiptarët dhe serbët e vazhduan traditën e tyre më të vjetër – individë ambiciozë i shfrytëzonin asetet që i ofron mjerimi i përgjithshëm për t’u afirmuar, kryesisht si komandantë ushtarakë, por edhe si administratorë rajonalë e imperialë, duke shfrytëzuar arsimin që Perandoria ofronte për fëmijët e talentuar që konvertoheshin herët. Shqiptarët, sipas statistikave, del se kanë qenë më të përfaqësuar në këto poste të larta. Për të mos rënë në shpjegime të paqëndrueshme të tipit “ishin më të aftë se të tjerët” ose “shiheshin si vëllezër prej turqve”, mund ta shtrojmë hipotezën se pikërisht mungesa e traditës perandorake shqiptare, mungesa e kishës specifike dhe e gjuhës liturgjike u jepte atyre më pak arsye për “nostalgji historike” dhe i bënte më të përshtatshëm për shërbyes perandorakë. Ata nuk kishin “epokë të artë” të prosperitetit ekonomik, të zgjerimit territorial, të sundimit të popujve të tjerë, etj. Edhe Moti i Madh i Arbrit, pra koha e Skënderbeut, ishte një kohë rezistence heroike e të lavdishme, por jo kohë stabiliteti ose ekspansioni. Mungesa e një “epoke të artë” vërehet edhe tek Eposi i Kreshnikëve. Muja, Halili e agët e Jutbinës janë luftëtarë kufiri, gjithnjë në zgrip të ekzistencës, teksa sarajet e pushtetit, që ata ndonjëherë i vjedhin e i djegin e ndonjëherë punojnë për to, kurrë nuk u përkasin atyre.

Popujt ballkanikë dolën prej Mesjetës si popuj të vegjël. Ballkani në Mesjetë ishte bota dhe nxinte brenda dy ose tre perandori, por në kohët moderne ishte thjesht një periferi e pazhvilluar, ku fuqi të tjera të mëdha kishin interesa pozicionale, më rrallë edhe strategjike.

Në shekullin XIX, kur Perandoria Osmane ishte në rënie, popujt me vetëdije perandorake ishin të parët që zhvilluan nacionalizmat e tyre, bazuar edhe tek ideologjia e “epokës së artë”. Rol vendimtar në formimin e atyre nacionalizmave luajti, nga njëra anë, Rusia, që përdori elementin ortodoks, dhe, nga ana tjetër, Franca napoleonike, që përdori elementin populist, për agjitimin e popujve që synonin çlirim. Por, rol luajti edhe tradita e “Reconquista-s”, e cila shënon edhe sot e kësaj dite aspekte të politikës europiane. Grekët, bullgarët e serbët ndërtuan programe kombëtare ekspansive me në mendje zgjerime territoriale sipas perandorive mesjetare. Armiku i tyre nuk ishte vetëm Perandoria, nga e cila donin të shkëputeshin, por edhe “shërbëtorët”. Kishte shpesh shqiptarë në krye të administratës dhe ushtrisë, por kishte edhe të tjerë. Çështja është se serbi, greku e bullgari i myslimanizuar, që shërbente për Perandorinë Osmane, e humbte identitetin e vet të origjinës, që tashmë ishte hegjemonizuar prej nacionalizmit etnikokishtar, ndërsa tek shqiptarët kjo nuk ndodhte. Historianë të ndryshëm, nga E. Hobsbawm e deri te N. Malcolm, kanë vënë re se identiteti etnik i shqiptarëve ishte në njëfarë mënyre paranacionalist, i pahegjemonizuar nga ndonjë program kombëtar vetjak. Ai mund t’i shërbejë secilës perandori, të besojë në secilën fe, të luftojë për secilin shtet, madje edhe kundër popullit e vendit të vet dhe prapë mbetet shqiptar.

Kështu erdhën në modernitet shqiptarët, tashmë periferi e periferisë. Nacionalizmi shqiptar u projektua i fundit, në suaza të nevojës emergjente për të shpëtuar nga spastrimi etnik. Lidhja e Prizrenit u mbajt në 1878, sepse me përfundimin në atë vit të Luftës Ruso-Osmane, shqiptarët u spastruan tërësisht pas gjenocidit që serbët kryen në Sanxhakun e Nishit dhe atij që malazezët kryen në Podgoricë e Spuzhë. As sot atje nuk ka më shqiptarë, teksa pasardhësit e tyre jetojnë kryesisht në Kosovë e në Shkodër, bartës të një tradite të dhimbjes e varfërimit që kanë përjetuar gjyshërit e tyre refugjatë (muhaxhirë). Pas 1912-tës, fat të ngjashëm provuan edhe shqiptarët e Çamërisë, të Maqedonisë së sotme, të Kosovës e Malit të Zi. Por, edhe ata të Shqipërisë aktuale. Pakkush e di se bandat greke e kanë djegur dy herë jugun e Shqipërisë në 1914, deri në Skrapar e Berat, afër Shqipërisë qendrore, duke i nxjerrë njerëzit muhaxhirë edhe prej aty. Pakkush e di se Serbia jo vetëm që ka spastruar shqiptarë në troje, p.sh. prej Maqedonisë lindore e qendrore, por në po atë kohë ka zbritur deri në Lushnjë, duke masakruar popullin vendas. Për shembull, në Gjuzaj të Lushnjës në 1913 ushtria serbe ka vrarë gjithë burrat e fshatit. Edhe kjo traditë, pra, ekziston, e na u rishfaq në Reçak, në Krushë e në masakrat e tjera kundër shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.

Nuk jam duke thënë këtu se shqiptarët janë popull engjëllor e fqinjët popuj djallëzorë. Gjasat që mes nesh të ketë kriminelë, bamirës, gjeni, idiotë, indiferentë etj. janë shumë të ngjashme, sepse ndajmë megjithatë rrethana jo fort të ndryshme ekonomike e kulturore pas shekujsh bashkëjetese në Ballkan. Ajo çka jam duke thënë është se qartazi në historinë e shqiptarëve, ndryshe nga ajo e fqinjëve të tyre, mungon elementi ekspansionist, jo vetëm si fakt, por edhe si projekt. Arsyet se pse mungon jam përpjekur t’i shtroj më lart në formë hipotezash.

Zakonisht, kur luftërat fitohen, ato sjellin ndryshime territoriale. Aq shumë mungon elementi ekspansionist në logjikën politike e shtetërore shqiptare, saqë për shembull më 2002, gjatë e pas konfliktit në Maqedoni, nuk pati asnjë shprehje të interesit për territor nga Shqipëria (nga Kosova jo se jo). Pra, shqiptarët e Maqedonisë e fituan luftën, por nuk morën territor. Çfarë morën? Ca “të drejta” të padenja, që as sot nuk zbatohen tërësisht e që më shumë shfrytëzohen nga parti të korruptuara politike për ta punësuar klientelën partiake.

Këto janë traditat tona ballkanike që na paravendosen kur e trajtojmë raportin shqiptaro-serb. Dhe, këto patjetër se e ndikojnë të tashmen, ashtu si dhe të ardhmen. Por ka edhe tradita ndërkombëtare, që duhen marrë parasysh.

Timothy Garton Ash, në një ese të botuar sivjet, evidenton një traditë specifike: Perandoritë nuk heqin dorë nga territoret pa luftë. Profesori britanik shkruan se edhe Bashkimi Europian, që e sheh veten si “post-perandori”, nuk i ikën këtij rregulli. Themeluesit e Europës së Bashkuar, në vitet e ’50-ta dhe ’60-ta të shekullit të kaluar, flisnin për “Euroafrikë” dhe i konsideronin kolonitë franceze e portugeze në Afrikë si pjesë të strukturës së ekonomisë dhe sigurisë europiane. Ata i mbështetën luftërat e gjata dhe të rënda të Francës e Portugalisë kundër çlirimit dekolonizator. Pra, edhe Europa postmoderne. Por, edhe Rusia postkomuniste, vë në dukje Timothy Garton Ash, e cila në vitet ‘89-‘91 ndoshta besoi se epoka e perandorive kishte marrë fund dhe i çliroi pa luftë territoret që mbante nën sundim, e kuptoi shpejt se e kishte gabim. Në vitin 1992 Rusia e çoi ushtrinë në Moldavi, tek Transnistria, e qysh prej asaj kohe është përpjekur të rikthehet kudo që i është dhënë shansi – së fundmi në Ukrainë. Pra, perandoritë nuk dorëzojnë territor pa luftë.

Nëse Timothy Garton Ash ka të drejtë, atëherë mund ta zgjasim argumentin e tij edhe në rrethinën tonë dhe të themi se as Serbia nuk do ta njohë Kosovën pa një luftë, as Rusia nuk do ta lëshojë Serbinë prej sferës së saj të ndikimit pa një luftë.

Perëndimorët, që mendojnë se duke i lëshuar Serbisë pak territor në Kosovë do ta shkëpusin atë prej Serbisë, nuk e kanë parasysh se Serbia edhe kur e ka pasur të gjithë territorin e Kosovës nuk është shkëputur prej Rusisë e as nuk është ndalur së synuari territore të tjera.

Vetëdija perandorake e Rusisë nënkupton mbajtjen me çdo kosto të Kaloningradit dhe Serbisë si eksklava europiane, teksa Ukrainën synojnë ta bëjnë Bjellorusi. Këtë e di mirë klasa politike dhe biznesore në Serbi, pavarësisht lojërave. E vetëdija perandorake e Serbisë nënkupton që sa i përket Kosovës, thuajse të gjithë kanë qëndrim të njëjtë me Vuçiqin, pasardhësin e Millosheviqit.

Në perceptimin tradicional që kemi për fuqitë ndërkombëtare duket sikur vazhdimisht lëkundemi mes konceptit të grekëve të lashtë për qiellin si vend nga buron “rendi i harmonisë hyjnore” dhe konceptit të gnostikëve për qiellin si vend nga buron “rendi i mizorisë hyjnore”. Prej “të favorizuarit nga hyjnitë dashamirëse”, tek “të frikësuarit prej hyjnive të pamëshirshme”.

Strategjia, nga përkufizimi, është mjet i atij që krahasimisht peshon më pak. Ai që peshon më shumë zakonisht zgjedh si mjet inercinë, jo strategjinë. Pra strategjia është ajo që i jep fitoren edhe më të dobëtit.

Strategjia di të ketë edhe ngecje, që kthehen në gracka kundër atij që i bën. Për shembull, Napoleoni, kryestrateg, hasi një ndër këto gracka në Vaterlo. Ajo grackë përkufizohet “shumë armiq në shumë fronte” dhe ka marrë edhe strategë të tjerë, jo veç korsikanin shtatshkurtër.

Gracka të tjera të zakonshme të strategjisë janë ato kur një njeri mendon se mund të jetë vetë zgjidhja për gjithçka (meqë vërtet ka qenë për diçka) ose kur mendon se fitorja do të jetë e mirë për të gjithë (pra nesër nuk do të ketë më armiq, do të marrë fund një herë e mirë lufta).

Gracka strategjike më e zakonshme është ajo “e Don Kishotit” ose mësymja ndaj kundërshtarit më të fortë. Kundërshtarin më të fortë e shohin të gjithë, ai bie në sy dhe është lehtë të shënjestrohet. Mirëpo, pikërisht se është më i forti, është vështirë të rrëzohet. Rruga e shkurtër (e evidentimit të lehtë dhe e shënjestrimit të lehtë) di të të dalë fort gjatë. Prandaj, zakonisht strategët fillimisht godasin hallkat e dobëta të kundërshtarit, pastaj përpiqen t’i sulmojnë krahët dhe prapavijën e më të fortit, e jo drejtpërdrejt atë.

Në Bibël është një kundërshembull i kësaj, kur Davidi ia mësyn drejt Goliathit, pra më të fortit kundërshtar, dhe e rrëzon. Mirëpo, Davidi, sipas Biblës, e kishte Perëndinë me vete dhe atij, për nga përkufizimi, nuk i hyjnë në punë strategjitë. E së dyti, një gjë që e kanë vënë re disa nga studiuesit e Biblës nga aspekti ushtarak: Davidi po të dështonte me guralecin e parë, nuk do të kishte kurrë më gjasë ta hidhte një të dytë. Strategjia është ajo që e merr parasysh edhe dështimin e së parës dhe gatitjen për të dytën.

Si shqiptarë, teksa është mirë të kujdesemi që të kemi me vete superfuqitë e mëdha është po aq mirë ta kuptojmë rrethanën tonë strategjike, të heqim dorë nga të qenit David e të mos i përsërisim gabimet e njëjta.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X