loader image
October 5, 2024

Shfytyrimet në arsim, paradigma e një shndërrimi cilësor

Reformat në sistemin arsimor nuk mund të jenë kopje modelesh “avangarde” të protagonistëve të politikës, por një transponim autentik që vjen nga një projeksion i mirëmenduar dhe nga strategji afatgjate ekspertizash reale që njohin specifikat e rrugëtimit të një sistemi, gjithë dekompozimin që do të duhet të tejkalohet nëpërmjet intervenimeve graduale në çdo pjesë të sistemit. Sigurisht, në gjithë këtë peizazh zhvillimi, çështja e leximit mbetet e një rëndësie të veçantë, sepse mund të kemi një sistem të përkryer arsimor në letër dhe projeksion, por nëse nuk do të kemi një interaksion me leximin si një akt vetërealizimi dhe përmbushjeje, përsëri do të kemi një rezultat të zymtë.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Rezultatet më të fundit të testit PISA për vitin 2022 flasin për një peizazh të zymtë të arsimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Tashmë është thënë dhe stërthënë që sistemi arsimor në këto vende ndodhet në një krizë permanente funksionimi, në një lloj agonie të pashpresë, që nuk lë shumë vend për optimizëm. Sigurisht, kjo zymtësi ka një sfond të komplikuar që ndërlidhet me shumë faktorë përcaktues në dekompozimin e madh të sistemit arsimor.

Sipas të dhënave të testit PISA për vitin 2022, të shpallura më 5 dhjetor 2023, shumica e nxënësve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në njohuritë e matematikës, të leximit dhe të shkencave të natyrës, janë nën mesataren e vendeve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë tërë kohës, në të gjitha ciklet e mbajtura të testit PISA, kanë treguar rezultate të dobëta. Maqedonia e Veriut, gjatë testimit të vitit 2018, ishte renditur në vendin e 67-të nga gjithsej 79 vende pjesëmarrëse dhe përafërsisht të njëjtat rezultate shpërfaqen edhe në testin e vitit 2022. Maqedonia e Veriut në matematikë renditet e 61-ta, në lexim e 71-ta, ndërsa në shkencat e natyrës e 68-ta.

Rezultatet e deritanishme tregojnë për një sistem arsimor jo të qëndrueshëm dhe për mungesë cilësie në gjithë suazën e arsimimit, që nuk mund të kufizohet vetëm në këtë ndërmjet kohë, por vjen si anomali përgjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit.

Këto rezultate janë një alarm i fuqishëm për gjithë protagonistët e fushës së arsimit, por edhe për të gjithë protagonistët e krijimit të politikave arsimore, të cilët tashmë duhet t’i lexojnë drejtë këto rezultate dhe, në përputhje me koordinatat që jepen nga PISA, të fillojnë të reflektojnë me angazhimet e tyre.

Kjo pamje e zymtë e sistemit arsimor, ky ngërç që vjen me shumë anomali dhe dekompozime në të gjitha rrafshet e formësimit të cilësisë, duhet të krijojë një moment të ri debati kompetent dhe një reflektim të gjerë mbi gjithë atë që e përfaqëson sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut, i degdisur dhe në mënyrë konstante i atrofuar nga eksperimente të shumta. Siç e dimë tashmë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës është njëra ndër ministritë që ka njohur më së shumti ndërrim ministrash, gati thuajse në çdo dy vjet, gjë që tregon për mungesën e seriozitetit dhe të përgjegjësisë për njërën nga sferat më jetike të shoqërisë. Dhe, pikërisht, duket se kjo mungesë përgjegjësie, e përcjellë me kalkulime politike sipërfaqësore, me eksperimente të shumta, nganjëherë edhe me mendjemadhësi bjerrakohëse reformash, tërësisht të pabazuara në analiza të thella të gjithë strukturës së sistemit arsimor, kanë nxitur një kalbje të vazhdueshme që është mbështjellë me celofan suksesesh të paqena.

Improvizime në vend të një projektimi koherent

Sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut në asnjë rast duket se nuk ka arritur t’u rezistojë turbulencave të shumta politike të periudhës së tranzicionit, ndikimeve partiake dhe ndikimeve të tjera, që në masë të madhe e kanë ulur nivelin e perfomancës te mësimdhënësit dhe, bashkë me këtë, edhe te nxënësit. Trajektorja e arsimit në Maqedoninë e Veriut ka njohur defekte të shumta gjatë tërë periudhës së tranzicionit. Ndikimet politike, gjegjësisht politizimi i skajshëm, mungesa e kritereve në punësim, diplomat e diskutueshme, papërgjegjësia profesionale, mungesa e kushteve për mësim modern, një lloj analfabetizmi i etabluar si normalitet, mungesa e zhvillimit profesional dhe shumë defekte të tjera të prekshme nga kushdo, e kanë shfytyruar deri në banalitetit sistemin arsimor, deri në kalbje, deri në një dekompozim kaotik, që tashmë mbetet e vështirë për t’i korrigjuar.

Pikërisht në fushën ku realisht duhej më së shumti të investohej me kujdesin më të madh të kritereve dhe standardeve, fatkeqësisht kemi një dekompozim të thellë, një shfytyrim që në asnjë rast nuk e njeh një evolutë normale, një evulutë cilësore progresi, që do të mund të prodhonte edhe rezultate mbrothësie për shoqërinë.

Në Maqedoninë e Veriut nuk është arritur të krijohet një sistem koherent në fushën e arsimit që do t’i përgjigjej profesionalizimit dhe përkushtimit maksimal që e kërkon kjo fushë kaq e rëndësishme e shoqërisë. Përkundrazi, gjatë tërë kohës janë vërejtur eksperimente në politikat arsimore, zgjidhje të çastit, zgjidhje që më tepër kanë qenë improvizime, pa arritur të krijojnë një transformim cilësor të gjithanshëm, që nënkupton suazë ligjore të mirëmenduar, dokumente të përpiluara nga profesionistë të fushës dhe strategji afatgjate, që hapin dhe mbindërtojnë një vizion që do të ishte në përputhje me zhvillimet globale, me paradigmat moderne arsimore, që gjithnjë stimulojnë të mësuarit kritik, një proces mendimi zgjidhjesh logjike, ashtu siç e kërkon edhe vetë testimi PISA.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka përpiluar një strategji për periudhën 2018-2025, por kjo strategji shumë pak është debatuar në nivele profesionistësh dhe shumë pak është prezantuar si vizion përpara opinionit të gjerë. Paraprakisht, një dokument tjetër, që së paku ekziston në letër, mbi zhvillimin e arsimit është Programi Nacional për Zhvillimin e Arsimit në Republikën e Maqedonisë (2005-2015), i cili gjithashtu duket se nuk e ka ofruar vizionin e duhur, por edhe nuk ka arritur te etablohet minimalisht në themelet e sistemit arsimor, i cili brenda kohës ka pësuar turbulenca të shumta, ndikime politike, por edhe mungesë të tërësishme të një ekspertize dhe vizioni profesional.

Një e vërtetë tjetër rrëqethëse është fakti se shumë dokumente e strategji të përpiluara mbeten vetëm në letër dhe nuk arrijnë që as minimalisht të strukturojnë e reflektojnë në sistemin arsimor, i cili përballet me mungesë të një vizioni koheziv, por edhe me “kalbje” të brendshme punësimesh pa kritere.

Ridefinimet teorike, dija e eksplorimeve kreative

Për t’u futur në një analizë më të thellë të sistemit arsimor, mbetet e domosdoshme që të shihen konceptet dhe interpretimet më bashkëkohore të nocionit arsim, që tashmë ka marrë tonalitete tjera dhe alternohet në një paradigmë tjetër të gjithë asaj që nënkupton arsimi.

Arsimi mbetet një sipërmarrje e madhe në drejtim të përsosjes së aftësive përtej formave tradicionale. Esencializmi pragmatik nuk e sheh arsimin si një fushë, por si një disiplinë, si një ripërcaktim teorik që kalon përtej aplikimit të disiplinave të tjera në fushën e arsimit. Nëse teoria arsimore është një disiplinë, ajo duhet të sigurojë një platformë unike për të parë të gjithë botën shoqërore. Teorikisht, arsimimi nënkupton bartjen e dijes dhe përvojës njerëzore nga një brez në brezin tjetër. Është, si të thuash, një lloj vazhdimësie, transferim i gjithë dijes njerëzore nëpërmjet shkollës si institucion.

Pa hezitim mund të theksojmë se sistemi arsimor tashmë në nivel global ndodhet në një udhëkryq reformash dhe secili vend, përveç principeve të përgjithshme, zgjedh edhe format specifike të strukturimit dhe organizimit arsimor. Bota e gjerë teknologjike gjithashtu imponon kahëzime tjera, të cilat mbeten të përfshira edhe në testimin PISA. Pikërisht për të siguruar një vlerësim mbi gjithë sistemin arsimor në vitin 2000, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) organizoi, për herë të parë, testin PISA (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve), qëllimi i të cilit është të maten aftësitë e nxënësve të moshës 15-vjeçare për t’i zbatuar njohuritë e tyre në situata të jetës së përditshme. Kjo matje bëhet në tri disiplina: në lexim, në matematikë dhe në shkenca të natyrës. Në secilin shtet pjesëmarrës përzgjidhet një mostër reprezentative e nxënësve 15-vjeçarë që i nënshtrohet testit. Testi PISA nuk ka për qëllim të krijojë shtresa tjera vlerësimi, por esencialisht fokusohet që, për dallim nga vlerësimi tradicional, të shkojë përtej nëse nxënësit mund ta riprodhojnë atë që e kanë mësuar në shkollë. Pra, nxënësit duhet të eksplorojnë përtej lëndëve dhe t’i zbatojnë njohuritë e tyre në mënyrë krijuese.

Në qëllimet e testit PISA, mes tjerash, theksohet se nëse gjithçka që bëjmë është t’ua mësojmë fëmijëve tanë atë që e dimë, ata mund të kujtojnë se duhet t’i ndjekin gjurmët tona. Por, nëse mësojnë se si të mësojnë dhe janë në gjendje të mendojnë për veten e tyre dhe të punojnë me të tjerët, ata mund të shkojnë kudo që dëshirojnë. Testimi PISA u dedikohet një sërë shkencëtarësh, profesionistësh të arsimit, arsimtarësh etj., të cilët tashmë janë të përfshirë në këtë metodologji të re të vlerësimit të arsimit dhe që ka të bëjë me shfaqje tjera të ndërlidhjes së nxënësit me realitetet e panjohura. Testi PISA vë në sprovë gjindshmërinë e nxënësit, gjegjësisht njohuritë e tij në një situatë të paparashikuar jetësore. Në esencë, ky test nuk ka për qëllim të kuptojë se sa di një nxënës, por sa njohuritë që ka ai, mund t’i vë në funksion të një sprove jetësore.

Siç mund të vërehet nga vetë principet e vlerësimit të testit PISA, tashmë nga nxënësit për më tepër kërkohet një qasje kreative ndaj mësimxënies, që duhet të jetë e zbatueshme në situata të panjohura, që do të thotë se është një kalim tërësor nga koncepti i dijes uniforme, siç e kemi pasur dhe e kemi aktualisht, në një koncept krejt tjetër, që ndërlidhet me të menduarit kritik, me zgjidhjet logjike kreative dhe me një përfshirje inteligjente që shkon përtej koncepteve skolastike të bartjes së dijes. Realisht, kemi ndryshim të paradigmës arsimore dhe testi PISA, në vlerësimin e tij, insiston pikërisht në këto elemente të dijes funksionale, që janë në përputhje me zhvillimin e botës moderne. Me një fjalë, testi PISA synon shndërrimin e madh nga dija statike në dijen funksionale të një bote në transformim e sipër.

Me këtë metodologji realisht zgjerohet koncepti mbi sistemin arsimor, por edhe mbi dijen përgjithësisht, që tashmë nuk shihet vetëm si një bartje tradicionale tek brezi tjetër, pra nxënësit, por shihet edhe funksionalizimi i kësaj dije në sprovat e jetës së përditshme. Si ngushëllim për rezultatet nga ky testim mund të jetë fakti që edhe nxënësit nga vende shumë më të zhvilluara, me investime shumë më të mëdha në sistemin arsimor, kanë treguar rezultate të dobëta. Pra, ky test nxjerrë në pah mësimin kreativ, që nuk varet vetëm nga kushtet e mira në të cilat mësojnë nxënësit, por edhe nga një koncept i bartjes së dijes, i cili në asnjë rast nuk është skematik, por është në funksion të sfidave të botës digjitale, tregut të punës dhe sfidave të ndryshme jetësore. Në këtë drejtim logjika dhe metodologjia e këtij testimi thotë se testi i vërtetë në jetë nuk është nëse mund ta kujtojmë atë që e kemi mësuar në shkollë, por nëse ne do të jemi në gjendje t’i zgjidhim problemet, të cilat sot nuk mund t’i parashikojmë.

Sfidat e evolutës së mirëmenduar

Gjithë kjo suazë metodologjike e testit PISA nuk lë vend për dëshpërime, por – përkundrazi – kërkon një motivim shumë më të madh për t’iu përgjigjur sfidave të arsimit në nivel global. Shumë shtete me shumë më pak investime në arsim kanë arritur suksese të jashtëzakonshme. Ky fakt, mes tjerash, duhet të krijojë një moment reflektimi për ta ndryshuar matricën dhe konceptin e sistemit arsimor në mënyrë që ai t’i përgjigjet këtij transformimi të madh global që tashmë arsimin e kupton si një aftësi për të zbatuar njohuri në situata të caktuara në përputhje me zhvillimin e madh teknologjik në botë.

Nëse do të kuptohet esenca e këtij testimi dhe gjithë ideja e arsimimit që tashmë nuk ndalet vetëm në bartjen e dijes, por edhe në funksionalizimin e saj, atëherë do të mund të kalohet më lehtë në korrigjimet e nevojshme, në shndërrimin e madh, i cili kërkon motivim, vullnet dhe politika arsimore të mirëdefinuara.

Pikërisht në këtë drejtim janë një sërë dokumentesh, analizash, rekomandimesh edhe nga Komisioni Europian, të cilat duhet të krijojnë fushëpamjen e madhe të sistemit arsimor për t’i dhënë udhë transponimit substancial dhe jo improvizimeve bjerrakohëse. Në radhë të parë do të duhet të kemi një çlirim të tërësishëm të arsimit nga politika, institucione të konsoliduara arsimore dhe një analizë të thellë vetëkorrigjuese që mbështetet në paanshmëri ekspertësh. Reformat në sistemin arsimor nuk mund të jenë kopje modelesh “avangarde” të protagonistëve të politikës, por një transponim autentik që vjen nga projeksion i mirëmenduar dhe nga strategji afatgjate ekspertizash reale, që njohin specifikat e rrugëtimit të një sistemi, gjithë dekompozimin që do të duhet të tejkalohet nëpërmjet intervenimeve graduale në çdo pjesë të sistemit. Inkorporomi i një koncepti të ri duhet të bazohet në krahasime modelesh, në trajektoren e deritashme dhe në idenë e evolutës së ngadalshme, por të pandalshme në gjithë planimetrinë e sistemit arsimor. Politikat arsimore duhet të burojnë nga dija, nga përvoja, nga ekspertiza dhe jo nga akrobacionet e dukjes improvizuese.

Sigurisht, në gjithë këtë peizazh zhvillimi, çështja e leximit mbetet e një rëndësie të veçantë, sepse mund të kemi një sistem të përkryer arsimor në letër dhe projeksion, por nëse nuk do të kemi një interaksion me leximin si një akt vetërealizimi dhe përmbushjeje, përsëri do të kemi një rezultat të zymtë. Ky fakt na detyron që t’i kushtojmë një kujdes të jashtëzakonshëm nxitjes së leximit te nxënësit dhe, bashkë me këtë, edhe të menduarit kritik, si një predispozitë për të krijuar korrelacionin e ndryshimit dhe të evolutës. Në të kundërtën, do të vazhdojmë të “vegjetojmë” në nota ekselente improvizimesh dhe në një injorancë që vjen si një pakt i pashpallur mes nesh dhe sistemit.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X