loader image
October 14, 2024

Serbizmi si ideologji antishqiptare

Shkruan: Ismail SINANI

Kur Eqrem bej Vlorës i kërkohet nga Instituti i Europës Juglindore në Munih t’i botojë kujtimet e tij, atë e kap një trishtim. Ndonëse është njeri me formim jashtëzakonisht të fuqishëm intelektual, ai shfaq dilema dhe thellë në vetvete përjeton një tërmet të fuqishëm nëse është i aftë dhe i denjë të flasë për të kaluarën, për historinë. Siç edhe mund të nënkuptohet, çdo njeri i ditur, në shpirtin e tij, e bart edhe barrën e frikës që ia ngacmon nervin, i cili e alarmon se megjithatë njeriu, sado që të jetë i ditur, në thelb ngelet i paditur. Kështu, në këtë bashkëdyzim mendimesh, ai i rreket punës, e cila kulmon me veprën e tij madhështore “Kujtime”, që do duhej të shërbente si guidë për shumë historianë dhe intelektualë, që edhe sot e kësaj dite nuk e kanë të qartë se kush kemi qenë dhe ku kemi vajtur në këto 100 vjetët e fundit.

Pas një shekulli e më tepër, shqiptarët kanë nevojë t’i kthehen edhe një herë historisë, për ta ndezur flakadanin ndriçues që na distancon nga fantazitë “shkencore” e njëkohësisht na i shfaq para sysh armiqtë, më saktë armikun e vërtetë shekullor e historik të kombit tonë, që nënkuptohet se është Serbia.

Mosmarrëveshjet ndër dekada e shekuj mes shqiptarëve dhe serbëve, kërkojnë një analizë të thellë. Arsyet e këtij animoziteti, që e kanë shfaqur serbët ndaj atyre që nuk janë si ata, në këtë rast ndaj shqiptarëve, kërkojnë trajtim politologjik, por pse edhe jo edhe psikosocial.

Serbët, pavarësisht nëse bëhet fjalë për mbretërinë e Car Dushanit, për shtetin e tyre të krijuar para një shekulli e gjysmë, për “kralevinën” apo për Jugosllavinë komuniste dhe pas-komuniste, te shqiptari e kanë parë armikun e tyre. Për ta, shqiptari gjatë gjithë këtyre shekujve ka qenë i stigmatizuari, i keqi. Pse është krijuar miti për Kosovën? Pse letërsia serbe është “e ngjeshur” me portretizime albanofobe? Këto janë apo do të duhej të ishin dilemat më të mëdha intelektuale ndër ne. Por, ja që, për fat të keq, po ndodh e kundërta. Duke e kërkuar fajin në sajesat dhe konstruktet e ndryshme ideologjike, po përpiqen që shqiptarin ta shndërrojnë në TJETRI për veten e tij. Në fund, kështu në heshtje, gjithçka po përfundon me një amnisti për të gjitha të bëmat serbe ndaj qenies sonë kombëtare.

Po kështu, dilemë e madhe ndër ne do të duhej të ishin edhe pyetjet se si është e mundur që “kokat më të ndritura” serbe, në vend se ta kundërshtojnë antishqiptarinë, gjatë gjithë kësaj periudhe kanë prodhuar argumente për zhbërjen e indit shqiptar? Apo, se si është e mundur që Kisha Serbe të bëhet fole për gjithë ata të kësaj mendësie shoviniste, në vend se të jetë frenuese e këtij vreri?

Hantingtoni thotë se, “njerëzit afrohen me ata që kanë prejardhje, fe, gjuhë, vlera e institucione të ngjashme. Kurse largohen prej atyre që i kanë të gjitha këto të ndryshme”. Ne, shqiptarët, këtë teori do duhej parë në dy rrafshe: i pari është ai që nuk i jep të drejtë këtij eruditi të kohës moderne, ndërsa i dyti, që megjithatë i jep shumë të drejtë, për të mos thënë plotësisht.

Në rrafshin e parë Hantigtoni nuk ka të drejtë, pasi që shqiptarët, tashmë si një sui generis, ia kanë përdëftuar gjithë botës se ndonëse me tri fe, me shumë pak incidente të papërfillshme, gjithmonë kemi qenë të bashkuar.

Në rrafshin e dytë, kur janë në pyetje serbët, teoria e tij është sikurse e dalë nga kallëpi preciz, që i ilustron më mirë se çdokush raportet tona me serbët.

Ortodoksia religjioze serbe është më përjashtuesja në sfondin e të gjitha kishave tjera sllave. Ajo, në konceptin e krijimit të saj, e ka ndërtuar mitin për veten, për “serbin e shenjtë”, për “tokën e gjakun e shenjtë”… ka ndërtuar një koncept surrealist për mitin serb, duke e përqafuar kështu gabimin historik të hebrenjve si “popull i përzgjedhur”, por me një dallim të vogël/të madh, se këta i takojnë Ballkanit. Dhe, natyrisht, paralelisht e ka ndërtuar narracionin negativ për tjetrin në Ballkan, posaçërisht për shqiptarin dhe boshnjakun, si mbetje myslimane – osmane – turke, që duhet zhdukur për ta ruajtur “pastërtinë territoriale”?!

Sa për ilustrim faktik, “Naçertanija” e Garashaninit (1844), “Dëbimi i shqiptarëve” i Vaso Çubrilloviqit (1937) dhe “Memorandumi” i Akademisë se Shkencave të Serbisë (1986), të gjitha këto ishin dhe janë vepra monstruoze të sponsorizuara nga Kisha Serbe, ndërsa edhe sot e kësaj dite janë burim inspirimi për politikën serbe… së fundmi edhe në Banjskë.

Alija Izetbegoviqi, si njëri ndër personat që më së shumti e ka vuajtur fashizmin serb, kur flet për konceptet e historisë, thotë se, “e tanishmja është gjithmonë diç më shumë se e kaluara”. Nëse aludimi i tij ka qenë ekskluzivisht për Serbinë dhe serbizimin, atëherë çështja është keq, shumë keq! (Editoriali i Revistës SHENJA)

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X