loader image
March 12, 2025

Romani i kujtimeve nëpërmjet rrëfimeve si dromca të kujtesës përballë harresës

Misionari në përballje me misionin e rëndë kërkon modelin ideal për ta ndërtuar personalitetin e tij në kohën e krizave të mëdha, ndaj për ta tejkaluar këtë sagë kërkohet modeli, porosia e shenjat e qarta.

Fitim VELIU, Prishtinë

Romani i Adem Demaçit Dashuria kuantike e Filanit hyn në radhën e romaneve të paktë e të rrallë shqiptarë që trajtojnë dëshmi, të dhëna, kujtime e biografema të autorit narrator, i cili e ndërtoi personalitetin e tij historik, poetik e politik, si kauzë të rëndë nacionale shqiptare, duke i dhënë e thënë shumë shqiptarisë e shqiptarësisë.

Ky roman mëton të tregojë dëshmi e të ndodhura gjatë procesit të historisë së tij personale në ndeshje me kërkesat nacionale të shqiptarëve për liri e pavarësi. Ndaj, lënda e romanit nis me dromcat e kujtimeve që kthehen në formë të tregimeve, dëshmisë personale, si rrëfim e kujtim e që në esencë janë pamje të asaj që narratori ka përjetuar e fituar, e para si dëshmi e zisë, kurse e dyta si formim e qëndrim përballë situatave të rënda personale, familjare e kombëtare. Romani ka në brendi dy protagonistë kryesorë: autorin (narratori) dhe Dardha, gruaja e tij, me të cilën i ndanë kujtimet e përjetimet e tij. Ky komunikim mes Dardhës e autorit narrator jepet nëpërmjet letrës elektronike, që Dardha merr nga autori i ndodhisë, dëshmisë e tragjedisë, që në fakt autori shkruan letra duke dhënë, kurse Dradha duke lexuar e dëgjuar të dhënat e të pathënat e sekreteve që dëshiron të dalin në skenën e leximit.

Gjithë rrëfimi që jepet nëpërmjet kujtimeve i krijon sagat e autorit nëpërmjet fazave të jetës: fëmijëria, adoleshenca, rinia, dashuria, puna, burgu e qëndresa personale përballë kauzës nacionale.

Saga e dashurisë

Pjesa e parë e këtij romani hapet me titullin “Letra e parë elektronike e Dardhës” ose sagën e dashurisë, në të cilën narratori krijon lojën mbi dashurinë si fuqi që e kërkon tek Dardha (gruaja), nga e cila kërkon mirëkuptimin, por edhe besën, se rruga e tyre ka për të qenë e rëndë, ndaj kërkon një kontratë besimore, nëpërmjet së cilës do të ecin në rrugën e rëndë, e që nëse protagonistët i përkasin njëri-tjetrit, atëherë gjithçka do të jetë më e lehtë si barrë e si radhë në ecejaket e vështira. Dhe, që dashuria e tyre të jetësohet, kërkohen premtime dhe shenja të thella etike të përngjasimit, si mënyrë e komunikimit të tyre, ndaj autori kërkon shenja mitike për ta shpërfaqur dashurinë e tij kuantike: “Unë po luaj rolin e vardisësve të Odiseut e ti të Penelopës.”

Në këtë varg kërkohet pritja e Dardhës, meqë ecejaket e Filanit janë shndërruar në odisejadë të pakufishme. Pra, në sagën e parë të dashurisë kërkohet pritja, si formë e vetme e ngushëllimit.

Saga e flijimit

Dardha, personazhi i idealizaur dhe dashuruar, tashmë ndodhet në pozicionin “in medias res”, në qendër, pa thënë e pa dhënë, meqë është vetëm marrësi në tërësinë e rrëfimeve e të kujtimeve, të cilit ngadalë i kërkohet dashuria deri në flijim, meqë përballë ka kërkesa ekstreme. Ndryshe, kujtimet nuk kthehen në rrëfime të rënda e tragjike. “Të më dashurosh mua, do të thotë të flijosh shumë. Ta harrosh vetveten. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm ajo që me forcën e vet shkëputet nga qenia fizike dhe shndërrohet në qenie kuantike”. Pra, para Dardhës është trinomi ekstrem, që në esencë përbën zvetënimin subjektiv si sakrificë personale, atëherë kur kërkohet dashuria, flijimi dhe harrimi, një paradoks si nyje demaçiane. Nyja e tillë kërkon unin personal në ndeshje me atë universal dhe këtu autori kërkon dialog me vetveten, si dhembje e asaj që nuk e mori atë që i takoi. Ngushëllimi kërkohet si mosharrim për atë që punoi në ndeshje me ata që nuk e kuptuan misionin e një misionari të madh: “Ti e jep krejt vetveten tënde, ndërsa ata e përjetojnë këtë sikur do të marrësh gjithçka prej tyre”. Një moskuptim ose dhembje e dëshpërim për atë që punoi e veproi në ndeshje me të tjerët.

Saga misionare

Misionari në përballje me misionin e rëndë kërkon modelin ideal për ta ndërtuar personalitetin e tij në kohën e krizave të mëdha, ndaj për ta tejkaluar këtë sagë kërkohet modeli, porosia e shenjat e qarta. Heta është personazhi episodik që e ndriçon segmentin e filleve të narratorit autorial, i cili kërkon nga protagonisti kryesor i romanit veshjen me tri parimet e idealitetit: “Të flakësh tej egon, natyrshmëria dhe të mos lidhesh me kohën, sepse ka kohë për të gjitha…vetëm për t’u ngutur nuk ka kohë.”.

Në rrugën e misionaritetit të rëndë, narratori kërkon shenjat e zvetënimit moral e nacional tek shqiptarët që lidhen me njeriun e gatuar keq, kurse idealistët tanë me të mëdhenj janë gatuar nga të huajt, ndërsa si organizim, dije e vetëdije jemi diku kah fundi i Europës. Kjo është karakteristika e shqiptarëve, që në esencë del të jetë mungesë e idealit dhe një subjektivizëm ekstrem, për të përfunduar në ferrin tokësor të Balzakut, si shenjë interteksti: “Pengesa që njerëzit tanë nuk e gjejnë gjysmën e vet, por bashkë me partner të gabuar në një ferr të vogël familjar, ku shumë energji, material e kohë shkon kot.”

Saga e fëmijërisë, flaka e plaga

Rrëfimi për këtë pjesë nis me kohën diakronike dhe formulimin e përrallës “isha nëntë vjeç…”, që jep shenjat e kujtesës së kohës së rëndë familjare në përballje me regjimin serb, kur Abeja (vëllai i madh) përfundon në burg. Nëna e Zoti janë dy figura që jepnin shpresë në domenin e jetës në ndeshje me vdekjen dhe atë që e sjell pas fati si aspekt tragjik ose mistik. Nëna këtu bart barrën e jetës si organizim, si shpresë dhe frymëzim për të gjallët që përballen me të panjohurat që sjell e nesërmja e pasigurt.

Maliqi është personazhi historik, që në roman del të jetë kurbani i parë në familjen e narratorit. Nëna: “Hajde, ndihmo i madhi Zot! Të gjithë jemi në dorë të Zotit dhe Maliqit. Do të bëhet siç ka thënë Zoti”. Kurse daja Nezir, formulën e besimit si shpresë e kthen në porosi e veprim për të gjallët, madje si përforcim për të nisur organizimin si dije e vetëdije deri në flijim: “Zoti ka thënë që shpirtin që ua kam falur nuk mund t’jua marrë askush. Vdekje nuk ka, por ndërrim jete, mirëpo ne nuk po guxojmë të shkoqemi prej kësaj viran jete…!

Nëna këtu bart shenjat e mitike të këngëve kreshnike, kur ajo merr rolin e organizimit familjar e social.

Historia, kujtesa, mësimi e mbijetesa

Brenda strukturës romansore kemi personazhet historikë, pra ata që kanë dhënë e thënë për protagonistin e romanit: Kola, mësuesi, Zekeria Rexha, Sabit Kapiti, Idriz Ajeti etj., nëpërmjet të cilëve e formësoi kuptimin mbi etninë, historinë, kulturën e politikën. Këto personalitete narratori i kujton si dëshmi në një kohë të rëndë sociale e kombëtare. Idriz Ajeti jepte leksione për letërsinë, kurse Zekeria Rexha për historinë. I pari jepte leksione për Koliqin, tregimtarin e parë shqiptar, kurse Rexha ua hapi sytë përballë gabimeve që bënë komunistët shqiptarë me ata jugosllavë.

1958 – viti i kobshëm

Burgosja e parë e autorit, është sprova e prova e tij më e rëndë, meqë në roman jepet nëpërmjet ballafaqimit të botës së tij të dyzuar në ndërdymjen e madhe të peshës së rëndë mbi provën e parë. Burgosja e shpërfaq personalitetin e tij deri në ekstrem, kur mendon nëse vërtet ishte latuar si duhet për një barrë të tillë. Andaj ne po sjellim disa dromca nga teksti për ta parë përshkrimin e një tmerri në instancë ferri dantesk: “Ti ke qenë merakli ta agjinosh Ramazanin dhe ja, çetnikët po ta bëjnë krejt Ramazan. Këtu është vendi ku shkatërrohet trupi e vihet në provë shpirti, ndaj e paskam marrë një barrë për të cilën nuk paskam qenë i gatuar…!”

Kjo pjesë e tekstit është shenja themelore e dhunës sistematike që narratori e jep nëpërmjet dëshmive si kujtesë, nga ajo që ka përjetuar sistematikisht në burgun jugosllav. Ndoshta kjo është sprova më e rëndë e tij, kur në disa momente ka dialog me vetveten e tij deri në nivel të dyshimit në misionin e rëndë sa malet.

Për romanin Dashuria kuantike e Filanit

Kritiku letrar Sabri Hamiti e sheh këtë lloj të letërsisë së Demaçit si formë ekspozimi ku “këtë herë letërsia shkruhet si dëshmi për situatat ekstreme tragjike, prandaj lypet një precizim shtesë nëpërmjet elementëve: mbijetesë, dëshmi, shkrim, kujtesë.”

Detyra e Demaçit është ta dëshmojë qëndresën e moralin kundër dhunës dhe idenë e dashurisë për lirinë nacionale (S. Hamiti). Ndaj duke treguar e dëshmuar, Demaçi bëhet ideolog duke u bërë misionar i idesë së tij.

Sipas Hamitit, Demaçi e jep kujtimin si dëshmi dhe në fund e gjen figurën. S’ka më vështirë se ta kujtosh e krijosh jetën e lirë në robëri.

 Gjarpijt e gjakut ose damka e gjakmarrjes

Ky roman është botuar në vitin 1958, kur edhe u burgos për këtë shkrim. Për këtë roman ka shkruar studiuesi Nysret Krasniqi, në librin e tij Letërsia e Kosovës 1953-2000. Krasniqi e sheh romanin e Demaçit si ide dhe stil me novelën e Koliqit Gjaku. Krasniqi, për këtë roman, ngre këtë teori: Romani nis me maksimën Jo – atyre që janë trima me ngrehë gishtin e krimit, por atyne që janë trima me e shtri dorën e pajtimit, pra ky roman do të shërbejë si katarzë për çlirimin nga damka e gjakmarrjes.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X