E kaluara si një imazh a skenë filmi, servirur me gjithë temenanë e shkronjësve a hyzmetqarëve të një regjimi a nji tjetër hutimi kolektiv, përpiqet jo pak herë të na familjarizojë me idenë se vuajtjet, dertet e padrejtësitë e shtruara mbi brezat e këtij kombi, fshehin në thelb etjen e paepun të hasmit, dushmanit e armikut, që mëtonte me e shfarosë një popull të tërë prej faqesë së dheut.
Fjolla SPANCA, Mitrovicë
Rikthimi tek emrat e përveçëm të historisë shpesh më nxit të rrekem midis linjave të rrëfimeve të së shkuarës (në dukje të shpërfillshme) dhe çarjeve sociale a historike të ‘pashpjegueshme’ të së tashmes.
Këta emra nuk janë thjesht gjurmë individuale nga një kohë e largët, por bartës kuptimesh të shumështresëzuara, biles ngarkues simbolesh që i lidhin shekujt për të na rikthyer tek rrënjët dhe njëkohësisht janë edhe rrëfenjës që shfaqen në vijimësi gati të padukshme ose në kontrast me narrativat “e pakuptueshme” të realitetit bashkëkohor.
Ky akt rikthimi, kjo ndërthurje kohësh, na fton të shqyrtojmë tensionin mes kujtimeve të strukturuara të së kaluarës dhe ndërprerjeve që formësojnë përditshmërinë tonë. Brenda kësaj qasjeje, historia nuk shfaqet si një kronikë lineare, por si një rrjet i dendur domethëniesh, ku simbolika e emrave të veçantë bëhet çelës për të kuptuar marrëdhënien e brishtë mes kujtesës kolektive dhe absurdit ose, siç kemi prirjen ta quajmë ndonjëherë, “misterit të kohës ku jetojmë.”
E kaluara si një imazh a skenë filmi, servirur me gjithë temenanë e shkronjësve a hyzmetqarëve të një regjimi a nji tjetër hutimi kolektiv, përpiqet jo pak herë të na familjarizojë me idenë se vuajtjet, dertet e padrejtësitë e shtruara mbi brezat e këtij kombi, fshehin në thelb etjen e paepun të hasmit, dushmanit e armikut, që mëtonte me e shfarosë një popull të tërë prej faqesë së dheut.
Vdekja mizore e shqiptarit të pafat, e treguar si akt, barbar, paraqitet si provë e kontratës çnjerëzore që të huajt në aleancë me djajtë, nënshkruan për të fituar, me çdo kusht e me çdo mjet. Ndoshta prandaj rrëfenjat e të parëve shpesh përbëjnë një dëshmi të trishtë se si egoja njerëzore imiton makabritetin dhe grykësinë. Nëpër rreshtat dhe meloditë e tyre, ndjehet qartë depërtimi i një neuroze të trashëguar, një lloj paralize shpirtërore që ka mbërthyer jetën dhe e ka bërë të ngurtë mendimin përballë ndryshimit a kuptimit të ri.
Megjithatë, në përsiatjet historike, shqiptarët shpesh i kanë dhënë strehë një ndjenje krenarie apo atdhedashurie të plagosur, me origjinë të lashtë ndërfisnore, një ndjenjë që i ka shtyrë ndonjëherë të besojnë edhe në një lloj idealizmi racor-superior; kallje kjo për muzën frymëzuese ideologjike.
Kjo kryelartësi, e shfaqur si mbrojtje e pasurisë kulturore, shpirtërore apo kombëtare, për fat të keq nuk ka rezultuar ndriçuese. Përkundrazi, ajo ka shoqëruar një elegji të pambarimtë të fatit gri; një cikël të dhimbshëm që vazhdon gëlon pa u sosur as sot.
Një thirrje e papërfunduar
“Ne jemi shqiptarë dhe e kemi për detyrë të mbetemi siç qemë prej kohe, stoli e maleve të larta dhe të qiellit… të vrapojmë… të shkruajmë me shkronja të zjarrta “Rroftë Shqipëria e liruar…”
Kritikët e veprës Israilitë dhe Filistinë theksojnë se kjo dramë është shkruar me një qëllim goxha të thellë politik, ideologjik dhe atdhetar. Fan Noli, në një kohë kur Shqipëria ishte ende nën robëri dhe fati i saj kombëtar varej nga zgjedhjet e guximshme të elitës intelektuale dhe politike, përdori një legjendë biblike për të përcjellë mesazhin e tij mbi domosdoshmërinë e veprimeve të vendosura, por të drejta; veprime që duhej të ndërmerreshin edhe me forcë, nëse ishte e nevojshme.
Kjo lë të kuptohet se për Nolin, e mira nuk ishte domosdoshmërisht e ndarë nga forca; ndonjëherë, për të përmbysur të keqen, për ta bashkuar popullin dhe për të realizuar aspiratat kombëtare, përdorimi i forcës bëhet i pashmangshëm.
Në këtë mënyrë, vepra nuk shihet thjesht si një përshtatje letrare apo fetare, por si një metaforë e fuqishme që ravijëzohet përreth gjendjes së shqiptarëve në fillim të shekullit XX, në kulmin e lëvizjes për pavarësi. Madje, shumë prej studiuesve pohojnë se ndikimi i mendimit rilindës, veçanërisht ai i Sami Frashërit mbi Nolin, ndihet natyrshëm, dhe jo vetëm në këtë dramë.
Në Israilitë dhe Filistinë, Noli nuk artikulon vetëm një ide mbi lirinë dhe të drejtën për rezistencë, por formëson edhe një model heroik: një figurë përfaqësuese të idealit dhe guximit që shqiptarët duhej ta ndiqnin në rrugën drejt pavarësisë dhe rizgjimit të dinjitetit kombëtar.
Në dramën e shkruar qyshkur, Noli ndërton figurën e Samsonit si simbolin e njeriut që sakrifikon gjithçka për lirinë dhe idealin. Edhe pse ndoshta pa zë, në heshtje, Noli në flakërimin rinor përpiqet të flasë më shumë nga ç’mund të lexohet thjesht në rreshta. Përballë Samsonit idealist e kryenaltë rrijnë hipokrizia, frika dhe oportunizmi, elemente këto që autori i sheh si pengesat më të mëdha për çlirimin dhe ndërtimin e një kombi të denjë e të lirë.
Ndërkaq, në dramë, përmes personazhit të Rabinit, Noli vë në dukje rrënjët që i çojnë popujt drejt greminës, pa pasur nevojë për gjakderdhje; rrënjë që fshihen në mendësi të mbyllura e vizione të turbulluara prej përkohëshmërisë; mendësi që e lehtësojnë perceptimin e të fortëve mbi kulturën e tyre si superiore dhe të shenjtë.
Në këtë kontekst, sipas Rabinit nolian, asimilimi kulturor bëhet i panevojshëm, sepse kulturat që nuk funksionojnë, që nuk evoluojnë, rrëzohen vetë. Koha, në përkryerjen e saj të pandalshme, nxjerr në pah borxhin e paditurisë.
Nga ana tjetër, Martin Camaj, duke shkruar mbi dramën e papërfunduar të Nolit, përmend atmosferën brenda legjendës, e cila, sipas tij, është larguar dukshëm nga gjeneza biblike. Protagonistit, Samsonit, Camaj vëren se i janë shtuar tipare të reja karakteri, duke u theksuar jo vetëm fuqia fizike, por sidomos forca morale, etika e misionit dhe guximi i brendshëm.
Rrjedhimisht, Camaj pohon se Samsoni është një idealist që meriton respekt, po aq sa duhet vlerësuar edhe figura e Rabinit, i cili përpiqet ta mbrojë Samsonin nga hipokrizia e izraelitëve fetarë. Këta të fundit, sipas tij, nuk shqetësohen fare për Samsonin, por vetëm për imazhin e fesë së tyre dhe për sundimin e nënshtrimin e Filistinëve, gjë që tejkalonte grimcat hyjnore që mund të vërtiteshin në ajër.
Kështu, në thelb, Israilitë dhe Filistinë e Fan Nolit është shumë më tepër se një dramë me ngjyrime biblike apo trill artistik. Ajo është një thirrje për këndellje kulturore; një shpresë për zgjim kombëtar a vetëdije historike dhe një soj vizioni për të ardhmen e shqiptarit, duke theksuar me ngulm fuqinë e rezistencës.
Në rrafshin kulturor, me ose pa qëllim të drejtpërdrejtë, Noli ngre pyetje të dhimbshme mbi identitetin, kulturën, asimilimin dhe vlerat e një shoqërie që përpiqet të ngrihet e të forcohet mes rrënojave të mbetura nga sundimi përmes përçarjes së të dobëtit. Gjithashtu, ai vë në pah se çlirimi i jashtëm pa një rilindje të brendshme, pa një transformim etik dhe shpirtëror të vetë njeriut, s’është gjë tjetër, veçse syrgjynosje. Ndoshta, pikërisht këtu, drama e Nolit tejkalon kufirin e ngurtë të lirisë, duke i dhënë hov asaj lirie që lind nga përballja me të vërtetën, me dhimbjen dhe me nevojën për drejtësi të vërtetë, qoftë kjo edhe duke i dalë kundër pretendimeve të egos sonë.
Kështu, Noli e çon dramën përtej skenës: ai e bën atë akt të ndërgjegjes kolektive, manifest të mendjes që refuzon të nënshtrohet, manifest të zemrës që s’pranon të asimilohet dhe thirrje për funksionalizim!
Prandaj, përmbysja që i bëhet idesë së një kulture superiore nuk është thjesht një kritikë e jashtme ndaj kolonializmit apo arrogancës kulturore; ajo mbetet një akt rezistence, një refuzim i çdo forme të vetënënvleftësimit dhe një thirrje për ringjalljen e vlerave njëmendësisht njerëzore si: dinjiteti, drejtësia, sakrifica dhe dashuria për atdheun.
‘Po dëgjojmë dita ditës se jeni duke gjykuar kundërshtarët tuaj të gjallë! Por kurrë nuk na kishte shkuar mendja se jeni aq trima sa të hithni në gjyq dhe të vdekurit!’
pa shtëpi e katandi
Lakuriq, nji shoqni e kjo Shqipni.
Deri më 17 shtator 2025 janë regjistruar mbi 65,062 palestinezë të vrarë dhe 165,697 të plagosur. Pamjet që vijnë nga Gaza janë apokaliptike. Empatia për holokaustin ka filluar të zbehet dukshëm. Ndonëse gjithë klasa politike po rri e heshtur, sheshet e kryeqendrave botërore janë ngjyrosur me flamuj e kefije palestineze. Ndërkohë qeveria gjenocidiale izraelite po përpiqet ta shfarosë një popull të tërë … kurse e tërë bota, njerëzisht, prej javësh po kthehet në Palestinë. Kësaj here, bashkë më përpjekjen e superiorëve izraelit për ta pushtuar e nënshtruar Palestinën, po përpiqemi edhe ne me ndryshu së brendshmi dhe kulturalisht, me u funksionalizu.
Ndërkaq, Shqiptarët e Nolit, as mish as peshk, lodrojnë salloneve mondane të Europës në përpjekje për t’i grisur edhe ato pak drithërime shpirtnore – njerëzorë që ruheshin prej mbas rënies së komunizmit. Shumë politikë dhe fare pak mendje e elitë. Të regjur prej padrejtësive e të lodhur prej politikave kusare mbi kurrizin e tyre, më shumë se gjysma e qytetarëve shqiptarë presin ta braktisin këtë Tokë, një orë e më parë. Lakuriq, pa ideale e pa shpresë, Shqipëria e Nolit, duket t’jetë thyer në besë.