Metafora e disa mollëve të kalbura që rrinë mes mollash të mira përpiqet shpesh t’i jap trajtë tjetër shpjegimit të sjelljeve kriminale në organizata të gjera si ushtria a qeveria. Në këtë metaforë vetëshërbyese, mesazhi është i pastër si loti: gjithmonë do të ketë individë antisocialë, të cilët sulmojnë, dëmtojnë, torturojnë, vrasin a masakrojnë.
Fjolla SPANCA, Mitrovicë
Në pranverën e vitit 1999 ne po ktheheshim në vendlindje. Pra, unë, nuk do isha më vajza refugjate që kërkonte përgjigje dyerve të huaja për familjarët e pagjetur. Ndofta prandaj në krahnor më gufonin të gjitha erëzat e këtij nënqielli, duke më ngjyer me gëzim të paepun tej frikës së heshtun. Për hir të së vërtetës, për të gjithë ne, ishte akoma shumë herët të pohonim se ëndrra e keqe mori fund! Do duheshin ditë të tëra për t’u bindur se qyteti nuk mbante më policë e ushtarë, që dilnin nga kthinat, për të na vrarë. Do duheshin muaj e vite për t’i shëruar traumat që na kishin mbetur si nishane klori derdhur mbi bluzë të zezë. Hijet e së kaluarës nuk treteshin kollaj.
Kur sosëm në mëhallë, pamë se shtëpitë tona qenë shkrumbuar. Kjo nënkuptonte se jetën do duhej ta fillonim prej hiç-it. Ose, jo! Në fakt, nuk niseshim krejt nga hiç-i sepse krahasuar me të tjerët, ne, të paktën ishim numër! Nuk na mungonte njeri. Patëm fat!
E megjithatë, zbarkimi në Mitrovicë i fiku edhe ato pak shpresa që i kisha kallajisur me durim t’çeliktë n’kurbet. Sepse asgjë nuk ishte ashtu siç dukej! Asgjë nuk dukej ashtu siç ishte! Ishim të huaj në atdhe. Muhaxhirë pa fole.
Ditët, javët e muajt në vijim i kaluam në kërkim a përpjekje për të ndërtuar një konak – ku të mblidhnim jetën pak nga pak. Pastaj, në shtator ra zilja dhe u çel shkolla. Veçse ora policore na mbylli pa mëshirë, netëve të gjata, me qiri, në errësirë.
Fabrikimi i Historisë
Në rrëfenjat e të gjallëve thuhej shpesh se mes policëve dhe ushtarëve kishte të tillë sosh që u ndihmonin njerëzve dhe nuk vrisnin! Kishte dhe prej atyre që nuk donin t’i shkrepnin armët, por kur i urdhëronin, duhej të vepronin. Në perceptimin dashamirës të urtnakëve, serbët nuk rezultonin të gjithë, kolektivisht përgjegjës për ç’ndodhi në Kosovë; e natyrisht kjo është më afër së vërtetës por megjithëkëtë, kur ti i përket grupit të viktimave, kërkon me ngulm që të ruash kujtimin e atyre që s’janë më; kërkon të të kthehet prona dhe pasuria; kërkon që fajtorët, aq sa janë, minimalisht të çplohen para drejtësisë! Nga ana tjetër, projektuesit e së keqes asnjëherë nuk mbajnë përgjegjësi për veprat e tyre, madje ata përpiqen që ta fshijnë kujtesën dhe ta shtrembërojnë të vërteten; ata duan që ta fabrikojnë historinë duke e manipuluar të shkuarën. Serbia a udhëheqësit e tij saj politik, të korruptuar e të dehur n’djallëzi nuk kanë reshtur së zbukuruari mëkatet e veta ndër dekada, për të justifikuar luftën dhe spastrimin etnik. Ata të dhënë pas miteve të trilluara injektonin vetëmashtrimin ndër breza, duke e shtruar në themel pastaj ato që prof. Oberschall i vargëzon si etnocentrizëm, etnifikim, konformizëm dhe vëmendje e përceptimi selektiv. Aparatura shtetërore i njihte mirë qytetarët e vet dhe pamundësinë sociale për t’u zhveshur kollaj nga përkatësia etnike, ndaj deklaratat e nacionalistëve dhe oportunistëve nuk do kurseheshin së mbështeturi vetëviktimizimin – si alternativë për manipulim, mobilizim dhe legjitimin pushteti.
Barrikadat antisnajper: një Interpretimi Ndryshe i Luftës
Në gjyqin e Galiçit, Serbia kundërshtonte fuqishëm fajësinë për vrasjen e civilëve në Sarajevë nën pretendimin se ishin forcat boshnjake ato që kishin hapur zjarr mbi civilët e tyre, në mënyrë që të krijonin një incident ndërkombëtar. Gjenerali Galiç, ani se kishte kontroll absolut mbi ushtrinë, mbrojtja ngulte këmbë se qyshkur ai erdhi në krye të forcave boshnjako-serbe, numri i të vrarëve nga snajperët kishte rënë, kurse vrasjet e tjera qenë kryer në kuadër të mjegullnajës së luftës ose ishin dëme anësore në rrethana të jashtëzakonshme.
Anthony Oberschall-i thotë se në realitet numri i vrasjeve nga snajperët kishte rënë aso kohe, sepse qytetarët ishin bërë më vigjilent dhe kishin filluar të ndërtonin barrikada antisnajper, duke krijuar shtigje më të sigurta për kalimtarët, duke mbyllur shkolla dhe duke i shpërndarë të gjitha aktivitetet sa më larg shënjestrave se snajperëve. Madje, sipas tij, në kërkim të së vërtetës, proceset gjyqësore si ai i Galiçit kanë rëndësi të madhe, sepse diferencojnë metodat e intepretimit të fakteve të luftës. Oberschall-i shkruan se faktet nuk flasin për veten. Atyre u jepet trajtë brenda një argumenti ose rrëfimi – dhe këtu kemi parasysh operacione mendore që strukturojnë perceptimin, formësojnë komunikimin dhe u japin ngjyrë gjykimeve rreth të vërtetës ose besimeve dhe shpjegimeve të atilla. Kurse trajtat mbetën mjete për komunikimin e domethënieve midis njerëzve si konstruksione sociale dhe joideosinkretike.
Mollët e kalbura dhe sindroma e mohimit
Metafora e disa mollëve të kalbura që rrinë mes mollash të mira përpiqet shpesh t’i jap trajtë tjetër shpjegimit të sjelljeve kriminale në organizata të gjera si ushtria a qeveria. Në këtë metaforë vetëshërbyese, mesazhi është i pastër si loti: gjithmonë do të ketë individë antisocialë, të cilët sulmojnë, dëmtojnë, torturojnë, vrasin a masakrojnë.
Por, a janë njëmend njerëzit si mollët? Krimet gjenocidiale a mund të perceptohen si kalbje fizike mollësh? Kur mollët kalben, a nuk do duhej larguar ato menjëherë nga shporta? Oberschall-i do thoshte se eliminimi i metaforave në situata të ngjashme është thuaja i pamundur, sepse, fundja, ato përdorën në shërbim të formësimit të opinionit publik dhe, si të tilla, janë vetëshërbyese, të njëanshme dhe të papërshtatshme.
Në anën tjetër, sindroma e mohimit korrespondonte me vullnetin e autoriteteve të besuara gjerësisht në Serbi, të cilat mjeshtërisht, përmes viktimizimit dhe territ të ethshëm mediatik, manipulonin vazhdimisht me opinionin publik, duke servirur vetimazhe pozitive dhe duke faturuar çdo vrasje a masakër në kurriz të tjetrit – i cili ishte potencialisht armiku famëkeq i komunitetit të vet, por, mbi të gjitha, armiku i tanë Serbisë mega-demokratike, e cila qe zhytur ne terr.
Në vitin 1992, rreth 1,380 qytetarë serbë janë pyetur nga Instituti i Studimeve Politike në Beograd se ç’mendim kishin për rrethimin dhe bombardimin e Sarajevës në maj e qershor të ‘92-tës, përgjigjet e tyre ishin:
a. Myslimanët dhe/ ose forcat kroate (38.4%)
b. Nuk e di (22.5%)
c. Forcat serbe (20.5%)
Të tjera anketime si këto që janë kryer edhe mbas vitit 2000 zbuluan se serbët nuk ishin në gjendje të identifikonin as edhe një krim të vetëm lufte që mund të ishte kryer nga forcat serbe. Pra, mafia kriminale, që qëndronte në krye të shtetit qe kujdesur fort që brenda territorit të Serbisë, njerëzit të tëhuajësoheshin; të mos gjykonin as reflektonin dhe, mbi të gjitha, të parazitonin në shërbim të një grushti politikanësh, akademikësh e intelektualësh që vetes ia patën dhënë të drejtën për të marrë jetë, sa herë t’kishin nge.
Të frymosh dinjitetshëm edhe me fatkeqësinë!
Esrën e njoha kur sapo qe kthyer nga Oksfordi. Herët, në fillim të viteve 2000. U habita pak kur pash se ajo mbante një shami mbi kokë, por jo si ato të nanës time. Flokët i qenë mbuluar prej lulesh bojnashumë dhe sytë blu i ndrinin sa herë fliste. Nga darka e vonë, kur e pyetën në kishte siklete prej shamisë dhe në ndjehej e izoluar a vetmuar, ajo duke qeshun po thoshte se shamia ishte pjesë e identitetit të saj. “Ky është një amanet që ma kujton mua se kush jam dhe çfarë më pret! Përgjatë viteve sa qëndrova në Angli, për shkak të studimeve, shamia nuk m’u bë asnjëherë pengesë. Biles, ndjehesha mirë. Oh sa mirë! Tani që u ktheva, po qe nevoja, mund të punoj edhe recepsioniste. Nuk e kam fare problem. Kjo është zgjedhja ime! Ne jemi mësuar të durojmë shumë e në kthim të marrim veç pak. Unë, zaten nuk kam shumë për të humbur. Ata m’i morën të gjitha!”
Mbrapa e kuptova se Esra po kërkonte akoma për eshtrat e babit dhe vëllezërve të saj dhe se një nga arsyet që e kishin sjellë në Prishtinë lidhej me përpjekjet e saj për të rivënë drejtësi në shoqërinë mendësikalbur që ia vodhi fëmijërinë, familjen, ëndrrat e qetësinë!
Vullneti i saj i hekurt, vendosmëria e patrandur, krenaria dhe jeta e saj pa komplekse – m’i shpartalluan të gjitha perceptimet e arnuara me behane. Ne nuk qemë brumosur me të tillë krenarie! Bile, me t’u kthyer në shkollë, pranuam që të mos flisnim kurrë më për luftën sikur ajo të mos i përkiste më jetës sonë. Vendonim kudo monumente heronjsh, jetën dhe veprën e të cilëve e arkivonim thellë në harresë.
• Ne akoma tulatemi mes të resë dhe të vjetrës, duke e kapërthyer ters, gjithë ç’kishim të shtrenjtë. E di, ky mund të ishte fati i shumëkujt, gri. E, megjithatë, koha jonë kërkon “Republikë të Letrave” në rast se ne duam të mos mbetemi për gjatë viktimë dhe të huaj, në truallin e Dashnisë. Rrokja e së Vërtetave dhe çvleimi i hjekave nën prizmin e Drejtësisë, do duhej të ishin kërthiza e meremetimit të historisë.
• “Republika e Letrave” – vjen si urgjencë kombëtarë veçmas tani, kur brezat harrojnë se kush ua shkrumboj të gjallët në shtëpi!
Në kujtim, të nanave mafesbardha, që e pritën gjatë, kthimin e të dashtunve të zemrës! Atyre, që veç lotëve, nuk thanë kurrë fjalë të sertë, por as heshtën as u harruan!
Në kujtim të nanave boshjake, grave që e rrokën jetën në sy, për të vënë pak drejtësi!