loader image
December 13, 2024

Gjenocidet serbe, strategji për projektin e “Serbisë së Madhe”

Me përjashtim të ndonjë zëri individual, shumë-shumë të rrallë, populli serb asnjëherë nuk ka arritur të prodhojë një grusht intelektualësh ose politikanësh që do ta kundërshtonin dhe denonconin krimin e organizuar shtetëror serb, i cili ka arritur deri në gjenocid ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve dhe kështu të ndërtonin dhe promovonin, sado pak, një substancë morale dhe të ndërgjegjshme të popullit të tyre.

Arben LABËNISHTI, Strugë

Historia më e re e Europës, ajo e fundshekullit të XX, e mbart masakrën më të madhe, të ndodhur në territorin e saj pas Luftës së Dytë Botërore, gjenocidin në Srebrenicë. Përgjegjës i drejtpërdrejtë për këtë krim mizor është Serbia, ndërsa politikëbërësit e pushtetshëm të kohës kur u realizua ai, si ata të disa shteteve më të fuqishme europiane e botërore dhe ata të organizatave ndërkombëtare, siç është Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e kanë të ndotur ndërgjegjen e tyre me përgjegjësinë për mosparandalimin ose për mosndërhyrjen ushtarake për të shpëtuar mijëra jetë burrash, të rinjsh dhe fëmijësh të pafajshëm.

Ky krim i madh dhe brutal kundër boshnjakëve (myslimanëve), i njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si gjenocid, përbën krim të dëshmuar me argumente sipas kritereve të nevojshme të kërkuara dhe të shqyrtuara në këtë jykatë, por s‘është e vetmja vepër gjenocidi e Serbisë. Ajo, që nga viti 1878, e ka zgjeruar territorin e shtetit mbi ndërmarrje të spastrimit etnik nëpërmjet gjenocidit dhe shpërnguljeve të detyruara të banorëve të territoreve të populluara me shqiptarë dhe boshnjakë.

Pas 29 vitesh nga kjo masakër, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi rezolutën, e cila e shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Sigurisht, miratimi i kësaj rezolute është dokument i rëndësishëm dhe një akt i drejtë, i cili, në interes të të vërtetës dhe drejtësisë, e meritonte të miratohej shumë vite më parë.

Kur diskutojmë për ngjarjet në Bosnjë dhe për ata që ishin të përfshirë në ato, fraza kuptimplotë e shkruar nga Dr. Emir Sulajgiq “Ishim të shënjestruar për t’u zhdukur” shtron shumë pyetje, të cilat nuk kanë marrë përgjigje deri më sot, madje ndoshta nuk do të marrin asnjëherë.

Sfondi dhe konteksti i aktit të gjenocidit

Me rënien e komunizmit filloi edhe shpërbërja e federatës jugosllave dhe krijimi, nga popujt e saj, i shteteve kombëtare të pavarura. Në këto rrethana, Serbia, e cila e kontrollonte pjesën më të madhe të APJ-së, u vërsul me forcën e armëve, me arsyetimin për të mos lejuar shpalljen e shteteve sovrane dhe shkëputjen e tyre nga Jugosllavia. Politika, intelektualët dhe Kisha Ortodokse Serbe e dinin se ishte e pamundur ruajtja e Jugosllavisë federative. Në këto rrethana, ndërhyrjet ushtarake ishin pjesë e strategjisë së tyre të projektuar me kujdes, për të vënë në kontroll territore të popujve të tjerë, ku jetonte ose jo një pakicë serbe dhe të bënin spastrimin etnik të tyre, në interes të një Jugosllavie më të vogël, në të cilën të gjithë serbët do të jetonin bashkë. Ky ishte projekt i “Serbisë së Madhe”.

Serbët, me forcën e armëve, tentuan të marrin territore të Kroacisë, ku me serbët lokalë e vetëshpallën “Republikën e Krajinës Serbe, por, pavarësisht forcës ushtarake serbe, si rezultat i mobilizimit kroat dhe mbështetjes ndërkombëtare të vendosur (në veçanti të Gjermanisë) për Kroacinë shtet sovran, serbët u detyruan të tërhiqen nga qëllimi i tyre dhe kështu Kroacia e ruajti pavarësinë dhe integritetin territorial të saj. Në këtë luftë ka pasur edhe krime ndaj civilëve, por, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i ka hedhur poshtë pretendimet dhe akuzat e ndërsjella për gjenocid në luftën serbo-kroate.

Në Bosnjën me shumicë popullate myslimane, ku jetonte edhe një pakicë serbe ortodokse dhe kroate katolike, ngjarjet e luftës kanë pasur histori tjetër, e cila karakterizohet nga krimi gjenocidal dhe spastrimi etnik i territoreve të cilat natyrshëm ishin të populluara dhe administroheshin nga boshnjakët, por që serbët i tjetërsuan.

Prilli i vitit 1992 nuk shënon thjesht kohën e fillimit të pushtimit të territorit të Bosnjës nga forcat serbe, por edhe fillimin e veprimtarisë së tyre kriminale ndaj civilëve, e cila është e mbushur përplot me keqtrajtime, plaçkitje, përdhunime të femrave, shkatërrim dhe djegie të vendbanimeve, privim nga mjetet e nevojshme të jetesës, detyrim të popullatës për t’u shpërngulur nga vatrat e tyre, rrethime dhe bombardime të vendbanimeve, vrasje të planifikuara dhe sistemuara të civilëve… në kontinuitet deri sa përfundoi lufta. Kronologjia e ngjarjeve të ndodhura në luftën e Bosnjës, me krimet tanimë të publikuara të dokumentuara, ku gjenocidi në Srebrenicë është më i madhi i tyre, dëshmon se qëllimi i serbëve nuk ishte thjeshtë pushtimi, por që, nëpërmjet fushatës ushtarake për pushtim, të realizohej sa më shumë që ishte e mundur spastrimi etnik i territorit boshnjak nga myslimanët, shkëputja e tyre nga administrimi boshnjak (mysliman) dhe uzurpimi, i cili, në rrethanat e së nesërmes, do të legalizohej me vendime ndërkombëtare si territor i popullatës serbe të Bosnjës dhe do t’u lihej në administrim atyre, duke u shndërruar në etnitet politik, siç është sot Republika Srpska në kuadër të Bosnjës. Nisur nga kjo, natyrshëm lind pyetja se: në kohën kur Serbia i realizonte këto masakra gjenocidi, ku e ka gjetur guximin kaq të madh dhe sigurinë, ngase nuk parandalohej për ta realizuar krimin gjenocidal, e as nuk mbante përgjegjësi në masë shqetësuese që mund t’i sillte asaj ndonjë dëmtim të veçantë ndëshkimi gjatë procesit të luftës dhe pas saj për krimin që do të bënte? Në lidhje me këtë, shtrohet edhe pyetja: kur serbët kishin një armatë të fuqishme për kohën, pse myslimanëve boshnjakë, me mekanizmin “embargo armësh”, nuk iu lejua furnizimi me armë për t’u mbrojtur? Shtetet të cilat e mbështetnin dhe nuk lejonin heqjen e kësaj embargoje janë të njohura. Srebrenicën, e cila ishte e rrethuar prej forcave serbe, në mars të vitit 1993 e vizitoi komandanti i Forcave Mbrojtëse të OKB-së, gjenerali francez Philippe Morillon, i cili në një tubim publik para qytetarëve të frikësuar i kishte siguruar se qyteti ndodhej nën mbrojtjen e OKB-së dhe se ai kurrë nuk do t’i braktiste. Në prill të të njëjtit vit, Ushtria e Republikës Serbe, kërcënon se nëse brenda dy ditëve boshnjakët nuk do të dorëzoheshin dhe nuk do të pajtoheshin të evakuohen, ata do ta sulmonin qytetin. Pas kësaj, vijnë reagimet e Këshillit të Sigurimit të OKB–së, nëpërmjet rezolutës që e shpallte Srebrenicën dhe rrethin e saj zonë të mbrojtur. Gjithashtu, është thënë se nëse cenohej siguria në atë zonë, do të kishte intervenim dhe sulm nga ajri. Ndërkohë në Srebrenicë ka mbërritur edhe kontingjenti i parë i ushtarëve të UNPROFOR-it. Në këto rrethana, ushtria serbe ia mësyn kësaj zone të mbrojtur nga OKB-ja, i zë rob ushtarët e Batalionit Holandez, të cilët e kanë pasur në kujdes dhe përgjegjësi për ta mbrojtur atë dhe pa ferrë në këmbë e realizon gjenocidin ndaj popullsisë myslimane të Srebrenicës. Goditja nga ajri e NATO-s jo vetëm që ka ardhur pasi ishin masakruar me mijëra burra, të rinj dhe fëmijë boshnjak, por edhe ai operacion u ndërpre shpejt, pa e realizuar atë, kështu që forcat serbe vazhduan me ofensivën masakruese. Para këtij gjenocidi me përmasa dhe pasoja të tmerrshme, shtetet më të fuqishme në nivel global i kanë pasur sytë qorr dhe veshët e shurdhur. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe NATO nuk iu përgjigjën përgjegjësisë për shpëtimin dhe mbrojtjen e jetëve të mijëra burrave dhe fëmijëve, edhe pse e posedonin teknologjinë ushtarake në epërsi shumë më të madhe në raport me atë të forcave ushtarake serbe, por edhe Rusia si aleat i Serbisë, pasi kishte dalë nga pushteti komunist, akoma ishte në kaos e krizë ekonomike dhe politike dhe nuk kishte potencialin dhe moralin e nevojshëm për veprime serioze, të cilat mund t’i sillnin shqetësime NATO-s.

Në këtë kontekst, nëse themi përgatitja ushtarake e NATO-s ishte e mangët për t’u përballur me ushtrinë serbe, do të ishte jo vetëm e pasaktë, por edhe naive. Të mendosh se ata nuk e kanë pasur informacionin e duhur se çfarë po ndodhte në Srebrenicë, përsëri është mendim i pasaktë dhe naiv, sepse kemi të bëjmë me shtetet me teknologjinë më të përparuar dhe shërbime inteligjente më të fuqishmet. Të kenë ngurruar për të ndërhyrë me shqetësimin se serbët do t’i ekzekutonin ushtarët holandezë, të cilët i kishin marrë peng, përsëri është një mendim i turbullt përballë  kthjelltësisë së dukjes së krimit gjenocidal masiv që po ndodhte me popullatën myslimane të asaj zone dhe mundësitë ushtarake dhe diplomatike të Perëndimit. Duke mos na bindur asnjëra nga supozimet e mësipërme, ndoshta e vërteta duhet kërkuar në pistën se dikush, që e lejoi të ndodhnin këto masakra në Bosnjë dhe të ngushtohej sa më shumë territori me shumicë popullate myslimane, e ka bërë me motivin se “një Bosnjë e pavarur do të ishte e panatyrshme si i vetmi komb mysliman në Europë.” Vetë ngjarjet e gjenocidit në luftën e Bosnjës, sjellja ndërkombëtare gjatë saj dhe vendimet e tyre për atë, e forcojnë dhe e bëjnë më të besueshëm këtë motiv. Kjo e përforcon edhe më shumë pohimin se lufta në Bosnjë kishte karakter fetar.

Edhe në luftën e Kosovës ka krime gjenocidi

Serbia i ka tiparet e shtetit gjenocidal, që nga viti 1877/1878, kur e ka filluar dhunën për spastrimin etnik të Sanxhakut të Nishit. Pavarësia dhe zgjerimi i territorit të shtetit serb me krahinat shqiptare të falura nga Kongresi i Berlinit (1878), si rezultat i disfatës së Perandorisë Osmane në luftën me Rusinë, i trimëroi serbët për të vazhduar dhunën e spastrimin etnik të këtyre krahinave shqiptare. Krimet rifillojnë në vitin 1912 për të vazhduar me gjenocidin gjatë dy luftërave ballkanike, ato të Luftës së Dytë Botërore dhe mbyllen me gjenocidin serb të luftës së vitit 1998/1999. Në këtë luftë serbët i realizojnë disa masakra në Kosovë, si atë të Reçakut, të Mejës, të Rezallës, të Krushës dhe masakrën e Prekazit. Krimi serb në këto vendbanime i ka tiparet e gjenocidit, por ato ngelin vetëm pretendime, përderisa nuk evidentohen, sistemohen dhe argumentohen me fakte të dokumentuara sipas kritereve të përcaktuara për konstatimin e gjenocidit. Vetëm kështu mund të ngrihet padi serioze në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, me shpresën se shqyrtimi i saj do ta vërtetonte gjenocidin dhe do ta shpallte fajtore Serbinë. Kjo ishte shumë e rëndësishme për Kosovën e pasluftës dhe të sotmen në politikëbërjen dhe marrëdhëniet në raport me Serbinë dhe bashkëpunimin me ndërkombëtarët. Fatkeqësisht, në këtë drejtim institucionet politike dhe akademike të Kosovës dhe të RSH-së kanë bërë shumë pak, ndërkohë që është e kuptueshme se nëse do të ishte vërtetuar gjenocidi serb në Kosovë, do të kishte qenë dhe do të ishte një “armë” e fuqishme në përballjen me Serbinë. Është jokorrrekte dhe, ndoshta, e pasaktë të hamendësoj dhe ta theksoj një arsye të caktuar, por është e arsyeshme dhe e drejtë ta ngre si shqetësim se pse politika dhe institucionet shtetërore në veçanti në Kosovë nuk janë marrë seriozisht me këtë problem të rëndësishëm, ashtu si edhe ajo e Tiranës, duke e ditur rëndësinë dhe peshën që do të kishte në dëm të Serbisë dhe në interesin tonë. Pse nuk ishte kërkuese këmbëngulëse dhe të vinte në funksion të kësaj çështjeje të gjitha resurset institucionale të specializuara që i ka në dispozicion?! Nëse këtë s’e bëri politika, pse heshti dhe tregoi neglizhencë dhe ulokëri Akademia e Shkencave? Përgjigjen për arsyen se pse këto institucione s’e bënë këtë do duhet ta kërkojmë në njërën ose në disa nga arsyet e mundshme, si: gjenocidi nuk është vlerësuar si çështje e rëndësisë së veçantë; kanë gjykuar se nuk ka mundësi për ta faktuar atë sipas kritereve të përcaktuara për gjenocid; kanë menduar se nuk ka pasur masakra të nivelit të veprës penale gjenocid; ka klane brendashqiptare të cilët nuk duan ta vënë Serbinë në siklet; është rezultat i një kërkese a shantazhi të ardhur nga Serbia, aleatët e saj, shoqëria a grupacione e qarqe me ndikim në politikën e Prishtinës dhe Tiranës ose ka qenë kërkesë a urdhër i një shteti a organizmi ndërkombëtar me peshë të madhe në vendimmarrjet politike. Nëse përgjigjja gjendet te këto arsye, atëherë përgjegjësia për këta luhatet nga papërgjegjshmëria deri te tradhtia.

Fakte dhe kontradikta

Federata komuniste jugosllave ishte krijesë në interes të popujve sllavë dhe në dëm kryesisht të shqiptarëve. Pas shpërbërjes të saj dhe luftërave serbo-kroate, serbo-boshnjake, kroato-boshnjake dhe shqiptaro-serbe, po t’u referohemi trevave me shumicë popullate serbe dhe kufijve të Serbisë, të përcaktuar në këtë federatë, nuk mund të thuhet se ajo ka dalë e humbur nga këto luftëra. Serbia i ka ruajtur në territorin e saj shtetëror trevat shqiptare të Preshevës, Bujanocit, Medvegjës dhe Sanxhakun me qendër Pazarin e Ri. Ajo ka arritur ta krijojë Republikën Serbe në Bosnjë, e cila është si rezultat i spastrimit etnik të boshnjakëve dhe mbështetjes së aleatëve të saj të vjetër. Por, e ka humbur Kosovën në kufijtë që asaj iu kishin përcaktuar nën sundimin jugosllav. Në këtë kuptim, shqiptarët e kanë fituar betejën për këtë Kosovë, por jo luftën e plotë me Serbinë (sllavët). Perceptimi i politikës shqiptare, për arritjet e passhpërbërjes së Jugosllavisë, është rezultat i referencës çfarë kishim në kohën e saj. Kjo është e pasaktë dhe e gabuar, sepse kështu neglizhohet dhe harrohet se çfarë është jona dhe e meritojmë, e cila është e saktë dhe e drejtë dhe duhet të jetë referenca për arritjet dhe përpjekjet tona.

Mosrealizimi i gjenocidit në Kosovë në përmasat e atij të Bosnjës, ruajtja e tërësisë territoriale të Kosovës dhe ndërhyrja ndëshkuese e NATO-s është rezultat i triumfit të interesave gjeopolitike të SHBA-së dhe disa shteteve të tjera perëndimore mbi ata të luftës fetare, që ishin shprehur në konfliktin dhe vendimet për Bosnjën. Për këtë, në një farë mase, kanë kontribut edhe vetë shqiptarët me aktivitetet e tyre.

Nëse e shohim miratimin, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, të rezolutës e cila e shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, në një sfond më të gjerë të ngjarjeve në vitet e fundit, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në interesat gjeopolitike të SHBA-së dhe shteteve të tjera perëndimore, si lufta e Rusisë në Ukrainë, mosdënimi i këtij agresioni nga Serbia, e cila dëshmon me vepra se është në anën e Rusisë, presionet e Republikës Srpska se mund të shkëputej nga Bosnja ose ngjarjet në veriun e Kosovës me grupin e armatosur serb në Banjskë, ndoshta ajo mund të jetë edhe një akt për ta kthjelluar Serbinë për kursin e saj politik. Nëse ajo do të bëjë një rrotullim pozicionimi nga kursi ruso-kinez, në drejtim të atij perëndimor, si rezultat i të cilit duhet të ketë edhe ndonjë kompromis plotësimi të ndonjë kërkese të saj ose do ta vazhdojë kursin e vjetër me aleat Rusinë, këtë ngelet ta dëshmojë koha.

Përgjegjësit, fajtorët dhe bashkëfajtorët për gjenocidin në Bosnjë janë ata që i kanë dhënë urdhrat, ata që i realizuan ato, ata që i mbështetën në kohën e zbatimit, ata që përpiqen t’i mohojnë ato nga koha kur kanë ndodhur deri në ditën e sotme dhe ata që ndoshta do të vazhdojnë ta mohojnë atë në të ardhmen. Është e vërtetë e pamohueshme se këta kriminelë kanë dalë nga gjiri i popullit serb, janë bijtë e tij.

Me përjashtim të ndonjë zëri individual, shumë-shumë të rrallë, populli serb asnjëherë nuk ka arritur të prodhojë një grusht intelektualësh ose politikanësh që do ta kundërshtonin dhe denonconin krimin e organizuar shtetëror serb, i cili ka arritur deri në gjenocid ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve dhe kështu të ndërtonin dhe promovonin, sado pak, një substancë morale dhe të ndërgjegjshme të popullit të tyre.

Mjedisi institucional dhe ai shoqëror i botës serbe vazhdon të jetë armiqësor. Kjo, kryesisht, duhet të jetë pasojë e mosndëshkimit ose ndëshkimit të pjesshëm të saj, arsyet e të cilit duhet të kenë të bëjnë me përplasjet e interesave gjeopolitike te fuqive të mëdha, të cilat shpesh përpiqen t’ia shkëpusin njëra tjetrës aleatët.

Jo kjo rezolutë, por asnjë veprim i mundshëm në ditët e sotme nuk mund ta korrigjojë të vërtetën e dhimbshme të gjenocidit me pasojat e tij dhe të demit politik që iu shkaktua pa të drejtë boshnjakëve.

Po kaq e vërtetë është se në tokat e uzurpuara me spastrim etnik, si rezultat i gjenocidit, nuk kanë jetuar asnjëherë të qetë gjakatarët, e as pasardhësit e tyre jetojnë të lumtur.

Shpesh gjërat nuk janë as ashtu si duken, e as të rastësishme. Prandaj, në kontekstin e sotëm nuk është çudi që interesat gjeopolitike të aleatëve tanë të sajojnë ndonjë përmbushje joshëse për Serbinë, por me pasoja të dëmshme për ne. Në këto situata, asnjëherë nuk  mund t’i përllogaritësh përmasat e dëmit që mund të të shkaktohet. Edhe kur të ofrojnë garanci, shpesh koha dëshmon se ajo që ka qenë në ecurinë e zhvillimit të ngjarjeve kthehet në një mashtrim. Sidoqoftë, ne duhet të rezistojmë me argumente, besim dhe vendosmëri për të drejtën tonë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X