loader image
June 13, 2024

Recension mbi librin ‘Identiteti kombëtar’ – Anthony D. Smith

Njeriu është shumësi identitetesh, qoftë fetare, kombëtare, gjinore, etj. Përgjatë jetës jemi në kërkim të vërtetësisë së identiteteve që i përvetësojmë. Identiteti kombëtar, duket se është më i thelli ndër to, identitet i pashmangshëm. Kështu e fillon librin Anthony D. Smith me dramën e inskenuar të Sofokliut, Mbretin Edip.

Greta AVDYLI, Prishtinë

Në fund të vitit 2022, shtëpia botuese CUNEUS nënshkroi kontratën me shtëpinë botuese presigjioze “Penguin” për përkthimin e librit “National Identity” nga Anthony D. Smith, një ndër sociologët më eminentë të fushës së studimeve të kombit dhe nacionalizmit. Ishte rastësi e këndshme, sepse kontrata për përkthim u nënshkrua në Ditën e Flamurit, 28 nëntor, ndërsa botimi i përkthimit të librit u bë një vit më vonë, në vigjilje të po asaj date e feste identitare të rëndësishme për shqiptarët.

Pata rastin të njihesha me konceptet dhe qasjet e Smith-it gjatë studimeve, kësisoj pata lexuar këtë libër në versionin anglisht. Pas shumë vitesh, ky përkthim më riktheu përsëri tek Smith-i dhe konceptimet e tij mbi identitetet, bazat etnike, nacionalizmin dhe trajtat e tij dhe në pikëpyetjen e vazhdueshme të mundësisë për një botë përtej kombeve.

Njeriu është shumësi identitetesh, qoftë fetare, kombëtare, gjinore, etj. Përgjatë jetës jemi në kërkim të vërtetësisë së identiteteve që i përvetësojmë. Identiteti kombëtar, duket se është më i thelli ndër to, identitet i pashmangshëm. Kështu e fillon librin Anthony D. Smith me dramën e inskenuar të Sofokliut, Mbretin Edip. Ky i fundit duket se kupton për identitetin e tij të prejardhjes mjaft vonë, por megjithatë, ndjehet i çliruar sepse di diçka për përkatësinë dhe zanafillën e tij. ‘Do ta di se kush jam’: zbulimi i vetes është shtysa kryesore e shfaqjes dhe kuptimi i akteve të luajtura. Por, çdo ‘vetje’ që shpalos Edipi është po ashtu një vetje shoqërore, një kategori dhe një rol, edhe kur duket si diçka e pasaktë për Edipin. Vetëm pas zbulesës tronditëse se ‘kush është ai’, ai fillon të shoh kuptimin e fatit të tij.’[1]

Një ndër tipat më të rëndësishëm të identitetit është ai kombëtar, ndonëse nuk trajtohet në dramën e Sofokliut, kjo sipas Smith-it për shkak të konfliktit mes qytet-shteteve greke. Megjithatë, të qenit jogrek përciptazi e shtjellon çështjen e identitetit kolektiv që lidhet me përkatësinë e që sot e njohim si identitet kombëtar, si një ndër elementet që stabilizon kolektiven, por edhe individualen. Anthony D. Smith i liston tiparet kryesore të identitetit kombëtar të cilat përfshijnë: një atdhe ose territor historik, mite dhe kujtesë historike e përbashkët, kulturë publike e përbashkët, të drejta dhe detyrime juridike të përbashkëta për të gjithë anëtarët dhe ekonomi e përbashkët me mobilitet territorial për anëtarët.

Sipas Smith-it, identiteti kombëtar është fundamentalisht shumëdimensional dhe si i tillë nuk mund të reduktohet në një element të vetëm. Ndër të tjera, përkufizimi i mësipërm i Smith-it mbi kombin pasqyron një vijë të qartë ndarëse midis shtetit dhe kombit. E para i referohet kulturës institucionale, e cila ushtron pushtetin e saj brenda një territori të caktuar, ndërsa e dyta paraqet lidhjet kulturore dhe politike që në thelb bashkojnë njerëzit në një entitet të vetëm politik.

Shtjellimi i identitetit kombëtar, fillimisht, nënkupton parashtrimin e disa pyetjeve themelore mbi rrënjët e kombeve, si, pse dhe mbi çfarë bazash krijohen ato? Kësisoj, Smith-i parashtron pyetje për të kristalizuar problemin e rrënjëve dhe zhvillimit kombëtar. Para shtjellimit të konstruktit modern të kombit, duhet shqyrtuar entitetet paramoderne kombëtare, të cilat shërbejnë si modele simbolike për kombet moderne, argumenton Smith-i. Ai përkufizon bashkësitë etnike përmes disa tipareve kryesore siç janë: emri i përshtatshëm i përbashkët, miti i prejardhjes së përbashkët, kujtesa e përbashkët historike, një apo më tepër elemente dalluese të kulturës së përbashkët, lidhja me atdheun e caktuar si dhe ndjenja e solidaritetit për aspekte të ndryshme të popullatës. Këto janë tiparet që përkufizojnë bashkësitë etnike dhe të cilat trasojnë rrugën për zhvillimin e konstruktit kombëtar.

‘Por, përderisa në rastin e etnive ndërlidhja me territorin mund të jetë vetëm historike dhe simbolike, në rastin e kombit kjo ndërlidhje është fizike dhe aktuale: kombet zotërojnë territore. Me fjalë të tjera, kombet kanë nevojë gjithmonë për ‘elemente’ etnike. Këto elemente, pa dyshim, se mund të përpunohen; ato përpunohen shpesh. Por, kombet mbeten të pakonceptueshme pa disa kujtesa dhe mite të përbashkëta të një atdheu territorial.’[2] Smith-i argumenton se kombformimi u ndikua pashmangshmërisht nga shembujt e Anglisë, Francës dhe Spanjës, për shkak të pushtetit të tyre ushtarak dhe ekonomik në Europën Perëndimore.

Megjithatë, kjo nuk ishte rastësore, pasi që zhvillimi i hershëm i kombeve të këtyre vendeve, sipas Smith-it, përkoi me revolucionet e administrimit, ekonomisë dhe kulturës. Më tutje Smith-i e shqyrton pretendimin se shteti krijoi kombet e para tout court mbi dy procese revolucionare: e para lidhet me ekonominë, ndërsa e dyta me procesin kulturor dhe arsimor si pjellë e revolucioneve perëndimore. Procesi ekonomik bëri të mundur që të krijoheshin rrjete tregtare të cilat mundësonin rritjen e qendrave urbane dhe kapitalit tregtar, argumenton Smith-i. Ndërsa, tek procesi kulturor dhe arsimor si cak kryesor ishte dobësimi i autoritetit kishtar, i cili deri atëkohë kishte qenë autoritet i palëkundur në marrjen e vendimeve. Sipas Smith-it, dalja nga kthetrat e autonomisë kishtare mundësoi zhvillimin e studimeve laike, shkencave humane klasike, studimeve universitare, ku intelektualët dhe profesionistët luajtën një rol të rëndësishëm në këtë proces.

Nga etnitë paramoderne tek kombet moderne është e natyrshme të problematizojmë edhe pretendimin për një botë pa kombe ose përtej kombeve. Këtë mendim e shtjellon Smith-i në kapitullin e fundit të librit. Ai e fillon duke thënë se: ‘Nga të gjitha indentitetet kolektive, identiteti kombëtar është mbase identiteti themelor dhe më gjithëpërfshirës.’[3] Më tutje ai argumenton se pse identiteti kombëtar dhe nacionalizmi u bënë aspekte tejet fondamentale në botën moderne.

Fillimisht, ai e pohon këtë për shkak të kudondodhjes së tyre, duke i trajtuar këto dy elemente si fenomene globale. Së dyti, në kuptimin politik identiteti kombëtar ndikon në qëllimet e politikave dhe praktikave administrative të cilat rregullojnë jetën e qytetarëve dhe, së treti, Smith-i e përmend edhe kompleksitetin dhe llojllojshmërinë e kombit dhe identitetit kombëtar, si konstrukt abstrakt dhe shumëdimensional, i cili prek, sipas tij, një gamë të gjerë të sferave jetësore dhe manifeston kombinime të ndryshme.

Për ta përmbyllur dilemën e një bote paskombëtare, Smith, sociologu eminent i kësaj fushe, thotë se: “Ajo çfarë mund të themi të paktën me një dozë qartësie është se identiteti kombëtar dhe nacionalizmi kanë më shumë gjasa të mbeten forca të fuqishme dhe përhapëse në të ardhmen. Prandaj, ekziston nevoja urgjente për ta kuptuar sa më mirë këtë gjendje kaq të vrullshme dhe globale.”[4] Ky libër, si një ndër të rëndësishmit e kësaj fushe, është në shërbim të sociologëve, etnografëve, politologëve dhe studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare.

[1] Smith, A. D. (2023). Identiteti kombëtar. Prishtinë: CUNEUS.

[2] Po aty, fq.49-50

[3] Po aty, fq.150

[4] Po aty, fq.10

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X