loader image
December 4, 2024

Quo vadis shqiptarët e hatëruar?

Fjolla SPANCA, Mitrovicë

Vite para, kur sapo kisha zbarkuar në Tokën e mbërthyeme prej premtimesh flladitëse për çelje ëndrrash të pafundme, shpesh e gjeja vetën mes njerëzish që për Kosovën kishin dëgjuar diçka dhe disi! Kurse në të kuptuarin tim, Amerika, deri vonë kishte qenë veç pozicion i lakmuar e lakuar hartash e ndodhish përgjatë orëve të gjeografisë e historisë; dhe, në të dyja rastet, profesorët tanë nuk përtonin ta kuronin aq përsosmërisht imazhin e këtij vendi, saqë të bëhej se po flisnim për një parajsë me hire, të pamohuar, për këdo që përpiqet mbi Tokë. Për fat, qe e thënë që për aq kohë sa orvatesha nëpër rrugët e gjera e hijeshiplotë të Washingtonit, të vjelja, në mos, përvojat më të papërsërituna, për jetën e një çike studente që mbrapa krahësh kish lënë një qytet imcak, n’tym baruti. Aty, në kish diçka që më trulloste përnjëmend, doemos ish lehtësia e fisme dhe përfillja e virtytshme e njerëzve për njëri-tjetrin. Qenë vite kur edhe të qenurit mysliman në D.C. nuk përbënte aspak shqetësim, biles ishte normalitet dhe herë-herë lehtësim (ose të paktën, ashtu e përceptoja unë kur mëngjeseve të rrëmujshme, në metro mund të të bënin vend veç po të shihnin me shami! ehe.) Ojnat e shamive që derdheshin nëpër kampuset universitare nuk dukej se pengonin ndonjë; përkundrazi, sallonet e diskutimeve ishin të hapura, njerëzit shkëmbeheshin kollajshëm; kishte mjaftueshëm hapësirë për t’u pranuar e ndryshmja brenda dhe matanë “llojit”, saqë hutohesha edhe vet kur mendoja për shqiptarët e kompleksuar që vazhdimisht përplaseshin me “prurjet e prapambetura arabe” përballë “pamjaftueshmërisë së të qenurit besimtar i mirë” sipas “përkufizimeve moderne” që ishin hapërdarë në masë, në çdo rrugicë e mëhallë; me shpejtësinë e dritës, netëve të gjata kur dritat e uji na kishin lënë shënden. Ah, se mos harrohem, Amerika kishte ca fytyra. Por, kësmet e pata me ia njoftë veç njërën sosh! Përndryshe, për Kosovën mund të flisnim në shkollë, në rrugë, në kafe, ne piknik, nëpër muzetë e famshëm Smithsonian e gjetkë. Kosova përbënte interes të veçantë për studentët dhe profesorët e së Drejtës, Marrëdhënieve ndërkombëtare, Shkencave politike, Zgjidhjes së zonflikteve, Çështjeve gjinore, etj. Ndërkaq, ndjeshmëri të theksuar tregonin ata që e njihnin mirë vuajtjen e Bosnjës dhe gjenocidin e Srebrenicës.
Përtej këtyre, njeriut, kollaj i ikën prej mendjes fakti se bota është gjithnjë në lëvizje dhe zullumi në të katër anët e saj nuk vjen duke u pakuar. Ndoshta, popujt e vegjël shtrëngohen me jetu, papërcaktueshëm në kohë, me mallkimin e nevojës së patjetërsueshme për t’u njohur e çmuar nga Tjetri, jeta dhe përpjekja e qytetarëve shpresëpak, gati titanike, përpara pushtuesëve të pamëshirshëm. Kjo nevojë i tkurrë duke i zvogëluar dhe i komplekson duke i mohuar.
Sidoqoftë!
Atij moti, kujtoj se lufta në Siri po hynte në muajin e 17-të dhe sipas grupeve monitoruese nga terreni më shumë se 21.000 njerëz ishin vrarë, “por” zhvillimet në arenën ndërkombëtare akoma qenë të mbërthyera prej një veli të turbulltë, me shumë pikëpyetje e “paqartësi”. Madje, kur “rastësisht” takova Rashad Hussain-in, po kuptoja qartazi se nuk do të flisnim dot gjatë për Kosovën time, sepse ai i sapoemëruar si i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në samitin e paprecedentë për situatën kritike në Siri, organizuar nga Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite që pritej të mbahej mu në natën e 26-të të Muajit Ramazan, ishte pamatë i përfshirë në detyrën e tij të re. Hussain-i ose i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, teksa shkurt u shkëmbyen, më thotë, ndër tjerash se situata globale nuk do jetë shumë premtuese për fatin e shqiptarëve të Kosovës, dheee jo vetëm. Rrjedhimisht, duhej reflektim, rimodelim politikash, thellim strategjish si dhe “hapje kufijsh, potencial!!!” – “Ne jemi të rëndësishëm për aq kohë sa u japim rëndësinë që mëtojnë rendet gjeopolitike.” – tha Hussain kur po ndaheshim, me kokën ulur dhe uratën e heshtur për Jetë t’begatë mbi Kosovën!
A kisha kuptuar gjë, nga ato që më tha miqsisht Hussain? Zor ta them me siguri një po – përmbajtësisht të vërtetë. Ndoshta, ishim ende të pambrujtur siç duhej. Ndoshta, as kuptonim njëmendësisht nëntekstet e fjalëve! Ndoshta, thelloheshim më tepër sesa duhej në çështje që nuk hynin në punë kur duhej dhe kësisoj na rrëshkisnin të vërtetat orëprerë, prej duarsh. Nuk e di! Me siguri, as atëherë nuk e kam ditur. Dituria, vazhdon të mbetet udha e gjatë dhe e stërmundimshme e dyshimeve, kërkimeve e thellimit të paepun.
Di ama, si 1 e 1 që bëjnë 2, se kur u ktheva prej andej, gjysma e miqve dhe familjarëve kur më takuan, pa një pa dy, me krejt kërshërinë e dynjasë derdhun në zemër e sy, me pyetën ditë për ditë, thuaja pa ndërru presje e pikë, se:
– Po çka thojshin për Kosovën n’atë Amerikë?
– A e dijshin amerikanët se kah i bjen Kosova?
– A veti kush për neve? A na çoj kush selam?
– Pashë besën, a na dojshin shumë masi veç na pshtuen prej shkaut?

Dhe, n’dekikun e parë që e kuptuan se unë s’kisha msue mjaftuesëm sa me u gjegjun siç ua donte xhani për “Amerikën e Premtuar” dro ma vunë një vizë, si njollë dallonjëse për paaftësinë e të kuptuarit dhe përcjellurit siç na ka hije, dashurinë e Amerikës për këtë nahije.

Je e re ti e nuk ke dijtë m’u afrue! Se Amerika kurrë n’dorë të hasmit ma s’ka me na lshue!

Kronikë e Zezë & Lajme nga Bota.

Dje në muzg, kur sa kish perëndu dielli, nji cingërimë e lehtë më dëfton se mbërriti prej Haaretz-i një përmbedhje ngjarjesh ditore, nën titullin “Israel at war: What you need to know – day 205”. Pra, po; është saktësisht dita e 205-të e një gjenocidi të pafre, në krye të të cilit rri ethshëm një lider i pangopur me gjak foshnjash, që isot’ demonizuese ia përcjellin e përforcojnë figurat më të larta të shtetit, burra e gra = thirrës’ terrorizues për vrasjen dhe shfarosjen e palestinezëve, të mbetur gjallë!
Dëshprimisht, çdo gjë deri më sot po ndodh para syve të mbarë globit derisa fuqitë e mëdha bëjnë sehir; se ku pajtohen e se ku diferencohen; pa prishur terezinë e një shteti hileqar – legjitimitetin e të cilët e vënë në diskutim vet qytetarët e tij; ata që në paqtimin e vet shpirtnor, teksa shtegtuan, ruajtën edhe Fjalët e pandryshkuna, të cilat burojnë prej kohës kur deti qe nda në dysh për t’i shpëtuar pasuesit e Moisiut prej babëzisë së Faraonit! Tani që shkruajmë, nipat dhe mbesat e të mbijetuarëve të Holokaustit, ata që ruajtën dinjitetin dhe moralin e naltë qytetar, u prijnë protestave për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm në Palestinën e ullinjëve shekullor.
Ndërkaq, fëmijët palestinezë vazhdojnë të shkruajnë emrat në krahët e tyre! Spitalet, universitetet, shkollat e votrat e gazanëve përcjellin imazhet e një terrori të pafre. Pamje thuaja apokaliptike ngado! Uri, etje, sëmundje, vuajtje e mërzi!
Zyrtarisht, 34.388 palestinezë tashmë nuk janë më mes te gjallëve, pa llogaritur këtu numrin e atyre që ndodhen akoma nën rrënoja apo të atyre nuk janë kthyer më kurrë pasi qenë arrestuar nga policia izraelite. Në mesin e të vrarëve, mbi 14,700 janë fëmijë, kurse 9,700 gra. Sipas UN Human Rights çdo 10 minuta në Gaza, një fëmijë vritet ose plagoset, anise sipas ligjeve të luftës fëmijët janë të mbrojtur dhe nuk do duhej kurrsesi që ta paguanin me jetë çmimin e luftës.
Por, Perëndimi është shushatë. Europa është gri. Statistikat e të vdekurve qarkullojnë papushim. Gjenocidi trasmetohet live – në kohë reale. Protestat shtypen. Qeveritë heshtin ose edhe kur flasin, pazari i armatimeve nuk ndalet. Në shikim të parë duket sikur presidenti izraelit ka aq fuqi sa ta mposhtë gjithë botën. Vendet perëndimore, në përpjekje për të mos i prishur palët e dimive të hekurosura, bëjnë sikur po çojnë ndihma nga ajri – vrapi pas së cilave ua shkrumbon jetën dhjetra palestinezëve që sulmohet teksa lypin nji grusht ndihmë. Njerëzit po vdesin urie.
Ne shohim. Kur flasim, as heshtim as bërtasim. Ne jemi si milingona që çojnë ujë në zjarrin e Abrahamit. Bota jonë përditë sa vjen e (z)verdhohet.

Shqiptarët, as të dytët as të parët

Zgjedhjet – mbeten kryefjala e të gjitha partive politike në Maqedoninë e Veriut, Kosovë e Shqipëri. Ato, të zakonshmet; cliché-t klasike përmes të cilave pasurohen tifozët e partive! Ato zgjedhjet pa zgjidhje, që i zbrazën spitalet prej mantelbardhëve.
Si gjithnjë, sa herë kundërshtarët politikë luftojnë njëri-tjetrin në kohë të tilla, gjithë diskursi politik ndërtohet okolla influencës e spiunazhit rus VS rrugës se pastër euro-atlantike, si e vetmja pasaportë për fakirat. Kundërshtari i secilit është gjithënjë agjent i Rusisë, kurse vetja – një mik i pakompromis i Ambasadës Amerikane ose asaj të Gjermanisë a Anglisë.

Lindje – Perëndim! Perëndim a Lindje! Si delet në Pazar, n’mes të dy qytetërimeve!

Kjo klimë politike ndonjëherë t’i kujton tymnajat e duhanit që avullonin nëpër perdet e odave mbushun pleqnarë, të cilët ethshëm debatonin mbi fatin e atdheut anise në sofrat e tyne mungonin lugët e sahanat. Varfnia ua këpuste krahët. Ajo soj skamje që nuk të lë me fluturue.
Megjithkëtë, varfnia, ndonjëherë, vjen bashkë më bollëkun, veçmas atë material. Varfnia e ditëve tona shtrihet përtej siniave që kullojnë tëlyen. Është pamundësia për t’u rritur shpirtnisht. Politikanët tanë nuk heqin keq për kostume e kollare. Ato janë me bollëk, sepse prej dekadash ne duam ta provojmë atë jetën që i shpalos dëshirat dhe mundësitë e mohume prei “atyre që i kishim në krye” herë-herë duke u kthyer në kopjet e tyre më të idhëta.
Shqiptarët e pushtetshëm, të korruptuar mendërisht e materialisht, ndodh rrallë herë të kenë vizione të qarta për politikën e jashtme. Veçmas në këtë fazë “tektonike” për politikën mbarëbotërore, kur në vazhdimësi kërkohet vendosmëri dhe rigorozitet në tejkalimin e trazirave të brendshme, përplasjeve të vazhdueshme që çojnë ne destabilitet politik, në mënyrë që kthjelltësisht të vëzhgohen trendet e zhvillimit global, të cilat nuk i cenojnë aleancat e vjetra, por i intensifikojnë bashkëpunimet e reja.
Shqiptarët nuk e kanë më “fatin e lehtë” për të qenë qendra e vëmendjes së fuqive të mëdha, sepse ngjarjet po spostohen, interesat e elitave politike kanë ndryshuar, presioni i grupeve të interesit e ka përmbysur edhe atë pakëz piramidë morale a etike që mund t’kishte mbetur qysh prej Sirisë. Fuqitë e reja po dalin në pah në arenën ndërkombëtar e kjo edhe mund të konsiderohet si sahat (jo) i ligë për ndryshime thelbësore në rendin e ri global. Prandaj, reflektimi dhe rimodelimi i thellësive strategjike të politikës së jashtme mbetet hap i domosdoshëm! Ne nuk jemi edhe aq të rëndësishëm më, sepse ata që mëtonin rëndësinë përmes nesh tashmë kanë fronte të reja sfidash e konfliktesh.
Dhe, ndërsa rritemi e fuqizohemi, do ishte krejt ideale dhe gati hyjnore të mos harronim se dikur ne – shqiptarët e këputur prej skamje – ishim gazanët e vegjël të Ballkanit, të cilat u ndihmuan falë një sërë arsyesh puro politike dhe, fatkeqësisht, jo se të gjithë amerikanët i dashuruan fill sa ua mësuan emrin! Jo.
Fundja është marri të ushqejmë pretendime biblike të sojit “popull i zgjedhur” e pastaj të mos flasim kur popujt e shtypur që masakrohen e shfarosen parasysh, sepse nëse njëmend ishim aq të açikuar, nuk do rreshtnim së punuari me Hirin e Dashurisë së Përtejme në kërkim të drejtësisë e paqes së përhershme, gjë që s’e bëjmë as në foletë tona!

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X