loader image
November 21, 2024

Profesorët që akoma duhet të jenë studentë!

Fuqia e mendjes, aftësia e saj për të studiuar koncepte dhe për të dhënë ide komplekse, përdoret shumë shpesh pikërisht për të promovuar ide dhe zgjidhje që nuk janë as të mençura dhe as realiste. Kombinimi i intelektit me gjykimin e logjikës së shëndoshë mund të quhet mençuri jetësore, që njëherazi është atribut dallues i inteligjencës së vërtetë.

Shkruan: Mersel BILALLI, Gostivar

Anglezët me të drejtë thonë se s’ka dituri më të rrezikshme se dituria gjysmake! Por, rrezikshmëria e kësaj diturie dyfishohet kur edhe ajo pak dituri vihet në shërbim të politikës ditore të ndonjë opsioni politik e partiak.

Pas shumë vite të jetës pluraliste, kultura e mendimit intelektual ndër shqiptarët vazhdon të ketë një emërues të përbashkët, që njëkohësisht quhet heshtje, mediokritet, oportunitet ose frikë. Madje, edhe aty ku s’heshtet, në të shumtën e rasteve esenca mbetet e pathënë ose e anashkaluar. Jashtë kësaj kornize mbeten vetëm “të marrët”, që s’duhet të merren aq seriozisht! Karakteri i këtij emëruesi nënkupton heshtazi ose haptazi pozicionim për t’u përcaktuar pa kritere pro ose kundër ndonjë fenomeni dhe ideje. Këtu s’bëhet fjalë vetëm për fenomene ditore politike, por për çështje thelbësore të kulturës, zhvillimit dhe vlerave që duhet të çojnë drejt progresit.

Mungesë shtesë është se akoma s’kemi një studim dhe analizë për gjendjen në këtë sferë, madje duket se as që duam ta bëjmë atë! Pra, kjo gjendje nuk është thjesht një tipar karakteristik dytësor i ndonjë individi ose momenti, por një tipar i një lloji specifik të një të menduari grupor të institucionalizuar, madje mbizotërues në shoqëritë tona shqiptare, që rezulton me konkluzione krejtësisht të gabuara, madje duke rezultuar të keqen. Nga ana tjetër, edhe shumë njerëz, që janë intelektualisht superiorë, shpesh përfundojnë në kalkulime interesash materiale, duke u vënë drejtpërdrejtë në shërbim të djallit!

Duket se me shumicën e elitës intelektuale shqiptare, të quajtur, të vetëquajtur ose të ashtuquajtur “inteligjencë kombëtare” kemi një problem kronik. Nuk është vetëm një hendek i madh midis asaj elite dhe interesave reale të masës së “njerëzve të zakonshëm” për sa i përket qasjes ose vizionit për shumë çështje kardinale për të tashmen OSE të ardhmen, por edhe i rolit përmbajtjesor dhe funksional të tyre. Inteligjencia aktuale shqiptare, që funksionon në tre shtete të ndryshme, si duket ka shumë tipare të përafërta mes vete në qasje. Ajo është e heshtur, konformiste ose frikacake. Andaj s’është e rastit që mbajnë etiketën e haraçit të interesave kombëtare. S’mund të jetë ndryshe kur kjo pjesë në trajtim elitare, në kontinuitet vijon t’i sugjerojë popullit të notojë në të thatë!

Në disa korniza tjera, një studim i psikologut politik amerikan Philip Tetlock, që përfshinte një numër të madh ekspertësh politikë dhe intelektualë të angazhuar në sfera publike, u përpoq të jepte përgjigje se cili është efekti i studimeve analitike e shkencore në parashikimet e proceseve politike e shoqërore ndër vite. Një numër i konsideruar i të dhënave kanë rezultuar si parashikime ose vizione të pasakta, por edhe mirë të qëlluara. Madje, autori i studimit sugjeron që motivimi financiar të bëhet konform rezultateve të qëlluara si interes publik. Interesant se në studim u pat dëshmuar se ata intelektualë, parashikimet e të cilëve ishin dëshmuar duke kaluar provën e kohës, zakonisht kishin qenë të mbështetura në burime të ndryshme informacioni dhe jo në deduksionet dhe përfundimet e dala nga dogmatizmi i studimeve tradicionale.

Intelektualët analizues, si duket, e trajtuan politikën si një fushë kaotike që u nënshtrohet mijëra ndikimeve të ndryshme dhe jo vetëm në një shkencë precize të ndikuar nga faktorë racionalë dhe nga ndikime të matshme, postulatet e së cilës shpjegohen me metoda shkencore. Nga ana tjetër, intelektualët dhe analitikët politikë, parashikimet e të cilëve dolën kryesisht të pasakta, ishin në masë të madhe në introspeksion, jomodesti dhe jo të prirë për vetëkritikë, madje të prangosur në disa paragjykime apo dëshira boshe. Duhet theksuar se në shoqëritë tona, në intelektualë përfshihen edhe ata që në radhë të parë bëjnë prodhimin e informacioneve lidhur me problemet. Këtu përfshihen gazetarët, profesorët, punonjësit e kulturës, komentuesit politikë dhe të ngjashëm. Por, është fakt se në industrinë e prodhimit të ideve ekziston një subjektivizëm ekskluziv, një mendjembyllje snobiste dhe ideologjike, që nuk njeh reagimet ose arbitrazhin e realitetit si mënyrë të një argumentimi empirik.

Duhet kuptuar se intelekti nuk është i njëjtë me mençurinë. Fuqia e mendjes, aftësia e saj për të studiuar koncepte dhe për të dhënë ide komplekse, përdoret shumë shpesh pikërisht për të promovuar ide dhe zgjidhje që nuk janë as të mençura dhe as realiste. Kombinimi i intelektit me gjykimin e logjikës së shëndoshë mund të quhet mençuri jetësore, që njëherazi është atribut dallues i inteligjencës së vërtetë. Mençuria e vërtetë kërkon jo vetëm vetëdisiplinë dhe njohuri se si funksionon bota reale, por edhe pranim të kufijve të arsyes dhe përvojës në rrethin e vet. Fatkeqësisht, kjo lloj autokritike introspektive është pikërisht ajo që shumë shpesh u mungon atyre që e konsiderojnë veten intelektualë shqiptarë të angazhuar publikisht ose të thirrur për të dhënë një vizion për shoqërinë.

Tridhjetë e dy vjet viciozitet!

Rezultati konkret i tendencave të tilla konformiste ose izoluese të inteligjencës shqiptare rrjedh nga paaftësia e saj për të dalë nga rrethi vicioz tridhjetëvjeçar i mbrojtjes së vazhdueshme të ideve të njëjta, madje edhe kur ato janë dëshmuar se janë të pazbatueshme, jorealiste, madje edhe të dëmshme për interesat e shtetit, të njerëzve dhe shoqërisë në tërësi.

Por, edhe në ato mjedise ku mendimi intelektual relativisht ka një përfillje, kjo nuk nënkupton me automatizëm rezultate efektive. Fatkeqësisht, intelektualët shpesh dinë të kërkojnë zgjidhje totale, dramatike, radikale dhe të menjëhershme të problemeve të ndryshme, pa u përpunuar mirë në filtrat pragmatikë të politikës. Pra, qëllimet e përcaktuara duhet të korrespondojnë me mjetet që janë aktualisht në dispozicion, të cilat pothuajse gjithmonë janë të kufizuara. Nëse nuk bëhet kështu, atëherë jo vetëm që nuk do të realizohet qëllimi, por do pësohen edhe dëme me kosto të mëdha politike, ekonomike, sociale apo monetare. Qëllimet në raport me mjetet gjithherë duhet të jenë në harmoni nëse duam të arrihet diçka. Shumica e intelektualëve tanë nuk janë në gjendje të shohin dhe ta përcaktojnë lidhjen midis zotërimit të qëllimeve të caktuara dhe mjeteve për arritjen e këtyre qëllimeve. Jean-Jacques Rousseau, para shumë kohësh, ka qenë në të drejtë kur ka thënë se “sa më pak të dijë njeriu, aq më e madhe i duket dija e tij”.

Inteligjencia shqiptare – ose e paditur ose e korruptuar!

Inteligjenca shqiptare, në përgjithësi, ose qëndron anësh, ose nuk përfaqëson ide realiste, ose vepron me konformizëm a servilizëm. Ajo, pra, në kontinuitet duket se është ose e paditur ose e korruptuar ose që të dyja bashkërisht. Ajo rrallëherë ka shtruar çështjet në prizmin e objektivave ekzistuese, andaj si e tillë ajo vetëm se akoma më shumë e ka turbulluar ujin. Nuk bëhen platforma shkencore duke kritikuar ose favorizuar opsione partiake ose realitete kulturore e fetare. Shumë shkencëtarë akoma s’duan ta kuptojnë se Zoti ua ka dhënë trurin, por jo edhe udhëzimin se si ta përdorin atë. Kjo tendencë vihet re sidomos në fushën e analizave politike, ku inteligjenca jonë di të shfaqet në rolin e telashit kujdestar, në vend të vizionit kujdestar, duke e ngushtuar hapësirën për manovrim dhe duke krijuar atmosferë për lulëzim të të gjitha llojeve të populizmave të rrezikshëm, ku gjejnë ambient shumë aventurierë politikë të papërgjegjshëm.

Pra, kemi edhe situatë, kur në vend të rolit të korrigjuesit social dhe shpikësit të mënyrave të reja të përmirësimit të ambientit shoqëror, kjo klasë e tillë intelektuale shpesh bie në kurthet tashmë të njohura, duke e konsideruar veten si një zëvendësuese në ndërtimin e politikave, por edhe si zëvendësuese edhe e politikanëve të zgjedhur në mënyrë legjitime, të cilët për nga roli janë të thirrur dhe të destinuar për të artikuluar interesat e shoqërisë. Madje, për dekada assesi të kuptojë se po qe se dikush pengohet disa herë në të njëjtin gur, atëherë nuk është më problem guri!

Shumica e intelektualëve tanë janë joluftarakë dhe jo të përkushtuar në kultivimin e interesave shoqërore. Ata i shohin interesat e ngushta dhe, si të tillë, janë të gatshëm të heshtin, duke ushqyer bindjen se e keqja s’do i arrijë ata. Sistemi jomeritor kadrovik vazhdimisht e ka ushqyer dhe vazhdon edhe më tej ta ushqejë këtë hendikap. Jorastësisht, për 32 vjet s’kemi bërë hap zhvillimor konform dinamikës së fqinjëve. Këtu shembull drastik është shoqëria shqiptare në Maqedoninë e Veriut, rinia e së cilës shpërngulet në përmasa marramendëse.

Terapi për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës

ASHAK-u, që aktualisht drejtohet nga akademik Mehmet Kraja, disa javë më parë pati publikuar një analizë me titull “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”. Qëllimi i kësaj analize thuhet se ka qenë krijimi i një pasqyre të përgjithshme të rrethanave të krijuar në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, duke analizuar shkaqet, rrënjët e konfliktit dhe prapavijën e tij në kontekst të politikave rajonale. Sipas kësaj analize, politikat destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor janë të përmasave të reja, bazuar në agresivitet dhe vrazhdësi, ku si duket ka “kontribuar” edhe vet BE-ja me veprimet e saja kontradiktore! Këtu, ndër të tjera, është kritikuar ashpër politika shqiptare, Partia Socialiste dhe personalisht Edi Rama, posaçërisht për “Ballkanin e Hapur”.

Pamfleti politik as që ka informacione elementare për Procesin e Berlinit dhe Ballkanin e Hapur, as për korridoret, as për portet e as për zonat e lira doganore, nga të cilat shtetet bregdetare përfitojnë miliarda! Por, ata akoma s’e kuptojnë se pikërisht Serbia më tej s’do ketë nevojë për Ballkanin e Hapur, sepse atë e kishte vetëm mjet për ta zgjidhur sa më lehtë problemin që ajo e ka me Kosovën. E tash, kur marrëveshja me Kosovën është në prag, Serbia atë do ta materializojë në maksimumin e mundshëm (me dinamikë tejet të shpejtë anëtarësimi në BE dhe me përkrahje të madhe financiare), ndërsa ne do mbetemi me çiftelitë dhe lahutat duke i kënduar të “kaluarës së lavdishme” dhe duke lakmuar të ardhmen e çuditshme, madje të tmerrshme. Të tmerrshme, sepse mbi gjysma e popullatës është duke përfunduar përtej patriotizmave të rrejshme të politikanëve dhe shkencëtarëve me prefiks “kuazi”!.

Në atë analizë komentohet negativisht për Serbinë, për Kishën Ortodokse, për BE-në, për Planin e Ahtisarit, për Shqipërinë e Edi Ramës, për vetë Edi Ramën, për fundamentalizmin islamik, për Gjykatën Speciale e për shumë çështje të tjera. Por, për çudi, harrohet të kritikohet një dozë e antiamerikanizmit për ata “që s’janë meksikanë”!

Analiza e ASHAK, madje edhe pa asnjë fusnotë, duket si një busull e prishur, që tregon anën e kundërt të botës në anijen e drejtuar nga disa marinarë të dehur, që shumë pak dallohen nga kusarët. Futja e kësaj “analize” edhe në thesin e ndjenjave fetare të njerëzve tregon se bashkautor këtu mund të kishte qenë edhe djalli!

Shumë vetë thonë se “analiza” qenka një tekst autorial i personit të parë të ASHAK-ut! Do të na duhet kohë që ta kuptojmë se shkenca është arma më e fuqishme që mund të përdorim për të ndryshuar së pari vetveten. Shumë vetë, që synojnë të jenë mësues të të tjerëve, në fakt do t’u duhet edhe shumë kohë për të mbetur nxënës!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X