loader image
February 19, 2025

Pozita e Kryetarit të Kosovës kundrejt PSSP-së gjatë vetëqeverisjes së përkohshme dhe pushteti i Ibrahim Rugovës

Pushteti personal i Presidentit Ibrahim Rugova nuk ishte juridik, në kuptimin klasik, ku një kushtetutë vesh presidentin me petkun e kompetencave të gjera vendimmarrëse. Pushteti i Rugovës ishte demokratik, sepse gëzonte përkrahjen e shumicës së popullit. Si emërues i përbashkët për periudhën para dhe pas lufte, mund të thuhet se Rugova udhëhiqte përmes pushtetit moral. Dhe, ky lloj i pushtetit është i rrallë në politikë, i vështirë për t’u vazhduar, por gjithsesi prestigjioz për titullarin e vet. Prandaj i reziston kohës.

Ditar KABASHI, Prizren                                         

Entitetet juridiko-politike kanë institucione administruese/qeverisëse të cilat organizohen me akte normative që përcaktojnë fushëveprimin dhe kompetencat e tyre. Që nga viti 1999, Kosova ishte nën administrimin ndërkombëtar, i njohur ndryshe si protektorat. Sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, administrimi ndërkombëtar në Kosovë synonte krijimin e një vetëqeverisjeje të Kosovës deri në zgjidhjen e statusit përfundimtar dhe për këtë është nxjerrë Rregullorja Nr.2001/9 për Kornizën Kushtetuese të Vetëqeverisjes së Përkohshme në Kosovë. Ky dokument përvijonte statusin dhe kompetencat e institucioneve të përkohshme në Kosovë. Analiza në vijim trajton pozitën dhe pushtetin e Kryetarit të Kosovës gjatë periudhës kohore mes çlirimit dhe pavarësisë.

Kryetari i Kosovës: funksion simbolik

Sipas Kornizës Kushtetuese,[1] Kryetari i Kosovës përfaqësonte unitetin e popullit dhe garantonte funksionimin demokratik të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes.

Kryetari i Kosovës, i cili kishte mandat trevjeçar, e përfaqësonte Kosovën dhe ushtronte të drejtat dhe detyrat e tij jo vetëm në pajtim me Kornizën Kushtetuese dhe me ligjin e zbatueshëm, por edhe në koordinim me PSSP-në. Nëse Kryetari i Kosovës përkohësisht nuk ishte në gjendje t’i kryente detyrat e tij, funksionet e Kryetarit të Kosovës parashihej t’i ushtronte Kryetari i Kuvendit.

Përgjithësisht, Kryetari i Kosovës mund të ushtronte (vetëm) këto funksione: ndërmarrjen e masave në koordinim me PSSP-në në fushën e bashkëpunimit me jashtë; propozimin e kandidatit për kryeministër pas konsultimeve me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend; dorëzimin e kërkesës së Kuvendit te PSSP-ja për shpërndarjen e Kuvendit; paraqitjen e së paku një raporti vjetor në Kuvendin e Kosovës mbi gjendjen e përgjithshme në Kosovë; dhe dhënien e medaljeve dhe mirënjohjeve.

Kryetari i Kosovës zgjidhej nga Kuvendi i Kosovës me votim të fshehtë. Kuvendi e zgjidhte atë me shumicën prej 2/3 të votave të deputetëve dhe nëse pas dy raunde votimesh nuk arrihej kjo shumicë, organizohej votimi vijues që kërkonte shumicën e votave të të gjithë deputetëve (shumica absolute). Ndërkaq, mandati i pushonte me përfundimin e funksionit, me vdekjen e tij/saj, me dorëheqjen ose me shkarkimin nga funksioni me anë të votës së jo më pak se 2/3 së deputetëve.

PSSP-ja – kompetente me fushëveprim ekskluziv

Institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë nuk kanë qenë sovrane në kuptimin shtetëror. Në kontekst të kompetencave dhe përgjegjësive, ato u nënshtroheshin kufizimeve të caktuara për shkak se pushteti vendimmarrës në shumë fusha mund të ushtrohej ekskluzivisht nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së (PSSP).[2] Këto kompetenca, inter alia, përfshinin sigurimin e mbrojtjes së plotë të të drejtave dhe interesave të komuniteteve, pastaj autoritetin për të shpërndarë Kuvendin dhe për të shpallur zgjedhje të reja në rastet kur institucionet e përkohshme mund të kenë vepruar në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ose në kundërshtim me përgjegjësitë e parapara për PSSP-në.

Në fushën financiare dhe ekonomike, PSSP-ja ka përcaktuar parametrat kryesorë politikë dhe financiarë, ka miratuar buxhetin e konsoliduar dhe ka kontrolluar politikën monetare. Gjithashtu, përfaqësuesi special i vendoste rregullat për revizionimin e pavarur të jashtëm të buxhetit dhe ka pasur kontroll të plotë mbi doganat, duke përfshirë Shërbimin Doganor të UNMIK-ut.

Në sferën e gjyqësorit, PSSP-ja ka ushtruar pushtet të plotë mbi emërimin, shkarkimin dhe disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfshirë edhe gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë, si dhe ka trajtuar vendimet për ndryshimin e vendit të punës.

Sa u përket marrëdhënieve ndërkombëtare, PSSP-ja ka pasur autoritet për të përfunduar marrëveshje me shtete dhe organizata ndërkombëtare për çështje brenda fushëveprimit të Rezolutës 1244, si dhe për të mbikëqyrur përmbushjen e këtyre marrëveshjeve. Obligim për PSSP-në ka qenë konsultimi dhe bashkëpunimi me institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes për çështjet e marrëdhënieve me jashtë, duke ruajtur kontrollin e përgjithshëm mbi këtë fushë.

Në aspektin e sigurisë dhe rendit publik, PSSP-ja ka mbikëqyrur institucionet e zbatimit të ligjit, shërbimet korrektuese dhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës, duke siguruar funksionimin e tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ka pasur edhe përgjegjësi për menaxhimin e administratës dhe financimin e sigurisë civile, si dhe për përgatitjen për emergjenca, një përgjegjësi që është transferuar gradualisht te institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes.

Fushëveprimi i PSSP-së është shtrirë edhe në administrimin e pronës publike dhe shoqërore, rregullimin e ndërmarrjeve publike, kontrollin administrativ mbi infrastrukturën, si hekurudhat dhe aviacionin civil, si dhe mbikëqyrjen e sistemit të administratës komunale. Krahas këtyre, ai ka gëzuar tagrin për emërimin e anëtarëve të organeve të ndryshme rregullatore dhe ekonomike, si dhe për kontrollin e sistemit të të dhënave të regjistrit civil. Madje, edhe ligjet hynin në fuqi ditën e shpalljes nga PSSP-ja, përveç rasteve kur në mënyrë specifike parashihej ndryshe me legjislacion.

Përveç këtyre, PSSP-ja e ka koordinuar me KFOR-in mbikëqyrjen kufitare, rregullimin e armëmbajtjes, forcimin e sigurisë dhe rendit publik, si dhe detyrat në fushën e mbrojtjes dhe emergjencave civile.

Kryetari i Kosovës kundrejt PSSP-së

Ndonëse Korniza Kushtetuese strukturonte një model parlamentar të qeverisjes, modeli nuk karakterizohej me ndarje të mirëfilltë të pushteteve me balancim mes tyre, meqenëse pushteti ka qenë i qendërzuar në masë të madhe në autoritetin e PSSP-së.

Vetëqeverisja e përkohshme në Kosovë është ndërtuar sipas një projeksioni juridik në të cilin raporti ndërmjet Kryetarit të Kosovës dhe PSSP-së ngrihej në një trajtë pothuaj hierarkike dhe aty-këtu bashkëpunuese, por me një mbizotërim të hapur të PSSP-së. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Korniza Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Përkohshme ia njohën PSSP-së pushtetin suprem në Kosovë, duke skicuar një rend që mëtonte stabilitet socio-politik dhe përmbushje të standardeve ndërkombëtare.

PSSP-ja luante rol vendimmarrës dhe mbikëqyrës mbi institucionet e Kosovës, përfshirë edhe mbi Kryetarin e Kosovës. Ky i fundit vepronte me të drejta kryesisht konsultative dhe me angazhim në komunikimin ndërinstitucional me faktorin vendor dhe atë ndërkombëtar.

Përderisa Kryetari i Kosovës gëzonte status simbolik dhe institucional në mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe në përfaqësimin e Kosovës, PSSP-ja realizonte autoritetin me bazë ndërkombëtare. Ky raport ishte i ndjeshëm pasi jo përherë përputheshin interesat kosovare me ato ndërkombëtare. Kërkesat e Kosovës për status të pavarur dhe sovran përballeshin me llogaritë gjeostrategjike ndërkombëtare. Në këtë pikë vinte në shprehje roli balancues dhe ndërmjetësues i Kryetarit të Kosovës.

Shumë kompetenca, të cilat pas pavarësisë së Kosovës, më 2008, Kushtetuta e Republikës së Kosovës ia njeh Qeverisë, respektivisht Presidentit, Korniza Kushtetuese ia njihte ekskluzivisht PSSP-së. Meqë Kosova ishte vendosur nën protektorat ndërkombëtar, kjo gjë ishte e kuptueshme. Presidenti i atëhershëm i Kosovës, Ibrahim Rugova, kishte kompetenca të kufizuara për shkak të pranisë së administratës ndërkombëtare të UNMIK-ut pas luftës, e cila e kontrollonte pushtetin shtetëror. Gjithashtu, edhe veprimtaria ndërkombëtare e Presidentit ishte e kufizuar, kjo si rrjedhojë e mosnjohjes së subjektivitetit shtetëror ndërkombëtar të Kosovës. Megjithëkëtë, indikativ është fakti se Rugova zotëronte autoritet të lartë në vend dhe në arenën ndërkombëtare, paçka se rregullimi “kushtetues” nuk i jepte hapësirë të gjerë veprimi. Që nga paslufta e deri në vdekjen e tij më 2006, Rugova ishte udhëheqësi politik më i votuar në vend. Kjo lë të kuptohet se populli nuk e vlerëson vetëm punën faktike të një politikani, por edhe imazhin, qëndrimin dhe vizionin që ai shëmbëllen.

Pushteti i Presidentit Rugova

Për ta kuptuar më saktë burimin e pushtetit të Presidentit Rugova, duhet parë ecejakun e angazhimit politik të tij.

Pas abrogimit të autonomisë së Kosovës më 1989, funksionet vitale shtetërore tashmë ishin në duart e regjimit të Millosheviqit: legjislativi, ekzekutivi, gjyqësori, siguria, ekonomia, media zyrtare dhe gjithçka tjetër që i përkiste sferës publike. Që nga viti 1992, kur Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës me votim plebishitar prej gati 100%, ai u kthye në figurën qendrore të rezistencës paqësore dhe sistemit paralel në vend. Përkundër të gjitha disavantazheve, Rugova dhe kuadrot intelektuale, me politikën që ndoqën, jetësuan dy arritje thelbësore që do ta brumosnin ndërrimin e trajektores së zhvillimeve shtypëse dhe diskriminuese në Kosovë: unifikimin e popullit shqiptar dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

Një tregues konkret i tij filozofisë politike dhe strategjisë së Ibrahim Rugovës për zgjidhjen e problemit të Kosovës ishte “Plani veprues dhjetëpikësh”, të cilin ai e kishte shpalosur në SHBA disa vite para fillimit të luftës në Kosovë. Pas dhënies së informacioneve lidhur me situatën në Kosovë dhe përqasjeve me SHBA-në, Rugova proklamoi dhjetë pikat që, sipas tij, duheshin zbatuar me ndihmën e OKB-së dhe të NATO-s. Rugova kërkoi: vendosje të trupave të OKB-së ose të NATO-s në Kosovë; vënien e Kosovës nën protektoratin e OKB-së; rritjen e numrit të vëzhguesve të OSBE-së në Kosovë; zgjerimin e zonës së ndaluar për fluturim mbi Kosovë; ndalimin e “spastrimit etnik” të heshtur të Kosovës që po kryhej përmes kërcënimeve të serbëve; çarmatosjen dhe shpërndarjen e njësive paramilitare serbe; vënien e artilerisë së rëndë serbe nën mbikëqyrjen ndërkombëtare; rihapjen e Aeroportit të Prishtinës për fluturime të ndihmës humanitare; ndalimin e kolonizimit nga Serbia; lejimin që të mblidhet Kuvendi i zgjedhur me vota të lira; dhe përjashtimin e Kosovës nga sanksionet ndërkombëtare të vëna mbi Serbinë dhe Malin e Zi.[3] Koha dëshmoi se të gjitha këto pika u realizuan dhe të gjitha kërkesat që buruan nga këto pika ishin legjitime dhe demokratike.

Rugova ishte faktor stabiliteti në Kosovë dhe e merrte parasysh diversitetin identitar dhe politik në vend. Ai e afirmonte qasjen se Kosova duhet ta ruajë karakterin multikulturor. Në Rambuje ai e pranoi kryesimin nga Hashim Thaçi të delegacionit kosovar për bisedime, teksa më 2004 mandatoi për kryeministër një politikan nga krahu i luftës, Ramush Haradinajn.

Pushteti personal i Presidentit Ibrahim Rugova nuk ishte juridik, në kuptimin klasik, ku një kushtetutë vesh presidentin me petkun e kompetencave të gjera vendimmarrëse. Pushteti i Rugovës ishte demokratik, sepse e gëzonte përkrahjen e shumicës së popullit. Si emërues i përbashkët për periudhën para dhe pas lufte, mund të thuhet se Rugova udhëhiqte përmes pushtetit moral. Dhe, ky lloj i pushtetit është i rrallë në politikë, i vështirë për t’u vazhduar, por gjithsesi prestigjioz për titullarin e vet. Prandaj i reziston kohës.

[1] Kompetencat dhe përgjegjësitë e Kryetarit të Kosovës janë përcaktuar në Pjesën II të Kreut IX të Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë.

[2] Kompetencat dhe përgjegjësitë e rezervuara për PSSP-në janë përcaktuar në Kreun VIII të Kornizës për Vetëqeverisje të Përkohshme.

[3] Teksti i “Planit dhjetëpikësh” në: Vehbi Miftari, “Rugova – vizioni nacional”, AIKD, Prishtinë, 2007, f. 120-127.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X