loader image
November 21, 2024

Politika “defensive” e shqiptarëve në Ballkan

Pse shqiptarët jashtë Shqipërisë janë futur në “defensivë”? Pse politika në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut detyrohet të bëjë lëshime dhe të pajtohen me mosprishje të hesapeve të Serbisë në raport me Kosovën dhe të Maqedonisë së Veriut në raport me shqiptarët? Në Kosovë, serbëve me 4 për qind u ofrohet asociacion që siguron një lloj autonomie, ndërsa shqiptarëve me 25.7 për qind u kërkohet të mos bëjnë zë për ndryshimin e formulimit kushtetues “20 për qind”!

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Ibrahim Rugova, presidenti i Kosovës, siç e quajnë historik, pas viteve të ‘90-ta e përsëriste shpesh se angazhohet që “Kosova të jetë shtet i pavarur dhe neutral, i hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë”! Shikuar nga perspektiva e sotme, kjo deklaratë duket vizionare, marrë parasysh faktin që Kosova është e pavarur, por distancimi ose hapja në koherencë të njëjtë si me Tiranën, ashtu edhe me Beogradin, sot na duket absurde! Madje, na duket qëndrim i politikës së “butë”, e cila i vinte në peshore të barabartë Tiranën shqiptare, Tiranën vëllazërore, dhe Beogradin serb dhe armiqësor gjatë historisë me Kosovën dhe shqiptarët. Kjo deklaratë nënkupton që deklarimet dhe veprimet, edhe politike, duhet gjykuar duke marrë për bazë atë që ka hyrë si fjalë e shpeshtë në fjalorin shqip – kontekstin që nënkupton rrethanat shoqërore dhe politike të kohës.

Autonomi për serbët, s’lejohet bashkimi me Shqipërinë!

30 vite më pas, faktori ndërkombëtar ia imponon me ngulm politikës kosovare sigurim të një forme të autonomisë politike dhe decentralizuese për komunat me popullatë serbe dhe heqje dorë nga ideja për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Kjo do të thotë se faktori ndërkombëtar, që të ketë “paqe në shtëpi” (lexo: në Ballkan), kërkon heqje dorë nga ideja e mëdha përbashkuese, që bazën historike e ka tek artikulimi politik, ideologjik, historik dhe letrar që kanë bërë rilindësit, që nënkupton shuarjen e projektit politik që do të krijonte “bashkimin kombëtar”. E kemi në thonjëza “bashkimi kombëtar” për shkak se bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë nuk nënkupton bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare dhe si i tillë është i pjesshëm, qoftë i proklamuar vetëm si ide politike.

Natyrisht se kjo gjë i kërkohet edhe Serbisë, pra që edhe ajo të heqë dorë nga ideja hegjemoniste për “Serbinë e Madhe”!

A mund të jenë në një peshore shqiptarët dhe serbët? A mund të kenë trajtim të barabartë apo, siç themi në gazetari, trajtim balancues apo baraspeshues midis pushtuesit dhe të pushtuarit, midis agresorit dhe të pambrojturit, midis xhelatit dhe viktimës! Me gjithë faktin që balancimi është njëri ndër standardet themelore të gazetarisë, në gazetari ka konsensus se nuk mund të sigurohen “Dy minuta për Hitlerin dhe dy për hebrenjtë”! Kjo sidomos duhet të vlejë në politikë.

Pse ndodh kjo? Duke tentuar që Serbia të bindet që të hiqet nga kthetrat e Rusisë, së bashku me projektin për Ballkan paqësor, në të cilin gjakderdhja do të mbetet pjesë e hidhur e historisë, për një Ballkan që nuk do të “prodhojë histori më shumë se sa mund të konsumojë”, drejtuesit e Kosovës i nxjerrë në pozicione “defensive”. Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet të mbrohen edhe pse kanë luftuar për liri!

Përderisa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i kërkohet të formojë Asociacion të Komunave Serbe në Kosovë, në anën tjetër ish drejtuesve të Kosovës dhe të ish UÇK-së u kërkohet të dëshmojnë pafajësinë e tyre mbi luftën për liri. Këtyre ditëve u shënua Masakra e Dubravës dhe me të drejtë kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi: “Për UÇK-në kërkohet drejtësi, për masakrat e Serbisë në Kosovë jo”.

Motivet mund të jenë gjeopolitike dhe gjeostrategjike, por është e qartë se tashmë bëhet fjalë për qasje diplomatike të stilit “për dikë shkopin, për dikë karotën”. Kjo ngjall dyshimet për zbatim të standardeve të dyfishta mbi vendet dhe popujt ballkanikë, në kurriz të shqiptarëve, siç ka ndodhur në 100-vjeçarin e fundit!

Politika “patriotike” e shqiptarëve të Maqedonisë

Që nga shqiptarët jashtë Shqipërisë kërkohet të jenë në “defensivë” politike dhe diplomatike, nuk dëshmon vetëm realiteti i Kosovës, përkatësisht justifikimi i ngritjes së statusit të pakicës serbe, por edhe i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut!

Edhe pse Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, që pas ndryshimeve të aktit më lartë juridiko-shtetëror në vitin 2002, është hapur e rihapur disa herë, sikur të ishte ndonjë rregullore e ndonjë bashkësie lokale, nuk është parë asnjëherë e arsyeshme që shqiptarëve t’u hiqet përkufizimi statistikor dhe t’u përcaktohet statusi juridiko- kushtetues mbi bazën e autoktonisë dhe pranisë së tyre reale demografike.

Jo vetëm kaq, por politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka dalë në pozita “defensive”, edhe më joentuziaste se sa në vitet e ‘90 -ta, kur kërkesat legjitime të shqiptarëve i artikulonte Partia e Prosperitetit Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore.

Bujar Osmani i BDI-së dhe Fatmir Bytyqi i LSDM-së, njëri ministër i Jashtëm, tjetri zëvendëskryministër për Çështje Ekonomike, garojnë mes vete për të dëshmuar se cili është më patriot (cilësimin e përdorim në kuptimin e njeriut që me besnikëri u shërben interesave të shtetit – Maqedonisë së Veriut)! Herë njëri e herë tjetri shpikin argumente prej atyre “integruese eurotlantike e globale”, me të cilat justifikojnë se edhe rihapja e Kushtetutës sivjet do të bëhet pa ndryshimin e statusit të shqiptarëve dhe pa heqjen e 20-përqindëshit. Më herët Osmani, e së fundmi burrështetasi Bytyqi, mendon se të kërkosh heqjen e 20-përqindëshit qenka veprim jo i duhur politik. “Çdo diskutim tjetër jashtë agjendës europiane, unë e shoh në rang të agjendës ditore politike për arsye të ndryshme”, ka thënë Bytyqi në Alsat. Pra, sipas socialdemokratit Bytyqi, të kërkosh që gjuhës shqipe t’i thuhet “gjuhë shqipe” qenka agjendë e politikës ditore!

Që ka ra shumë poshtë pazari politik i shqiptarëve dëshmon fakti që BDI-ja merret me veten. Në BDI tashmë ka dy grupe: “Ahmetistët” dhe “Grupi i Zjarrit”. Kauzat e tyre janë klanore (grupore) dhe nuk janë etnike (të përgjithshme). Ka muaj që e “lodhin” opinionin publik se kush është në të drejtë. Sa është folur këto muaj për demokraci brendapartiake dhe procedura statutare në këtë parti, nuk është folur në 21 vitet e ekzistimit të këtij subjekti politik, ndërsa dihet fort mirë se Ali Ahmetit, siç e quanin edhe “kundërshtarët” e rinj të tij “liderit të pakontestueshëm”, pushtet absolut i është dhënë me statut. Prandaj Ahmeti shkarkon dhe ngarkon funksionarë degësh apo institucionesh kur t’i teket, sepse vendimet i ka legale, edhe pse duken shumë jolegjitime, por edhe anakronike për një sistem demokratik!

“Aksham pazarin” nuk e dëshmojnë vetëm pushtetarët e koalicionit qeveritar, por edhe pushtetarët e rinj aleancistë. Për shkak të një poltronizmi (puthadorje) të pakërkuar që shfaqin ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe të vetofruar ndaj aparatit shtetëror, sikur e kanë harruar dhe e kanë shpjerë në arkivin historik konceptin e modelit “shtet binacional”. Ndaj deklaratave shterpe se “nuk është koha për statusin”, Aleanca përgjigjet me sloganin e BDI-së “Pse jo”?

Madje, edhe opozita besatare ka harruar ridefinimin. Kjo sjell apati të madhe politike, dëshpërim tek qytetarët dhe largim masiv të të rinjve! Vetëm një agjenci turistike organizon çdo javë nga pesë autobusë që mbushen me të rinj dhe të cilët zbarkojnë metropoleve të Europës, në të cilat bëjnë punë hyzmeqarësh.

Në emër të integrimit dhe marrëdhënieve të mira me “miqtë ndërkombëtarë”, partitë e shqiptarëve kanë heshtur agjendën shqiptare dhe i janë përkushtuar agjendës shtetërore dhe integruese!

Askush nuk ka asgjë kundër integrimit, shqiptarët e duan dhe kanë punuar shumë për të, kanë qenë shumë konstruktivë, por jo edhe me çmimin që të zvetënohet projekti i tyre për barazi faktike juridike, i trasuar që në vitet e ‘90-ta. Çfarë kuptimi ka integrimi i shtetit me status të cunguar të shqiptarëve? Meqë, duke pritur të bëhet integrimi euroatlantik i Maqedonisë nga politika dhe institucionet, është duke ndodhur integrimi faktik i të rinjve shqiptarë në Europë, por edhe në Amerikë e gjetiu në gjithë globin.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X