loader image
May 31, 2025

Poetizimi i dhimbjes palestineze

Në atdheun e Mahmud Darvishit sërish vriten civilë. Gaza shkatërrohet dhe shndërrohet në gërmadhë. Bota e lirë i mbyll sytë para tmerrit. Vuajtjet e civilëve, veçanërisht të fëmijëve, nuk mund të fshihen nga asnjë propagandë e sofistikuar. Kur e sheh këtë shkatërrim, pyet se ku mbeti ndërgjegjja njerëzore tek ata që vendosin për fatet e popujve. Ideali im jetësor ka qenë, është dhe do të jetë rrojtja e njerëzve në një botë të lirë, ku respektohen liritë themelore të njeriut, ku kombet mund të jenë krenarë me identitetin e tyre… Por, kjo botë e egërsuar më zhgënjen.

Salajdin SALIHU, Tetovë

Poetin palestinez, Mahmud Darvish (Mahmoud Darwish – 1941 – 2008) e kam takuar në Strugë, si laureat i “Kurorës së Artë”. Ishte fjalëpakë dhe i sjellshëm me secilin që dëshironte ta takonte ose t’i këmbente disa fjalë me të.

Darvishi është vlerësuar si “ofshama e thellë e popullit palestinez”, si “poeti i shpirtit palestinez” dhe si “poeti kombëtar i Palestinës”. Ashtu sikurse Dostojevski, edhe Darvishi nuk besonte që letërsia mund ta ndryshonte botën. Nëse Dostojevski besonte që letërsia mund ta zbukuronte botën, Darvishi besonte që letërsia “mund të rendiste kandila në errësirë”; “mund të zgjaste ëndrrën e një vendi ku godet brutaliteti, urrejtja dhe lufta”; “mund të ndihmonte në zhvillimin e identitetit kulturor të një populli të sulmuar” dhe “t’i kundërvihej gjithçkasë që e pengonte vetëafirmimin dhe veçantitë e atij populli”.

Më 1948, kur u themelua shteti izraelit, vendlindja e tij, Al-Birwa, u shkatërrua plotësisht. Poeti, bashkë me familjen, emigroi në Liban. Më vonë u burgos disa herë për veprimtari politike. U detyrua të jetonte në ekzil, por kudo që jetoi, e ndjeu se ishte “i atjeshëm”. Ishte pjesë e atdheut ku njerëzit e donin jetën “aq sa ishte e mundur”. Me atdheun e lidhte gjuha, kujtimet, ëndrrat, trishtimet, dhimbjet…

Gaza gërmadhë

Në atdheun e Mahmud Darvishit sërish vriten civilë. Gaza shkatërrohet dhe shndërrohet në gërmadhë. Bota e lirë i mbyll sytë para tmerrit. Vuajtjet e civilëve, veçanërisht të fëmijëve, nuk mund të fshihen nga asnjë propagandë e sofistikuar. Kur e sheh këtë shkatërrim, pyet se ku mbeti ndërgjegjja njerëzore tek ata që vendosin për fatet e popujve.

Ideali im jetësor ka qenë, është dhe do të jetë rrojtja e njerëzve në një botë të lirë, ku respektohen liritë themelore të njeriut, ku kombet mund të jenë krenarë me identitetin e tyre… Por, kjo botë e egërsuar më zhgënjen. Veçanërisht kur vriten fëmijë të pafajshëm…

Raportet e institucioneve ndërkombëtare flasin për vdekjen e mijëra njerëzve në Rripin e Gazës, të paktën 50 për qind gra e fëmijë. Janë vrarë edhe gazetarë e punonjës humanitarë. Janë zhvendosur mijëra njerëz nga rajoni. Vendi kërcënohet nga uria dhe epidemitë. Janë dëmtuar ose shkatërruar qendra shëndetësore, objekte kulturore e arsimore dhe tempuj fetarë.

Heshtje për Gazën

Atë që ndodh në Gazë mund ta kuptojmë nëpërmjet krijimtarisë së Mahmud Darvishit. “Heshtje për Gazën” (1973) duket sikur është shkruar tani. Poeti shkroi se “Gaza është e përkushtuar ndaj refuzimit”; se ajo “është larg nga të afërmit e saj dhe afër armiqve”; se është “ishulli që nuk pushon së shpërthyeri”; se është vendi “ku koha rrjedh ndryshe” dhe “nuk i merr fëmijët nga fëmijëria në pleqëri, por fëmijët i bën burra në përballjen e parë me armikun”. Aty vlerat janë të ndryshme nga ato të botës tjetër. “Vlera e vetme për të pushtuarin është shtrirja e rezistencës së tij ndaj pushtimit”. Këtë “vlerë mizore dhe të fisme”, shtoi poeti, “Gaza nuk e mësoi nga librat, seminaret, megafonat e propagandës apo këngët, por nga përvoja dhe puna që nuk bëhet për reklamë e imazh”. Gaza “nuk është vendi më i bukur, më i pasur, më elegant, më i madh”, por është “vendi i fëmijëve pa fëmijëri, i pleqve pa pleqëri dhe i grave pa dëshira”. Është vendi i vogël, i varfër dhe rezistues. Kjo, sipas Darvishit, “nuk është as vdekje dhe as vetëvrasje, por një mënyrë për të deklaruar se meriton të jetojë”.

Humanizimi i armikut

Darvishi tha se e kishte humanizuar edhe armikun.

“Mësuesi i parë që më mësoi hebraisht ishte një hebre. Lidhja e parë e dashurisë në jetën time ishte me një vajzë hebreje. Gjyqtarja e parë që më dërgoi në burg ishte një grua hebreje. Pra, nga fillimi unë nuk i pashë hebrenjtë si djaj apo engjëj, por si qenie njerëzore”, tha ai.

Është mbresëlënëse përmbledhja e tij Gjendje rrethimi. Në gjendje rrethimi njerëzit veprojnë si të burgosurit dhe të papunët: “E kultivojnë shpresën”. Në gjendje rrethimi, “koha bëhet hapësirë e ngulur në përjetësinë e saj”, kurse “hapësira bëhet kohë që ka humbur të djeshmen dhe të nesërmen e saj”. Në gjendje rrethimi nëna i flet djalit në varrimin e tij, kurse gruaja e pikëlluar i thotë resë: “Mbuloje të dashurin tim, sepse veshja ime është e lagur me gjakun e tij”.

Të mendosh për të tjerët

Në një botë ku më shumë mendohet vetëm për veten, Darvishi kërkoi që të mendojmë edhe për të tjerët.

Derisa përgatit mëngjesin, mendo për të tjerët! Mos harro t’i ushqesh pëllumbat! Kur lufton në luftërat tuaja, mendo për të tjerët! Mos harro ata që e kërkojnë paqen me dëshpërim! Kur paguan faturën e ujit, mendo për të tjerët që pinë shiun prej reve! Kur të kthehesh në shtëpi, në shtëpinë tënde, mendo për të tjerët! Mos i harro ata që jetojnë në tenda! Kur fle ose kur i numëron planetët, mendo për të tjerët! Ka njerëz që s’kanë strehë për të fjetur. Kur flet me shprehje metaforike, mendo për të tjerët që kanë humbur të drejtën për të folur! Kur mendon për të tjerët që janë larg, mendo për veten dhe thuaj: “Do të doja të isha një qiri që do të largonte errësirën”.

Mahmud Darvishi është poeti që me dritën e poezisë mëtoi ta largonte errësirën nga mendjet e njerëzve dhe ta poetizonte dhimbjen e popullit palestinez, i cili paguan një çmim të madh për lirinë e tij.

Le ta përfundojmë këtë shkrim me poezinë “Lufta do të përfundojë”: “Lufta do të përfundojë / dhe udhëheqësit do t’i shtrëngojnë duart.// Por do të mbetet një nënë e rraskapitur / që do të ketë mall për djalin e saj. // Dhe ajo grua,/ Që pret burrin e saj të dashur.// Dhe ata fëmijë / që kërkojnë babanë e tyre hero.// Nuk e di kush e shiti atdheun, / por e pashë se kush e pagoi çmimin”.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X