Kur dhuna i përgjigjet dhunës me një vërshim që e bën të pamundur gjuhën e thjeshtë të arsyes, roli i intelektualit nuk mund të jetë… të justifikojë nga larg njërën dhunë dhe të dënojë tjetrën… roli i tij është të qartësojë definicionet për të pastruar mendjet e për të qetësuar fanatizmat, edhe kur kjo është kundër rrymës.
Albert Kamy “Parathënie për Raportet Algjeriane” (1958)
Shkruan: Mentor BEQA
Sulmet e Hamasit mbi popullsinë civile në Izrael, të shënjuara nga shpërfillja totale për jetën njerëzore, duke vrarë a rrëmbyer fëmijë, gra dhe të moshuar, janë të dënueshme dhe përbëjnë krim kundër njerëzimit. Metoda të tilla brutale nuk janë dhe nuk duhet të jenë tipare të lëvizjeve legjitime për rezistencë ose çlirim, pavarësisht rrethanave dhe seriozitetit të shtypjes. Izraeli, nga ana tjetër, me anë të një fushate hakmarrjeje dhe ndëshkimi, po vret pa dallim mijëra fëmijë, gra, të moshuar, gazetarë e punonjës humanitarë, duke zhvendosur ndërkohë 2 milionë njerëz nga shtëpitë e tyre, duke shkatërruar shkolla, spitale, 50 për qind të njësive të banimit dhe një pjesë të mirë të infrastrukturës civile; ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm, ushqim, medikamente mjekësore, naftë dhe elektricitet dhe është angazhuar për krijimin e rrethanave për uri masive, përhapje të pandemive dhe privimin e dhjetëra mijëra njerëzve në nevojë për të pasur qasje në shërbimin shëndetësor. Një debat i vazhdueshëm po zhvillohet ndërmjet studiuesve të gjenocidit dhe ekspertëve ligjorë nëse veprimet e Izraelit e përmbushin përkufizimin ligjor të gjenocidit. Grupet e të drejtave të njeriut kanë ngritur padi në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara. Omer Bartov, profesor i specializuar për Holokaustin dhe studimet e gjenocidit në Universitetin Brown, ka theksuar rëndësinë e njohjes së hershme të potencialit për gjenocid, në vend që të dënohet pas faktit.
Izraeli ka të drejtën legjitime të vetëmbrojtjes, për më tepër ka detyrimin që të mbrojë qytetarët e vet dhe të krijojë kushte për jetesën e tyre në paqe, siguri dhe prosperitet. Por, ne kemi detyrimin etik të pohojmë se palestinezët kanë po aq të drejtë të vetëmbrohen dhe ta organizojnë rezistencën e tyre në përpjekje për ta përmbushur aspiratën për liri nën një shtet kombëtar të pavarur dhe sovran. Nëse do ta përligjim katastrofën njerëzore dhe materiale që po shkakton sulmi i Izraelit në Gaza, mbështetur në parimin e vetëmbrojtjes, me të njëjtën masë do të duhet ta justifikojmë sulmin barbar të Hamasit. E drejta e rezistencës ndaj pushtimit dhe shtypjes, ashtu si e drejta e vetëmbrojtjes, nuk është dhe nuk mund të jetë e pakufizuar dhe kushtëzuar nga detyrimet morale dhe ligjore, prej të cilëve këto të drejta burojnë.
Si qenie njerëzore, natyrshëm, jemi të lidhur në një rrjetë të dendur marrëdhëniesh – familjare, fisnore, klanore, etnike, fetare; ndajmë besime të përbashkëta – që ndikojnë e shpeshherë përcaktojnë botëkuptimin dhe gjykimin tonë moral. Është e vështirë të ndash se ku mbaron natyra jonë tribale nga individualiteti personal. Gjithsesi, në raste të tilla më shumë se kurrë, na nevojitet të shkojmë përtej solidaritetit grupor për të “qartësuar definicionet, për të pastruar mendjet dhe për të qetësuar fanatizmat”. Ky është detyrim etik universal ndaj së vërtetës. Ky artikull duhet parë si një orvatje e tillë, për të ofruar për publikun shqipfolës një perspektivë përtej palëve, i cili për shkak të eksperiencave të ndryshme ka kuptime të ndryshme mbi konfliktin.
Së pari duhet t’i përcaktojmë disa fakte themelorë që janë të vetëpohueshme
- Në konflikt janë të përfshirë dy popuj të dallueshëm nga njëri-tjetri, që vijnë nga eksperienca të ndryshme historike, përvoja të ndryshme sociale dhe fetare, identitetet politike të të cilëve janë formuar si kontradikta ndaj njëri-tjetrit.
Kuptimi i konfliktit mes hebrenjve dhe palestinezëve fillon me pranimin se kemi të bëjmë më dy popuj të dallueshëm që luftojnë për të njëjtin territor. Pretendimi për të krijuar një “atdhe të hebrenjve” u shfaq në fund të shekullit të 19-të me lëvizjen zioniste. Ky pretendim mori hov në fillim të shekullit të 20-të, ndërsa hebrenjtë nga Europa, vendet arabe dhe Perandoria Osmane filluan të ktheheshin sistematikisht në Palestinë. Kjo lëvizje u organizua nga lëvizja zioniste dhe u lehtësua nga Mandati Britanik në Palestinë. Ndryshe nga përpjekja për ta portretizuar konfliktin arabo-izraelit si konflikt i lashtë historik me përmasa biblike, në fakt konflikti është modern dhe shpaloset kryesisht në shekullin e 20-të, kur një lëvizje nacionaliste politike, si zionizmi, i jep shtetit-komb hebre përmasa biblike, jo e anasjellta. Identiteti izraelit e mbart këtë element mesianik me besimin në të drejtën hyjnore për këto territore. Zionizmi i sheh veprimet e shtetit te Izraelit si pjesë e një lufte çlirimtare për këto territore, të zhvilluar në një mjedis kryesisht armiqësor, të rrethuar nga kombet arabe. Kjo perspektivë ka ndikuar në formimin e Izraelit si një shtet militarist, ku përdorimi i forcës është aspekt qendror i qasjes strategjike.
Palestinezët, nga ana tjetër, fillimisht nuk kishin një identitet politik të dallueshëm dhe ishin relativisht të papërgatitur për t’i kuptuar dhe për t’iu përgjigjur këtyre objektivave zioniste deri në momentin kritik të vitit 1948. Identiteti politik palestinez u formua gjerësisht nën këto rrethana të konfliktit të ri dhe nën ndikimin e imagjinatës kolektive rreth Nakbas, spastrimit etnik të palestinezëve nga territoret historike. Palestinezët e shohin situatën e tyre përmes lenteve të padrejtësive historike, që u janë shkaktuar nga Izraeli dhe aleatët e tij. Strategjia e tyre është e rrënjosur thellë në rezistencë – një rezistencë që nuk është vetëm fizike, por gjithashtu mishëron durimin dhe qëndrueshmërinë kundër asaj që e perceptojnë si pushtim. Kjo ndjenjë qëndrese është një aspekt themelor i identitetit palestinez, duke reflektuar përgjigjen e tyre ndaj sfidave me të cilat janë përballur me kalimin e kohës. Për një vështrim historik mbi konfliktin dhe mbi këtë subjekt konsultohuni me Një Histori e Lindjes së Mesme Moderne të William L Cleveland dhe Martin Bunton.
- Izraeli është realitet politik i njohur ndërkombëtarisht dhe si i tillë gëzon të drejtën e vetëmbrojtjes dhe detyrimin për të mbrojtur qytetarët izraelitë brenda kufijve territorial të shtetit të njohur ndëkombëtarisht.
Izraeli, si një shtet sovran i njohur ndërkombëtarisht, është realitet politik i pamohueshëm. Ai posedon status të plotë juridik si një komb i pavarur, me të drejtën e natyrshme për të pohuar ekzistencën e tij dhe për ta mbrojtur veten. Krijimi i Izraelit ishte kulmi i një përpjekje të qëndrueshme nga populli hebre, me mbështetjen e konsiderueshme nga vendet perëndimore, veçanërisht në vazhdën e vuajtjeve të tmerrshme të përjetuara gjatë Holokaustit. Por ky krijim ndodhi gjerësisht në kurriz të popullit palestinez. Ata ishin subjekt i masakrave, spastrimit sistematik etnik dhe dëbimit masiv nga shtëpitë e tyre, të gjitha pjesë përbërëse e proceseve që çuan në krijimin, zgjerimin dhe konsolidimin e shtetit të Izraelit. Mbi subjektin e krijimit të shtetit të Izraelit dhe ndikimit mbi popullsinë palestineze në territoret e Palestinës, ku midis viteve 1947 dhe 1949, mbi 400 fshatra palestineze u shkatërruan qëllimisht, civilët u masakruan dhe rreth një milion burra, gra dhe fëmijë u dëbuan nga shtëpitë e tyre me armë, mund të konsultoni Pastrimi Etnik i Palestinës i Ilan Pappe.
- Palestinezët janë popull me karakteristika të dallueshme, me banim të vijueshëm në territoret e tyre, me identitet politik të artikuluar dhe, si të tillë, e kanë të drejtën historike, morale dhe ligjore për një shtet të lirë, të pavarur dhe sovran.
Përpjekja e palestinezëve për shtetësi është thellësisht e rrënjosur në lidhjen e tyre historike me territorin, një lidhje që shtrihet përgjatë shekujve dhe përfshin elementë kulturorë dhe socialë, të cilët forcojnë identitetin e tyre të veçantë. Kjo prani e vazhdueshme i jep forcë pretendimit të tyre për vetëvendosje, veçanërisht në dritën e ngjarjeve historike si Nakba në 1948, e cila u shoqërua me një zhvendosje masive të palestinezëve, duke nënvizuar nevojën për njohje ndërkombëtare dhe rivendosje të të drejtave të tyre. Përpjekja e palestinezëve është shënjuar nga padrejtësitë historike, të njohura ndërkombëtarisht, të cilat i japin peshë arsyetimit moral dhe etik për një shtet palestinez të pavarur. Këto padrejtësi jo vetëm që theksojnë humbjen e tokës, por edhe erozionin e identitetit dhe të drejtave politike të tyre. Nga pikëpamja e së drejtës, pretendimi i palestinezëve për pavarësi është në linjë me parimet e vetëvendosjes dhe sovranitetit kombëtar, siç njihen në ligjin ndërkombëtar. Mbështetur mbi parimet më të rëndësishme mbi të cilat është ndërtuar rendi modern ndërkombëtar, themelimi i një shteti palestinez të lirë, sovran dhe të pavarur, me të njëjtat të drejta si shtetet e tjerë që formojnë familjen e shteteve moderne, është e vetmja mënyrë e qëndrueshme për të adresuar të drejtat dhe aspiratat e gjata të popullit palestinez. Kjo qasje, e potencuar në marrëveshjet ndërkombëtare (Marrëveshjet e Oslos), ofron një rrugë të ndershme për një zgjidhje të drejtë të konfliktit izraelito-palestinez. Për një kuptim më të plotë të të drejtës dhe përpjekjes së palestinezëve për shtet të pavarur konsultoni Lufta njëqindvjeçare mbi Palestinën të Rashid Khalidi.
- Territoret e Palestinës janë nën pushtimin e Izraelit, i cili nëpërmjet mekanizmave institucionalë e ligjorë të mbështetur nga dhuna ushtarake ka ndërtuar një regjim dehumanizues në territoret e Palestinës, i cili është përkufizuar nga institucionet ndërkombëtare si ‘aparteid’.
Human Rights Watch dhe Amnesty International, në dy raporte të ndryshme dhe të kontestuara, pretendojnë se Izraeli zbaton një sistem shtypjeje dhe dominimi ndaj palestinezëve në të gjitha zonat që kontrollon, përfshirë Izraelin, Territoret e Okupuara Palestineze (Bregu Perëndimor dhe Gaza) dhe ndaj refugjatëve palestinezë. Ky sistem, i dizajnuar për të përfituar izraelitët hebrenj, identifikohet si aparteid, një shkelje e ligjit ndërkombëtar. Ai përfshin ligje, politika dhe praktika që synojnë ta mbajnë kontrollin mbi palestinezët, duke rezultuar në fragmentimin e tyre gjeografik dhe politik, varfëri dhe një gjendje të vazhdueshme frike dhe pasigurie. Aparteidi, siç përkufizohet në ligjin ndërkombëtar, është një shkelje serioze e të drejtave të njeriut dhe një krim kundër njerëzimit. Ai, fillimisht, iu referua sistemit të segregimit racial në Afrikën e Jugut, por që atëherë është njohur globalisht si i zbatueshëm për sisteme të ngjashme të shtypjes sistematike dhe dominimit nga një grup racor mbi një tjetër.
Raportet i HRW-së dhe AI-së e kritikojnë komunitetin ndërkombëtar për neglizhencën e gjatë ndaj të drejtave të njeriut të palestinezëve përballë politikave shtypëse të Izraelit, të cilat palestinezët i kanë denoncuar si aparteid për më shumë se dy dekada. Edhe pse ka një njohje ndërkombëtare në rritje të trajtimit të palestinezëve nga Izraeli si aparteid, qeveritë që kanë mundësinë të ndikojnë në ndryshim, kanë dështuar të marrin masa të kuptimshme, duke u fshehur pas një procesi paqeje të pavlefshëm, duke neglizhuar të drejtat e njeriut dhe llogaridhënien. Situata mbetet e ngurtë pa përparim drejt një zgjidhjeje të drejtë dhe një përkeqësimi të të drejtave të njeriut për palestinezët. Amnesty International bën thirrje për Izraelin që ta shfuqizojë sistemin e aparteidit, duke i eliminuar masat e fragmentimit, segregimit, diskriminimit dhe privimit ndaj popullsisë palestineze.
- Zgjidhja me dy shtete, e dakordësuar në Oslo dhe mbështetur nga shumica e komunitetit ndërkombëtarë, është minuar kryesisht nga politikat e shtetit të Izraelit që synojnë depopullimin e territoreve palestineze dhe popullimin e tyre me banorë izraelitë.
Marrëveshjet e Oslos, që përfshijnë Marrëveshjen e Oslos I të vitit 1993 dhe Marrëveshjen e Oslos II të vitit 1995, përfaqësojnë përpjekje të rëndësishme diplomatike midis Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) për të adresuar konfliktin. E nisur me negociata sekrete në Oslo të Norvegjisë, Marrëveshja e parë shënoi një moment historik pasi Izraeli dhe OÇP-ja e njohën zyrtarisht njëri-tjetrin për herë të parë. Kjo marrëveshje parashtroi një kornizë për bisedimet e ardhshme të paqes dhe e detajoi kalimin drejt vetëqeverisjes palestineze në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.
Në qendër të Marrëveshjes së Oslos ishte koncepti i një zgjidhjeje me dy shtete, që parashikonte bashkëjetesën paqësore të Izraelit dhe një shteti të ardhshëm palestinez të pavarur. Marrëveshjet nënkuptonin se Izraeli do të tërhiqej në kufijtë e tij të paraluftës së vitit 1967, duke lejuar krijimin e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës. Megjithatë, marrëveshjet u kritikuan për mosadresimin përfundimtar të disa çështjeve kritike, duke përfshirë vendbanimet izraelite, statusin e Jerusalemit, të drejtat e refugjatëve palestinezë dhe kufijtë përfundimtarë të shtetit palestinez. Për më tepër, një pikë e rëndësishme mosmarrëveshjeje ishte refuzimi i Izraelit për të pranuar sovranitetin e plotë palestinez, veçanërisht krijimin e një force të pavarur të armatosur palestineze. Parimet e Marrëveshjes u shndërruan shpejt në një realitet të ri gjeopolitik, duke i ndarë territoret palestineze në kantone të vogla ose bantustane, të cilat nuk e përmbushën premtimin për një shtet të vërtetë për palestinezët. Kjo ndarje, e kombinuar me mungesën e tërheqjes reale ushtarake izraelite nga territoret e pushtuara, solli zhgënjimin e palestinezëve dhe fuqizoi gjithnjë më shumë grupimet radikale palestineze, duke dobësuar kështu Autoritetin Palestinez.
Ilan Pappe, në Dhjetë mite rreth Izraelit, paraqet një pikëpamje kritike të Marrëveshjes së Oslos, duke argumentuar se ajo ishte një strategji e Izraelit për të thelluar kontrollin e tij mbi territoret palestineze. Pappe-ja pretendon se procesi i Oslos e detyroi udhëheqjen palestineze të bënte kompromis kundër interesave të tyre dhe e rrezikoi ekzistencën e tyre, pasi ishte një vendim i marrë nën presionin e një populli të mundur dhe të kolonizuar. Pappe-ja e sheh Marrëveshjen e Oslos si një manovër diplomatike të Izraelit, që e thelloi kontrollin e tij mbi territoret palestineze nën maskën e një procesi paqeje; është një shpikje që i jep përgjigje shqetësimit të Izraelit se si ta mbajë nën kontroll Bregun Perëndimor, pa e inkorporuar brenda shtetit të Izraelit që do të cenonte përbërjen demografike dhe strategjinë afatgjatë për ruajtjen e karakterit hebre të shtetit të Izraelit. Kjo solli margjinalizimin dhe fragmentimin e mëtejshëm të popullsisë palestineze në vend që të avanconte një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Pappe-ja këmbëngul se “zgjidhja me dy shtete është si një kufomë që nxirret nga morgu herë pas herë, vishet bukur dhe paraqitet si një qenie e gjallë. Kur provohet se në të nuk ka mbetur fare jetë, rikthehet në morg.”
- Strategjia e SHBA-së për të ndërtuar paqe afatgjatë duke ndërmjetësuar Akordet Abraham mes Izraelit dhe vendeve arabe pa praninë e drejtpërdrejtë të palestinezëve dështoi dhe u dëshmua si e papërshtatshme, duke shtruar nevojën për një strategji të re që përfshin interesat e palestinezëve në çdo përpjekje të mëtejshme pajtimi në Lindjen e Mesme.
Strategjia e SHBA-së për të ndërtuar paqe afatgjatë duke ndërmjetësuar “Marrëveshjet Abraham” midis Izraelit dhe vendeve arabe, pa pjesëmarrjen direkte të palestinezëve, ka dështuar, duke bërë të nevojshme një strategji të re, që përfshin interesat palestineze në çdo përpjekje të mëtejshme për pajtim në Lindjen e Mesme. Derisa “Marrëveshjet Abraham” kanë arritur t’i normalizojnë marrëdhëniet midis Izraelit dhe disa shteteve arabe, duke mundësuar uljen e tensioneve rajonale dhe duke rritur bashkëpunimin ekonomik dhe të sigurisë, ndikimi i tyre mbi konfliktin izraelito-palestinez ishte larg pritshmërive. Palestinezët, me të drejtë, mendojnë se mungesa e tyre në këto bisedime ka treguar se çështjet kyçe qendrore të konfliktit, siç janë statusi i Jerusalemit, të drejtat e refugjatëve palestinezë, vendbanimet izraelite dhe kufijtë e një shteti të ardhshëm palestinez, kanë mbetur të paadresuara. Mbas rindezjes së konfliktit më 7 tetor, një qasje më gjithëpërfshirëse, që përfshin drejtpërdrejt interesat palestineze, mund të jetë e domosdoshme për të rijetësuar marrëveshjet dhe një pajtim më të gjerë në Lindjen e Mesme. Kjo do të thotë që të njihen dhe adresohen çështjet kryesore të konfliktit izraelito-palestinez si pjesë e përpjekjeve më të gjera për paqe rajonale.
Megjithëse jemi në zenitin e konfliktit, kur rrugëdalja mbetet e vështirë për t’u imagjinuar, nuk mund të ketë zgjidhje tjetër, veç zgjidhjes politike. Edhe pse Izraeli mbetet i përkushtuar për ta shfarosur Hamasin, armëpushimi provizor ka treguar se ky objektiv nuk është lehtësisht i arritshëm. Lufta e Izraelit, që nuk e kursen popullsinë civile, e ka tronditur opinionin publik botëror dhe shumë qeveri kanë filluar ta vënë në pikëpyetje sjelljen e Izraelit. Në kushte të tilla, nuk duket se Izraeli ka shumë kohë në dispozicion për të vepruar në mënyrë të pakushtëzuar në Gaza. Në këtë pikëpamje, të tre aktorët kryesorë të konfliktit, Izraeli, palestinezët dhe SHBA-ja kanë një interes gjenuin për të gjetur zgjidhje politike.
Shtetet e Bashkuara
Shtetet e Bashkuara janë aktor vendimtar në çdo zgjidhje të mundshme të konfliktit izraelito-palestinez. Statusi i saj si fuqia dominante globale dhe ndikimi i konsiderueshëm mbi të dyja palët, në veçanti ndaj Izraelit, i pozicionon si ndërmjetës kyç në çdo proces të mundshëm paqeje. SHBA-ja shihen gjerësisht si prej avantazheve themelore të Izraelit në rajon. Trysnia i Izraelit drejt një marrëveshje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse nga ana e SHBA-së mbetet e vetmja shpresë për një zgjidhje afatgjatë. Përtej Lindjes së Mesme, SHBA-ja ka interesa strategjike më të gjera, që e bëjnë zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez një përparësi. Një zgjidhje paqësore do t’i lejonte SHBA-së ta ridrejtojë vëmendjen dhe burimet e saj për të adresuar sfida të tjera globale, veçanërisht frenimin e Kinës dhe Rusisë. Duke i zgjidhur konfliktet në Lindjen e Mesme, SHBA-ja synon ta ruajë pozicionin e saj si fuqia hegjemonike kryesore në rendin ndërkombëtar. Një komponent jetik i strategjisë së SHBA-së në Lindjen e Mesme është ruajtja e aleancave të forta me vendet arabe. Këto aleanca janë kyçe për të parandaluar vendet arabe nga formimi i lidhjeve më të ngushta me Kinën, duke siguruar kështu statusin e SHBA-së si fuqia e huaj dominuese në rajon. Marrëdhëniet e SHBA-së me këto vende janë instrumentale në përpjekjet e saj më të gjera për të kundërshtuar ndikimin e Kinës. Po ashtu kredibiliteti dhe perceptimi i politikës së jashtme të SHBA-së janë të rëndësishëm në ruajtjen e statusit të saj global. Një nga pikat kryesore të forta të SHBA-së është aftësia e tyre për të paraqitur interesat kombëtare si vlera universale. Megjithatë, ky kredibilitet përballet me sfida, veçanërisht kur SHBA-ja perceptohet si tepër e ndikuar nga interesat e aleatëve të saj, siç është Izraeli, ose kur politikat e tyre çojnë në pasoja të paparashikuara, siç është rasti në konfliktin me Ukrainën. Aftësia e SHBA-së për të ofruar këshilla të qarta dhe për të udhëhequr efektivisht në skenën ndërkombëtare varet nga demonstrimi i një kuptimi të qartë të ngjarjeve ndërkombëtare, nga respektimi i vlerave të shpallura. Siç vëren profesori Stephen Walt, dështimet në këto fusha mund të çojnë në rënie të besimit në udhëheqjen amerikane, duke ndikuar në aftësinë e saj për të influencuar dhe udhëhequr në çështjet ndërkombëtare. Dështimi për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza dhe një rezultat jo i përshtatshëm në Ukrainë do të ishin goditje e rëndë për imazhin e saj.
Izraeli
Strategjia e Izraelit për kontrollin dhe nënshtrimin e palestinezëve ka treguar se është joefektive dhe nuk mund të vazhdojë të funksionojë në të ardhmen. Strategjia e zgjerimit të vendbanimeve dhe mbajtja e kontrollit mbi Territoret Palestineze, pa i inkorporuar plotësisht, kanë dështuar, siç u evidentua me sulmin e Hamasit më 7 tetor. Ky model i menaxhimit të konfliktit jo vetëm që ka rezultuar në një status quo të paqëndrueshme, por gjithashtu i ka shtuar tensionet dhe e ka bërë zgjidhjen e konfliktit edhe më të vështirë.
Reputacioni ndërkombëtar i Izraelit po dëmtohet rëndë nga veprimet e tij në Gaza dhe në tërësi nga politika në Territoret Palestineze. Bombardimet pa dallim dhe politikat e ashpra ndaj palestinezëve kanë shkaktuar një reagim të fortë ndërkombëtar dhe i kanë shtuar kritikat ndaj qeverisë izraelite. Këto veprime kanë ndikuar negativisht në imazhin e Izraelit si një shtet që i respekton të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar, duke e bërë më të vështirë për të ruajtur marrëdhënie të mira me bashkësinë ndërkombëtare.
Veprimet e Izraelit kanë krijuar gjithashtu një çarje në rritje ndërmjet Izraelit dhe diasporës hebraike në mbarë botën (diaspora hebreje është po aq e madhe sa numri i hebrenjve që jetojnë në Izrael). Shumë hebrenj jashtë Izraelit ndihen të shqetësuar nga politikat dhe sjelljet e qeverisë izraelite në lidhje me trajtimin e palestinezëve. Kjo ka çuar në një ndarje të thellë në komunitetin hebraik global, ku shumë anëtarë nuk ndihen më të përfaqësuar nga politikat e Izraelit. Kjo çarje është e rëndësishme pasi e dëmton lidhjen mes Izraelit dhe diasporës hebraike, një burim tradicional i mbështetjes dhe solidaritetit për shtetin e Izraelit.
Është iluzive dhe njëkohësisht e frikshme për Izraelin ta shikojë veten në një konflikt të pafund, ku mbijetesa është e varur nga lufta e vazhdueshme. Ky skenar i mbijetesës me “shpatë në dorë” nuk është i qëndrueshëm e as i dëshiruar, pasi Izraeli mund ta fitojë betejën në Gaza, por ta humbasë luftën. Një pjesë e konsiderueshme e komunitetit hebraik, brenda dhe jashtë Izraelit, po ushtron presion për një zgjidhje afatgjate të konfliktit, duke kërkuar qasje më paqësore dhe zgjidhje të qëndrueshme. Kjo dëshirë për ndryshim përballet me sfida të mëdha, veçanërisht për shkak të qëndrimeve të forta të së djathtës radikale në pushtet në Izrael, e cila ka krijuar pengesa të konsiderueshme në rrugën drejt paqes dhe stabilitetit.
Palestinezët
Palestinezët, ndonëse gjenden në një situatë të pafavorshme, kanë një interes të fortë për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit me Izraelin për disa arsye të rëndësishme:
Qëndrimi i vazhdueshëm nën pushtim ka treguar se kostoja është shumë e lartë për palestinezët. Bombardimet dhe vrasjet në operacionet e përsëritura në Gaza, si operacioni i fundit që ka shkaktuar deri tani 15 mijë viktima, janë shembuj të qartë të kësaj kostoje. Gjithashtu, vrasjet, arrestimet dhe dehumanizimi i palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor po e shkatërrojnë perspektivën e një populli që synon të ndërtojë të ardhmen e vet.
Çdo ditë që kalon, palestinezët humbasin më shumë territor për shkak të zgjerimit të vendbanimeve izraelite në tokën e tyre. Ky fakt e vështirëson çdo ditë e më shumë arritjen e një zgjidhjeje të mundshme me dy shtete. Edhe pse popullsia hebraike dhe ajo palestineze janë rreth 7 milionë secila, palestinezët kontrollojnë vetëm pak më shumë se 20 për qind të territorit dhe po e humbasin atë me ritme të shpejta.
Situata ndërkombëtare dhe zhvillimet e mundshme nuk e favorizojnë Palestinën. Betejat për hegjemoni botërore ndërmjet SHBA-së dhe Kinës po e ndryshojnë sistemin ndërkombëtar, dhe si rezultat, roli i së drejtës dhe ligjit ndërkombëtar, të cilat tradicionalisht kanë qenë aleatë të popujve të pushtuar, pritet të zbehen. Në këtë kontekst, fuqia po bëhet gjithnjë e më shumë monedha kryesore në politikën ndërkombëtare, duke e lënë Palestinën në një pozitë edhe më të dobët.
Në vend të mbylljes
Rreth 6.8 milionë izraelitë dhe 6.8 milionë palestinezë jetojnë sot mes Detit Mesdhe dhe Lumit të Jordanit, një zonë që përfshin Izraelin dhe Territoret e Okupuara Palestineze (TOP), të përbëra nga Bregu Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, dhe Rripin e Gazës. Siç ka raportuar Human Rights Watch, në pjesën më të madhe të kësaj zone Izraeli është fuqia e vetme qeverisëse; në pjesën tjetër, e ushtron autoritetin kryesor përkrah vetëqeverisjes së kufizuar palestineze. Raporti i HRW-së konstaton se në këto zona dhe në shumicën e aspekteve të jetës autoritetet izraelite sistematikisht i favorizojnë izraelitët hebrenj dhe i diskriminojnë palestinezët. Ligjet, politikat dhe deklaratat e zyrtarëve kryesorë izraelitë bëjnë të qartë se objektivi i mbajtjes së kontrollit nga izraelitët mbi demografinë, pushtetin politik dhe territorin, e ka udhëzuar politikën qeveritare për një kohë të gjatë. Në ndjekje të këtij qëllimi, autoritetet kanë privuar, shtrënguar dhe nënshtruar palestinezët për shkak të identitetit të tyre. Në disa zona, siç përshkruan HRW-ja, këto privime janë aq të rënda, sa përbëjnë krime kundër njerëzimit.
Edhe nëse Izraeli arrin “ta zhdukë Hamasin nga faqja e dheut”, kjo status quo me siguri nuk është e qëndrueshme. Por, trauma e konfliktit të fundit mund të përdoret për t’u angazhuar në gjetjen e një zgjidhjeje më të drejtë dhe përfshirëse që akomodon interesat e të dyja palëve dhe kjo kërkon lëshime të dhimbshme nga të dyja palët: Izraeli duhet ta pranojë të drejtën e palestinezëve për shtetësi, ta përfundojë okupimin, të ndalojë dhe të tërhiqet nga vendbanimet në territoret palestineze, ndërsa palestinezët duhet të pranojnë ekzistencën e Izraelit si shtet hebre, të ofrojnë garanci të besueshme sigurie dhe të heqin dorë nga ideja e kthimit të refugjatëve. Duket se askush nuk është gati për këtë, e në veçanti Izraeli. Megjithatë, përfitimet e paqes – çlirimi nga frika dhe terrori, janë shumë herë më të mëdha sesa dhimbjet e kompromisit.