loader image
October 13, 2024

Përdorimi i identitetit fetar në afirmimin e përkatësisë kombëtare: rasti i Shqipërisë

Kur flasim për historinë e konvertimit të herëpashershëm të shqiptarëve nga njëri besim në tjetrin, njëherësh mund të implikohet se aderimi në një besim fetar të caktuar ndër komunitete multifetare nuk parakupton thjesht afirmimin e një botëkuptimi të caktuar kozmik apo teologjik, por pikësëpari aderimin në një grup të caktuar shoqëror me synim përmirësimin e statusit apo pozicionit shoqëror të popullsisë së konvertuar.

Shkruan: Lulzim HOXHA, Tiranë

Rajoni i Ballkanit përfaqëson një rast të mahnitshëm ndryshimesh, transformimesh dhe rikompozimesh të kufijve kombëtarë, sidomos gjatë dy shekujve të fundit, ku vendet e rajonit kanë qenë vazhdimisht objekt i ndërhyrjes së fuqive të mëdha si Perandoria Osmane, Austro-Hungaria, Bashkimi Sovjetik dhe Perëndimi. Nga ana tjetër, ky proces është shoqëruar me shtimin e kontakteve dhe pikëtakimeve me njëra-tjetrën të botëkuptimeve krejt të ndryshme fetare, si Ortodoksia lindore, Katolicizmi dhe Myslimanizmi. Si rrjedhojë e këtij fenomeni, feja shpeshherë ka funksionuar si përçuese e ideologjisë kombëtare, duke krijuar veçoritë e mjaftueshme kulturore në imagjinimin dhe rindërtimin e kufijve kombëtarë. Mirëpo, ndryshe nga vendet sllave të Ballkanit që u shkëputën nga Perandoria Osmane, ku identiteti kombëtar mbështetej mbi konvertimin në fenë ortodokse, Shqipëria paraqet një rast të ndryshëm, duke qenë se është i vetmi shtet multifetar në rajon ku shteti ka pasur kryesisht rolin e ruajtjes së balancës ndërmjet komunitetit të myslimanëve, katolikëve, ortodoksëve dhe bektashinjve. Roli i shtetit si promovues i tolerancës ndërfetare e ka origjinën në reformat e Mbretit Zog gjatë viteve të ’30-të, teksa në vitin 1967 Republika Popullore e Shqipërisë bëhet zyrtarisht shteti i vetëm ateist në botë dhe në kushtetutën e këtij viti shkruhej se “Shteti shqiptar nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor”. Në të dy këto sisteme politike, pavarësisht dallimeve të shumta mes tyre, feja është konsideruar si një element përçarës dhe i rrezikshëm, që mund të instrumentalizohej nga pushtuesit e vendeve fqinje për të vërtetuar pretendimet e tyre historike në territorin e shtetit shqiptar. Për këtë arsye, gjatë periudhës së komunizmit do t’i bëhej gjithnjë e më tepër jehonë propagandës se të gjitha fetë që kanë ardhur në Shqipëri i kanë sjellë pushtuesit dhe se në fakt të qenit shqiptar është i barazvlefshëm me të qenit ateist, pasi “feja e shqiptarit është vetëm Shqiptaria”. Kësisoj, ligjërimi nacionalist i periudhës komuniste nisi “të rizbulojë” Shqiptarinë te shqiptarët jo si një veçori kulturore, por si një veçori gjenetike dhe natyrore, meqenëse, sipas narrativës dominuese të këtij regjimi, shqiptarët kanë qenë pjesë e këtij territori shumë më përpara se të përhapeshin fetë monoteiste në Perëndim ose në Lindje. Pra, në vend se t’i hulumtonte ndërveprimet me popullsitë e tjera fqinje ose t’i vëzhgojë transformimet që i ka pësuar ndër shekuj popullsia e këtij territori, gjithë etnografia e sistemit komunist është marrë me etnogjenezën e shqiptarëve, duke synuar të vërtetojë se identiteti shqiptar është një element konstant që zgjat minimalisht prej më tepër se 2 mijë vjetësh dhe se, pavarësisht kalimit të shekujve dhe mijëvjeçarëve, të qenit shqiptar ka qenë përherë identiteti qendror i njeriut në shoqëri. “Rizbulimi” i shqiptarëve në çdo periudhë të së shkuarës, sado e largët qoftë e sado e padokumentuar, në fakt nuk ka qenë një mision “liturgjik” që e ka kryer vetëm regjimi komunist në Shqipëri, pasi elemente të ngjashme mund të gjenden edhe në misione të ngjashme “liturgjike” të fqinjëve tanë në Ballkan, si për shembull “rizbulimi” i maqedonasve në periudhën e Aleksandrit të Madh, “rizbulimi i grekëve” në kohën e antikitetit, i serbëve në figurën mitologjike të Serbonit ose në arkipeshkvin Shën Sava të shekullit XII etj. Në këtë drejtim, shtetet e Ballkanit kanë një histori vërtet të ngjashme, por ajo që i dallon janë mënyrat e ndryshme të interpretimit të asaj se çfarë konsiderohet si pjesë e kulturës kombëtare dhe elementeve ose tipareve që përjashtohen nga ky interpretim, gjithashtu ajo se cilat janë normat, traditat dhe besimet e një grupi kulturor që e percepton veten si pjesë e një shoqërie si dhe çfarë mekanizmash shoqëror përjashtohen prej këtyre normave, traditave dhe besimeve. Nëse e shohim rolin e fesë në komunitetet shqiptare të së shkuarës si pjesë të këtyre mekanizmave, do të mund të vëzhgojmë më qartësisht se megjithëse feja vërtet mund të jetë imponuar nga pushtuesit, kjo nuk përbën asnjë rëndësi për sa kohë ajo është perceptuar nga vetë komunitetet shqipfolëse si pjesë e mekanizmave të tyre socialë ose normave, traditave dhe besimeve të tyre si grup kulturor. Vetëm përmes kësaj perspektive do të jemi në gjendje të shpjegojmë se cili ka qenë roli i konvertimeve fetare të shqiptarëve në identifikimin e tyre si një grup kulturor i mëvetshëm.

Farkëtimi i kufirit kulturor nëpërmjet përkatësisë fetare

Roli i fesë në përcaktimin e identitetit kombëtar në Ballkan është trajtuar gjerësisht nga antropologë socialë dhe studiues të nacionalizmit dhe identitetit. Për ta ritheksuar rolin e fesë në përhapjen e nacionalizmit në Ballkan, që kulmoi me formimin e shteteve të reja gjatë shekujve XIX-XX, studiuesi i nacionalizmit Urs Altermatt në librin e tij “Etnonacionalizmi në Europë” shkruan se “Në Europën Juglindore, feja është në masë shumë më të madhe se në Europën Perëndimore, element konstitutiv i kombit dhe shtetit kombëtar. Vendet e Europës Juglindore, si rregull, e kuptojnë vetveten si kombe kulturore, ku faktori fetar luan një rol qendror si element kohezioni”. Mandej ai shton se “Së jashtmi në Ballkan është gjuha që merr funksionin e veçorisë dalluese, ndërsa së brendshmi është gjithmonë feja që vepron si mjet mobilizues”. Ky fenomen është marrë në shqyrtim edhe nga antropologu slloven Bozidar Jezernik në librin e tij “Europa e Egër”, ku autori shpjegon se në Ballkan përkatësia fetare shpeshherë ka shërbyer si një element parësor në përcaktimin e identitetit, sidomos në kontekstin e Perandorisë Osmane ku komunitetet fetare, të organizuara sipas sistemit të miletit, përfaqësonin një mekanizëm më të rëndësishëm identitar sesa komunitetet etnike. Kjo solli në formimin e identiteteve kombëtare në të cilat besimi fetar qe një kriter përcaktues në dallimin e njërit grup nga tjetri, si për shembull: serbët ortodoksë, kroatët katolikë dhe boshnjakët myslimanë. Jezerniku përmend edhe raste specifike të vëzhguara nga udhëtarët perëndimorë në Ballkan ku rastiste që motër e vëlla konsideroheshin si pjesë të kombësive të ndryshme vetëm sepse luteshin në kisha të ndryshme. Shembuj të tillë na risjellin në vëmendje sesa fluide dhe kontekstuale ka qenë çështja e identitetit kombëtar në rajonin e Ballkanit. Rasti i Shqipërisë nuk përbën përjashtim nga kjo dukuri. Por, kur flasim për historinë e konvertimit të herëpashershëm të shqiptarëve nga njëri besim në tjetrin, njëherësh mund të implikohet se aderimi në një besim fetar të caktuar ndër komunitete multifetare nuk parakupton thjesht afirmimin e një botëkuptimi të caktuar kozmik apo teologjik, por pikësëpari aderimin në një grup të caktuar shoqëror me synim përmirësimin e statusit apo pozicionit shoqëror të popullsisë së konvertuar. Sigurisht që një analizë e thelluar mbi arsyet e konvertimit të shqiptarëve do të mëtonte një punim të një tjetër lloji, andaj në këtë shkrim do të ndalemi më tepër në një trajtesë të shkurtër të funksionit politik kontekstual të konvertimeve, më tepër sesa arsyet e tyre.

Konvertimet në fushën e besimit kanë të bëjnë para së gjithash me një fenomen historik kolektiv, i cili nënkupton pjesëmarrjen e bashkësive shoqërore dhe kulturore, më saktë pjesëtarëve të një linje familjare të trashëguar, të një farefisnie, të një bashkësie fshati ose të një grumbullimi territorial më të gjerë. Njerëzit u konvertuan në fenë islamike ose në atë të krishterë, pasi ata bënin tashmë pjesë në një rrjet te caktuar social. Rrjedhimisht, konvertimi, ashtu sikurse edhe përkatësia fetare, janë pasojë e një procesi shoqërizimi në kërkim të një njëjtësie kolektive. Profesori i antropologjisë Albert Doja shkruan se “në Shqipëri, ndonëse individi, në vetvete, mund të përqafojë paragjykimet e një grupi fetar përkundrejt të tjerëve, vlerat thelbësore të grupit përcaktohen nga një sistem farefisnie dhe lidhjesh martesore, solidariteti dhe armiqësie, prestigji dhe pozicioni shoqëror, i cili me sa duket është i njëjtë dhe është përqafuar nga te gjithë shqiptarët”. Prandaj në rast se dikush përcaktohet si mysliman ose i krishterë, kjo vjen nga fakti se ai i përket një familjeje, një grupi farefisnor dhe shoqëror, i cili tradicionalisht ka një përkatësi fetare të caktuar. Kjo dukuri nuk është rrjedhojë e një çështjeje sentimentale ose bindjeje fetare, por është një e vërtetë që i korrespondon kulturës shoqërore. Sipas këtij kuptimi, Doja e përkufizon fenë si një “konformizëm i përçueshëm”.

Një histori e shkurtër e impaktit politik të konvertimeve fetare ndër shqiptarë

Në mjaft raste dhe jo vetëm te shqiptarët, konvertimi fetar është përdorur si një mjet për të përforcuar kohezionin e brendshëm të grupit, si dhe për ta diferencuar këtë grup nga grupet e tjera. Shembuj të shumtë të konvertimeve të së shkuarës na tregojnë se te shqiptarët kufijtë etnikë në masën dërrmuese kanë mbetur të pandryshuar, pavarësisht modifikimet dhe ndryshimet në tiparet e brendshme kulturore apo besimit fetar. Kështu, për shembull, historianë të ndryshëm kanë vërtetuar se krishterimi ka një histori shumë të lashtë në trojet shqiptare. Pas pushtimit romak, në këtë vend mbërritën misionarët e parë të Romës, gjë që studiuesit e albanologjisë e vërtetojnë nga prirja e përgjithshme e gjuhës shqipe për të huazuar nga latinishtja terminologjinë e saj kishtare. Sipas të dhënave historike, shqiptarët kanë qëndruar nën juridiksionin e Romës deri në vitin 731, kur Iliria u vendos nën autoritetin e Kostandinopojës. Qysh nga ky moment, shqiptarët bëhen pjesë e sferës së influencës të administruar nga krishterimi lindor. Gjatë kësaj kohe një pjesë e mirë e popullsisë konvertohen në fenë ortodokse, por ajo çka i karakterizon shqiptarët e kësaj periudhe është luhatja e tyre midis dy kishave, ku në varësi të dinamikave politike mes Romës dhe Bizantit, zona të ndryshme të Shqipërisë mbështesin herë Romën katolike, herë Bizantin ortodoks e herë të dyja njëherësh. Megjithatë, kur sllavët përqafuan krishterimin ortodoks, disa fise të veriut të Shqipërisë, jorastësisht, nuk hezituan të rikonvertohen në katolicizmin e Romës, për t’i bërë qëndresë zgjerimit kulturor të sllavëve në këto zona. Nga ana tjetër, në periudhën e fundshekullit XIII, kur qyteti i Durrësit administrohej nga anzhuinët katolikë, një pjesë e popullsisë vendase vijuan të ndjekin praktikat fetare të krishterimit ortodoks. Ky autoritet i dyfishtë shihej me njëfarë konfuzioni nga vizitorët perëndimorë, të cilët nuk i quanin shqiptarët “as plotësisht katolikë e as plotësisht skizmatikë”.

Në një perspektivë historikë të ngjashme me konvertimin në të krishterë, aspirata për t’i ruajtur kufijtë e tyre ekzistues ka frymëzuar me shumë të ngjarë edhe pranimin e fesë myslimane. Afirmimi i fesë myslimane mund të interpretohet si një fenomen qëndrese përballë trysnive sllave dhe greke, të ushtruara nëpërmjet kishave të tyre ortodokse. Duke qenë se osmanët ishin më larg, armiqtë kryesorë të shqiptarëve konsideroheshin serbët dhe grekët. Prandaj, sikurse shkruan historian Peter Bartl “Të ngjeshur nga grekët në jug dhe nga sllavët në të gjitha drejtimet e tjera, duket se konvertimi i tyre në fenë islame të ketë qenë një mjet për të ruajtur njëjtësinë e tyre kombëtare”. Në shekullin e 16-të, patriarkati serb kishte fituar nga pushteti osman të drejtën për të vendosur nën juridiksionin e vet katolikët shqiptarë. Më 1664, arqipeshkvi shqiptar i Shkupit, Andrea Bogdani, deklaronte përpara kongregacionit në Romë se katolikët shqiptarë persekutoheshin shumë më tepër nga Kisha Ortodokse sesa nga administrata osmane (Doja: 1998). Në këtë drejtim, duhet thënë se historiografia shqiptare e periudhës komuniste, por edhe gjatë tri dekadave të fundit, e ka mbështetur idenë se periudha e gjatë e sundimit osman është karakterizuar nga obskurantizmi dhe prapambetja. Por, prapëseprapë, duhet pranuar gjithashtu se ishte pikërisht islamizimi i shoqërisë shqiptare ai që ndihmoi në ruajtjen e mëvetësisë etnike shqiptare ndaj asimilimit të fqinjëve ortodoksë, rol të cilin gjatë Lashtësisë dhe Mesjetës e kishte luajtur krishterimi. Në veprën e tij “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, Faik Konica nënvizonte se “Shqiptarët e dinë shumë mirë se konvertimi i tyre fetar ka qenë shkak i shumë prej mjerimeve dhe fatkeqësive që pllakosën mbi ta, ndërkohë që janë krejtësisht të ndërgjegjshëm ndaj faktit se ata nuk kishin tjetër rrugëzgjidhje përballë kësaj alternative, pasi në rast se do të kishin mbetur të krishterë, ata do të ishin absorbuar nga fqinjët e tyre”.

Në periudhën e Rilindjes Kombëtare, kur filluan të formulohen edhe ligjërimet e nacionalizmit që do t’i frymëzonin aspiratat për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, sërish mund të identifikohen elemente të besimit fetar, të cilat përdoren për afirmimin e mëvetësisë së kombit shqiptar. I tillë ishte rasti i bektashizmit, origjina e të cilit rrjedh nga shiizmi dhe përfaqësonte një ndër urdhrat më të rëndësishëm sufi në Ballkanin dhe Anadollin e gjysmës së dytë të shekullit XVII. Te “Feja dhe Kombi në Shqipëri”, Morozzo Della Rocca shkruante se marrëdhëniet e vështira të bektashinjve me autoritetet politike dhe fetare të Perandorisë Osmane kanë kontribuar te prirja e tyre antiturke dhe përqafimin e qëndrimeve të lëvizjes kombëtare shqiptare prej bektashinjve. Ndërkaq, në epikën “Beteja e Qerbelasë” Naim Frashëri përdor simbolika të vazhdueshme ku beteja e martirëve të Qerbelasë ndaj autokracisë së Muavijas paraqitet si një përpjekje për frymëzimin e shqiptarëve kundër nënshtrimit osman. Në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX shumica e liderëve bektashinj u kthyen në mbështetës të lëvizjes për pavarësinë e Shqipërisë, duke e konsideruar afirmimin e identitetit shqiptar në përputhje me idealet e tyre fetare të tolerancës dhe unitetit. Veprimtaria politike dhe kombëtare e vëllezërve Frashëri, nëpërmjet përkrahjes së bektashizmit, synonte të përçonte te shqiptarët vlera të tilla, si iluminizmi, humanizmi dhe toleranca, të cilat mund të ngadhënjenin vetëm duke u shkëputur nga obskurantizmi osman. Si pasojë e instrumentalizimit të bektashizmit nga lëvizja nacionaliste shqiptare, ende në ditët tona kryegjyshata botërore e bektashinjve ndodhet në Shqipëri. Kësisoj, ashtu sikundër përqafimi i islamizimit në shekujt e XVI-XVII shërbeu në krijimin e një qëndrese kundrejt ortodoksisë, ngjashmërisht edhe bektashizmi u instrumentalizua nga lëvizja nacionaliste shqiptare për krijimin e një veçorie kulturore ndaj sunizmit dominues të Perandorisë Osmane. Lëvizjet e konvertimit fetar, ashtu sikurse edhe lëvizjet për afirmim kombëtar, përbëjnë krijime origjinale dhe koherente. Rolin e fesë në afirmimin e përkatësisë kombëtare mund ta identifikojmë jo vetëm në Ballkan, por edhe në lëvizjet nacionaliste të vendeve perëndimore, si për shembull lëvizja për pavarësinë e Irlandës, ku feja katolike u kthye në përçuese të identitetit kombëtar irlandez kundrejt nënshtrimit nga Anglia protestante, ose revolucionit që solli pavarësinë e Belgjikës nga Mbretëria e Bashkuar Holandeze në vitin 1830, ku kisha katolike belge do të vendosej në shërbim të misionit për afirmimin e identitetit kombëtar belg.

Transformimi i fesë në një mekanizëm përçues të identitetit kombëtar tek e fundit nuk është veçse një përgjigje në kontekstin e një realiteti imagjinar ndaj një gjendjeje kulturore, të dëmtuar rëndë nga depërtimi brutal dhe nënshtrues i sundimit ideologjik, politik dhe të huaj për popullsinë vendase. Nga ana tjetër, politikisht, orientimi i kauzës kombëtare kah artikulimet fetare mund të ketë një rol tepër të efektshëm në përhapjen dhe frymëzimin masiv të ideologjive kombëtariste në grupe shoqërore që e shohin veten në rrezik të vazhdueshëm asimilimi nga grupe të tjera.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X