loader image
November 8, 2024

Për një historiografi çfarë i duhet shkollës shqipe

Në dekadën e tretë të shekullit XXI, në Shqipëri, në Kosovë e në viset tjera shqiptare, ku ka shkollë shqipe, mësohet historiografia e kohës së Enver Hoxhës me shumë pak modifikim. Kjo historiografi është e stërmbushur me gënjeshtra e falsifikime e keqinterpretime. Kjo historiografi i ka shërbyer regjimit enverist, por shqiptarëve nuk u ka shërbyer as atëherë as tash. Madje, kjo historiografi nuk është as në shërbim të regjimeve të sotme në Tiranë, e aq më pak në shërbim të atij në Prishtinë. Thjesht, funksionon kot për inercion.

Shkruan: Nexhmmedin SPAHIU, Mitrovicë

Të gjitha kombet që e kanë pasur fatkeqësinë komuniste, e kanë përjetuar edhe versionin komunist të të shkruarit dhe të mësuarit të historisë. Me të dalë nga komunizmi, këto kombe iu kthyen versionit paraprak të të shkruarit dhe të të mësuarit të historisë. Problemi me historiografinë tek shqiptarët është shumë më i rëndë. Shqiptarët, si komb i vonshëm, nuk arritën të krijojnë historiografi para Luftës së Dytë Botërore. Historiografia pas Luftës së Dytë Botërore u shkrua nga komunistët, kjo sipas modelit sovjetik. Edhe në Kosovë u importua kjo lloj historiografie.

Pas rënies së komunizmit, u bënë ca revidime të vogla faktuale, por qasja mbeti njësoj. Madje, kjo nuk ndodhi as në dritën e zbulimit të shumë fakteve të fshehura që dolën në dritë me botimin e memoareve dhe librave të tjerë të shumë autorëve, siç ishin ato të Syrja Vlorës, Lazër Tushës, Dom Ndoc Nikajt, Ismail-Qemal Vlorës, Hajredin Cakranit, Lef Nosit, Myfit Libohovës, Eqrem Vlorës, Sejfi Vllamasit, Mehdi Frashërit, Mit’hat Frashërit, Mustafa Krujës, Fan Nolit, Hasan Prishtinës, Rexhep Mitrovicës, Xhafer Devës, Ago Agajt, Kol Bib Mirakajt, Kadri Cakranit, Tahir Zajmit, Tahir Kolgjinit, Herbert Neubacher-it, Peter Kemp-it, Jalian Amery-t, David Smiley-t, Harold William Tilman-it, Reginald Hilbert-it, At Zef Pllumit, Petro Markos, Sabri Novosellës, Azem Vllasit, Muhamet Mustafës etj.

Disa nga faktet e shprehura në këto dokumente e që konfirmojnë njëra tjetrën dhe që kësisoji  shkencërisht mund të konsiderohet të sakta, nuk gjetën vend në historiografinë zyrtare që mësohet në shkollat tona. Kjo ndodh për shkak se aparati historiografik i tipit sovjetik nuk mund të kapërdijë fakte që e ndryshojnë tërësisht konstruktin e tij. Nuk futet elefanti në kotecin e pulave.

Disa nga ata shqiptarë që bënë gradat shkencore për histori në Perëndim, nuk mjaftuan që të krijojnë një qasje të re, përkatësisht një historiografi të re. Arsyeja është se formimi i tyre parësor është bërë në shkollat e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe studimet universitare apo pasuniversitare në Perëndim i kanë bërë për një periudhë specifike të historisë e janë mjaftuar me këtë. Ata kanë problem t’i promovojnë rezultatet e tyre specifike në atdhe, e lëre më për një qasje më të gjerë. Duke qenë se këta studiues nuk janë të lidhur mes vete, sepse janë pak dhe secili e ka hallin t’i promovojë rezultatet e veta njëherë, kanë mbetur në margjina.

Situata pritet të ndryshojë kur ndonjëri nga këta të bëhet kryeministër ose ministër Arsimi. Kuptohet, këtu nënkuptoj ndonjë nga ata që vërtet ka marrë shkollë nga Perëndimi e jo vetëm diplomë.

Shtrohet pyetja: me shmangien e historiografisë së tipit sovjetik, që fatkeqësisht akoma e mësojnë nëpër shkolla e universitete në Kosovë e Shqipëri, çfarë historiografie duam? Duam historiografi me qasje realiste apo me qasje mobilizuese?

Para se ta merrnin pushtetin komunistët në Serbi, më 1945, historiografinë serbe e kanë përbërë dy qasje: qasja realiste e arkimandritit Ilarijon Ruvarac (1832-1905) dhe qasja mobilizuese e Pantelija Sreçkoviqit (1834-1903), anëtarit të Shoqatës së Serbeve të Mësuar, shoqatë kjo që më vonë do të shndërrohet në Akademinë Serbe të Shkencave e të Arteve.

Ilarion Ruvarac dhe pasuesit e tij kanë insistuar që ndërgjegjja kombëtare serbe të krijohet vetëm duke ia treguar popullit të vërtetën shkencore. Sreçkoviqi dhe pasuesit e tij insistonin për një historiografi në shërbim të aspiratave kombëtare serbe, pavarësisht se a përputhet me të vërtetën apo jo. Qasja e Pantelija Sreçkoviqit dhe pasuesve të tij (historiografia përplot mite e rrena të qëllimshme) ishte dominuese në historiografinë serbe, pasi kjo historiografi ishte ajo çfarë u vendos të mësohet në shkollat dhe universitetet e Serbisë. Por, qasja e Ilarijon Ruvarcit nuk është se u hodh tërësisht. Madje, mund të thuhet se të dyja këto qasje u vunë në përdorim. Derisa historiografia me qasje shkencore ishte në përdorim vetëm për qarqet akademike, ajo me mitologji e rrena ishte e vetmja që u vu në përdorim për masat e gjëra.

Ku jemi ne shqiptarët dhe çfarë historie do të duhej t’u prezantojmë brezave të rinj?

Në dekadën e tretë të shekullit XXI, në Shqipëri, në Kosovë e në viset tjera shqiptare ku ka shkollë shqipe mësohet historiografia e kohës së Enver Hoxhës me shumë pak modifikim. Kjo historiografi është e stërmbushur me gënjeshtra e falsifikime e keqinterpretime. Kjo historiografi i ka shërbyer regjimit enverist, por shqiptarëve nuk u ka shërbyer as atëherë as tash. Madje, kjo historiografi nuk është as në shërbim të regjimeve të sotme në Tiranë e, aq më pak, në shërbim të atij në Prishtinë. Thjesht, funksionon kot për inercion.

Historiografia që duhet të ribëhet do të duhej të ishte sinteza e kujtimeve të autorëve që përmenda më lart.

Një sintezë e mirëfilltë janë kujtimet dhe analizat e Mustafa Krujës, që do të duhej të zënë vendin qendror në historiografinë shqiptare. E para është që Mustafa Kruja është politikani më i ndershëm që ka prodhuar populli shqiptar. Ndershmëria e tij nis me rrënjët familjare, vazhdon me fëmijërinë e rininë e tij dhe kjo vijë e karakterit e përcjellë gjatë gjithë jetës. E dyta, mprehtësia dhe thellësia e tij intelektuale. Perceptimi i tij për ngjarjet politike të kohës, të cilat i ka përjetuar personalisht, është plotësisht i përputhshëm me atë që dokumentohet nga hapja e arkivave sekrete shumë kohë pas vdekjes së tij. Jo vetëm kujtimet dhe vlerësimet për personazhet e kohës së tij janë të vlefshme për një historiografi çfarë i duhet shkollës shqipe. Mustafa Kruja do t’i shërbejë një historiografie të mirëfilltë shqiptare me të gjitha kontributet e tij për historinë që nga përshkrimi i historisë së faraonëve të lashtë të Egjiptit e deri në ngjarjet politike pas Luftës së Dytë Botërore. Hiq meritat shumë të mëdha në fushën e politikës e të kulturës, shteti shqiptar dhe shteti i Kosovës veç janë shumë vonë me ngritjen e përmendoreve të Mustafa Krujës në Krujë, Vlorë, Tiranë, Shkup e Prishtinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X