loader image
May 24, 2024

Partitë politike janë burimi kryesor i korrupsionit në shoqërinë shqiptare!

Në realitetin e shoqërisë shqiptare dhe të vendeve të Ballkanit, në përgjithësi, kemi një kombinim fatkeq të madhësisë së qeverisë me mungesën e mekanizmave demokratikë të kontrollit dhe kufizimit të pushtetit të partive dhe individëve ,çka shoqërohet me korrupsion të gjithëpërhapur, që ndihmon në riprodhimin e realitetit që e mundëson atë në radhë të parë.

Shkruan: Mentor BEQA, Tiranë

Korrupsioni, një fenomen gjerësisht i përhapur, minon rëndë potencialin e një shoqërie për të përparuar dhe ofruar mirëqenie për qytetarët e saj. Ndikimet e dëmshme të korrupsionit janë të njohura mirë, si teorikisht, ashtu edhe empirikisht. Megjithatë, kuptimi i kompleksitetit dhe natyrës së shumanshme të këtij fenomeni nuk është aspak i thjeshtë. Në shoqërinë shqiptare, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, korrupsioni është stërkëmbësh, që pengon përparimin ekonomik dhe qeverisjen e mirë.

Ky artikull përpiqet të hedhë dritë mbi korrupsionin jo thjesht si një dështim moral individual i elitës politike, por si një çështje politike sistemike, e rrënjosur thellë në strukturën e sistemit tonë politik. Teza e parashtruar është se ka një marrëdhënie pozitive ndërmjet përqendrimit të pushtetit politik dhe madhësisë së qeverisë, nga njëra anë, veçanërisht në kushtet e një roli të pakufizuar të partive politike dhe korrupsionit nga ana tjetër.

Duke u mbështetur në një mori qasjesh teorike, studimesh empirike dhe vëzhgimesh praktike, ky artikull synon të hulumtojë mbi dinamikën e korrupsionit brenda shoqërisë shqiptare në Ballkan. Duke eksploruar ndërveprimin midis pushtetit politik, strukturave qeveritare dhe praktikave korruptive, ne kërkojmë të ofrojmë një kuptim gjithëpërfshirës të korrupsionit si një çështje sistemike dhe të propozojmë dalje strategjike prej këtij kurthi.

Pushteti i pakufizuar politik dhe korrupsioni

Lordi Acton (John Dalberg-Acton), një historian i shquar britanik i fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të, vërejti me mprehtësi, në një letër plot me reflektime dërguar peshkopit Mandell Creighton në 1887, se: “Pushteti ka prirjen të korruptojë dhe pushteti absolut korrupton absolutisht. Njerëzit e mëdhenj janë pothuajse gjithmonë njerëz të këqij”. Kjo aksiomë përmbledh besimin e thellë të Lordi Acton mbi natyrën korruptuese të pushtetit, duke sugjeruar këtë cenueshmëri themelore që e mbartin mbajtësit e pushtetit, qoftë edhe “kur ushtrojnë ndikim dhe jo autoritet”. Pohimi i tij shërben si një reflektim i përjetshëm mbi ekuilibrin e brishtë ndërmjet pushtetit dhe moralit, si dhe për mundësinë përherë të pranishme për degradimin në korrupsion në kushtet e pushtetit të pakufizuar. Vëzhgimi i Acton-it ka jehuar nëpër analet e diskursit politik, duke na paralajmëruar për kujdes të përhershëm kundër rreziqeve të autoritetit të përqendruar dhe prirjes së tij për të korruptuar. Perspektiva e tij gjen zbatim veçanërisht në kontekstin e shoqërisë bashkëkohore shqiptare në të gjithë Ballkanin, ku shpaloset marrëdhënia e ndërlikuar midis pushtetit politik, strukturave qeveritare dhe korrupsionit endemik. Analiza në vijim thellohet në natyrën e shumanshme të kësaj marrëdhënieje, duke vëzhguar se si dinamikat e pushtetit dhe kornizat institucionale kontribuojnë në fenomenin e përhapur të korrupsionit dhe duke eksploruar rrugë për reforma brenda peizazhit politik.

Postulati i Lordit Acton mbi ndikimin korruptues të pushtetit nuk është një sentiment i izoluar. Ai gjen rezonim në reflektimet e mendimtarëve të mëdhenj politikë dhe në parimet themelore të shteteve moderne demokratike. Përpjekja kolektive e këtyre intelektualëve nuk ishte thjesht që ta kuptonin natyrën e pushtetit, por të krijonin korniza institucionale që do të shërbenin si mburojë kundër shfaqjes së tiranive – qofshin ato të shumicës ose të individit. Kjo aspiratë e përbashkët manifestohet gjallërisht në parimet e ngjizura brenda Kushtetutës së SHBA-së, një dokument i formuar nga ndërgjegjësimi për grackat e mundshme të pushtetit të pakufizuar dhe domosdoshmëria për kontroll dhe ekuilibër institucional.

Vështrimet e Makiavelit dhe Monteskjesë, më herët, nuk janë larg prej vëzhgimeve të Acton sa i përket korruptueshmerise së pushtetit politik. Përfundimet kokëforta të Makiavelit për kompromiset etike në udhëheqjen politike dhe avokimi i Monteskjese për ndarjen e pushteteve flasin të dyja për kërkimin universal për një qeverisje etike në kushtet e realeve të pragmatizmit politik. Kjo konvergjencë e mendimit, megjithëse buron nga tradita të ndryshme filozofike, përmblidhet në një temë të përbashkët – imperativin për të kufizuar pushtetin për ta parandaluar rënien e tij në tirani dhe korrupsion. Letra Federaliste nr. 10 e James Madison, një pjesë integrale në diskursin federalist, e shtyn më tej këtë narrativë, duke shqyrtuar rreziqet e pushtetit të pakufizuar dhe thelbin e masave mbrojtëse institucionale.

Edhe perspektivat moderne, të bazuara në eksperimente dhe studime shkencore, flasin për një korrelacion të fortë ndërmjet pushtetit politik dhe korrupsionit (Bendahan, Zehnder, Pralong, & Antonakis, 2015). Studimi i tyre tregon se si dinamika e pushtetit mund të çojë në një prirje të shtuar për sjellje korruptive. Duke përdorur një seri eksperimentesh të dizajnuara me shumë përpikëri, studiuesit vëzhguan se kur individët ishin të pajisur me pushtet të konsiderueshëm, shfaqnin prirje të theksuara për vendime antisociale dhe korruptive. Çuditërisht, kjo prirje nuk kufizohej vetëm tek ata persona me prirje të natyrshme korruptive, por edhe individë të karakterizuar fillimisht nga ndershmëria iu nënshtruan joshjes korruptive të pushtetit me kalimin e kohës. Studimi ofron një vërtetim empirik për pohimin e përjetshëm të Lordit Acton, duke demonstruar potencialin e pushtetit për të gërryer moralitetin individual dhe për të shkaktuar korrupsion. Këto vëzhgime nga kërkimet eksperimentale bashkëkohore mbi marrëdhënien e ndërlikuar midis pushtetit dhe korrupsionit e përforcojnë urtësinë e reflektimeve historike dhe filozofike. Ideja që individët, pavarësisht busullës morale, janë të ndjeshëm ndaj tundimeve që shoqërojnë pushtetin, tregojnë se sa komplekse është krijimi i strukturave qeverisëse që e harmonizojnë autoritetin politik me llogaridhënien.

Ndikimi i shtetit të madh në korrupsion

Korrelacioni ndërmjet pushtetit politik dhe korrupsionit, siç parashtrohet nga lordi Acton dhe vërtetohet nga studimet moderne (Bendahan et al., datë), gjen një përqasje bindëse edhe me vëzhgimet mbi raportin e madhësisë së shtetit dhe korrupsionit.

Zgjerimi i strukturave qeveritare nënkupton në thelb përforcimin e pushtetit politik që mbahet prej atyre që janë në krye. Një qeveri më e gjerë kërkon një rrjet më të dendur burokracish dhe zyrtarësh, duke ofruar kështu mundësi më të mëdha për ushtrimin dhe potencialisht, abuzimin e pushtetit. Ky përqendrim në rritje dhe shpërndarje e pushtetit brenda strukturave më të mëdha qeveritare intensifikon tundimet që çojnë në sjellje korruptive.

Megjithatë, dinamika e ndërlikuar ndërmjet madhësisë së qeverisë, pushtetit politik dhe korrupsionit nuk është njëdimensionale. Siç kanë theksuar shumë studiues, konteksti demokratik, brenda të cilit funksionon një qeveri, e modifikon ndjeshëm ndikimin e madhësisë së qeverisë në korrupsion. Në demokraci, kontrollet dhe balancat e qenësishme të sistemit veprojnë si faktorë lehtësues, duke kompensuar potencialisht rreziqet që lidhen me rritjen e madhësisë dhe fuqisë së qeverisë. Anasjelltas, në mjedise më pak demokratike, mungesa ose dobësia e këtyre masave mbrojtëse institucionale e bën peizazhin politik më të ndjeshëm ndaj ndikimit korruptues të pushtetit të pakufizuar. Këto ndërvarësi e nënvizojnë natyrën e shumanshme të marrëdhënies ndërmjet pushtetit politik, madhësisë së qeverisë dhe korrupsionit. Ato sugjerojnë se derisa madhësia e qeverisë rritet në mënyrë të njëkohshme me pushtetin e pakufizuar politik, krijohet terren pjellor për korrupsion. Prania e strukturave dhe mekanizmave demokratikë mund të luajë një rol kryesor në përcaktimin e shkallës në të cilën pushteti korruptohet dhe korrupsioni mundësohet.

Në realitetin e shoqërisë shqiptare dhe të vendeve të Ballkanit në përgjithësi, kemi një kombinim fatkeq të madhësisë së qeverisë me mungesën e mekanizmave demokratikë të kontrollit dhe kufizimit të pushtetit çka shoqërohet me korrupsion të gjithëpërhapur, që riprodhon realitetin që e mundëson atë në radhë të parë.

Përqendrimi i dukshëm i pushtetit politik brenda strukturave partiake në Shqipëri dhe prania e gjithëgjindshme e qeverisë në punët e shoqërisë është manifestuar në rritjen e patronazhimit politik të shoqërisë dhe politizimit të thellë të administratës publike, duke shkaktuar nivele të larta korrupsioni. Kjo i ilustron korrelacionet e sugjeruara nga studimet shkencore dhe e përforcon nocionin se madhësia e qeverisë vepron si një përcaktues i rëndësishëm i korrupsionit. Ndërkohë, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përkundër peizazheve të tyre unike politike, në mënyrë të ngjashme shfaqin korrelacionin midis strukturave të shtrira qeveritare dhe niveleve më të larta të korrupsionit, duke nënvizuar rëndësinë universale të kësaj marrëdhënieje.

Megjithatë, vendosja e një lidhjeje të drejtpërdrejtë dhe përfundimtare midis madhësisë së qeverisë dhe shkallës së korrupsionit në Shqipëri, si dhe në mënyrë të ngjashme në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, kërkon një ekzaminim më të plotë dhe disponueshmëri të më shumë dhënave. Derisa ndërlikimet e kësaj marrëdhënieje pasqyrohen në përvojat e ndryshme të këtyre vendeve, duke treguar një rrjet të ndërlikuar faktorësh modulues, janë shkallët e ndryshme të qeverisjes demokratike, të karakterizuara nga elementë të tillë si ndarja e pushteteve dhe rotacioni i pushtetit, ato që dalin si thelbësore. Analiza krahasuese zbulon se një kuptim i nuancuar i rolit të demokracisë është vendimtar në kuptimin e natyrës shumëplanëshe të korrupsionit. Ndikimi i strukturave demokratike dhe shkalla në të cilën ato mund ta zbusin ose përkeqësojnë korrupsionin shqyrtohen më poshtë, duke ofruar një perspektivë gjithëpërfshirëse mbi kushtet sistemike që nxisin korrupsionin në vendet tona.

Korrelacioni ndërmjet Demokracisë dhe Korrupsionit

Analiza jonë e korrelacionit zbulon marrëdhënie të dallueshme midis niveleve të demokracisë dhe korrupsionit në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Në analizën tonë të korrelacionit, duke përdorur grupe të dhënash, si Indeksi i Demokracisë nga “The Economist” dhe Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit nga “Transparency International”, shfaqet një marrëdhënie e dukshme midis demokracisë dhe korrupsionit në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Një korrelacion i moderuar negativ prej -0,564 ndërmjet Vlerësimit të Përgjithshëm të Indeksit të Demokracisë dhe renditjes së korrupsionit zbulon një prirje të qëndrueshme; derisa rezultati i demokracisë sheh përmirësim, ka një rënie korresponduese në shkallën e korrupsionit, duke treguar një ulje të korrupsionit të perceptuar.

Duke e përforcuar më tej këtë prirje, ekzaminimi i raportit të Kombeve në Tranzit nga “Freedom House” zbulon korrelacione shtesë. Në mënyrë të veçantë, Renditja e Demokracisë dhe Vlerësimi i Lirisë shfaqin korrelacione prej -0,331 dhe -0,617 në raport me indeksin e korrupsionit, respektivisht me këtë të fundit, që shfaq një lidhje veçanërisht të fortë të anasjelltë. Këto gjetje nënkuptojnë se përmirësimi në qeverisjen demokratike dhe liritë individuale janë thelbësore në zbutjen e korrupsionit.

Analiza shpërfaq një prirje të përhapur në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor: përmirësimi i qeverisjes demokratike lidhet pandashëm me reduktimin e korrupsionit të perceptuar. Ndërsa intensiteti i kësaj marrëdhënieje shfaq variacione në vende të ndryshme, korrelacioni i vazhdueshëm negativ ofron dije të vlefshme që e nënvizojnë rolin integral të qeverisjes demokratike në kufizimin e korrupsionit. Ky kuptim i marrëdhënies simbiotike midis demokracisë dhe korrupsionit është thelbësor për formulimin e strategjive efektive kundër korrupsionit në shoqëritë tona.

 

VendiRenditja
Mali i Zi65/180
Kosova84/180
Maqedonia e Veriut85/180
Serbia101/180
Shqiperia101/180
Bosnia e Hercegovina110/180

Tabela 1. Këtu janë vendet e Ballkanit Perëndimor të renditura sipas rendit rritës në renditjen e tyre në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (Transparency International) nga vendi i parë (më pak i korruptuar) në vendin e 180 (më i korruptuar): Mali i Zi ka renditjen më të mirë (65), i ndjekur nga Kosova (84), Maqedonia e Veriut (85), Shqipëria (101), Serbia (101) dhe Bosnja e Hercegovina (110).

 

CountryOverall ScoreRank
Montenegro6,4561
Albania6,4164
Serbia6,3368
North Macedonia6,172
Bosnia and Herzegovina597
Kosovo

Tabela 2. Democracy Index 2022 by The Economist in Excel, starting from the best performer to the worst. Data for Kosovo is missing. 

 

CountryDemocracy RankingFreedom Scores
North Macedonia4868
Albania4667
Montenegro4667
Serbia4660
Kosovo3860
Bosnia and Herzegovina3752

Tabela 3. Nations in Transit report (Freedom House). According to the provided data, North Macedonia is the best performer with a Democracy Ranking of 48 and Freedom Scores of 68, followed by Albania, Montenegro, Serbia, Kosovo, and Bosnia and Herzegovina.

 

Overall ScoreRank_corruptionDemocracy RankingFreedom Scores
Overall Score1-0,5635380450,9128080630,844565823
Rank_corruption-0,5635380451-0,33078862-0,617142559
Democracy Ranking0,912808063-0,3307886210,837749753
Freedom Scores0,844565823-0,6171425590,8377497531

Tabela 4. The correlation matrix between the level of corruption, democracy, and freedom scores for the countries in the dataset indicates that there is a general trend where higher levels of democracy and freedom are associated with lower levels of perceived corruption across the countries

Përqendrimi i Pushtetit Politik në Shqipëri

Peisazhi politik i Shqipërisë ka pësuar transformime të rëndësishme, duke kaluar nga një regjim komunist njëpartiak në një sistem shumëpartiak. E kaluara, megjithatë, vazhdon të ketë jehonë në strukturën e tanishme politike. Nën regjimin komunist, pushteti politik u përqendrua në një parti të vetme, duke kufizuar pluralizmin politik dhe duke nxitur një mjedis të favorshëm për korrupsionin. Kalimi në një sistem shumëpartiak ishte parashikuar si një rrugë drejt demokratizimit, por përqendrimi i pushtetit mbetet një sfidë e vazhdueshme, me partitë politike që ushtrojnë ndikim thelbësor mbi institucionet shtetërore. Sistemi politik i Shqipërisë është rrënuar prej kohësh nga partitë politike që ushtrojnë pushtet joproporcional mbi institucionet shtetërore, jetën politike dhe sferën ekonomike e kulturore. Kjo është lejuar nga mungesa e mekanizmave institucionalë, për ta kontrolluar pozitën e partive politike, duke çuar në prishjen e sistemit të kontrollit dhe balancave në vend. Kur një parti politike vjen në pushtet, ajo fiton kontroll mbi pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Partitë politike i zgjedhin anëtarët e parlamentit, të cilët më pas e zgjedhin kryeministrin dhe qeverinë, si dhe shumicën e trupave në organet gjyqësore. Edhe drejtuesit e institucioneve të pavarura emërohen nga parlamenti, i cili kontrollohet nga partitë politike. Kjo gjendje i ka lejuar partitë politike të kenë ndikim të pashembullt mbi vend, i cili përkeqësohet më tej nga një media dhe shoqëri civile e dobët ose e kooptuar. Kjo situatë është problematike pasi do të thotë se pushteti i qeverisë në Shqipëri është i pakontrolluar dhe një parti mund të ushtrojë një kontroll të paimagjinueshëm mbi shoqërinë nëse gëzon shumë mbështetje popullore ose, në një mënyrë ose tjetër, e vjedh atë mbështetje. Shqipëria është një shtet unitar, që do të thotë se qeveria qendrore ka pushtet të pakufizuar, dhe parlamenti është njëdhomësh, që do të thotë se një legjislaturë e vetme mund të kontrollojë gjithçka. Ky dominim i partive politike në Shqipëri (ngjashëm në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut) ka lindur një sistem patronazhi, ku besnikëria politike shpërblehet dhe mospajtimi margjinalizohet. Ky mjedis lehtëson kontrollin e sjelljes elektorale, pasi partitë i shfrytëzojnë burimet shtetërore për të aiguruar besnikërinë e votuesve. Politizimi i administratës publike dhe infiltrimi i besnikëve të partisë në poste kyçe e përjetësojnë një cikël korrupsioni, duke minuar parimet e qeverisjes së mirë dhe përgjegjshmërisë. Ngjashmëritë ndërmjet sistemit njëpartiak të së shkuarës dhe dinamikës aktuale politike janë të dukshme. Ndërsa numri i partive politike është rritur, përqendrimi i pushtetit brenda këtyre njësive dhe ndikimi i tyre mbi institucionet shtetërore mbeten të atillë që të kujtojnë epokën komuniste. Dallimi është kryesisht sasior, me cilësinë e përqendrimit të pushtetit politik që mbetet kryesisht i pandryshuar.

Çfarë duhet bërë

Për të adresuar këtë çështje, një zgjidhje e mundshme është të shikojmë sistemin politik amerikan si një burim frymëzimi. Sistemi politik i Shteteve të Bashkuara bazohet tek ndarja e pushteteve, me gjyqësor të pavarur, ekzekutiv të kontrolluar dhe parlament dydhomësh. Për më tepër, sistemi i kontrolleve dhe ekuilibrave në Shtetet e Bashkuara parandalon çdo degë të qeverisë që të akumulojë shumë pushtet. Shqipëria mund ta përdorë sistemin amerikan si model për ta zhvilluar sistemin e vet të kontrollit dhe balancimit, i cili ndonëse ekziston formalisht, nuk funksionon. Kjo do të kërkonte krijimin e një gjyqësori vërtet të pavarur, decentralizimin dhe kufizimin e pushtetit, fuqizimin e mediave të pavarura dhe shoqërisë civile për ta kundërbalancuar ndikimin e partive politike. Disa masa në këtë drejtim do te ishin:

Reforme kushtetuese per forcimin e kontrollit dhe balancave:

Adresimi i çështjes së përqendrimit të pushtetit dhe korrupsionit kërkon reforma kushtetuese të guximshme dhe tërësore. Këto reforma duhet të synojnë të kufizojnë ndikimin mbizotërues të partive politike dhe të forcojnë kontrollet dhe ekuilibrat brenda sistemit politik. Duke frenuar autoritetin e shfrenuar të partive dhe duke rritur përgjegjshmërinë institucionale, mund të krijohet një bazë për qeverisjen etike dhe pakësimin e korrupsionit. Kjo do të kërkonte ndërhyrje themelore në arkitekturën institucionale.

Ekuilibrimi institucional: Balancimi i pushteteve

Vendimtare për suksesin e këtyre reformave është ngritja e një ekuilibri institucional midis degëve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Ky ekuilibër siguron që asnjë njësi e vetme të mos ketë pushtet disproporcional, duke pakësuar kështu rreziqet e autoritarizmit dhe korrupsionit. Një ndërthurje harmonike midis këtyre degëve nxit një mjedis të favorshëm për qeverisjen demokratike, nxitjen e transparencës dhe ruajtjen e shtetit të së drejtës.

Zvogëlimi i madhësisë së qeverisë: Përqafimi i digjitalizimit

Një metodë pragmatike për reduktimin e korrupsionit përfshin reduktimin strategjik të madhësisë dhe funksioneve të qeverisë. Modernizimi i operacioneve qeveritare dhe minimizimi i burokracisë mund të zvogëlojë ndjeshëm mundësitë për praktika të korruptuara. Miratimi i shërbimeve publike digjitale është vendimtar në këtë drejtim, duke përmirësuar efektshmërinë, duke reduktuar ndërhyrjen njerëzore dhe duke pakësuar kështu rrezikun e korrupsionit. Digjitalizimi nxit një kulturë të transparencës dhe përgjegjshmërisë, duke e bërë atë një gur themeli për qeverisjen moderne dhe efektive.

Reforma zgjedhore: Zgjerimi i pjesëmarrjes politike.

Në qendër të diskursit mbi reformat është domosdoshmëria e zgjerimit të pjesëmarrjes politike, me fokus të veçantë në mundësimin e votimit për shtetasit shqiptarë që banojnë jashtë vendit. Duke pasur parasysh demografinë domethënëse të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, që përbëjnë më shumë se gjysmën e atyre me të drejtë vote, përfshirja e tyre në procesin zgjedhor është themelore për arritjen e një demokracie me të vërtetë përfaqësuese. Zhvillimi dhe zbatimi i mekanizmave të sigurtë dhe teknologjikisht të avancuar janë thelbësore për ta promovuar të drejtën e votës së diasporës, duke forcuar kështu aftësinë përfshirëse të sistemit zgjedhor. Një zgjidhje potenciale është miratimi i një sistemi votimi online, që pasqyron suksesin e modelit të votimit të Estonisë, i cili është përqafuar nga një shumicë votuesish estonezë në zgjedhjet e fundit. Kjo qasje nënkupton një strategji praktike për Shqipërinë për t’i angazhuar qytetarët e saj të shpërndarë dhe për të kultivuar një sistem demokratik më gjithëpërfshirës, transparent dhe pjesëmarrës.

Përfundime

Është e qartë se për nxitjen e qeverisjes etike në Shqipëri (Kosovë  e Maqedoni e Veriut po ashtu)  është e nevojshme një strategji e përbashkët dhe shumëplanëshe. Në qendër të kësaj përpjekjeje është domosdoshmëria për ta korrigjuar sistemin politik, duke e kufizuar ndikimin disproporcional të partive politike nëpërmjet reformave kushtetuese të konceptuara mirë dhe një ekuilibri të fortifikuar të pushteteve institucionale. Ky rikalibrim nuk është vetëm një çështje ristrukturimi, por përfshin instalimin e një kulture kontrollesh dhe ekuilibrash që depërton në çdo nivel qeverisjeje, duke vepruar si një vatër kundër përqendrimit të pushtetit i cili prodhon korrupsion.

Për më tepër, zgjerimi i pjesëmarrjes së publikut në procesin politik është i domosdoshëm. Kjo përfshin jo vetëm nxitjen e angazhimit qytetar brenda kufijve, por edhe shtrirjen e procesit demokratik përtej, sigurimin e të drejtës të votës së çdo qytetari, pavarësisht nga vendndodhja e tyre gjeografike. Përfshirja e diasporës në peizazhin elektoral është një hap drejt një demokracie më gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese, duke reflektuar zërat e ndryshëm që përbëjnë shoqërinë shqiptare.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X