loader image
December 4, 2024

Parakusht për të menduar zgjidhjet

Zgjidhja “one state”, ku të dyja palët do të bashkëjetonin, do të ishte zgjidhja më e qytetëruar. Por, kjo zgjidhje duket gjithnjë e më e pamundur në një botë ku politika identitare me theks etnik e religjioz po forcohet e po bëhet shpesh përjashtuese. Nuk do të ishte problem nëse politika të tilla do të kishte vetëm në disa shtete të vogla ose të mesme apo në fuqi dytësore, si Rusia etj., por identitarizimi i politikës në shtete të mëdha e të pasura – që nga SHBA-ja dhe vende të Europës Perëndimore, ku ekstremi i djathtë po rritet e ndonjëherë ka fituar edhe zgjedhjet – merret si model pastaj prej shteteve të tjera.

Arbër ZAIMI, Tiranë

Zgjidhjet e mundshme në rastin e konfliktit palestinez janë vetëm dy: e para është ajo që ka mbështetjen më të gjerë ndërkombëtarisht, e ashtuquajtura “two-state solution”, që nënkupton krijimin e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe në Gaza, i cili do të njihte dhe do të njihej nga shteti i Izraelit, dhe dyta është zgjidhja me një shtet të përbashkët, judeo-arab, demokratik, paqësor, që i respekton komunitetet, e ku këto e respektojnë njëri-tjetrin.

Edhe problemet me zgjidhjen “two state” janë dy. E para është çështja e  Jerusalemit, të cilin të dyja palët e kërkojnë si kryeqytet me çdo kusht. Në të tilla raste mendja ta do se qyteti do të mbetej një kondominium, disi më neutral dhe i pakontrolluar tërësisht nga asnjëra palë, por palët duken larg një zgjidhjeje të tillë. Problemi i dytë me “two state solution” është pozicioni maksimalist që marrin të dyja palët. Palestinezët brohorasin për një Palestinë “from the River to the Sea”, pra prej Lumit Jordan e deri në Detin Mesdhe, ndërsa izraelitët këmbëngulin në të njëjtin territor për një shtet që u përket vetëm atyre. Të dyja këto pozicione maksimaliste kërkojnë largimin ose desubjektivimin e palës tjetër. Për pasojë, këto nuk janë zgjidhje – së paku jo nëse besojmë në parimet universale të kodifikuara edhe në kartat e të drejtave të Kombeve të Bashkuara.

Zgjidhja “one state”, ku të dyja palët do të bashkëjetonin, do të ishte zgjidhja më e qytetëruar. Por, kjo zgjidhje duket gjithnjë e më e pamundur në një botë ku politika identitare me theks etnik e religjioz po forcohet e po bëhet shpesh përjashtuese. Nuk do të ishte problem nëse politika të tilla do të kishte vetëm në disa shtete të vogla ose të mesme apo në fuqi dytësore, si Rusia etj., por identitarizimi i politikës në shtete të mëdha e të pasura – që nga SHBA-ja dhe vende të Europës Perëndimore, ku ekstremi i djathtë po rritet e ndonjëherë ka fituar edhe zgjedhjet – merret si model pastaj prej shteteve të tjera. Ky lloj shembulli, që po përhapet, prodhon një klimë të paqëndrueshme për ata që do të dëshironin ta projektonin bashkëjetesën e bashkëpunimin kudo në botë. Pra, teksa zgjidhja përmes një shteti të përbashkët demokratik duket shumë më e përputhshme me vlerat njerëzore, jetojmë në kohë të tilla ku vetë këto vlera ngjajnë naive e utopike.

Para dy dekadash mizoritë e luftës mund të kenë qenë më të mëdha se të sotmet, por për to dëgjonim në lajmet televizive, ndërsa kush ishte më i interesuar, lexonte në shtypin e specializuar ndërkombëtar. Ndërkaq sot, me gjithë praninë e telefonave mobilë e të rrjeteve sociale, edhe fëmijët ose njerëzit më të painteresuar, me apo pa vullnetin e tyre, vendosen përballë videove të luftës dhe shohin brutalitete të mëdha, që nga Ukraina e deri në Gaza. Shpesh ata që i shohin këto video (pra shumica), nuk e kanë aftësinë kritike që ta dallojnë raportimin real prej lajmeve të sajuara apo të vërtetat e pjesshme, që në raste lufte prodhohen masivisht. Ky publik global pëson traumë dhe ose mashtrohet e hyn në debate të nxehta, duke e importuar në vendin e tij konfliktin e atjeshëm ose përgjithësisht bëhet më skeptik e më pesimist për shoqërinë njerëzore e për idealet e saj. Nuk mund të themi se qëllimi i propagandës së palëve ndërluftuese është që ta rrisë cinizmin dhe pesimizmin në publikun e globalizuar, sepse natyrshëm ato palë kanë qëllime më afatshkurtra të lidhura me legjitimimin e veprimeve të tyre luftarake dhe delegjitimimin e kundërshtarit, mirëpo efekti anësor i videove dhe (dez)informimit që ata prodhojnë, është tashmë global.

Edhe problemi i propagandës, përhapjes së dezinformimit dhe efekteve anësore që rrjedhin nga kjo, në parim, do t´i kishte dy zgjidhje. E para do të ishte si ajo e Lekës, që nyjën Gordiane e preu me pallë, pra do të ishte marrja në kontroll e mediave dhe e rrjeteve sociale, duke mos lejuar përhapjen e propagandës, pra një lloj “censure ndërkombëtare”. Por, çështja është se kjo zgjidhje paraqet problem në vetvete të llojit teknik dhe parimor. Teknik, për shkak se nuk ekziston një qeverisje globale që të marrë masa të pranueshme ose të imponueshme globalisht, ndërsa parimore për shkak se kjo censurë do të mund të përdorej ndonjëherë edhe për të ndalur thirrjet legjitime për ndihmë nga ndonjë popull i shtypur nëpër botë, pra virtualisht do të pamundësonte solidaritetin ndërkombëtar për çlirimin e popujve. Nuk mund të pajtohemi me një zgjidhje të tillë. E zgjidhja e dytë për problemin e propagandës do të ishte edukimi më i gjerë e zhvillimi i fakulteteve kritike të njeriut. Kjo do të ishte zgjidhje me të vërtet e arsyeshme e qytetëruese, por fatkeqësisht edhe kjo është kaq larg realitetit aktual, ku edukimi i popujve po bëhet gjithnjë e më teknik, ndërsa dijet humane e shoqërore e aftësitë kritike shihen si të kota, parazitare e “që nuk sjellin bukë”. Me teknicizimin e mendjeve, në fakt, po na prodhohet një publik i ndikueshëm shumë më lehtë, teksa për fatkeqësinë tonë të përgjithshme intelektualët e dikurshëm, që ishin pika e lidhjes së shkencës e të filozofisë me opinionin publik, janë zëvendësuar sot nga analistët gjithologë, që janë pikëtakim i banakëve të mejhaneve me opinionin publik.

Lufta, sidoqoftë, ka prodhuar emocione, përmes statistikave e informacioneve të vërteta ose të pavërteta që kemi parë e lexuar. Dhe, ato kanë prodhuar emocione e reagime anembanë botës.

Po të ishte në dorën time, do ta kisha pajisur gjithkënd me një jelek mbrojtës nga emocionet, në formën e një qëndrimi universal: jeta e askujt nuk vlen më shumë se jeta e dikujt tjetër. Asnjë luftë mes popujsh nuk është më speciale se një luftë tjetër, së paku jo për shkak të etnive ose religjioneve të përfshira aty. Asnjë rast nuk është “sui generis”. Në këtë kuptim, prirem të mos pajtohem me ata që shohin në Lindjen e Mesme kuptime më të thella, specifika mistike, popuj të vlefshëm e popuj të pavlefshëm. Analizat e tilla, mistifikuese, mund t´u shërbejnë vetëm atyre që synojnë përfshirjen në propagandën e njërës palë ose të tjetrës, por nuk shërbejnë për të kuptuar se çka po ndodh e, aq më pak, për të kërkuar zgjidhje tjetër, pos luftës.

E kuptueshme është që çdo njeri i ka megjithatë specifikat e veta identitare, vjen nga një histori e caktuar, ka simpati e antipati të caktuara, prandaj përjeton edhe valë emocionesh që përballen e që mbështesin njërën kauzë ose tjetrën. Por, ato emocione jodomosdoshmërisht reflektohen në politikat e shteteve ku ata bëjnë pjesë, të cilat më shumë udhëhiqen nga pikëpamjet e interesit shtetëror. Për shembull, në rastin e luftës së fundit në Gaza, mund të vihet re që protesta më masive e më të shpeshta propalestineze ka pasur në vendet e Perëndimit sesa në vendet myslimane, ndërsa politika e shteteve perëndimore ka qenë kryesisht mbështetëse e Izraelit. E në vendet myslimane, edhe pse dihet që popullata historikisht ka prirje për solidaritet me palestinezët, jo gjithnjë shtetet kanë vepruar siç do të donin popujt e tyre. Pra, teksa shoqëritë ndikohen më lehtë nga emocionet që prodhon lufta, shtetet priren t´i reflektojnë më ngadalë ato emocione e t´i vënë në kandar bashkë me shumë interesa e këndvështrime të tjera.

Por, si janë reflektuar politikisht emocionet e komunikuara prej luftës në Gaza?

Nga njëra anë është fryma e të djathtës ekstreme perëndimore, e cila udhëhiqet nga racizmi e islamofobia, por që në trashëgiminë e saj ka edhe antisemitizmin. Në disa prej tubimeve të këtyre neofashistëve në vendet e Europës apo të Amerikës, teksa rëndom dëgjohen thirrje kundër emigrantëve, njerëzve me ngjyrë, myslimanëve të karikaturizuar si terroristë, jo rrallë dëgjohen edhe spontanisht thirrje kundër hebrenjve. Në botëkuptimin e tyre konspirativ, hebrenjtë globalistë, si p.sh. George Soros, janë koka e qeverisë në hije që u kundërvihet interesave demokratike të popujve (të cilat, sipas tyre, duhet të jenë gjithnjë nacionaliste e ultrakonservative). Kjo shtresë politike, e cila është rritur elektoralisht shumë si pasojë e shkatërrimit të shtresës së mesme prej politikave neoliberale, përgjithësisht e përkrah shtetin e Izraelit kur ai vepron në mënyrë të fortë dhe ekspansioniste. Si është e mundur që këta ulura të djathtë perëndimorë ta përkrahin Izraelin? E thjeshtë: ata e shohin Izraelin si një vend ku duhet të jetojnë të gjithë hebrenjtë, sepse kjo nënkupton që hebrenjtë të largohen prej vendeve të tyre, ku dyshohen si “kokat konspirative të qeverisjes së thellë”. Përveç kësaj, botëkuptimi i sëmurë i atyre që janë edhe antisemitë edhe islamofobë, bën që ata të jenë të interesuar për një konflikt të tillë në Lindjen e Mesme, ku “armiqtë” e tyre imagjinarë e vrasin njëri-tjetrin.

Nga ana tjetër, është fryma e të majtës postmoderne perëndimore, e cila lexon për inerci, ndoshta dhe për melankoli, botën me syzet e luftës së ftohtë. Amerika për ta është agjent global i imperializmit, shtetet e popujt që mbështeten prej saj janë ose të këqij ose të dyshimtë, ndërsa ata që diku kundërvihen, idealizohen. Pra, mbështetja konsistente e SHBA-së për Izraelin për ta është arsye e mjaftueshme që të mos dëgjohen fare argumentet izraelite, e që të pranohet symbyllur çdo argument palestinez, madje duke ofruar vesh edhe për aktorë si Hamasi, që përndryshe do të duhej të shihej si armik nga çdo e majtë në glob. Ky lloj leximi i gjeopolitikës prodhon qëndrime të çuditshme. Për shembull, më ka ndodhur të takoj prej tyre që e shihnin Millosheviqin si një lloj qëndrestari përballë imperializmit amerikan, duke ia justifikuar “teprimet”, teksa viktimat e tij i shihnin si popuj servilë ndaj Amerikës, që në një farë mënyre ishin sakrifikuar për Amerikën e jo për lirinë e vet. Absurdin më të madh ky lloj i qëndrimeve e arrin kur vjen puna te çështja kurde. Këta të majtë postmodernë qorrazi i përkrahin kurdët kur ata u kundërvihen udhëheqësve të Turqisë, Sirisë, Irakut e Iranit, por kur kurdët nisën të forcojnë lidhjet me Amerikën, me shpresën se ashtu do të arrinin qëllimin e njëjtë, pra ndërtimin e një shteti për atë popull, atëherë ata nisën të bëhen të dyshimtë për mbështetësit e tyre të majtë postmodernë perëndimorë.

Tek ne, si shqiptarë, reflektohet edhe një lloj emocioni politik nga fakti se përfaqësuesit palestinezë gjithnjë e historikisht kanë qenë kundërshtarë ndaj çështjes shqiptare të Kosovës. Madje, edhe në vitet e nëntëdhjeta, kur çështja jonë nuk ishte ende aq e ndërkombëtarizuar, ndërsa e tyrja po, ata mbanin rigorozisht një qëndrim të distancuar nga ne dhe të afërt me Beogradin. Kësaj i shtohet edhe sjellja korrekte e Izraelit në raport me çështjen shqiptare, duke bashkëpunuar me Shqipërinë e Kosovën e duke pasur marrëdhënie reciproke njohëse. Dikush mund të thotë se politika palestineze nuk e përfaqëson popullin palestinez, por vetëm Fatahun e korruptuar të Mahmud Abasit, mirëpo nëse po themi se Fatahu nuk e përfaqëson popullin palestinez, atëherë kush tjetër mbetet ta përfaqësojë? Hamasi? Me siguri që palestinezët vetë, po të kishin mundësi për një jetë demokratike, do të kishin edhe subjekte të tjera e qëndrime të ndryshme, por për momentin subjektet janë këto. Për palestinezët e zakonshëm ma merr mendja se nuk kanë as arsye e as kohë që të krijojnë mendime për çështjen shqiptare e për Kosovën në këto momente, por për shqiptarët e thjeshtë këto janë shpesh pikënisja e emocioneve, por edhe e argumenteve qenësore politike.

Përveç këtyre emocioneve politike, luajnë rol edhe ato religjioze

Për shembull, dihet që grupe të caktuara evangjelistësh në SHBA e mbështesin Izraelin për shkak të një besimi që ushqejnë, se kur të ndërtohet për herë të tretë tempulli i hebrenjve (aty ku sot është xhamia Aksa), do të kthehet në tokë Krishti e do të fillojë apokalipsi, pra do të afrohet parajsa për ata që e meritojnë.

Gjithashtu dihet se një pjesë e mirë e katolikëve dhe ortodoksëve, por edhe e protestantëve, simpatinë më të madhe e kanë me palestinezët. Përbuzja e Krishtit prej hebrenjve dhe bindja se “ata na e vranë Krishtin” kanë qenë besime të vjetra, që kanë sjellë shumë vuajtje për hebrenjtë kur ata jetonin në vendet katolike e ortodokse të Europës.

Ndërkaq, myslimanët, pavarësisht traditave teologjike nga të cilat vijnë, në aspektin e emocionit popullor natyrisht më shumë priren të solidarizohen me vuajtjen e palestinezëve. Paçka se shumë shtete arabe e myslimane, në përputhje me interesin e tyre shtetëror, nuk e kanë mbështetur kauzën palestineze dhe kanë qenë të gatshëm herë pas here të bashkëpunojnë me Izraelin.

Besimtarët hindu, të cilët përndryshe janë fort larg këtij konflikti, megjithatë solidarizohen më shpesh me Izraelin, edhe për shkak të përplasjeve identitare që kanë me komunitetet myslimane të Indisë, të cilat janë pakicë në atë vend, por megjithatë numërojnë rreth 250 milionë frymë.

Këto emocione dhe të tjera si këto, sidomos në vendet ku ka situata zgjedhore, mund të ndikojnë edhe në formimin e spektrit politik, duke prodhuar polarizime edhe më afatgjata.

Mirëpo, zgjidhjet mbeten veç ato të dyja që u paraqitën në fillim të shkrimit, teksa emocionet mund të të çojnë larg prej atyre zgjidhjeve e drejt qëndrimeve që kërkojnë spastrimin e njërës palë ose të tjetrës. Kushdo që është racional, duhet të bëjë thirrje për respektimin e të drejtave njerëzore dhe ligjeve të luftës, në çdo rast e nga çdo palë. Ata që thonë se palestinezët si popull i shtypur janë të justifikuar në përdorimin e çdo mjeti, e kanë gabim – kujtojmë për shembull rastin e luftës çlirimtare të shqiptarëve në Jugosllavi, kurrë përgjatë një shekulli aparteid ata nuk vendosën bomba në qytete serbe ose nuk terrorizuan fëmijë nëpër shkolla a nëpër koncerte. Edhe lufta për çlirim i ka kufijtë e vet, të cilët nëse i shkel, bën gabim të madh strategjik, se i mundëson palës tjetër një kundërpërgjigje edhe më të fortë (siç fatkeqësisht ndodhi). Ata që thonë se izraelitët duhet të largohen meqenëse para një shekulli ka ardhur aty prej ndonjë vendi tjetër, duhet ta kuptojnë se ky parim është i pazbatueshëm dhe çnjerëzor dhe se po të zbatohej, do të duhej të kishim përmbysje të krejt botës, meqenëse historia e njerëzimit është edhe histori e zhvendosjeve. Afrikanojugorët, kur e fituan betejën kundër aparteidit, njëherazi i pranuan si komunitet historik edhe pasardhësit e kolonizatorëve, të cilët megjithatë me breza kishin lindur e jetuar në Afrikë e nuk mund të ktheheshin më nga kishin ardhur edhe për shkak se si individë nuk kishin ardhur nga askund. Por, edhe ata që thonë se palestinezët duhet të largohen janë pjesë e së njëjtës politikë çnjerëzore e të papranueshme. Diksriminimi e izolimi i tyre duhet të marrë fund, teksa shumë vende të botës po bëjnë thirrje që të ndalet edhe avancimi territorial i settler-save që rezulton në deterritorializimin e mëtejshëm të palestinezëve. Duhet t´u bashkngjitemi këtyre zërave të arsyeshëm. Arsyeja duhet të forcohet, emocioni duhet të dobësohet – jo se është kjo receta drejt zgjidhjes, por pa këtë parakusht, zgjidhje nuk do të ketë kurrë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X