loader image
May 20, 2025

Palestina si gur prove

Palestina është shënjestër. Shënjestra që ka zhvlerësuar krejt procesin e shënjimit, që Perëndimi e quan kulturë e ideologji. Gjuha shqipe na e ofron këtë mundësi unike: shënjestra që zhbën procesin e shënjimit. Me një fjalë, gjenocidi është fundi i gjuhës. Fundi i gjuhës jo vetëm si pamundësia për ta shprehur e përmbledhur me fjalë kasaphanen. Fundi i gjuhës, sepse gjuha supozon tjetrin brenda nesh. Ky është kushti i njerëzores. Palestina është shënjestër. Në hartë shënjestra duket sa një pikë. Ajo pikë e vogël është sot pikëpamje për botën.

Shkruan: Zgjim HYSENI, Prishtinë

Çfarë tregon Palestina për botën sot? A është ajo një rast i izoluar dhe, si e tillë, një devijim apo është e vërteta e kulluar e saj? Përmes këtij shqyrtimi, do të provoj një argumentim që e bën Palestinën referent për sjelljen e sotme të shteteve dhe shoqërive. Palestinën dua ta mendoj duke shtruar pyetje mbi shpirtin e kohës në të cilën jetojmë. Do të kalojmë kah oportunizmi gjeopolitik, nëpër ideologjinë e viktimës së preferuar, për të argumentuar se polet e pushtetit në Perëndim e Lindje e kanë humbur çdo prekje me universalitetin. Do të them se shoqëritë tona po kalojnë nga një dispozitiv ideologjik, që duhet analizuar e dekonstruktuar, tek një botë ku gjithçka kemi para hundës dhe po i nënshtrohemi. Palestina nuk është një simptomë, ajo është një tregues.

Palestina është shënjestër. Shënjestra që ka zhvlerësuar krejt procesin e shënjimit, që Perëndimi e quan kulturë e ideologji. Gjuha shqipe na e ofron këtë mundësi unike: shënjestra që zhbën procesin e shënjimit. Me një fjalë, gjenocidi është fundi i gjuhës. Fundi i gjuhës jo vetëm si pamundësia për ta shprehur e përmbledhur me fjalë kasaphanen. Fundi i gjuhës, sepse gjuha supozon tjetrin brenda nesh. Ky është kushti i njerëzores. Palestina është shënjestër. Në hartë shënjestra duket sa një pikë. Ajo pikë e vogël është sot pikëpamje për botën.

Gjeopolitika mbizotëron lirinë

24 shkurt 2022. Rusia e fillon “operacionin special ushtarak” në Ukrainë. Perëndimi përgjigjet: “Ky është pushtim”. Gjuha e përdorur nga mediat dhe politikanët në Perëndim të bën të mendosh se jemi kthyer në kohë. Na u kthyen edhe nocionet që ideologjia dominuese këtu i mbante në sirtare veç si relikte, për të treguar se si ishte dikur Bashkimi Sovjetik: kritikë imperializmit, kritikë ekspansionit, kritikë oligarkisë. Pesha e fjalës që zgjidhej për akuzë ishte pa dyshim meritore. Rusia po e shkel rendin dhe të drejtën ndërkombëtare në dy nivele: Kartën e OKB-së mbi sovranitetin e shteteve dhe të drejtat e njeriut, me theks të veçantë te Konventat e Gjenevës për luftën. E drejta për vetëvendosje ishte parimi udhëheqës, përkundër “ariut rus”, që njeh veç territor dhe zotërim. E gjeja veten shpesh të identifikuar edhe me burokratin me të rëndomtë të Bashkimit Europian.

7 tetor 2023. Sulmi terrorist i Hamasit në Izrael hapi siparin e një konflikti tjetër. Të gjithë pa dallim ia dhanë emrin e merituar Hamasit, të gjithë e dënuan. Si rrallëherë, Perëndimi, Rusia, Kina dhe fuqitë regjionale të Lindjes ishin njëzëri dhe pa ekuivoke. Përgjigja e Izraelit, në anën tjetër, nuk është thjesht joproporcionale. Gaza sulmohet me bomba, me armë dhe me uri. Në Bregun Perëndimor po vazhdon kolonizimi për ta pamundësuar çfarëdo zgjidhje politike me dy shtete pranë njëri-tjetrit. Palestinës po i humbet emri, toka dhe njerëzit, thjesht po zhbëhet. Vetëvendosja e popujve, kur flitet për Palestinën, është e suspenduar. Zgjidhja me dy shtete shumë rrallë përmendet. Kolonizimi këtu nuk është nocion interesant. Vetëvendosja vlen aty ku ka interesa. Viktimat palestineze qartazi nuk janë të preferuarit e Perëndimit; në anën tjetër, presidenti kinez deklaron se ngjarjet në Gaza janë turpi i njerëzimit. Por, këtij nuk i bëhet vonë për viktimat në Ukrainë. Ndonëse Kina flet për vetëvendosjen e popujve, ajo vazhdon mbështetjen ushtarake për Rusinë pushtuese. Një koherencë formale i duhet Kinës që e synon marrjen e Tajvanit. Fuqitë regjionale të Lindjes gjithashtu bëjnë be mbi Palestinën, por ajo është prapë vetëm. Të drejtat e njeriut në plan ndërkombëtar nuk janë më shumë sesa animi me viktimat që prej fuqive respektive kualifikohen si “gjeopolitikisht korrekte”. Rasti i Izraelit është një pararojë negative edhe sa i përket zhvlerësimit të rendit ndërkombëtar. Nëse bëhen bashkë rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme dhe ato të OKB-së, janë mbi 100 rezoluta të OKB-së mbi ndalimin e kolonizimeve që Izraeli i ka shpërfillur.

Çfarë ka mbetur sot në polet e pushtetit prej ndjeshmërisë për viktimat është thjesht një diskurs ideologjik për t’u përdorur. Gjithçka zhytet në një perspektivizëm të padurueshëm. Është gjeopolitika që e mbizotëron lirinë.

Hommo Saccer

Ngjarjet në Palestinë nuk shpjegohen me rrjedhën normale të progresit linear. Çfarë po shohim është kapërcim cilësor dhe jo tepri të asaj që tashmë e kemi. E majta prej kohësh argumenton se kapitalizmi është i mbarsur, pra e ka inherent kolonializmin. Por, kjo nuk është ajo që po shohim. Si fillim, e gjen një aspekt të kolonizimit që njihet qyshkur dhe është i njëjtë gjithandej – shpronësimi. Këtu edhe përfundon analogjia. Ajo çfarë ndeshim në Izrael është forma më e mbrapshtë e racizmit. Është superioriteti i popullit të zgjedhur nga zoti që po e përmbush premtimin mesianik –  kthimin në tokën e premtuar. Kjo është ideologjia përmes së cilës autorizohet kolonizimi në Bregun Perëndimor, por edhe në Gaza nesër. Ky lloj kolonizimi dallon nga kolonizimet e tjera, sepse i mungon misioni mbi botën, prej nga projektohet edhe subjekti barbar që duhet civilizuar. Dhuna për të cilën po flasim është tjetërfare. Ajo as nuk mashtron as tjetërson, siç bën rëndom ideologjia. Nuk asimilon në emër të civilizimit, siç bëjnë misionet koloniale. Është thjesht përndjekje dhe asgjësim. Ose vritesh ose të “humbet fara”. Vendi për të përmendur këtu: ikja nga Palestina është vërtet “humbje e farës”, sepse të drejtë kthimi nuk ka. Partitë që organizojnë “kthimin në tokën e premtuar” janë pjesë e Qeverisë Netanyahu. Këto janë elemente që ishin aty për shumë kohë. Por, gjenocidi do të ishte vështirë i mundur pa një kohë si kjo, që është një kapërcyell drejt fashizmit. Një kohë kur kapitali ka diskredituar gjithçka prej partive të qendrës. Vetë ato, për ta ruajtur atë pak mbështetje, kanë përvetësuar një rol që është kalibrim sasior i fashizmit, teksa pranojnë kornizën dhe rrëfimin e tij. Më kujtohet këtu gëzimi i Marine Le Pen-it mbi fitoren e saj ideologjike kundër partive të qendrës rreth nocionit të “preferencës nacionale”. Franca, e njohur për parimet e egalitare ka vendosur së fundi qasje të vështirësuar në shëndetësi për emigrantët. Njëjtë ndodhte në Amerikë, ku demokratët nuk e kanë kundërshtuar qasjen që emigrantët i bën armiq të popullit, ata veçse ofronin “mjete njerëzore” për krizën. Sikur rastin e Gazës sigurisht se nuk e gjen një tjetër shikuar për nga dhuna dhe terrori. Por, Gaza është shpirti i kohës, sepse në nivel global përballë të drejtave të njeriut tashmë ka triumfuar dhe është normalizuar figura hommo saccer. Hommo Saccer nuk është as punëtor, as qytetar, s’ka përkatësi as të drejta, është thjeshtë qenie që gjallon. Ai depërtohet, arrestohet, vritet. Për të s’ka gjyq. Pushteti bëhet ekzekutiv, të drejtat suspendohen. Palestinezi është figura ideale e hommo saccer. Gaza përpara 7 tetorit 2023 ishte kamp. Kampi po bëhet gjithnjë e më shumë normalitet i kohës. Rreziku nuk është i vogël që kjo figurë është e ardhmja jonë. Por, tendencat nuk tregojnë veç një drejtim. Të shoh pak se kush janë miqtë e Palestinës.

Kush është sot me Palestinën?

Janë ata që nuk i ndajnë të drejtat. Me Palestinën janë ata që janë me Ukrainën dhe me barazinë midis popujve si parim. Me Palestinën janë ata që janë me punëtorët, që janë me emigrantët, me komunitetin LGBTQ+, me betejën feministe. Me Palestinën janë antifashistët. Mbështetësit e Palestinës i gjen në sindikata, në aksione, në rrugë, në kampuse universitetesh. Herë të depërtuar, herë në  burg. Si ta shquajmë virtytin e parimësisë nga retorikat me funksion e interesa? Vetëm duke kërkuar tek drejtësia kuptimin e një imperativi kategorik.

Me Palestinën është një popull që di të ndërtojë solidaritete nga e shkuara e luftës për liri: irlandezët, shoqëria e shteti. Me Palestinën nuk jemi ne shqiptarët, që i kemi ende të freskëta plagët e lirisë. Edi Rama mori para ca ditësh medalje nderi në emër të mikpritjes shqiptare të Luftës së Dytë Botërore. “Kemi qenë atëherë dhe jemi tash me hebrenjtë”, – thoshte pak a shumë kryeministri shqiptar. Ç’konsistencë?! Ne ishim me çifutët kur ata ishin të sulmuar deri në shfarosje, jemi edhe sot teksa shteti i tyre sulmon tjerët deri në shfarosje. Konsistenca me Luftën e Dytë Botërore kërkon solidaritet me palestinezët sot. Por, ja që edhe Shqipëria edhe Kosova kanë ndërruar anë. As sa për statistikë nuk përmendet Palestina. As ndonjë punë e madhe nuk është të kërkohet paqe. Por jo, “…bijtë e shqipës ia bënë folenë vetes”, nuk mërziten më për askënd.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X