loader image
July 27, 2024

Oligarkia dhe tirania e pakicave ndër shqiptarë

Lufta kundër korrupsionit është një retorikë e përditshme politike në shqiptarosferën tonë. Në dukje dhe me deklarata, qeveritë e njëpasnjëshme premtojnë masa të forta për ta luftuar oligarkinë dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë. Megjithatë, realiteti ka treguar se këto janë vetëm fjalë të zbrazëta. Kjo nuk ka si të jetë ndryshe përderisa oligarkia është thjesht produkt i keqqeverisjes.

Shkruan: Ardian MUHAJ, Tiranë

Demokracia si sundim i shumicës dhe frika nga tirania e saj

Në një demokraci, shumica e përcakton rrjedhën e politikave dhe të ligjeve. Është ky parim që garanton se zëri i masave të dëgjohet dhe të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në qeverisje. Por, ky parim i demokracisë përherë rrezikon të kthehet në një mjet për t’i shtypur dhe shpërfillur të drejtat e pakicës. Në thelb, një nga elementet thelbësore të demokracisë është se vendimet merren me votë dhe, në shumicën e rasteve, shumica vendos. Por, çfarë ndodh kur shumica, me forcën e saj numerike, vendos diçka që i shkel të drejtat e një pakice të caktuar? Kjo është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet demokracia, pra balancimi mes të drejtës së shumicës për ta ushtruar pushtetin dhe nevojës për t’i mbrojtur të drejtat e pakicave.

Dilema e përhershme se si të ruhet balanca mes të drejtave të shumicës dhe atyre të pakicës nuk është ekskluzivitet i demokracisë, por në të gjitha shoqëritë njerëzore, qoftë demokratike apo jodemokratike, është shtruar si e tillë. Madje, historia e regjimeve totalitare, kryesisht komuniste, ka dëshmuar se pushteti merr formën e oligarkisë dhe oligarkia merr trajtën e pushtetit më lehtë se në cilindo sistem tjetër. Që në vitet 1950-të, Kina është konsideruar zakonisht si një oligarki, edhe pse Kina ashtu sikurse vendet e tjera totalitare, duke përfshirë edhe Shqipërinë, e përshkruanin veten si “republikë popullore” komuniste. Anëtarët e oligarkisë së sotme i përfshijnë ata që ishin pjesë e themeluesve të Partisë Komuniste si edhe ata që kapën pasuri dhe pushtet që nga hapja e Kinës në tregun global në vitet 1980-të (shpesh pasardhës të revolucionarëve të hershëm). Mirëpo, edhe pse me emërtime “popullore”, “proletare”, “socialiste”, në këto regjime totalitare udhëheqja e vendit është mbajtur nga një grup i ngushtë njerëzish me në krye zakonisht një individ të pazgjedhur nga “populli” apo “proletariati”, por nga ky grup i oligarkisë ideologjike, duke qëndruar në pushtet të pazgjedhur për disa dekada, në shumicën e rasteve deri sa vriteshin ose vdisnin. Po ashtu rasti i bllokmenëve ose, ndryshe, banorët e lagjes së Bllokut në Tiranën e regjimit komunist, është rasti tipik i njësimit të pushtetit me oligarkinë. Oligarkia ideologjike e Bllokut shpesh harronte ose e konsideronte të panevojshme që ushtrimi i pushtetit të bazohej në ligjshmëri. Konfiskimet, persekutimet, vrasjet, internimet dhe dhunimet e shqiptarëve nga oligarkia e Bllokut nuk mbështeteshin në ligjet kinse në fuqi, por në vendimet e oligarkisë enveriste. Deri edhe ndalimi i fesë dhe shkatërrimi i objekteve fetare ishte në kundërshtim me ligjin në fuqi. Vullneti i oligarkisë komuniste i paraprinte dhe i mbivendosej edhe ligjit.

Megjithatë, përderisa sot shqiptarët jetojnë në sisteme të cilat vetëdeklarohen si me bazë demokratike, ata duhet ta shqyrtojmë oligarkinë dhe korrupsionin në kuadër të gërryerjes që paraqesin për demokracinë. Është një sfidë që kërkon një reflektim të thellë mbi natyrën e demokracisë dhe të drejtat e njeriut dhe që ndikon direkt në jetën e qytetarëve. Kjo ndarje mes të drejtave të shumicës dhe asaj të pakicës shpesh e ka sfiduar dhe është një test prove për demokracinë. Rreziku i tiranisë së shumicës, ku vendimet e shumicës përdoren për t’i shtypur pakicat dhe për t’i kufizuar liritë e tyre ka ekzistuar gjithnjë. Në një shoqëri të tillë, pakicat ndjehen të përjashtuara dhe kjo krijon një ambient të pasigurt dhe të paqëndrueshëm. Prandaj është e rëndësishme të arrihet një bilanc i duhur midis të drejtave të shumicës dhe atyre të pakicës dhe të sigurohet se të gjithë kanë zë dhe janë të mbrojtura nga abuzimet e mundshme të shumicës. Kjo kërkon një angazhim të vazhdueshëm për të garantuar si të mbrohet liria dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh nëse janë pjesë e shumicës apo të pakicës.

Situata e tillë ilustrohet në rastin e Maqedonisë së Veriut, ku shumica nënrespekton të drejtat e shqiptarëve, duke e zvogëluar artificialisht rëndësinë e tyre në pjesëmarrjen demokratike dhe në ushtrimin e pushtetit.

Shumica si fasadë dhe rreziku i tiranisë së pakicave

Frika nga tirania e shumicës ka sjellë në shumë raste masa të proteksionizmit të tepruar ndaj pakicave të caktuara, në formën e privilegjimit paraprak apo diskriminimit pozitiv. Këto kufizime të paravendosura ndaj pushtetit të shumicës sjellin gjithashtu situatën e tiranisë së pakicës, kur një pakicë e caktuar e shpërdoron fuqinë e kontrollit për t’i bllokuar vendimet e qeverisë. Kjo është më e lehta dhe forma më e pranueshme e abuzimit të pakicave me mbrojtjen e tepruar ligjore apo normative, që për një arsye ose për një tjetër u ofrojnë shumicat. Situata e tillë ilustrohet në rastin e Kosovës, ku shumica i mbirespekton të drejtat e pakicës serbe, duke sjellë tek zvogëlimi artificialisht i rëndësisë së shqiptarëve në pjesëmarrjen demokratike dhe në ushtrimin e pushtetit. Por, këtu gjithashtu ka një rrezik të ndryshëm të tiranisë së pakicës, ku një grup i vogël i njerëzve mund të ushtrojë një ndikim të paligjshëm mbi të tjerët, duke shkelur parimet themelore të demokracisë dhe të drejtën për pjesëmarrje të barabartë në qeverisje. Kjo përfshin rastet kur një pakicë, përmes ndonjë forme të pushtetit ose avantazhit, mund të ushtrojë ndikim të paligjshëm mbi shumicën. Për shembull, një grup i vogël ekonomikisht i fuqishëm, që në zhargonin popullor njihet si oligarki, mund të ndikojë mbi qeverinë për të marrë vendime që janë në kundërshtim me interesat e shumicës së popullsisë. Natyrisht që edhe një grup biznesi mund të përkufizohet si një oligarki nëse anëtarët janë pronarët privatë më të mëdhenj në vend dhe kanë fuqi të mjaftueshme politike për t’i promovuar në mënyrë të koordinuar interesat e veta.

Megjithatë, oligarkia – në kuptimin e sundimit të pakicave mbi shumicat – shkon shumë më përtej sesa sundimi i pakicave financiare mbi masat. Konsolidimi ekskluziv i pushtetit nga një pakicë dominuese fetare ose etnike është përshkruar që në krye të herës gjithashtu si një formë oligarkie. Shembuj të këtij sistemi përfshijnë Afrikën e Jugut nën regjimin e aparteidit, Liberinë nën amerikano-liberianët, Sulltanatin e Zanzibarit dhe Rodezinë.

Situata e tillë ilustrohet në rastin e Shqipërisë, ku pakica të caktuara ushtrojnë pushtet informal por real shumë herë më shumë sesa ua lejon demokracia përfaqësuese. Pakica e vetëdeklaruar greke në Shqipëri qëndron si shembull i qartë ilustrues. Edhe pse asnjëherë kjo pakicë nuk i ka kaluar dy për qind të popullsisë, përfaqësimi i saj në ushtrimin e pushtetit ka qenë, në rastin më të pakët, shumëfish më i madh sesa pesha demografike/demokratike e saj. Këto zona periferike, në fakt, kanë nxjerrë ministra, deputetë, gjykatës dhe zyrtarë të lartë më shumë sesa zona apo krahina shumëfish më të mëdha dhe më qendrore. Po ashtu, kjo vlen edhe për shtetasit ortodoksë, qofshin shqiptarë ose joshqiptarë etnikë, që në Tiranë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një pushtet shumëfish më të madh sesa demokratikisht do u takonte.

Keqqeverisja e oligarkia rrinë ngjitë si nëna e bija.

Lufta kundër korrupsionit është një retorikë e përditshme politike në shqiptarosferën tonë. Në dukje dhe me deklarata, qeveritë e njëpasnjëshme premtojnë masa të forta për ta luftuar oligarkinë dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë. Megjithatë, realiteti ka treguar se këto janë vetëm fjalë të zbrazëta. Kjo nuk ka si të jetë ndryshe përderisa oligarkia është thjesht produkt i keqqeverisjes.

Mirëpo, oligarkia nuk është produkt i keqqeverisjes së një qeverie, por i keqqeverisjes sistemike ose të vazhdueshme. Oligarkia lind dhe zhvillohet atëherë kur ndryshimi i qeverive nuk e zhduk keqqeverisjen, por thjesht e pason nga një qeveri tek pasardhësja e saj, pavarësisht kahut politik. Kjo mund të vijë përmes mënyrash të ndryshme si elitizmi, nepotizmi e solipsizmi, por përfundimi është se gjithnjë shpie në një elitë politike që humbet nga sytë interesat e njeriut të zakonshëm. Edhe pse në kushtet e pluralizmit politik, partitë politike luajnë rolin e ndërrimit dhe qarkullimit të pushtetit oligarkik nga një grup në një tjetër, pra – në njëfarë mënyre disi paradoksale – duke e demokratizuar vetë oligarkinë, por pa e sfiduar dhe as dobësuar. Kjo i jep një trajtë konkurrueshmërie ushtrimit të pushtetit politik të oligarkisë dhe votuesit e partive, me votën e tyre, përmes ushtrimit të drejtës për të zgjedhur, vendosin se cila pjesë e oligarkisë do të ketë më shumë pushtet në një periudhë të caktuar.

Kësisoj, regjimet e ndërtuara në këto hapësira flirtojnë ngushtë me oligarkitë. Arsyet pse kemi arritur deri në këtë pikë, me një oligarki të majmur deri në këto përmasa, janë të shumta dhe të ndryshme, por kryesorja mbetet de-moralizimi i shoqërive tona. Sipas Herbert Spencerit, në traktatin e tij mbi parimet e etikës (Principles of Ethics, 1887), moralja në thelb është harmonizimi ndërmjet individit e shoqërisë. Kjo ishte, në fakt, një përmbledhje e asaj që etika e shek. XIX e shihte si prioritare në periudhën viktoriane. R.H.S. Crossmani shtjellon se punëdhënësi viktorian e bazonte politikën e vet, kundër teoricienëve utilitaristë, mbi themele fetare. E urrente oligarkinë jo vetëm se i mbronte pronarët e mëdhenj, por edhe për shkak se i shkelte haptazi parimet morale. Duke e parë industrializimin e ri si mjet të madh potencial për të mirën e shoqërisë, zhvillimin e punës së vet e ndjente si ftesë hyjnore. William E. Gladstone, për shembull, disa herë kryeministër britanik, ndërmjet viteve 1868-1894 shprehej se ishte njëlloj e mirë dhe e moralshme si të bëhesh politikan si prift.

Në këtë aspekt, keqqeverisja nuk është thjesht burimi dhe gurra që e ushqen oligarkinë, por është zhveshja e politikës nga etika që e mundëson këtë. Sapo të dalë në dritë, oligarkia është e aftë të ndikojë dhe të manipulojë me proceset politike. Kontrolli që oligarkët ushtrojnë mbi politikën ndikon në mënyrën e hartimit dhe zbatimit të ligjeve, duke favorizuar interesat e tyre dhe duke vënë nën presion institucionet demokratike.

Krimi kryesor, që një sistem oligarkik kryen ndaj shoqërisë mbi të cilën sundon, është zhbërja e shpresës. Në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor oligarkët e pasuruar pamoralshëm ndikojnë në demoralizimin e shoqërisë, duke zhvatur taksat dhe burimet e një shumice të braktisur dhe pa shpresë për një të ardhme më të mirë. Kjo ka ndikuar thellësisht në perspektivat dhe shpresat e njerëzve, duke i lënë të ndjehen të përjashtuar dhe të pafuqishëm.

Për të ndërtuar dhe ruajtur një demokraci të fuqishme dhe të shëndetshme, është e domosdoshme të kujtojmë gjithmonë se çdo individ ka një rol të rëndësishëm në shoqëri dhe se të drejtat e të gjithëve duhet të mbrohen me vendosmëri. Nëse është me rëndësi për një shoqëri mbrojtja e pakicave nga abuzimet e shumicës, po aq me rëndësi është edhe e kundërta, pra mbrojtja e shumicave nga zullumi ose tirania e pakicave. Për të ndërtuar një të ardhme të ndryshme, ku oligarkia, në veçanti, dhe tiranitë e pakicave, në përgjithësi, të jenë kujtim i të shkuarës, është e nevojshme një angazhim i fortë dhe i pandërprerë nga shoqëritë tona.

Veprimi kundër oligarkisë dhe tiranisë së pakicave duhet të jetë një përpjekje e përbashkët dhe e koordinuar, që përfshin masa të rrepta kundër korrupsionit dhe përmirësim të transparencës në të gjitha nivelet e qeverisjes. Thelbësore në kundërshtimin e regjimit oligarkik dhe tiranisë së pakicave është që shumica të ndërgjegjësohet për vlerat dhe rëndësinë e saj, të nxitet krenaria e shumicës për vlerën dhe peshën e saj që ka në shoqëri dhe të edukohet shumica në mënyrë që ta shmangë kompleksin e inferioritetit që e bën të ketë nënvlerësim për veten dhe mbivlerësim për pakicën mbisunduese.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X