loader image
May 27, 2024

Buxheti i shtetit apo korrupsioni, alarm dhe jo dilemë!

U krijua duke korruptuar okupatorin, ndërsa me shpalljen e pavarësisë, shteti i Kosovës u bë sovran, i pavarur, por dhe i korruptuar, pikërisht nga ata që veten e quajnë firmëtarë të pavarësisë! Sot, situata është alarmante dhe buxhetin e shtetit më shumë se kurrë po e konkurron korrupsioni!

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

Komunizmi kurrë nuk ka ardhur në pushtet në një vend i cili nuk është goditur nga lufta, korrupsioni ose të dyja! Këtë thënie epike e ka thënë shumë kohë më parë presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara, John Kennedy, por që u jep përgjigje shumë dilemave edhe te shqiptarët në shtetin më të ri në Europë, Kosovë: si erdhi Ibrahim Rugova në pushtet dhe si i humbi zgjedhjet LDK në vitin 2007?; si erdhi PDK-ja në pushtet dhe si e humbi pushtetin Hashim Thaçi?; dhe, si erdhi Vetëvendosje në pushtet, dhe, në fund pse Albin Kurti akuzohet se është marksist?!

Pushteti i LDK-së

Të nisim nga e para! Kur Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK-ja e Ibrahim Rugovës, erdhi në pushtet, të gjithë ngelën gojëhapur se si çlirimtarët mbetën në opozitë, ndërsa Dr. Rugova tallej duke i bërë thirrje elektoratit që të votojnë edhe të tjerët! Shqiptarët, duke mos pasur kulturë shtetndërtimi, i shpërfillën të gjitha leksionet që njerëzit e mëdhenj i kanë dhënë për shtetin, andaj ia lejuan LDK-së të vazhdojë ta drejtojë shtetin ndonëse ajo po tallej me emërimin e kryeministrit të Kosovës, ndërsa po shikonin se kjo parti e lodhur dhe pa ide po vazhdonte t’i mbante në këmbë si batonët e stanishiqëve, ashtu dhe buzhalët e rugovistëve, që hanin byrek dhe i numëronin njerëzit që u flisnin nëpër trotuare!

Askush nuk po reagonte, edhe pse në Kosovën me thëngjill me mihje sipërfaqësore dhe TEC-in më të madh në Ballkan, vetëm energji elektrike nuk kishte, edhe pse ndërkombëtarët flisnin për miliardat e eurove që i kishin investuar në sistemin energjetik të Kosovës!

Shëndetësia ishte përtokë, edhe pse ndihmohej në masë të madhe nga KFOR-i, por spitalet u shndërruan në spitale të vdekjes dhe jo aty ku mund edhe të merrje ndonjë ndihmë mjekësore!

Arsimi i LDK-së, për të cilin edhe sot flasin shqiptarët kur ai ishte në sistem paralel me atë të Serbisë, kishte humbur edhe atë nivel dhe degradimi tashmë e kishte prekur fundin deri në Akademinë e Shkencave, që e shndërruan në kioskë.

Ekonomia dhe Financat, ndonëse nuk shqiteshin nga kthetrat e profesorëve eminentë të LDK-së, nuk mbanin më as aromë suficiti dhe as deficiti, por buxheti krahasohej me pasurinë e atyre që filluan të quhen oligarkë, ndërsa korrupsioni zuri vend si kryefjalë e ekonomisë dhe financave të Kosovës!

Arka e shtetit po humbte gjithnjë e më shumë terren në zhargonin e përditshëm shqiptar, ndërsa tatimpaguesit më të mëdhenj e zhvendosën epiqendrën e tyre tek biznesi, i cili për një kohë shumë të shkurtër e ndryshoi dhe strukturën e zengjinëve në Kosovë, që nuk kishin lidhje as me luftë dhe as me trashëgimi, por ekskluzivisht me pushtetin dhe tregtinë me Serbinë!

Kështu, në kulmin e negociatave me Serbinë për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, kur kryefjalë ishte korrupsioni dhe jo arrestimet ndërkombëtare të “kriminelëve të luftës”, që i propagandonin batonët dhe buzhalët, pushtetin shumëvjeçar e humbi LDK-ja duke ia hapur krahun PDK-së.

Korrupsioni ndryshon tapi

Arsyet e këtij ndryshimi të pushtetit nuk ishin të shumta, pavarësisht se u mundua të shpërqendrohet vëmendja nga korrupsioni. Dhe, pavarësisht se ishte e qartë se në pushtet humbi e djathta dhe erdhën komunistët, të gjithë e shpërfillën postulatin e famshëm të Kennedy-t për t’u bindur për vetëm shumë pak kohë!

Komunistët e Hashimët u dehën shumë shpejt me pushtet. Thaçi i hipi kombajnës dhe filloi ta imitonte Enver Hoxhës, ndërsa shqiptarët nuk panë një ish pushtetar që do të përgjigjet para drejtësisë për korrupsion!

Oligarkët e LDK-së e vazhduan punën, duke u konvertuar në ata të PDK-së, ndërsa kështjella më e madhe e propagandimit të korrupsionit – RTK – nuk e ndryshoi as të zotin e shtëpisë, ndonëse ishte armiku numër një i opozitës së Hashim Thaçit!

Dhe, kur gjithçka që ishte e Ibrës u bë e Hashimit, ku përfshiheshin dhe batonët e buzhalët, nënkuptohej që kjo vlente edhe për korrupsionin, tapia e të cilit pësoi ndryshime, por jo që u luftua! Të gjitha legjendat urbane rreth PDK-së, Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij mund të jenë stilizuar, por që të gjitha janë burimore. Për zgjidhjen e ndonjë halli të madh pa korrupsion mënyra ose rruga e vetme ishte miqësia me ndonjë zyrtarë të lartë të LDK-së, që kishte marrëdhënie të mira me batonë e buzhalë. Ndryshe kaloje në grupin e atyre që trajtoheshin si viktimë!

Korrupsioni u bë një dhimbje me të cilën shqiptarët në Kosovë filluan të bashkëjetonin, duke e përjetuar tashmë shtetin më të ri në Europë si sovran, të pavarur dhe të korruptuar dhe pa e mirëkuptuar situatën, me gjithë këtë nivel korrupsioni, pse nuk pranohet në OKB!

Mospranimi në UNESCO ishte një shpresë e madhe që korrupsioni nuk ishte endemik, duke pasur parasysh se si trajtohen anëtarët në këtë organizëm absolutisht model të korrupsionit, por gjithçka u kamuflua me sulmet serbe dhe përgatitjen që kishte bërë shteti i Serbisë!

Refuzimi i liberalizimit të vizave dhe heshtja e sindikatave të punëtorëve në Kosovë ishte alarmi i fundit se korrupsioni kishte shtrirë metastazat e tij, ku të gjithë oligarkët bashkëpunëtorë të Serbisë i kishin ngritur istikamet e tyre, ndërsa nga ana tjetër ndërkombëtarët ishin të kënaqur me qetësinë që ua garantonin këto roje të nivelit të lartë të korrupsionit.

Miksimi i pushtetit të PDK-së me LDK-në jo që  nuk e zbuti korrupsionin, por krijoi një rivalitet, i cili dëmin më të madh, për fat të keq, e reflektoi në buxhetin e shtetit.

Devoll ose Kelmend, Isë ose Ramush, Baton ose Buzhalë, Radojçiq ose Rakiq, pak rëndësi kishte, sepse korrupsioni lëshoi aq rrënjë të thella, sa pritej vetëm jetësimi i postulatit të Kennedy-t që Kosovës t’i rikthehet frymëmarrja.

Vetëvendosje alarmon trafikantët     

Kështu, korrupsioni i PDK-së e solli Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet, pavarësisht insinuatave që vazhdojnë edhe sot për të relativizuar si politikën e dështuar të Hashim Thaçit dhe Fatmir Sejdiut, ashtu dhe qeverisjet anemike të Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt!

Ditët e para të qeverisjes së Albin Kurti kundër korrupsionit, për habinë e të gjithëve, hasën më shumë në rezistencën e doganierëve dhe policëve kufitarë sesa të biznesit!

Devollët dhe Kelmendët nuk e nxorën fillimisht kokën, ndërsa kumbarët e tyre për shumë pak ditë e kuptuan se ishin ata vetë fajtorët që nuk e përfillën postulatin e presidentit John Kennedy dhe filluan ta akuzojnë kryeministrin Albin Kurtin si marksist! Kjo akuzë edhe nuk ngjiti aq shumë në popull, i cili po shikonte me sytë e vetë se Devollët ishin në panik, ndërsa ata që i kishin garantuar biznes të qetë me Serbinë filluan lëvizjet e menjëhershme për shkarkimin e Albin Kurtit! Besimi i tepruar i Albin Kurtit në vete dhe popullin shqiptar e dënoi me humbjen e pushtetit, humbje kjo e cila – ndonëse u zhvillua në sytë e tij dhe të ndërkombëtarëve – do të pësojë një fiasko të madhe duke ia dyfishuar pushtetin Kurtit, si dhe frikën e atyre që po shikonin se si po u fikej korrupsioni para syve!

Largimi i dhjetëra doganierëve dhe policëve kufitarë nga rrjeti korruptiv dhe mesazhi i qartë i Kryeministrit të ri për biznesin e pandershëm shpiki një kambanë e cila duhej t’i varej në qafë Albin Kurtit që i tronditi themelet e korrupsionit në Kosovë!

Negociatat me Serbinë ishin guri që e rëndoi qafën e Albin Kurtit për ta bërë kambanën të dëgjohet më rrallë, ndërsa nuk pushuan edhe intrigat për pushtimin e kalasë së Vetëvendosjes! Çelësi i Kalasë nuk u mor dot as nga PDK-ja dhe as LDK-ja, por kallauzi është prodhuar! Këto dy parti opozitare, që me lidershipin aktual nuk po prodhojnë dot opozitë, me baton e buzhalë janë futur brenda kalasë më shumë për të shpërndarë farën e korrupsionit sesa për ta blerë qoftë dhe një dikaster funksional!

Dhe, sot, kur kanë kaluar më shumë se dy vjet nga qeverisja e Albin Kurtit, kur lufta kundër korrupsionit po konsiderohet si model në Ballkan dhe Vetëvendosje mburret me këtë vlerësim, shfaqen përgjime të llojit të Tiranës, Shkupit dhe Podgoricës, që shërbyen për rrëzimin e pushtetit!

Kujdes! Pushtetit dhe jo korrupsionit! Sepse, pushteti i ri në Tiranë prodhoi korrupsion edhe më të madh me ardhjen e komunistëve të Edi Ramës, madje e degradoi politikën edhe më shumë me koalicionin e ri, i cili u bë pikërisht me partinë që u konfirmua në përgjime se lejoi korruptimin e pushtetit! Rrëzimin e pushtetit në këtë mënyrë po e vuan edhe sot Shqipëria, kur korrupsioni është në nivelet më të larta historike, kur kanë kaluar 10 vjet nga qeverisja socialiste dhe asnjë ministër “i korruptuar” i Sali Berishës nuk përfundoi prapa hekurave!

Në Maqedoninë e Veriut, largimi i Nikolla Gruveskit nga pushteti u konsiderua historik jo vetëm nga elektorati i partive që erdhën në pushtet, por edhe nga BE-ja e SHBA-ja, si në rastin e Tiranës me dallimin e vetëm se që ca zyrtarë të korruptuar u panë nëpër dyert e gjykatave! Por, pushteti i ri komunist i LSDM, për një kohë shumë të shkurtër, dhe me ndihmën e vetë partive shqiptare punoi shumë në forcimin e lidhjeve me Serbinë dhe degradimin e pozitës së shqiptarëve në shtetin ku e ndajnë edhe pushtetin.

Duke i atribuuar shqiptarëve dhe cilësinë e kombit të korruptuar me sytë nga Tirana dhe jo Prishtina e Albin Kurtit, Shkupi zyrtar, pasi e hapi ekonominë me Serbinë dhe i bindi shqiptarët në Maqedoni  të Veriut se është gjë e mirë të bëhet Ballkani i Hapur pa Kosovën, sepse këtë po e thotë edhe Edi Rama, tashmë po mundohet t’i bindë se edhe amnistia për Gruevskin është një gjë e mirë, meqë këtë po e thotë edhe BE-ja!

Dhe, Podgorica! U krijua një valë e madhe propagandistike për ta bindur botën se sa e korruptuar është DPS-ja e Milo Gjukanoviqit dhe se do të jetë shqiptari që flet serbisht, Dritan Abazoviq, i cili do ta shpëtojë Malin e Zi, ndërsa u publikuan edhe ca përgjime! Dritan Abazoviq, kryeministër i Malit Zi, ishte një sukses që nuk do t’i shërbejë as vetë Dritanit për CV-në e tij profesionale, pasi shumë shpejt u zbulua se qëllimi i ardhjes së tij në pushtet ishte konfirmimi i pasurisë së Kishës Ortodokse të Serbisë në Mal të Zi, të cilën nuk do ta firmoste asnjë malazez në botë. Dhe, asgjë tjetër. Ky rast e rriti dhe nivelin e korrupsionit, që nuk ishte parë në këto treva, pra korrupsionin politik, monetar dhe fetar!

Pas këtij akti të turpshëm, kur shqiptarëve nuk u ngeli gjë pa parë nga ajo që prodhon politika shqiptare, Albin Kurtit i është përgatitur një paketë degradimi, që do të ndërlidhet medoemos me korrupsionin, si plagën më të dhimbshme në sy të popullit të varfër me pamjaftueshmëri ushqimore! A do të mund të realizohet ky operacion special në sy të shqiptarëve në Kosovë?! Sot, kur buxheti i shtetit është i papërfillshëm nga niveli i korrupsionit në Shqipëri dhe menaxherë kryesor janë ideatorët e korrupsionit të Hashim Thaçit, nuk ka vend më për dilema hamletiane, por për alarm: Kosova është në rrezik, hajnat janë në kala, të gatshëm t’i shesin dhe gurët e saj! Si?! E dëshmuan tre vjet më parë!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X