Në bisedimet e Ohrit, Kurti ia doli që të zhvlerësojë Zajednicën në një trajtë “vetëmenaxhimi” të serbëve të Kosovës, që do të dalë nga negociatat e mëvonshme të Kosovës me diplomacinë e BE-së. Fakti që Lajçaku është vënë në kërkim të modeleve të asociacioneve etnike anembanë Europës që mund të jenë të pranueshme për rendin kushtetues të Kosovës, tregon se qëndrimi i Kurtit për të mos i zbatuar marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 është i palëkundur.
Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë
Nesër, më 23 mars 2023, kur kryeministri Kurti të raportojë në Kuvendin e Kosovës për bisedimet tripalëshe të Ohrit, ai me plot gojën mund t’i thotë opozitës se “Zajednicën nuk ua solla unë, atë e gjeta midis jush”. Aksioni kryesor politik i Lëvizjes Vetëvendosje! për vite me radhë ka qenë pikërisht bllokimi i zbatimit të marrëveshjeve të dëmshme me Serbinë që kanë firmosur përfaqësuesit e regjimit të vjetër në vitet 2013 dhe 2015 dhe që pjesërisht i hodhi poshtë vendimi i Gjykata Kushtetuese. Nga mënyra se si përfundoi takimi i Ohrit, edhe njëherë Kurti e bëri të qartë se Zajednica nuk do të zbatohet kurrsesi ashtu siç e dëshiron Vuçiqi. Edhe pse vendosmëria e kryeministrit Kurtit përballë Vuçiqit dhe trysnisë së diplomacisë perëndimore meriton lëvdatë, nuk duhet harruar mbështetja që atij i është dhënë nga Presidentja Vjosa Osmani dhe nga Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca. Tashmë është krijuar një bllok institucional kundër Zajednicës që nuk mund të çahet lehtë, sepse ka edhe mbështetje popullore. Sipas një sondazhi të UBO Consulting, të botuar më 17 mars 2023, 75.9% e të anketuarve në Kosovë janë pajtuar me deklaratën se “Kosova nuk duhet ta formojë asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ndërsa 77.9% mendojnë se “Kryeministri Kurti nuk duhet të pranojë asnjë kusht nga asnjë palë që kërkon krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Këtë e kanë të qartë edhe diplomatët europianë e amerikanë, të cilët nuk kanë reshtur së kërkuari formimin e një asociacioni të serbëve të Kosovës. Mirëpo, ata kanë reshtur së kërkuari që Serbia ta njohë Kosovën. Duket se BE-ja dhe SHBA-ja nuk duan të ushtrojnë trysni më të madhe mbi Serbinë dhe të vendosin sanksione ndaj saj. Ata nuk kërkojnë nënshkrimin e dokumenteve që i vënë përpara Vuçiqit. Për ta mjafton një tundje e kokës, në mënyrë që Vuçiqi të mundet të thotë në Beograd se Serbia ende e ruan sovranitetin juridik mbi Kosovën. Dihej se trysnia më e madhe e Perëndimit do të ushtrohej mbi Kosovën, prej së cilës pritej të lëshonte pe, ngaqë për Kosovën aleanca me shtetet perëndimore dhe përfshirja në organizata perëndimore të sigurisë është e nevojshme për të konsoliduar shtetësinë. Kryeministri Kurti tregoi shkathtësinë e duhur për të mos u dhënë shkas diplomatëve perëndimorë për të fajësuar Kosovën për ngecjen e procesit të negociatave. Duke treguar gatishmërinë për të firmosur në Bruksel dhe Ohër, ai vuri në provë seriozitetin e diplomacisë perëndimore në raportet me Serbinë.
Perëndimi edhe njëherë tregoi se nuk dëshiron t’i përkeqësojë marrëdhëniet me Serbinë. Vetëm për të mos pranuar dështimin e negociatave për shkak të kokëfortësisë së Vuçiqit, diplomatët europianë papritur po thonë se nuk qenka e nevojshme firmosja, se mjafton që dokumenti të botohet në uebfaqen e BE-së që ai të quhet detyrues për palët! Vuçiqi nisi sabotimin e “marrëveshjes” sapo mbërriti në Beograd. Ai i tregoi publikut dokumentet që themelojnë Zajednicën dhe që mbajnë firmat e Thaçit e të Mustafës. Ai i njeh këto si marrëveshje të vlefshme dhe kërkon zbatimin e tyre. Sa për kujtesë, Serbia nuk ka firmosur asnjë dokument me të cilin në mënyrë të hapur heq dorë nga zotërimi i Kosovës: Jugosllavia e atëhershme nuk firmosi në Rambuje; po ashtu Serbia nuk e pranoi Planin Ahtisari edhe pasi kërkesat e saj u morën parasysh për hartimin e dokumentit që i dha pavarësi të mbikëqyrur Kosovës. Multietniciteti, ulëset e rezervuara në Kuvend, komunat me shumicë serbe, ekstraterritorialiteti i kishave dhe manastireve ortodokse, decentralizimi etj., janë tashmë të sanksionuara në kushtetutën e Kosovës, ndërsa për shqiptarët në Luginën e Preshevës nuk lejohen librat shkollorë nga Shqipëria, ngritja e simboleve kombëtare etj. dhe Serbia po përdor mënyra të ndryshme për t’ua ulur përfaqësimin politik e për t’ua vështirësuar jetesën e përditshme. Shumë prej marrëveshjeve për çështje “teknike”, që janë arritur si pasojë e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, nuk janë zbatuar nga Serbia, ndërkohë që Kosova i ka zbatuar. U desh vendosja e reciprocitetit nga ana e Kosovës dhe një ndërhyrje e fortë e diplomacisë ndërkombëtare që Serbia të pranonte zbatimin e marrëveshjes për targat e automjeteve! Prandaj, është iluzion të mendohet se Serbia do të zbatojë me vullnet të mirë disa prej pikave të dokumentit të botuar nga BE-ja që bëjnë fjalë për njohje të simbolikës shtetërore të Kosovës dhe për mospengim të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në Ohër diplomacia perëndimore e shmangu diversionin rus në Ballkanin Perëndimor dhe ruajti unitetin. Rusia është një shtet i vetëm, që ka përkrahjen e Kinës dhe të disa shteteve kundërperëndimore, si Irani, ndërsa Perëndimi përbëhet nga një shumicë shtetesh që bashkëndajnë disa vlera dhe kanë pranuar hegjemoninë amerikane, por që nuk ngurojnë të ndjekin interesat e veta kombëtare. Për shembull, Turqia e kushtëzoi pranimin në NATO të Finlandës dhe Suedisë për çështje që i interesojnë asaj. Katër shtete të NATO-s dhe pesë shtete të BE-së e refuzojnë njohjen e Kosovës, jo për t’i mbajtur krahun Serbisë, por për shkak të interesit kombëtar dhe çështjeve të hapura që kanë me shtete të tjera. Në këtë situatë, vendosja e sanksioneve detyruese ndaj Serbisë, me qëllim që kjo e fundit ta njohë Kosovën, nuk do të gjente përkrahjen e të gjithë anëtarëve të BE-së dhe NATO-s. Prandaj, diplomacia perëndimore tani për tani mjaftohet me garancinë e Serbisë se kjo e fundit nuk do të shërbejë si trampolinë e Rusisë për të ndezur ndonjë konflikt në Ballkanin Perëndimor, për të cilin Rusia do të ishte e interesuar. Me fillimin e pranverës pritet intensifikimi i luftimeve në Ukrainë dhe NATO-s i nevojitet më shumë se kurrë uniteti i brendshëm. Zbatimi i dokumenteve të shpallura si të miratuara në Bruksel dhe Ohër as garantohet nga palët, as ka ndonjë afat skadence. Mirëpo, më e rëndësishme për Perëndimin është që Kosova dhe (sidomos) Serbia të vijojnë të ulen në tryezën e bisedimeve.
Serbia është e lidhur me shumë fije me Rusinë, por edhe me Kinën. Këto fije janë trashur me kalimin e kohës, ndërkohë që Perëndimi ka toleruar sjelljen kryeneçe të Serbisë. Nuk bëhet fjalë që këto fije apo vargoj me të cilët Rusia e mban Serbinë të lidhur pas vetes të këputen shpejt. Elita politike e Serbisë dhe një pjesë e mirë e publikut e justifikon varësinë ndaj Rusisë me çështjen e Kosovës. Sado irracional të duket kthimi i Kosovës në sovranitetin real serb, kjo aspiratë mbahet gjallë pikërisht nga aleanca e saj me Rusinë. Serbia kërkon të afrohet me Perëndimin dhe, mundësisht, të anëtarësohet në BE pa hequr dorë nga marrëdhënia e saj speciale me Rusinë dhe deri tani kjo strategji i ka dhënë fryte. Vuçiqit i duhej të fitonte kohë për të parë se si do të jenë zhvillimet në fushëbetejat e Ukrainës dhe se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-së.
Ndryshe nga Serbia, Kosova është e lidhur ngushtë me Perëndimin. Është pikërisht rreziku i përhershëm nga Serbia faktori i jashtëm që e detyron Kosovën të kërkojë mbështetjen perëndimore dhe qëndrimin e forcave ushtarake të NATO-s në territorin e saj. Mbyllja ndaj Perëndimit nuk është një alternativë politike reale, prandaj Kurtit gjithnjë i është dashur që të kundërshtojë pretendimet e Serbisë, por pa u rënë ndesh kërkesave perëndimore për të zbatuar kërkesat e Serbisë ndaj Kosovës. Në bisedimet e Ohrit, Kurti ia doli që ta zhvlerësojë Zajednicën në një trajtë “vetëmenaxhimi” të serbëve të Kosovës që do të dalë nga negociatat e mëvonshme të Kosovës me diplomacinë e BE-së. Fakti që Lajçaku është vënë në kërkim të modeleve të asociacioneve etnike anembanë Europës që mund të jenë të pranueshme për rendin kushtetues të Kosovës, tregon se qëndrimi i Kurtit për të mos i zbatuar marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 është i palëkundur. Sigurisht rreziku nuk është shmangur dhe kurthe të tjerë mund t’i ngrihen Kosovës, por hapësira manovruese me Perëndimin është rritur. Kosova po synon anëtarësimin e shpejtë në NATO dhe guri i parë i provës për heqjen e pengesave të Serbisë është anëtarësimi i saj në Këshillin e Europës. Kuptohet se nëse nuk bllokohet anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe rruga e saj drejt anëtarësimit në BE, mosnjohja nga Serbia nuk ka ndonjë peshë të madhe.
Kryeministri Kurti, në intervistën që dha në fillim të takimit të Ohrit, vuri në dukje se qetësia dhe bukuria e sipërfaqes së Liqenit të Ohrit fsheh përplasjet e çarjet e thella tektonike që e kanë krijuar atë. Jo vetëm “marrëveshja bazë”, por madje as ndonjë “marrëveshje finale” nuk do ta mbyllë konfliktin shqiptaro-serb për Kosovën po qe nëse nuk shkohet deri te rrënja e tij, ndërsa rrënja e konfliktit është shovinizmi serb dhe ëndrra e tij për të pasur një perandori serbe në Ballkan. Nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën pa u bërë njëherë Serbia një shtet normal.