loader image
December 4, 2024

Njeriu duhet të kërkojë njeriun

Para dilemave ekzistenciale që i shfaqen njeriut modern, ose do të ketë shpërfillje të tyre, duke i cilësuar si përçartje të së pandërgjegjshmes, ose do të këtë shpjegime që do ta deformojnë ekzistencën, duke sjellë një pamje te përmbysur të saj, shpesh dhe të paqenë. Kjo ndodh kur përmasën shpirtërore të jetës do me patjetër ta shpjegosh thjesht dhe vetëm mbi dialektikën materialiste. Njeriu nuk është thjesht një stomak që duhet mbushur.

Nuredin NAZARKO, Korçë

Besimi tek Hyu i Plotfuqishëm është i pashpjegueshëm logjikisht dhe i parrokshëm nga arsyeja. Ka jashtëzakonisht fakte, përmes studimit të të cilëve arsyeja do të duhej të bindej për të besuar dhe njeriu ende nuk beson, sikundërse njeriut nuk i mjafton asnjë fakt dhe ai beson.

Historia e njerëzimit, përveçse është histori e njeriut për t’i sfiduar vështirësitë e të jetuarit mbi tokë, është edhe histori e besimit të njeriut. Është histori e përpjekjeve të njeriut për ta ndërtuar mirëqenien materiale dhe për të gjetur paqen shpirtërore.

Njeriu është qenie komplekse. Sa i thjeshtë duket ndonjëherë për t’u shpjeguar, aq i vështirë dhe i ndërlikuar bëhet për t’u kuptuar. Natyra njerëzore është e luhatshme. Zemra e njeriut është vazhdimisht e shqetësuar dhe e ka të vështirë të gjejë prehje vetëm në konsumin lëndor. Ka diçka të brendshme, një zë që i flet njeriut në heshtje dhe e grish drejt pyetjeve ekzistenciale, edhe atëherë kur njeriu duket i përpirë nga shqetësimi për t’i garantuar vetes një të ardhme të sigurt përmes pasurimit material. Njeriu nuk mund t’i ikë dot natyrshmërisë së vet.

Ka syresh që përpiqen t’i joshin vetet e tyre me besimin se jeta ka vetëm përmasë materiale dhe asgjë tjetër, veç reaksioneve kimike, nuk ka rëndësi. Pjesërisht kanë të drejtë, sepse nuk mund të mohojmë atë që është e vërtetë. Ndërkohë, mohojnë përmasën shpirtërore, duke qenë se është e paprekshme dhe e pamundur për t’u laboratizuar. Njeriu është i pajisur me intuitë, me aftësinë për t’i kapur gjërat edhe kur ato nuk janë të prekshme, të shqueshme prej shqisave dhe që i përkasin pjesës mistike të jetës dhe botës. A do ta mohojmë këtë pjesë vetëm pse nuk i nënshtrohet metodës eksperimentale?

Qenia njerëzore, duke qenë ngërthim mes dy përmasave, veprimtarinë jetësore e zhvillon mbi këtë dualitet. Arsyeja dhe intuita japin e marrin me njëra-tjetrën. Edhe në çështjen e besimit nuk janë përjashtuese të njëra-tjetrës, edhe pse syresh përpiqen të mbajnë gjallë një konflikt mes arsyes dhe besimit, që ushqehet nga besimi se arsyeja ka përgjigje për çdo gjë dhe intuita duhet t’i nënshtrohet arsyes.

Pa hyrë në këtë pjesë, ku debati ka për të vazhduar gjatë dhe secili sipas bindjeve që ka do të qëndrojë në istikam, qoftë edhe kur ka arsye që e përkulin arsyen, arsyeja pa intuitën është si njeriu që ecën në terr me ndriçimin e vetëtimave. Të dyja e ndihmojnë njeriun të ecë në detin e thellë dhe mistik të jetës. Njeriu duhet të mbajë gjallë dualitetin. Në të kundërtën, sjellja dhe qëndrimet e tij do të marrin ngjyresën e pavetëdijes së thellë mbi ekzistencën.

Përmbushja e përmasës materiale është nevojë që duhet plotësuar, por duke ndjekur me përpikmëri vlerat që ushqejnë shpirtin, si drejtësia, mirësia, respekti ndaj dinjitetit të tjetrit dhe realizimin e detyrave që i kërkon jeta e virtytshme. Ky dualitet duhet përmbushur prej njeriut, nëse do që të jetë në udhën e paqes, madje vlerat që ushqejnë shpirtin duhet të jenë mbisunduese ndaj atyre që e ushqejnë stomakun.

Para dilemave ekzistenciale që i shfaqen njeriut modern, ose do të ketë shpërfillje të tyre, duke i cilësuar si përçartje të së pandërgjegjshmes, ose do të këtë shpjegime që do ta deformojnë ekzistencën, duke sjellë një pamje te përmbysur të saj, shpesh dhe të paqenë. Kjo ndodh kur përmasën shpirtërore të jetës do me patjetër ta shpjegosh thjesht dhe vetëm mbi dialektikën materialiste. Njeriu nuk është thjesht një stomak që duhet mbushur.

Ardhja në ekzistencë nënkupton udhëtim drejt vdekjes. Njeriu është përpjekur t’i japë kuptim ekzistencës mbi tokë, por edhe të shfaqë interes se çfarë do të ndodhë pas vdekjes. Njeriu është njeri, sepse është i lirë të zgjedhë t’i japë kuptim ekzistencës, duke besuar në një ekzistencë rastësore që mbyllet me vdekjen ose duke besuar në një ekzistencë të qëllimshme, që nuk merr fund me vdekjen, por që nuk ka më vdekje të dytë. Pavarësisht zgjedhjeve, në fund të gjithë do njihen me vlerën e zgjedhjes së mënyrës së të jetuarit, sepse vdekja do të vijë për gjithsecilin.

Njeriu ka të drejtë të zgjedhë të besojë cilëndo fe që ai mendon se e plotëson pjesën e tij shpirtërore. Ka të drejtë të zgjedhë të jetë dhe ateist. Njerëzit duhet të tregohen respektues ndaj zgjedhjeve që bën njëri ose tjetri, përderisa zgjedhjet nuk i cenojnë vlerat shpirtërore dhe virtytet, sepse nuk mund të pajtohemi me përpjekjet që bën një pjesë njerëzish për të intimiduar një pjesë tjetër njerëzish që nuk kanë zgjedhur të besojnë atë që duan ata.

Ndërkohë që flasim për demokraci, liri dhe të drejta, tek një pjesë vazhdon ende mendësia e Revolucionit Kulturor Kinez i veshur me oksidentalizëm të rremë. Nuk mund të detyrohen njerëzit në zgjedhjet e tyre. Për më tepër, nuk mund të gjykojmë zgjedhjet që kanë bërë njerëzit në të kaluarën në raport me besimin me mendësinë e sotme, sepse përgjegjësia është individuale dhe ka vlerë për aq sa jeton njeriu dhe nuk mund të jetë shqetësimi ynë sot se pse ata dikur kanë bërë një zgjedhje që nuk u pëlqen disave sot.

A ka njerëz që zgjedhjet e besimit i bëjnë nisur nga interesa materiale? Ka pasur dhe do të ketë gjithmonë, pavarësisht fesë që kanë zgjedhur të besojnë, por kjo nuk është provë e dështimit të vlerave që i kërkon besimi prej njeriut. Është provë e dështimit të njeriut që nuk arrin të mposhtë forcën e rëndesës së stomakut. Kushdo që beson se zgjedhjet fetare të atyre që besojnë janë gjithmonë të motivuara materialisht, gjen në këtë besim vetveten, sepse e mendon tjetrin si vetja. Vetëm hyrja në sferën e besimit dhe ngjitja shpirtërore e bëjnë njeriun ta kuptojë domethënien e të besuarit.

Sot duhet të jemi të shqetësuar për tkurrjen masive të njerëzve të virtytshëm dhe rritjen e fuqisë së parasë, “Zotit” të epokës sonë për shumë syresh. Njerëzit nuk duhet të jenë në garë me njëri-tjetrin se kush ka bërë zgjedhjen më të mirë për sa i takon besimit. Njerëzit duhet të jenë në garë se kush do t’i jetësojë më virtytshëm mësimet që pretendojnë se besojnë dhe ndjekin. Koha do t’i çojë gjërat aty ku e kanë vendin.

Gjykatësi është Hyu i Plotfuqishëm dhe jo njerëzit.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X