loader image
October 14, 2024

Një shoqëri në ikje është një shoqëri në rënie

Kur morën pushtetin, komunistët i luftuan dy kategori njerëzish: të pasurit dhe të arsimuarit. Të pasurit ishin armiqtë natyralë. Ata ishin kundër komunizmit ose do të bëheshin në një moment të dhënë, sepse reformat ekonomike të komunizmit do ta preknin pronën private, që ishte thelbi i ekzistencës së të pasurve si entitet. Zotërimi i pronës i bënte ata të rrezikshëm, sepse, përsa kohë që do të kishin pronë në zotërim, kjo do të thoshte që ata kishin burime njerëzore dhe materiale në dispozicion, të cilat mund t’i angazhonin në luftë kundër komunistëve.

Çelo HOXHA, Tiranë

Aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në matematikë, lexim dhe shkencë, në Shqipëri, janë përkeqësuar për periudhën 2018-2022. Referuar rezultateve të programit PISA 2022, Shqipëria renditet në vendin e 62-të, ndër 80 vendet që kanë marrë pjesë në testim. Në rezultatet PISA 2018 Shqipëria u pozicionua në vendin e 61-të. Rënia nuk është e madhe, por duke vlerësuar pozicionin e mëparshëm, që ishte shumë i ulët, dhe trendin e lëvizjes në rënie, e ardhmja në fushën e arsimit parashikohet e zymtë.

PISA është akronimi i emrit në anglisht i Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve (Program for International Student Assessment), i cili ka filluar nga OECD (Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik) më 1997. Aktualisht, ky program mbulon mbi 80 vende. Studimi kryhet çdo 3 vjet dhe siguron të dhëna krahasuese mbi performancën e 15-vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë.

Sipas njoftimeve në media, në matematikë Shqipëria u vlerësua me 368 pikë nga 472 pikë të mundshme. Krahasuar me programin PISA 2018, Shqipëria ka një rënie prej 69 pikësh. Kjo është rënia më e madhe ndër 80 shtetet e testuara.

Për aftësitë e nxënësve në lexim, Shqipëria u vlerësua me 358 pikë nga 476 pikë, që është mesatarja e pikëve të mundshme. Krahasuar me rezultatet e 2018-tës, rënia është 47 pikë.

Për aftësitë e nxënësve në shkencë, Shqipëria është vlerësuar me 376 pikë nga 485 pikë të mundshme. Krahasuar me rezultatet e PISA 2018, rënia është 41 pikë.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria pozicionohet më poshtë nga të gjitha, me përjashtim të Kosovës. Serbia pozicionohet në vendin e 38-të, Mali i Zi në vendin e 50-të, Maqedonia e Veriut në vendin e 56-të. Kosova pozicionohet në vendin e fundit.

Renditja e Shqipërisë në pozicione të ulëta në vlerësime ndërkombëtare nuk është ndonjë gjë befasuese. Vlerësimi i nxënësve është një tregues, por në të gjitha fushat e tjera gjërat nuk janë më mirë. Gjysmëshekulli komunist e rrënoi Shqipërinë. Pasojat i kemi përjetuar dhe do t’i ndjejmë edhe për shumë kohë.

Kur morën pushtetin, komunistët i luftuan dy kategori njerëzish: të pasurit dhe të arsimuarit. Të pasurit ishin armiqtë natyralë. Ata ishin kundër komunizmit ose do të bëheshin në një moment të dhënë, sepse reformat ekonomike të komunizmit do ta preknin pronën private, që ishte thelbi i ekzistencës së të pasurve si entitet. Zotërimi i pronës i bënte ata të rrezikshëm, sepse, përsa kohë që do të kishin pronë në zotërim, kjo do të thoshte që ata kishin burime njerëzore dhe materiale në dispozicion, të cilat mund t’i angazhonin në luftë kundër komunistëve. Komunistët do të ishin të qetë në pushtet vetëm për aq kohë se kundërshtarët e tyre ishin zhdukur ose dobësuar deri në pikën që të ishin të paaftë të përbënin rrezik për ta. Pra, komunistët e organizuan gjithë ekonominë në varësi të ruajtjes së pushtetit të tyre.

Pas të pasurve, të arsimuarit përbënin rrezik për komunizmin, sepse ata ishin të aftë të angazhoheshin në luftën e ideve, gjë që komunistët nuk e donin. Duke qenë nga natyra sektarë, komunistët nuk pranonin debat idesh. Ata e impononin ideologjinë e tyre me dhunë.

Duke shkatërruar këto dy kategori njerëzore, regjimi komunist e përcaktoi të ardhmen e zymtë të Shqipërisë. Rezultatet po i korrim tani.

Një nga mitet më të qëndrueshme të komunizmit vazhdon të jetë zhdukja e analfabetizmit dhe masivizimi i arsmit. Edhe sot gjen njerëz që e kritikojnë komunizmin për ekonominë, për shkeljen e të drejtave të njeriut, etj., por nuk harrojnë të thonë që ai pati edhe të mira, si për shembull zhvillimin e arsimit. Ky argument vazhdon të përdoret shabllon, ashtu siç e përdorte propaganada komuniste në një kohë që nuk lejohej mendim ndryshe nga ai i regjimit.

Arsimi në komunizëm ishte një instrument politik, i cili u përdor nga regjimi komunist për indoktrinimin e shoqërisë. Qëllimi parësor i arsimit nuk ishte përgatitja e profesionistëve, por krijimi i njeriut ideologjik ose, siç e quante regjimi, njeriu i ri. Kur komunizmi ra, u shemb, vetë komunistët e pranuan falimentimin e ideologjisë së tyre. Pushteti kaloi në duart e një brezi të ri, i përgatitur në shkollën komuniste, të cilit iu desh të improvizonte politika të kundërta me formimin e tij akademik. Në shkollë, studentët nuk ishin përgatitur për demokraci, për një shoqëri me institucione të pavarura, për liri mendimi e veprimi, për ekonomi tregu etj. Ata që e morën përsipër të kishin një rol në politikën e re, pavarësisht kualifikimeve profesionale që kishin, për të vepruar në kontekstin e ri, ishin diletantë e, shpesh, edhe të paaftë.

Në zhvillimin e ekonomisë së tregut nuk u reflektua ndonjë farë ndikimi i arsimit. Gjithçka nisi në formën më të egër, nga rruga. Njerëzit dolën të shisnin në rrugë, thjesht për mbijetesë, për të shpëtuar veten dhe familjen nga uria dhe, me kalimin e viteve, shumë nga ata u bënë biznesmenë të sukseshëm, që sot zotërojnë kompani të sukseshme. Ndikimi i shkollës së komunizmit, për shembull, në biznes, ishte te pushteti, i cili i ndau pronat e kreditë te njerëzit e tij, duke marrë si kriter bazë përkatësinë politike, pra jo të drejtën e pronës etj.

Janë pikërisht paradokset e zhvillimeve politike të viteve 1990-të që i diktojnë ende zhvillimet e sotme. Përgjatë tre dekadave shoqëria shqiptare ka pësuar një hemorragji njerëzore të frikshme. Vendi po shkon drejt tkurrjes së popullsisë dhe plakjes së saj. Ky shqetësim themelor nuk është adresuar kurrë seriozisht nga politika. Adresim nga politika do të thotë që ndërmerren politika të caktuara për frenimin e largimit të njerëzve nga Shqipëria. Largimi i njerëzve ka pasojë të dyfishtë: pakësimin e burimeve njerëzore dhe pakësimin e burimeve njerëzore të afta për punë. Ata që largohen janë në moshë të re.

Demokracia që pretendohet se po ndërtohet ka qenë një farsë. Njerëzit votojnë, pushteti ndërrohet me cikle, por në tre dekada politikanët kryesorë kanë qenë të njëjtë dhe thjesht ndërrojnë vende nga opozitë në pushtet dhe anasjelltas. I vetmi ndryshim i dukshëm është pasurimi i politikanëve. Njerëzit e shohin fare qartë këtë dhe të neveritur largohen nga vendi.

Largimi i dekadave të fundit është ndryshe nga i viteve 1990-të. Tashmë nuk largohen nga Shqipëria njerëz të uritur, por njerëz që dëshirojnë siguri ekonomike për familjen, nuk ikin veç specialistë, por dhe biznesmenë, njerëz të shtresës së mesme, që mund të bëjnë një jetë komode me burimet që i zotërojnë në Shqipëri. Ajo që i nxit të ikin është pasiguria. Qeveritë kanë shkatërruar në këto 30 vjet shtëpi e biznese, me mijëra, dhe gjithçka ka rënduar te qytetarët, politika nuk ka pasur asnjë pasojë, megjithëse shkatërrimi, në një masë të madhe, është kryer me shkelje të ligjeve.

Një shoqëri në ikje nuk krijon dot stabilitet. Rënia e nxënësve në rezultate është thjesht një tregues i një problemi më të thellë, të cilin politika ende nuk po e trajton seriozisht.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X