loader image
May 21, 2024

Një Republikë me të cilën krenohemi, por jo një Republika Sërpska përbrenda Republikës së Kosovës

Arkitektët antishqiptarë të Beogradit e kanë të qartë që moti se opsioni i shkërmoqjes së plotë të shtetësisë kosovare, nëpërmjet dhunës dhe përdorimit të forcës, ashtu siç historikisht ishin mësuar ta “menaxhojnë” çështjen e Kosovës, tashmë nuk është i mundur. Prandaj, veprimi i tyre destruktiv është orientuar kah “bosnjëzimi i Republikës”.

Shkruan: Besim NEBIU, Shkup

Gjatë 15 viteve të pavarësisë se saj dhe 9 vite paraprake të lirisë nga Serbia, Kosova ka treguar një kapacitet fenomenal dhe të paprecedentë për rrethanat ballkanike për t’u transformuar nga një territor shqiptar i pushtuar, i eksploatuar dhe i diskriminuar për plot 87 vite nga fqinji i saj ekspansionist dhe represiv verior, në një shtet të njëmendtë demokratik, i cili për shumë parametra të matshme demokratike, shoqërore dhe ekonomike, ua kalon fqinjëve të saj që kanë histori shumë më të gjata të shtetësisë. Ky transformim dhe këto perfomanca për fat të mirë janë të matshme me parametra objektivë dhe, si të tilla, njihen edhe anekënd botës demokratike dhe përparimtare.

Duke qenë se jam i prirë që pohimet t’i dokumentoj dhe konfirmoj me fakte, ja dhe disa sosh:

Liria e fjalës: Në raportin e fundit vjetor të publikuar nga organizata “Raportuesit pa Kufi” (Reporters Without Border), raport ky që e mat shkallën e lirive të medias anembanë rruzullit tokësor, Kosova ngjitet më lart (në vendin 61 në rang botë) në krahasim me gati të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke ia tejkaluar edhe Malit të Zi (63), edhe BeH-së (67), por sidomos Republikës së Serbisë (79)!

Demokracia, pluralizmi dhe liria e të zgjedhurit: Në dekadën Kosova mban zgjedhjet më demokratike, të pakontestuara dhe pakritikuara nga bashkësia ndërkombëtare, si dhe bën zgjedhjet më pluraliste në rajon. Sa për ilustrim, në 10 vitet e fundit, 3 parti të ndryshme kanë dalë fituese të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë (PDK, LDK dhe VV), si dhe 4 parti kanë udhëhequr me formacione të ndryshme qeveritare (PDK, LDK, AAK, VV). Këta janë parametra të pluralizmit që ua tejkalojnë atyre të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, në të cilat vetëm dy deri tre parti kanë fituar zgjedhje të përgjithshme ose kanë formuar qeveri gjatë 30 viteve të multipartizmit në këto dy shtete fqinje të Kosovës.

Lufta kundër krimit dhe korrupsionit: Në indeksin për korrupsion të organizatës “Amensty International për vitin 2022, Kosova është më e avancuar se të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit perëndimor – një parametër i asaj që e lufton në mënyrë më të sinqertë dhe më sistematike krimin dhe korrupsionin, krahasuar me të gjitha shtetet fqinje në Ballkanin Perëndimor.

Shkalla e rritjes ekonomike: Kosova në dy-tre vitet e kaluara shënon norma të rritjes ekonomike që i tejkalojnë të gjitha vendet e rajonit. Kështu, në vitin 2021, ekonomia kosovare u rrit për 10.75 për qind në parametrat e bruto prodhimit vendor dhe 3 për qind në 2022. Ky trend projektohet të vazhdojë edhe në vitin 2023, ku sipas projeksioneve të Fondit Ndërkombëtar Monetar pritet të vijë në 3.5 për qind. Sa për krahasim, rritja ekonomike e Maqedonisë së Veriut për po ato vite në këtë analizë është si vijon: rritje 4 për qind për 2021, 2 për qind për 2022, me një rritje e projektuar prej 3 për qind për vitin 2023. Pra, rritje dukshëm më e ulët ekonomike sesa ajo e Republikës së Kosovës.

Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 e deri më tani, gjithsej 117 vende e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve anëtare të BE-së, si dhe shumicën e vendeve demokratike në botë.

Serbia, Rusia, Kina dhe disa shtete të tjera, nga ana tjetër, vazhdojnë ta shohin Kosovën si pjesë të Serbisë.

Gjatë 15 viteve të pavarësisë së Kosovës, edhe përkundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e cila e konfirmoi ligjshmërinë dhe të drejtën e popullit të Kosovës për të sjellë vendimin për pavarësi, dy nga anëtaret e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje, Rusia dhe Kina, e pamundësojnë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Megjithatë, Republika e Kosovës sot është anëtare e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe gati e të gjitha organizatave ndërkombëtare sportive, të tilla si Komiteti Olimpik, FIFA, UEFA, FIBA, etj.

Aktualisht, qeveria Kurti po kërkon anëtarësim në Këshillin e Europës, përderisa në vitin 2022 u dorëzua edhe kërkesa për statusin e kandidatit në Bashkimin Europian, pasi që Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në Kosova e ka nënshkruar qysh në vitin 2015.

Të gjithë këta janë tregues të një shteti i cili është jo vetëm është rrumbullakuar në plotkuptim të fjalës si një shtet funksional, por i cili edhe përkrah pengesave, shantazheve dhe rreziqeve ekzistenciale nga një fqinj agresiv si Serbia, po zhvillohet dhe përparon me hapa më të mëdhenj në krahasim me ish-pushtuesin e popullit të saj, pra po në krahasim me shtetin e Serbisë!

Nuk ka se si të përjetohet ndryshe pozicioni serb karshi pavarësisë së Kosovës, përveç si një vazhdë të kultivimit të armiqësisë ndaj popullit kosovar, në frymën e eksponentëve më të errët të politikës një shekullore gjenocidale serbomadhe, e cila ka për qëllim eliminimin e plotë të indit dhe frymës kombëtare shqiptare nga territori i Kosovës. Me kontestimin e Kosovës si shtet, sot Serbia tenton ta mbajë gjallë kontestimin e të drejtës së shqiptarëve kosovarë për liri, demokraci dhe prosperitet ekonomik.

Arkitektët antishqiptarë të Beogradit e kanë të qartë që moti se opsioni i shkërmoqjes së plotë të shtetësisë kosovare, nëpërmjet dhunës dhe përdorimit të forcës, ashtu siç historikisht ishin mësuar ta “menaxhojnë” çështjen e Kosovës, tashmë nuk është i mundur. Prandaj, veprimi i tyre destruktiv është orientuar kah “bosnjëzimi i Republikës”, ku nën pretekstin e të drejtave minoritare serbe, tentojnë ta gjymtojnë republikën më të re europiane, t’ia ndalin hovin e rritjes, t’ia ndalin frymën e përparimit. Asociacioni ose “Zajednica” siç e quajnë , është vetëm një eufemizëm për një Republika Sërpska brenda për Brenda Republikës së Kosovës. Zajednica e ka ekskluzivisht këtë qëllim dhe asgjë me pak se kjo: t’ia thyejë Kosovës edhe këmbët edhe duart dhe t’ia këpusë fletët, duke e bërë të paaftë të rritet dhe të zhvillohet.

Rruga e Kosovës duket e qartë, ashtu siç e parasheh plani franko-gjerman;

Pranim faktik dhe formal të Kosovës nga ana e Serbisë: të arrihet marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, ku Serbia de fakto dhe de jure do të heqë dorë nga pretendimi për Kosovën si pjesë e territorit të vetë.

Hyrja e Kosovës në të gjitha institucionet ndërkombëtare, përfshirë edhe KB-në.

Lidhja e aderimit të Serbisë në BE me aderimin e Kosovës në BE si dy shtete të pavarura dhe sovrane.

Rregullimi i Asociacionit si një rrjet, pra network horizontal për bashkëpunim teknik ndërkomunal dhe jo si një pushtet autonom nga institucionet kosovare. Pra, si një Asociacion dhe jo si një Zajednicë.

Rruga të cilën e ndjekin Kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani karshi negociatave dhe karshi Serbisë është plotësisht e drejtë. Kjo është rruga e vetme përpara dhe vetëm kjo rrugë do të na sjellë një Kosovë me të cilën do të krenohemi në ditëlindjen e saj të 20-të. Një Kosovë që vazhdon të rritet dhe prosperon dhe e cila në maturitetin e saj do të nisë të trokasë fuqishëm në dyert e BE-së dhe NATO-s, ashtu siç i ka hije dhe ashtu siç meriton.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X