loader image
July 27, 2024

Një gjeneratë e re e intelektualëve servilë në Maqedoninë e Veriut

Politika e ka bërë intelektualin dhe gazetarin shërbyes dhe parazit. Intelektuali i partisë shpeshherë shkon në piknik me miqtë e ngushtë të pushtetit për të ruajtur pozitën në ministri, universitet ose në pushtetin lokal. Dy faktorë do ta përcaktojnë të ardhmen e mendimit politik shqiptar në Maqedoni të Veriut: kushtet e reja të globalizmit, bashkë me kërcënimet e reja të shekullit që burojnë nga shtetet fqinjë, dhe faktorët e tjerë, që janë prodhim i sistemit politik ndërkombëtar.

Shkruan: Selim IBRAIMI, Uashington

Si asnjëherë më parë, gjendja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në përgjithësi mendimi intelektual është në krizë. Krahasuar me Shqipërinë dhe Kosovën, ku mediat botojnë lajme e komente kundër partive në pushtet dhe gazetarët, bashkë me pjesën intelektuale flasin hapur, në shoqërinë shqiptare të Maqedonisë së Veriut gjendja është pak më ndryshe ose, thënë shkurt, tabloja është e zezë. Gjendja është si pasojë e rënies së mendimit ndryshe në mediat shqiptare dhe në mjedisin publik – atë të trajtimit të drejtë të çështjeve që lidhen me sferën shqiptare dhe maqedonase. Nga këndvështrimi historik, tri dekada më parë intelektualët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut luanin rol kryesorë për të drejtat themelore. Dhe, jo vetëm kaq! Ata ishin pjesë e organizimeve politike, kulturore, luftarake dhe dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për luftën e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Duke filluar nga Europa Perëndimore, Amerika Veriore, Turqia e deri në Australi, intelektualët dhe mërgimtarët, bashkë me pjesën e shëndoshë të mbetur në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkan, arritën të artikulojnë në media dhe në demonstrata paqësore idetë për të drejta, liri dhe demokraci. Këto lëvizje njëherazi ishin pjesë e një mendimi politik të mëhershëm, që burimin e kishin te Kryengritja e Dervish Carës (1843-44), Lidhjes së Prizrenit (1878), e deri në angazhimet e shekullit të 20-të. Po këta mendimtarë dhe opinionkrijues arritën të jenë pjesë e proceseve historike dhe ndryshimeve të mëdha që ndodhën në Europë pas rrëzimit të Murit të Berlinit (1989), pas vitit 1999, dhe së fundi të përpjekjeve të mëdha të pjesës vitale të kombit në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Natyrisht, këtu nuk duhet harruar kontributin intelektualëve për pavarësinë e Shqipërisë së vitit 1912 dhe lëvizjet për çlirim nga ideologjitë e huaja deri në vitin 1945 dhe më pas, për liri nga komunizmi shqiptaro-sovjetik dhe ai jugosllav.

Deformimet socio- psikologjike të intelektualit shqiptar në Maqedoninë e Veriut

Intelektuali shqiptar i kohës bashkëkohore të fillimshekullit të 21-të është më ndryshe. Struktura politike e imponuar pas vitit 2002, pra pas ardhjes në pushtet të partisë BDI ose të kryetarit Ali Ahmeti, intelektualin shqiptar, dikur të zëshëm në tubime dhe në gazeta, e bëri të dorëzohet. E frikësoi, e transformoi dhe në fund po ky karakter e mori profilin e intelektualit të dikurshëm të Shqipërisë staliniste të Enver Hoxhës (1944-91). Ky është degradimi më i madh që i është bërë qenies njerëzore, një të arsimuari në Maqedoninë e Veriut dhe, në fund, shtresës intelektuale shqiptare. Intelektuali dhe gazetari i viteve të qeverisjes së Ali Ahmetit është më ndryshe: ai i thur lavde liderit dhe partisë në çdo kohë, natë e ditë mendon për të. Në mesnatë i del gjumi dhe mendohet se si ta lavdërojë liderin në një material gazetaresk e gjithnjë me idenë të fitojë simpati prej tij. Intelektuali dhe gazetari i partisë çdoherë ndjehet i shqetësuar nëse kryesia do ta vendosë ose jo në ndonjë listë për honorar në bord kombëtar, post publik ose në ndonjë universitet të kontrolluar nga partia. Gazetari partiak dhe gjysmë i pavarur ka më shumë shqetësime të brendshme dhe të jashtme. Deformimet socio-psikologjike të intelektualit dhe gazetarit të kohës së sotme nuk përfundojnë këtu, qofshin në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë apo në Shqipëri. Analistët ose, më shkurt, një nivel i ulër i komentuesve që debatojnë në ekranet e televizive në hapësirën shqiptare në Ballkan, janë jashtë çdo standardi analitik dhe etik. Si është e mundur që një intelektual dhe gazetar të zgjohet dhe të shkojë në krevat në mbrëmje, duke i përsëritur pa ndërprerë “veprat” e shekullit të kryetarit Ali Ahmeti, të një politikani tjetër apo edhe të ndonjë opozitari tjetër?! Raste të shumta të uljes së nivelit profesional-gazetaresk, analitik dhe njerëzor janë bërë kronike dhe të pashërueshme në Maqedoninë e Veriut, ku në përjashtim të sferës maqedonase, në hapësirën publike shqiptare individë të lajmeve senzacionale, raportimeve të njëanshme dhe komentuesve partiakë janë një ndër më të mërzitshmit për publikun dhe lexuesin. Që paradoksi të jetë edhe më i madh, e rasti të jetë më i turpshëm për të ashtuquajturit analistë, ngjarja shkon në vitin 2017, kur komentues të ngjitur me partinë në pushtet BDI ushtronin presion që Aleanca e Shqiptarëve (ASH) të përjashtohej nga koalicioni me BDI-në ose nga qeveria e parë e ish- kryeministrit Zoran Zaev. Pas pesë vitesh (2023) absurditeti merr përmasa të pakapshmes për realitetin politik, profesional dhe individual. Të njëjtit zëdhënës të BDI-së, për hir të partisë dhe liderit, duhet ta arsyetojnë hyrjen e ASH-së në koalicion me BDI-në dhe LSDM-në. Ja si duket sot komentuesi joprofesional dhe partiak në sferën publike shqiptare. Po në Maqedoni të Veriut pasqyrë të mirë nuk ka as intelektuali i partisë, i cili nuk flet më. Disa kanë pozita të larta në agjencitë e shtetit, disa në ndonjë institut që financohet nga paratë publike e disa të tjerë shpresojnë që do të jenë në listë të partisë duke u bërë ngjitës të së keqes. Të dy profilet janë në pozitat aktuale mbi baza të nepotizmit dhe nuk japin llogaridhënie. Diferencimet i bëjnë si dikur në Maqedoninë socialiste. Për dy dekada më shumë spastrime kanë bërë shqiptarët ndër vete sesa ndonjë fshesë është nxitur nga maqedonasit pa marrëveshje me partinë e cila ka qenë në pushtet. Duhet thënë se fshesat e kanë burimin tek partia politike në pushtet (BDI) dhe të tjerat që e kanë bërë intelektualin dhe gazetarin shërbyes e parazit. Intelektuali i partisë shpeshherë shkon në piknik me të afërmit e pushtetit për ta ruajtur pozitën në ministri, universitet ose në pushtetin lokal. Intelektuali dhe të ashtuquajturit opinionbërës nuk e thonë të vërtetën. Në debatet televizive kanë një paraqitje të çuditshme dhe depresive për shikuesit. Në takimet e zakonshme publike janë kokëmëdhenj dhe mbahen si të mençur. Në rast se në ndonjë debat televiziv ai/ajo është i/e ftuar bashkë me kryetarin e partisë në pushtet, janë tepër të kujdesshëm ndaj kryetarit në përzgjedhjen e pyetjeve. Nuk bëjnë pyetje me vend, sepse dëshirojnë të fitojnë simpatinë e kryetarit për t’i pasur në konsideratë në listat për poste. Intelektuali i partisë përballë liderit trembet, nëse do ta thotë të vërtetën se në komunën e tij nuk ka ujë, kanalizim, punë dhe as kushte minimale për jetesë. Intelektuali i dikurshëm që ishte në gjendje të sjellë ndryshime, ndërsa sot është thyer nga ideologjia partiake në një qenie njerëzore ndryshe, i transformuar dhe i rekrutuar për qëllimet e partisë dhe klaneve të brendshme.

Manipulimi i masës nga intelektualët dhe gazetarët e partisë

Për ta mbajtur pushtetin, partive, qoftë atyre në qeveri dhe në opozitë, u duhen njerëz me zë të ëmbël për të bërë manipulimin e masës. Gjendja aktuale na e kujton Shqipërinë e pas-viteve 1946, kur stalinizmi enverist duhej të zinte rrënjë. Fjalimet e sotme të kryetarëve të partive në pushtet dhe qeveritarëve u ngjasojë atyre të ish  regjimit komunist në Shqipëri. Pas liderit dhe partisë qëndrojnë një grup njerëzish që mundohen ta paraqesin atë si demokrat. Disa personazhe, që na paraqiten sot në mediat tona, janë figura të regjimit të kaluar ose të stërvitur nga partitë aktuale. Ndërsa gjenerata e re ose e mesme, e cila mundohet të mësojë nga të vjetrit, duhet ta dijë se nuk kanë mësues të mirë dhe as udhërrëfyes publik. Pa shtyp dhe intelektualë të lirë nuk do të ketë as liri dhe as zgjidhje të mira për qytetarët në rajon dhe as më pak për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Mungesa e shtresës së vërtetë intelektuale dhe e gazetarëve me vizion do ta përkeqësojë edhe më shumë situatën e mendimit publik në hapësirën shqiptare. Partia i ka përdorur të gjitha mjetet dhe po vazhdon edhe më tej për të bërë përdhosjen e këtyre dy figurave qendrore të jetës shoqërore dhe të një kombi. Intelektuali dhe gazetari i shoqërive të hapura ka dy anë: atë të majtën ose të djathtën. Gazetarët dhe intelektualët që qëndrojnë në mes lënë gjurmë për gjeneratat e ardhshme. Intelektuali i sotshëm shqiptar dhe opinionbërësit në hapësirën shqiptare të Maqedonisë së Veriut janë larg këtij misioni. Megjithatë, duhet thënë se ende ka shpresë se guximi intelektual dhe profesional nuk do të shuhen. Qëllimi i një shoqërie të hapur është të ndërtojë një qenie të lirë, pra jo të izoluar e të frikësuar nga autoriteti publik i një zyrtari. A do ta kuptojnë më në fund këtë mision dhe detyrë shqiptarët dhe pjesa vitale e kombit e mbetur në Maqedoni të Veriut?! Mbetet të shihet se çfarë do të sjellë 2023-ta dhe vitet në vijim. Dy faktorë do ta përcaktojnë të ardhmen e mendimit politik shqiptar në Maqedoni të Veriut: kushtet e reja të globalizmit, bashkë me kërcënimet e reja të shekullit që burojnë nga shtetet fqinjë, dhe faktorët e tjerë që janë prodhim i sistemit politik ndërkombëtar.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X