loader image
December 12, 2024

Nga oaza e paqës në pellgun e luftës dhe në pranverat e vonuara

Në vitin 2024, Maqedonia e Veriut është më e qetë, më me pak të rinj, më me shumë të shpërngulur, me nacionalizëm të fjetur, kryesisht me ngjarje që nuk çojnë peshë gjithaq. Në këtë vit do të ketë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare. Do të jenë zgjedhje shumë interesante dhe njëherësh tepër të rëndësishme. Për herë të parë qartë dhe dukshëm ka nisur të ndahet shapi prej sheqerit.

Shkruan: Iljasa SALIHU, Shkup

Ajo që dikur do të njihej si Republika e Maqedonisë së Veriut, në vitin 1991 pa një ferrë në këmbë është shkëputur nga Jugosllavia e atëhershme për të qëndruar pastaj në “këmbë të qelqta” deri më sot, ngaqë Greqia ia kontestonte flamurin dhe emrin, pak më vonë Bullgaria gjuhën dhe Serbia kishën. Gjithë këto kontestime ishin të rënda për një shtet të porsabërë, por krahas atyre që kundërshtimi nuk i njihej zyrtarisht dhe nuk i merrej aq shumë parasysh, këto kontestime zbuteshin, ngaqë brenda vetë shtetit të porsalindur vlonte, kjo si rrjedhojë e anashkalimit të shqiptarëve si bashkësi e rëndësishme, të cilët për nga numri ishin menjëherë pas maqedonasve, edhe pse në ish Jugosllavi për nga numri ishin para maqedonasve. Edhe pse të drejtat të cilat formalisht i gëzonin me kushtetutën e vitit ‘74, shqiptarët e këtushëm ato të drejta i humbën me kushtetutën e vitit 1991. Prandaj me të drejtë kushtetuta u miratua pa votat e deputetëve shqiptarë. Pastaj, elementet kryesore të shtetit ishin përzierje e antikës me atë sllave maqedonase, që dukshëm dhe substancialisht ndeshej me realitetin shumetnik të vendit. Edhe pse jetonin mbi 25 për qind të shqiptarëve në këtë shtet, institucionet e shtetit ishin të mbipopulluara me maqedonas, gjuha shqipe nuk figuronte askund, arsimimi i lartë në gjuhën shqipe mungonte, si dhe përgjithësisht shqiptarët në vend se tashmë në një shtet të ri të gjendeshin me energji dhe motivime të reja, ata kishin hasur në sharrën e vjetër të padrejtësive, anashkalimit dhe getoizimit. Për më keq, kjo panoramë sikur bëhej se nuk vërehej prej faktorit ndërkombëtar. Madje, meqë ky shtet u shkëput pa luftë nga ish Jugosllavia, ata nuk kishin ngurruar ta quajnë këtë vend si oazë e paqes, që më shumë ngjante me një qilim të pastër në dukje, por që fshehte brenda tij mbeturinat e gjithë shtëpisë, të cilat çdo ditë e më tepër kalbeshin për të kundërmuar një ditë padurueshëm.

Me gjithë mospërfilljen e problemeve shqiptare dhe përfilljen vetëm e problemeve të jashtme, një ditë të ftohtë, uji meqë ishin nxehur shumë, gurgullueshëm nisi të vlonte. Brenda ishte i pranishëm problemi i vërtetë, ndaj edhe nga brenda filloi të trokasë kriza më serioze e parë ndonjëherë në këtë shtet. Kësisoj, me fillimin e vitit të ri, në janar të vitit 2001, filluan të ftilloheshin disa probleme të vjetra. Meqë zëri intelektual dhe politik nuk dëgjohej, rënkimi dhe ankesat e qytetarëve ndesheshin në veshë të shurdhër, realiteti shtrembërohej, ndaj në vend të gjithë këtij vargmali të shpërfilljes, tashmë vendin e kishte zënë gryka e pushkës dhe rrapëllima e ushtarëve të lirisë, të cilët artikulonin pakënaqësitë dhe padrejtësitë përmes zërit trishtues dhe kumbues të pushkës. S’do mend se luftën nuk e dëshironte askush, sidomos pas plojës në Kosovë e në Luginë të Preshevës, porse tanimë ajo ishte bërë e pashmangshme. Ata që shqetësoheshin vetëm për kontestet e jashtme mund ta kuptonin më mirë se po dëshirove ta zgjidhësh një problem, duhet të fillosh nga brenda, ndaj jo rastësisht problemi me emrin gjeti zgjidhje vetëm 17 vjet pas luftës së brendshme. Pas përleshjeve të shumta të armatosura dhe pas viktimave në njerëz, në gusht të vitit 2001 pala maqedonase u detyrua të ulet në tavolinë me palën shqiptare, me ç’rast do të nënshkruajnë një marrëveshje ku parashihej që shqiptarët do t’i fitonin të drejtat e tyre. Ajo do të njihej si Marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund luftës, për t’i hapur pastaj disa vështirësi, në kohë paqeje, për sa i përket zbatimit të asaj që kishin nënshkruar, ngaqë dihej mirëfilli se pala maqedonase me shumë vështirësi nënshkroi një marrëveshje të tillë. Madje, edhe pasi e nënshkroi mundohej me çdo kusht t’i vinte nënkëmbëza zbatimit të kësaj marrëveshjeje, edhe pse shprehur drejt, kjo marrëveshje kurrë plotësisht nuk u zbatua, por u përdor si një dokument bazë ku kultivohej shpresa se një ditë do të jenë shqiptarët tërësisht të barabartë me maqedonasit, ndonëse kjo marrëveshje zvarritej edhe për faktin se partisë shqiptare (BDI-së) i nevojitej në çdo cikël zgjedhor dhe me të drejtë krijohej përshtypja se edhe po të dëshironte pala maqedonase zbatim të plotë, pala shqiptare nuk kishte interes, ngaqë në zgjedhjet e ardhshme nuk kishte se çfarë premtonte. Andaj jorastësisht çështjes së gjuhës shqipe i ka ardhur në majë të hundës, sepse i është dashur më shumë se katër herë të zyrtarizohej, edhe pse as sot e kësaj dite plotësisht nuk është zyrtarizuar.

Natyrisht, beteja e paqes ishte më e vështirë se vetë lufta. Pas vitit 2001 skenën politike e mori partia që përbëhej kryesisht nga njerëzit që kishin qenë figura kryesore të luftës së 2001-shit, ndaj jorastësisht edhe popullata e përkrahte, madje nuk i interesonte as platforma politike. Ata mjaftoheshin se paqen dhe të drejtat do të na ndërtonin dhe të na sillnin ata që kishin guxim në luftë dhe në anën tjetër prej faktorit ndërkombëtar, BDI-ja shihej si parti (faktor) stabiliteti për vendin, ngaqë nënkuptueshëm kjo parti shihej edhe si faktor destabiliteti. Në fillim kishte shpresë e entuziazëm. Nisën punësimet e shqiptarëve, hapja legale e universiteteve në gjuhën shqipe. Përgjithësisht dukej dhe ndihej një nisje e faktorizimit të shqiptarëve, derisa të vinte në pushtet VMRO-ja, eksponentët e së cilës paraprakisht ishin njoftuar se figura të caktuara të kësaj partie kishin rënë në pellgun e korrupsionit e të pasurimit të shpejtë, madje edhe në emër të patriotizmit. Mirëpo, pas asaj euforie dhe lulëzimi aty-këtu, periudha 2006-2016 ishte më shumë dimër i acartë se pranverë e gjelbërt për shqiptarët. Pasi i morën erë në qafë partisë, që nga dalldia kishte lejuar t’i korruptoheshin figura të caktuara, regjimi i Gruevskit filloi me montime politike e me burgosje të tmerrshme të shqiptarëve. Padrejtësitë ekonomike ishin bërë përditshmëri, ndërsa ikjet e shqiptarëve nga vendi kishin nisur të shtoheshin. Arsimi shqip, edhe pse tashmë legal, të etur për sasi, dukshëm humbi në cilësi, pasojat e të cilit sot e kësaj dite ndjehen e shihen. Kupa ishte mbushur gjithandej. Jo se Gruevski nuk i pëlqente faktorit ndërkombëtar për shkak të padrejtësive ndaj shqiptarëve, por për shkak se nuk i dëgjonte ata për ndërrimin e emrin dhe “falë” kësaj padëgjueshmërie, ata e ndihmuan të vinte në pushtet LSDM-në, një parti e dëgjueshme, madje për shkak të mospërkrahjes sa duhet, ata kishin kërkuar ndihmë të patjetërsueshme edhe ndaj shqiptarëve për t’u zbutur kështu pak marrëdhëniet ndëretnike.

Pasi në vitin 2018 Maqedonia u trajtësua në “Maqedoni të Veriut” dhe pasi shteti u bë anëtar i NATO-s në vitin 2020, gjërat në kuptimin e sigurisë ndryshuan. Jo se u përmirësuan prore, por filluan të qetësohen ujërat për të filluar përllogaritjet dhe hasmëritë e harlisura politike, sidomos te partitë shqiptare, gjë që mbase më së shumti na intereson në këtë përsiatje. BDI-ja, që kishte harxhuar kartën e patriotizmit, filloi t’i kthehej agjendës së gjelbër, të paktën teoritikisht, se kjo ngjyrë nuk mund të shihej prej mbeturinave të shumta nëpër vendbanimet shqiptare. Pasi e konsumoi këtë kartë, sërish e ktheu kartën e patriotizmit për të ardhur deri te historia (lexo: histeria) e kryeministrit të parë shqiptar, ku përgjatë fushatës zgjedhore endej me një kandidat tjetër, kurse në tre muajt e fundit të mandatit qeveritar vendin e zuri krejt një tjetër figurë.

Në vitin 2024, Maqedonia e Veriut është më e qetë, më me pak të rinj, më me shumë të shpërngulur, me nacionalizëm të fjetur dhe, kryesisht, me ngjarje që nuk çojnë peshë gjithaq. Në këtë vit do të ketë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare. Do të jenë zgjedhje shumë interesante dhe njëherësh tepër të rëndësishme. Për herë të parë qartë dhe dukshëm ka nisur të ndahet shapi prej sheqerit. BDI-ja i harxhoi të gjitha kartat me gjithë mbështetësit tjerë partiakë, tashmë e gatshme dhe plotësuese e të gjitha kushteve për të shkuar në opozitë. Opozita shqiptare është bashkuar si asnjëherë më parë dhe është e bindur në ndryshimit që do të vijë në muajin maj të këtij viti. Pranvera e vonuar duket se do të vijë, do të bulëzojë, pranverë kjo e patjetërsueshme për një ndryshim të domosdoshëm. Megjithatë, duhet ditur se shqiptarët nuk janë të etur vetëm për ndryshim, por janë të uritur e të etur deri në qiell për PËRMIRËSIM. Përndryshe, nëse nuk merret parasysh kjo, në emër të pranverës së vonuar vendin mund ta kapërthejë DIMRI I VETMISË SË MADHE. Sidoqoftë, ndryshimi është i domosdoshëm dhe me shpresë do të ndodhë!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X