Nacionalizmi ekonomik synon të mbrojë ekonominë kombëtare për të fituar një avantazh në tregtinë globale, në vend të një strukture të mbyllur ekonomike. Nacionalizmi ekonomik mund të konsiderohet si përpjekje e ekonomive kombëtare për të eliminuar kërcënimet që vijnë nga tendencat e globalizimit.
Jyxhel Spahi, Prizren
Sistemi kapitalist ka tendencë për të zgjeruar dominimin e tij në mbarë botën nëpërmjet kompanive ndërkombëtare, paralelisht edhe me politikat ekonomike të vendeve kapitaliste si pjesë e globalizimit. Që nga fillimi i viteve 1990-të, si rezultat i procesit të globalizimit, kanë ndryshuar dukshëm politikat tregtare dhe ekonomike. Në veçanti, pas krizës së vitit 2008, tregtia e lirë dhe politikat ekonomike liberale filluan të viheshin në pikëpyetje. Rezultat i kësaj krize ishte një e papritur për shumë studiues, të cilët mendonin se praktikat e proteksionizmit dhe nacionalizmit ekonomik ishin të lashta dhe jo funksionale. Madje, një pjesë e konsiderueshme e studiuesve mendonin se sistemi më i mirë tregtar në periudhën e pas-Luftës së Dytë Botërore ishte tregtia e lirë. Megjithatë, zhvillimet në fushën e ekonomisë treguan edhe një herë se tregtia e lirë ose kapitalizmi nuk është zgjidhja e vetme. Duke u nisur nga premisa se çdo vend i ka veçoritë e veta, duhet parashtruar pyetja se a është kapitalizmi e vetmja zgjidhje për Kosovën? A mund të implementohen politika të tjera ose politika të përziera ekonomike? A mund t’i cenojnë kapitalizmi e globalizmi vlerat e tjera të popullit kosovar?
Pas luftës, ekonomia e Kosovës është përballur me sfida të ndryshme. Këtu kanë ndikuar faktorë të ndryshëm, përfshirë edhe politikat ekonomike të vendit. Duket qartë se pas luftës e deri më sot, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës shpeshherë lavdërohen për suksesin që ka arritur vendi për sa i përket rritjes ekonomike, por kur të krahasohet gjendja e vendit me vendet tjera, duket që ende është një hendek i thellë që shkakton probleme të ndryshme sociale në vend, madje migrimet e shumta të qytetarëve tanë drejt vendeve të zhvilluara kryesisht kanë motive ekonomike. Për të gjitha këto probleme duhet të kërkohen zgjidhje, duke bërë reforma të përshtatshme, që kanë për qëllim një konsolidim për rimëkëmbje drejt rritjes së qëndrueshme.
Në faqen zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës duket që në tregtinë e jashtme të mallrave në Kosovë është një deficit tregtar. Pra, bilanci i eksportit dhe i importit janë nga treguesit e aftësisë sonë për mbrojtjen e prodhuesve vendorë. Pa dyshim që kjo gjendje ka pasoja jo të favorshme në industri të ndryshme prodhuese, por edhe në sektorin e bujqësisë. Të gjithë këta janë nga faktorët që paraqesin pengesë për të pasur aftësi konkurruese për pjesën dërmuese të ndërmarrjeve në Kosovë. Për të gjetur zgjidhje për një rritje të qëndrueshme, duhet të analizohen vendet e tjera të cilat e kanë pasur fatin e njëjtë si të Kosovës. Një pjesë e madhe e shteteve të zhvilluara, përfshirë këtu edhe Anglinë, në fazat e para të industrializimit kanë pasur politika proteksioniste, që sot mund ta quajmë edhe si “nacionalizmi ekonomik”. Në vazhdim të punimit janë paraqitur fakte se si nacionalizmi ekonomik mund të kontribuojë (të paktën për fazat e para të zhvillimit) në tejkalimin e problemeve ekonomike të vendit.
Motivet e nacionalizmit ekonomik
Nacionalizmi ekonomik është forma moderne e proteksionizmit që shihet në shumë pjesë të botës. Proteksionizmi mund të konsiderohet si kundërshtim i lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punës. Nacionalistët ekonomikë kritikojnë gjithashtu tregtinë e lirë dhe globalizimin, të cilat ata i shohin si përgjegjës për kombet që vuajnë nga shumë probleme ekonomike, sociale dhe kulturore (Cooper, 2007). Historia e nacionalizmit ekonomik lidhet me zhvillimin e sistemit kapitalizmit global, ngase në sistemin kapitalist marrëdhëniet e prodhimit kanë të bëjnë me organizimin e tepricës ekonomike për pronarët e kapitalit, që kryesisht i shërbejnë vetëm një shtrese të ngushtë të shoqërisë. Nga ana tjetër, nacionalizmi ekonomik synon që këto të mira ekonomike të mbeten brenda kufijve kombëtarë (D’Costa, 2012) Në thelb, nacionalizmi ekonomik ushqehet nga identiteti kombëtar dhe nacionalizmi. Perceptimi për identitetin kombëtar nga shoqëria dhe institucionet mund të ndryshojë dhe të formësohet sipas situatës, vendit dhe kohës dhe, për rrjedhojë, politikat e bazuara në nacionalizmin ekonomik nuk janë më uniforme (Erkişi, 2017).
Ideja themelore e nacionalizmit ekonomik është se aktivitetet ekonomike duhet të jenë në varësi të qëllimit të shtetndërtimit dhe interesave shtetërore. Të gjithë nacionalistët ekonomikë i japin përparësi shtetit, sigurisë kombëtare dhe fuqisë ushtarake, e cila duhet të jetë edhe në funksionimin dhe organizimin e sistemit ndërkombëtar (Gilpin, 2023). Po ashtu inkurajimi i prodhuesve vendas e të ngjashëm kërkon një qëndrim nacionalist. Historikisht, praktikat e shfaqjes së nacionalizmit ekonomik u shfaqën në periudhën e industrializimit, pra në kohën kur u shfaq edhe konkurrenca ndërkombëtare në shekullin e 19-të, prandaj, që nga kjo kohë ka filluar të nxitet prodhimi vendor, qasja për mbrojtjen e prodhuesve vendorë, krijimi i industrive dhe kufizimi i hyrjes së mallrave të huaja në tregun e brendshëm. Gjatë historisë, pushtetet politike kanë zhvilluar qëndrime dhe praktika ndaj mbrojtjes ose zhvillimit të forcave prodhuese dhe tregtarëve, si dhe inkurajimin, ndërhyrjen dhe drejtimin e tyre kur ishte e nevojshme. Po ashtu, nacionalizmi ekonomik bazohet në masat mbrojtëse, duke ofruar mbështetje për një periudhë të caktuar dhe në masë të caktuar të ekonomisë lokale dhe atë kombëtare. Në këtë kontekst, duket që shtetet që kanë qëndrime të nacionalizmit ekonomik u ofrojnë lehtësira dhe mbështetje prodhuesve dhe tregtarëve vendorë, që në një formë edhe krijohet një identitet politik për atë vend. Nuk është rastësi që Gjermania ishte në rolin e një avokati, si edhe zbatuesi kryesor i nacionalizmit ekonomik. Gjermania ishte në kërkim të një diskursi të politikës ekonomike me synimin që ta përballojë epërsinë ndaj Anglisë në fushën e industrisë dhe të transportit në tregtinë ndërkombëtare, e cila ishte e bazuar në konkurrencën e lirë të shekullit të 19-të (Metin, 2022).
Në esencë, baza e nacionalizmit ekonomik qëndron në synimin për ta fituar pushtetin kombëtar dhe për ta ruajtur atë me qëllim që në vitet në vijim të mund të rritet edhe më shumë. Në këtë mënyrë do të pengohet edhe zbatimi i politikave që e dobësojnë unitetin dhe fuqinë e kombit (Nakano, 2004). Gjithashtu, nacionalizmi ekonomik vlerësohet si një forcë shtytëse në zhvillimin e vendit dhe krijon një tendencë për të inkurajuar investimet në prodhimin vendor (Johnson, 1965). Atëherë kur një investim i huaj vlerësohet si një kërcënim për prodhuesit vendorë dhe për ekonominë e vendit, në këtë situatë nacionalizmi ekonomik do të krijojë një funksion mbrojtës (Zhang & He, 2014). Në këtë aspekt, nacionalizmi ekonomik është si mburojë për mbrojtjen e prodhuesve vendorë, ai e pengon ardhjen e punonjësve të huaj në vend dhe reziston që ndërmarrjet e huaja të futen në tregun vendor duke u dhënë prioritet qytetarëve të saj (Baughn & Yaprak, 1996).
Nacionalizmi ekonomik si zgjidhje fillestare
Në esencë, nacionalizmi ekonomik funksionon shumë më mirë në industritë të cilat janë në fazën e parë të zhvillimit. Madje, kjo fazë, si fillim i industrializimit, quhet “industria foshnje”. Duke pasur parasysh që edhe Kosova është në fazat e para, atëherë nacionalizmi ekonomik mund të konsiderohet si zgjidhje, të paktën për një periudhë. Lidhur me këtë, ekonomisti politik gjerman Friedrich List, i cili u ndikua edhe me idetë e Hamiltonit, ka deklaruar se Gjermania dhe SHBA-të do të arrijnë zhvillimin ekonomik të Britanisë vetëm duke mbrojtur industritë, ngase sipas tij Britania e kishte arritur këtë nivel të industrializimit duke aplikuar politika proteksioniste (Cohn, 2016). Kjo tezë i referohet mbrojtjes së përkohshme të një kompanie ose industrie të sapokrijuar kundër konkurrencës së huaj në fazat e hershme të prodhimit, me qëllim të përfitimit të ekonomive të shkallës së brendshme ose të jashtme (Karluk, 2013). Teza e industrive të reja bazohet në avantazhe krahasuese dinamike dhe është në përputhje me modelet e zhvillimit të orientuara nga eksporti. Kjo tezë nuk duhet të ngatërrohet me strategjinë e zëvendësimit të importit. Strategjia e zëvendësimit të importit i referohet mbrojtjes së të gjitha industrive në vend. Sa i përket tezës së industrive të reja, në atë rast mbrohen vetëm industritë që kanë potencial zhvillimi, pra ato që mund të fitojnë avantazhe krahasuese në të ardhmen (Seyidoğlu, 2017). Në këtë kontekst, politikat proteksioniste ose nacionalizmi ekonomik mund të jenë një zgjidhje për një periudhë për shtetet si Kosova dhe shtetet e tjera të cilët janë në këtë stad të zhvillimit.
Nacionalizmi ekonomik si mundësi për krijimin e një identiteti kombëtar
Friedrich List-i i paraqet liberalët si të pavëmendshëm ndaj konceptit të “kombit” dhe e paraqet liberalizmin si “materializëm i vdekur”. Ai argumentoi se liberalët janë të interesuar vetëm për shkëmbimin e mallrave, duke mos pasur parasysh interesat prodhuese aktuale dhe të ardhshme të kombeve. Madje, sipas tij, liberalët i shohin individët vetëm si prodhues dhe konsumatorë dhe jo si qytetarë të një shteti ose anëtarë të një kombi. Ai, po ashtu, argumenton se qëllimi i politikës ekonomike nuk duhet të kufizohet vetëm në maksimizimin e të mirave, por duhet të ketë synime të tilla për zhvillimin e fuqisë kombëtare, si dhe të elementëve kulturorë të një kombi.
List-i ka qëndrim të ndryshëm nga liberalet lidhur me botën. Ai nuk e sheh botën vetëm në syrin materialist, por – sipas tij – bota është e ndarë në kombe me interesa të ndryshme kombëtare, të cilët kanë kultura dhe identitete të ndryshme kombëtare. Ai ka qëndrimin se një individ duhet t`u japë përparësi interesave kombëtare, në krahasim me interesat e ngushta individuale. List-i e cilëson nacionalizmin ekonomik si një model që u shërben interesave kombëtare, nga njëra anë, si një mundësi që e rrit mirëqenien dhe fuqinë e një vendi, por gjithashtu e përforcon ndjenjën e prestigjit dhe identitetit kombëtar, nga ana tjetër. (Mayall, 1990).
Nga faktet e paraqitura më lart duket që nacionalizmi ekonomik, përpos interesave ekonomike të vendit, ka për synim edhe mbrojtjen e elementeve kulturore dhe ruajtjen e identitetit kombëtar të një vendi. Madje, sipas nacionalizmit ekonomik, interesi kombëtar duhet të jetë mbi interesat e individëve. Nga ana tjetër, kapitalizmi është i përqendruar më tepër për maksimizim të fitimit, duke mos pasur parasysh edhe kostot sociale, përfshirë identitetin kombëtar dhe vlera të tjera të një vendi.
Përfundim
Nacionalizmi ekonomik synon ta mbrojë ekonominë kombëtare për të fituar një avantazh në tregtinë globale, në vend të një strukture të mbyllur ekonomike. Nacionalizmi ekonomik mund të konsiderohet si përpjekje e ekonomive kombëtare për t’i eliminuar kërcënimet që vijnë nga tendencat e globalizimit.
Natyrisht, nacionalizmi ekonomik nuk ka funksionuar mirë kudo. Shumë qeveri kishin miratuar politika të panevojshme, kishin mbështetur firmat joefikase për një kohë të gjatë dhe kishin mbyllur pa dallim ekonomitë e tyre. Andaj populli i tyre e pagoi çmimin për vendimet e marra nga këto qeveri. Në nacionalizmin ekonomik që shkoi keq fajin nuk e ka dikush tjetër, por vetë udhëheqësit, të cilët nuk arritën të bëjnë një kombinim të përshtatshëm.
Në përfundim mund të thuhet se nacionalizmi ekonomik është një qasje pragmatike gjithëpërfshirëse, e cila formësohet sipas kohës dhe kushteve, siç e kërkojnë interesat kombëtare, dhe ndikon në veprimet politike, ekonomike dhe kulturore të një vendi. Prandaj, nacionalizmi ekonomik mund të jetë një zgjidhje për t’i evituar problemet me të cilat ballafaqohet Kosova.
REFERENCAT:
Baughn, C. C., & Yaprak, A. (1996). Economic Nationalism: Conceptual and Empirical Development. Political Psychology, 759-778.
Cohn, T. H. (2016). Global Political Economy: Theory and Practice. United Kingdom: Routledge, Tayllor & Francis Group.
Cooper, Z. (2007). Economic Nationalism. London: The Smith Institute.
D’Costa, A. P. (2012). Capitalism and economic nationalism: Asian state activism in the world economy. United Kingdom: Oxford University Press.
Erkişi, K. (2017). Uluslararası Politik İktisat Perspektifinde İktisadi Milliyetçiliğin Kavramsal Analizi. Uluslararası Sosyal Araştırmalar Dergisi, 827-837.
Gilpin, R. (2023). Uluslararası İlişkilerin Ekonomi Politiği. Ankara: Kripto Yayınları.
Johnson, H. G. (1965). A Theoretical Model of Economic Nationalism in New and Developing States. Political Science Quarterly, 169-185.
Karluk, R. (2013). Uluslararası Ekonomi, 10 Edition. İstanbul: Beta Basım Yayım.
Mayall, J. (1990). Nationalism and International Society. Cambridge: Cambridge University Press.
Metin, C. (2022). Ekonomik Milliyetçilik ve Celal Bayar. In N. Gülmez, & N. Bilgi, Asırlık Çınar Celal Bayar (pp. 279-334). Ankara: Berikan Yayınevi.
Nakano, T. (2004). Theorising economic nationalism. Nations and Nationalism, 211-229.
Seyidoğlu, H. (2017). Uluslararası İktisat Teori Politika ve Uygulama, 21 Edition. İstanbul: Güzem Can yayınları.
Zhang, J., & He, X. (2014). Economic nationalism and foreign acquisition completion: The case of China. International Business Review, 212-227.