loader image
July 17, 2024

Momenti i fundit i kthesës së duhur

Nëse veprohet me kryeneçësi dhe kokëfortësi, hapat e tjerë do të jenë edhe më të vrazhdë. Mëtohet të shkohet ndoshta edhe në rikthimin e këtyre komunave me shumicë serbe nën protektorat ndërkombëtar, gjë që do të ishte një hap shumë i dëmshëm dhe do ta zbehte sovranitetin e Kosovës. Përballë gjithë kësaj situate, kryeministri Kurti dhe shtetarët e Kosovës po përballen me tre skenarë të mundshëm për daljen nga kriza.

Shkruan: Ardian RAMADANI, Kumanovë

Kosova po shënon 24-vjetorin e çlirimit nga okupimi shekullor serb në një situatë tejet të pazakontë. E gjendur përballë kontestimit të brendshëm nga minoriteti serb në pjesën e saj veriore, si dhe përballë agresionit ditë e më të madh nga Serbia fqinje, ajo gjendet fatkeqësisht në një pozitë tejet të palakmueshme edhe në raport me aleatët perëndimorë, të cilët e ndihmuan në vitin 1999. E gjendur përballë kërkesës së aleatëve perëndimorë për tërheqje nga komunat e saj veriore, në emër të “depërshkallëzimit të situatës”, ajo ka ngelur pothuajse e vetmuar në skenën ndërkombëtare, duke mos e gëzuar në këtë qëndrim të saj as përkrahjen e Shqipërisë, as të establishmentit politik shqiptar qeverisës në Maqedoninë e Veriut, e as përkrahjen e qeverisjes lokale të Preshevës. Shtetarët e Kosovës, në qëndrimet dhe veprimet e tyre, nuk po e gëzojnë as edhe mishërimin e faktorit politik opozitar në Kosovë, i cili me gagaçërinë neveritëse duket se nuk po mund të këndellet dot e as ta gjejë veten e ta sfidojë seriozisht bllokun qeverisës. Në gjithë këtë mishmash po vazhdon të qëndrojë me këmbëngulje, në dukje stoik dhe i pathyeshëm, në qëndrimet e tij, kryeministri i Kosovës dhe paria e shtetit të Kosovës, duke mos e tërhequr policinë speciale nga komunat veriore, pavarësisht thirrjeve, e duke i arrestuar vazhdimisht banditët dhe kriminelët serbë.

Në anën tjetër, këshillat dhe kërkesat e shumta, që vijnë nga shtetet e ndryshme aleate, shkojnë në atë drejtim që i kërkojnë Kosovës tërheqjen prej pozicioneve të saj. Ndërkaq, po shihet qartë se, në emër të shkëputjes së Serbisë nga Rusia, pala serbe po kundrohet disi më ndryshe, më me kujdes, më me nuanca, nga aleatët perëndimorë, të cilët janë të vendosur për ta marrë Serbinë në anën e tyre, në betejën e tyre të përplasjes me Rusinë në territorin e Ukrainës.

Paria shtetërore e Kosovës i ka të qarta të gjitha këto. Më mirë se kushdo qoftë tjetër. Por, ajo po vazhdon të insistojë në shtrirjen e plotë të sovranitetit në pjesën e Veriut, duke mos e çarë fare kokën për kërkesat e perëndimorëve dhe aleatëve.

Në dukje, këmbëngulja e Kosovës është shumë fisnike, tejet e arsyeshme dhe e logjikshme. Nuk mund të kontestohet republika dhe shteti nga bandat dhe krimi, si dhe nga një shtet i cili edhe sot e kësaj dite nuk e ka bërë katarsën e nevojshme, kërkimfaljen e obliguar, si shkaktare e shumë luftërave në ish-Jugosllavi, si dhe shumë krimeve, pastrimeve etnike e masakrave në shekullin që lamë pas, kjo në emër të idesë së zgjerimit të tij, në dëm të të tjerëve. E tërë kjo, me gjithë faktin se ka kaluar pa mos u dënuar, e bile-bile duke u shpërblyer nëpër konferencat e ndryshme të paqes, pa dyshim se krijon hapësirë për mllef dhe mëri.

Por, në anën tjetër, nuk duhet harruar faktin e bombardimit të Serbisë në vitin 1999 nga NATO me në krye SHBA-në. Nuk duhet harruar se tërë bota perëndimore, në emër të humanizmit, i tejkaloi edhe ligjet ndërkombëtare në emër të intervenimit humanitar, për ta ndihmuar popullin shqiptar të Kosovës. Shto këtu edhe ndihmat perëndimore në Shqipëri, mandej ndihmën e pakursyer perëndimore të luftës së armatosur shqiptare në Maqedoni e në Luginë. Nuk duhet harruar dhe nuk duhet vënë në dyshim ndihmën e tyre në momentet më të vështira të kombit tonë. Andaj, është e udhës që të diskutohen e shoshiten në tryezë dhe të merren parasysh kërkesat e tyre. Qoftë kjo, edhe nëse ato kërkesa mund të na duken jo të favorshme. Miqësia dhe aleanca kërkon angazhim, zotim, por bazohet edhe në frymën e mirëkuptimit dhe të lëshimit pe.

Në kohën kur gjithë aleatët perëndimorë, si dhe politika në arealin shqiptar, kërkojnë rishikim të qëndrimeve, është e udhës që paria e Kosovës t’i marrë parasysh këto kërkesa dhe këshilla. Refuzimi i ndjekjes së këtyre këshillave po i jep edhe “frytet” e para. Fillimisht, në fjalorin e shumë kancelarive po mëtohet të bëhet “viktimizimi” i minoritetit serb dhe i shfaqjes së Kosovës si kërcënuese e sigurisë. Përjashtimi i Kosovës nga Defender Europe 2023 ishte hapi i radhës. Nëse veprohet me kryeneçësi dhe kokëfortësi, hapat e tjerë do të jenë edhe më të vrazhdë. Mëtohet të shkohet ndoshta edhe në rikthimin e këtyre komunave me shumicë serbe nën protektorat ndërkombëtar, gjë që do të ishte një hap shumë i dëmshëm dhe do ta zbehte sovranitetin e Kosovës.

Përballë gjithë kësaj situate, kryeministri Kurti dhe shtetarët e Kosovës po përballen me tre skenarë të mundshëm për daljen nga kriza.

Skenari i parë, në tavolinë, është ideja e Asociacionit, që i kërkohet Kosovës me ngulm, e që në fakt desovranizon Kosovën. Edhe nëse ta zëmë se Kryeministri Kurti e pranon krejtësisht këtë propozim, ai do ta rrënonte kredibilitetin e tij, sepse në sajë të kundërshtimit të Asociacionit (Zajednicës), ai arriti në majat e pushtetit me përkrahje plebishitare.

Skenari i dytë, në tavolinën e negociatave, disi nën rrogoz, është shpalosja e serishme e këmbimit të territoreve, me ç’rast Kosovës i kërkohet të lëshojë komunat me shumicë serbe në veri të saj, duke marrë në këmbim komunën e Preshevës, si dhe disa fshatra të Bujanocit dhe Medokës (lexo: Medvegjës). Kjo gjë, në njërën anë, do t`i gëzonte shqiptarët e Luginës, por në anën tjetër duhet thënë troç se Kosova do të humbiste pjesë të shquar të potencialit të saj ekonomik. E, në anën tjetër, do të ishte një hapje e kutisë së Pandorës për shtetet e tjera të Ballkanit, si dhe do të krijonte efekte domino, qoftë në Bosnjë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut.

Skenari i tretë do të ishte përplasja finale mes policisë së Kosovës dhe bandave të krimit dhe terrorit, të cilat do të përkraheshin përmes involvimit direkt të Serbisë (mos të harrojmë që Serbia e mban ushtrinë në gatishmëri luftarake në kufi me Kosovën) dhe kjo do të shpinte në një përplasje me përmasa rajonale, ku shqiptarët do të detyroheshin të luftonin kësaj radhe krejtësisht të vetëm, e ku roli i trupave të KFOR-it dhe NATO-s do të ngelej tejet i paqartë. Megjithatë, edhe pas kësaj do të duhej sërish të shkohej në tavolinën e negociatave për të negociuar paqen.

Andaj, është momenti i duhur për kryeministrin Kurti dhe parinë e Kosovës që ta bëjnë kthesën e duhur, duke dëgjuar për së fundi herë këshillat e aleatëve perëndimorë, të cilët nuk duan luftë dhe një front tjetër të ri, përveç atij në Ukrainë, të jenë ata nismëtarët e depërshkallëzimit të situatës, duke ia lënë pataten e nxehtë Serbisë. Kryeministri Kurti duhet ta ketë parasysh një thënie tejet të çmuar. Alexandre Dumas, artist, dramaturg, shkrimtar, letrar, eseist, novelist e romancier francez, në një rast, ka thënë: “Nëse bëhesh burrështeti, mos harro se sekreti i madh i politikës qëndron në këto dy fjalë: të dish të presësh. Nëse je ministër (lexo: kryeministër), mos harro se çdo gjë sillet rreth këtyre fjalëve: të dish të veprosh”.

Uroj dhe shpresoj që kryeministri Kurti dhe shtetarët e Kosovës, pavarësisht opsionit që do të përcaktohen, t`ia dalin mbanë dhe të korrin sukses!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X